Basha, nga koalicioni “i madh”, tek “i vogli”

Nga Eduard Zaloshnja

Në një studio televizive, Berisha deklaroi se bashkëpunimi politik i PD-së me LSI-në është jetik për rrëzimin e Edi Ramës. Edhe në 2009-ën, ai e quajti jetik bashkëpunimin politik të PD-së me LSI-në, për të qeverisur vendin. Dhe në fakt, bashkëqeverisi me LSI-në për katër vjet, deri në qershor të 2013-ës…

Edhe Basha, gjatë javëve të çadrës para kryeministrisë, dukej se e shihte si jetik bashkëpunimin e PD-së me LSI-në, por nuk e shpallte publikisht këtë gjë. Ai përdorte të njëjtat akuza ndaj Edi Ramës, që i kishin bërë paraprakisht ministra e deputetë të LSI-së dhe dukej se kishte të njëjtin objektiv si LSI-ja, të izolonte dhe rrëzonte qeverinë “Rama” para zgjedhjeve, e të bashkëqeveriste me LSI-në pas zgjedhjeve (jo para tyre).

Por natën e 17 majit, pasi Rama u vu para batareve të përfaqësuesve të partive kryesore (PD, LSI, PDIU etj), e thirri Bashën në një dhomë më vete, nga ku lindi marrëveshja e 18 majit.

Pas asaj marrëveshje, Basha e ndryshoi 180 gradë qëndrimin e tij ndaj LSI-së. Bataretë e përditshme të tij filluan të drejtoheshin ndaj kësaj partie (dhe në qytete të caktuara, edhe ndaj PDIU-së), ndërkohë që u harruan sulmet ndaj “kryekanabizuesit të vendit”, Edi Ramës. Ndërkohë, në mediat dhe kafenetë shqiptare, gëlonin zërat për një koalicion të madh paszgjedhor PS-PD, të ngjashëm me atë gjerman, mes CDU-së dhe SPD-së.

Nga mënyra si rrodhën ngjarjet dhe nga pikat e marrëveshjes Rama-Basha, mbi ndryshimet e ardhshme në kushtetutë dhe në ligjin zgjedhor, dukej qartë se Rama i kishte kërkuar Bashës bashkëpunimin për tkurrjen e LSI-së dhe të partive të tjera të vogla, në këmbim të një bashkëqeverisje katërvjeçare PS-PD. Por kjo, vetëm nëse PS-ja nuk do të arrinte të siguronte e vetme të paktën 71 mandate parlamentare. Përndryshe, Bashës do t’i duhej të priste zgjedhjet e tjera, për të patur një shans tjetër për qeverisje…

Fakti që Basha e pranoi atë marrëveshje, tregon se këshilltarët e tij statistikorë ia kishin mbushur mendjen se ishte e pamundur që PS-ja të merrte e vetme mbi 70 mandate parlamentare.

Në fakt, nga një sondazh që zhvillova para marrëveshjes së 18 majit, më rezultonte se për koalicionin e djathtë, ishin të vendosur të votonin rreth 660 mijë banorë të Shqipërisë në moshë për votim (në zgjedhjet e fundit lokale, kandidatët e djathtë për kryebashkiakë kishin marrë plot 670 mijë vota). Dhe në qoftë se koalicioni i djathtë e ruante atë kuotë deri në ditën e zgjedhjeve, PS-ja do ta kishte vërtet të vështirë kalimin e kufirit të 70 mandateve.

Por kur erdhi dita e votimit, PD-ja dhe PR-ja (si dhe partitë e tjera të vogla të përfshira në listat e PD-së) morën vetëm 460 mijë vota, 200 mijë më pak sesa më rezultonin në sondazhin tim të para 18 majit dhe 210 mijë më pak sesa kishin marrë kandidatët e djathtë për kryebashkiakë. Elektorati i djathtë nuk kishte mbetur i ngrirë… Dhe tkurrja gjigante ndodhi kryesisht në zonat urbane.

Deri më sot nuk është bërë ndonjë sondazh paszgjedhor, për të analizuar shkaqet e asaj tkurrje të partive të djathta, por disa hamendje racionale mund të bëhen.

Para marrëveshjes së 18 majit, elektorati i djathtë ishte i motivuar për të mundur PS-në në zgjedhje, me shpresën se ardhja në pushtet e Trump-it do të ndikonte në ndryshimin e politikave amerikane ndaj qeverisë “Rama”. Ky perceptim u përforcua nga disa takime të Bashës në Uashington, si dhe nga vizitat e disa figurave periferike republikane në çadrën e opozitës.

Por ideja se PD-ja do të bashkëqeveriste pas zgjedhjeve me PS-në, si dhe hartimi i listave të deputetëve në mënyrë personale nga Basha, duket se nuk u gëlltit nga elektorati i djathtë, kryesisht në qytete. Dhe rezultati ishte një tkurrje e koalicionit të djathtë prej 200 mijë votash, ndërkohë që PS-ja, bëri si bëri, mori pothuaj aq vota sa kishin pas marrë në 2013-tën partitë e majta (përveç LSI-së).

Dhe vijmë në ditët e sotme.

Tani Basha duhet të bindë elektoratin e djathë përsëri për një bashkëqeverisje me një parti të majtë; me LSI-në. Dhe situata është e ndryshme nga koha kur Berisha bëri të njëjtën marrëveshje. Atëherë, koalicioni i djathtë kishte arritur të siguronte vetëm 70 mandate dhe Berishës i duhej të bashkëqeveriste ose me PS-në, ose me LSI-në. Përndryshe, duheshin zhvilluar zgjedhjet nga e para…

Ndërsa tani, Basha po e bën koalicionin me LSI-në e majtë, shumë përpara zgjedhjeve. Dhe duket se këtë gjë nuk po e kapërdin kollaj elektorati i djathtë. Sipas një sondazhi që zhvillova ditët e fundit, një koalicion PD+LSI (plus bishtrat e tjera) do të merrte sot vetëm 700 mijë vota (ndërkohë që koalicioni PS+PDIU+PSD mund të marrë 770 mijë vota). Këto shifra tregojnë se elektorati i djathtë nuk është rikthyer në shtëpinë e tij natyrale.

Në kohërat para 18 majit, koalicioni i djathtë kishte potencialin për të marrë i vetëm 700 mijë vota, pa e shtuar fare LSI-në në shportë. Ndërsa aktualisht, 700 mijë votat i merr vetëm në qoftë se bashkohet me LSI-në…

Albanian Free Press

SHKARKO APP