BE heq kufizimet e udhëtimit për shqiptarët, çfarë duhet të dini përpara se të niseni

Pas më shumë se një viti, qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë së shpejti drejt Bashkimit Europian për udhëtime jo thelbësore (jo-esenciale). Kjo falë dakortësisë së arritur  nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian lidhur me heqjen e kufizimeve për udhëtimet nga vendet e treta drejt Bashkimit Europian. Të 27 ambasadorët kanë aprovuar zgjerimin e listës së vendeve të treta që konsiderohen të sigurta për situatën epidemiologjike  aktuale lidhur me pandeminë COVID-19. Ky zgjerim përfshin Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në dokument, nënvizohet se qytetarët mund t’i nënshtrohen një testi PCR 72 orë para udhëtimit  (në rastin e Shqipërisë :tampon negativ) drejt një prej vendeve të Bashkimit Europian. Gjithashtu, shtetet anëtare ruajnë të drejtën për të gjykuar nëse karantina është e nevojshme pas mbërritjes në një prej shteteve të Bashkimit Europian. Qytetarët shqiptarë të vaksinuar me dy doza vaksinash të njohura nga Bashkimi Europian (EMA), normalisht nuk duhet të kenë nevojë për një test PCR. Por këtu është I nevojshëm informimi me detaje me agjensitë e udhëtimit.

Burime të shteteve anëtare kanë treguar për ABC, se duke filluar nga 1 korriku, disa shtete anëtare do të njohin edhe vaksinat kineze (CoronaVac) dhe ruse (SPUTNIK V). Si rrjedhim, qytetarët shqiptarë  që janë vaksinuar me vaksinën kineze do të mund të udhëtojnë drejt këryre vendeve. ABC do të njoftojë prej 1 korrikut se cilat janë shtetet anëtare të Bashkimit Europian që  do të njohin vaksinën kineze dhe ruse.

Shqipëria arriti të futej në listen e vendeve të sigurta si rrjedhim i plotësimit të kritereve kryesore të vendosura nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian: Më pak se 75 të infektuar për çdo 100.000 banorë për dy javët e fundit (14 ditë), një trend të qëndrueshëm në ulje të treguesve kryesorë lidhur me pandeminë që kanë të bëjnë me uljen e numrit të vdekjeve dhe të të shtruarve në spital, disponueshmërinë e testeve PCR dhe vijimin me procesin e vaksinimit.

Vendimi zyrtar i shteteve anëtare të Bashkimit Europian mbi zgjerimin e listës së vendeve të treta pritet të merret të premten (18 qershor) gjatë takimit të ministrave të ekonomisë dhe financave të Bashkimit Europian.

Në vendim pritet të preçizohet ekzaktësisht, se nga cili afat, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian për udhëtime jo-thelbësore.

/Nga Erisa Zykaj – Abcnews.al/

SHKARKO APP