Bëhet virale, fotoja e mjekut që përqafon pacientin me Covid meriton vëmendje

Pandemia e koronavirusit vazhdon të jetë një problem i rëndë në Shtetet e Bashkuara, por edhe në gjithë botën. Të gjithë po i ndiejnë efektet e pandemisë, por edhe më e vështirë është për ata që ndodhen në vijën e parë, që po bëjnë gjithçka që munden për ta mbajtur këtë situatë nën kontroll. Shumë media amerikane i dhanë vëmendje një fotoje të enjten e kaluar, gjatë Ditës së Falënderimeve. Në foton e bërë virale, një mjek, me veshje të plota mbrojtëse, shihet duke përqafuar një pacient me COVID-19 mes krizës së vazhdueshme shëndetësore.

Ai është identifikuar si Dr. Joseph Varon, i cili i veshur me pajisje mbrojtëse, përqafon për t’i dhënë forcë një pacienti të moshuar që vuan nga COVID-19. Fotoja u bë në njësinë e kujdesit intensiv të Houston’s United Memorial Health Center, në Ditën e Falënderimeve që përkonte edhe me ditën e 252-të të Varon për punën në spital.

Gjatë një interviste me New Day të CNN, mjeku shpjegoi se si ka qenë jeta në spital gjatë muajve të fundit mes krizës shëndetësore.

“Ditët e fundit, kemi pasur një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve. Nuk ka dyshim që pacientët po vijnë më të sëmurë, sepse ata po presin më gjatë për të shkuar në spital. Fatkeqësisht, shqetësimi im për gjashtë deri në dymbëdhjetë javët e ardhshme është që nëse nuk i bëjmë gjërat siç duhet, Amerika do të shohë ditët më të errëta në historinë moderne mjekësore amerikane”, -u shpreh Varon, i cili shtoi se spitali ku ai punon është i mbushur plot.

Pritet një rritje e rasteve, duke qenë se shumë amerikanë ishin mbledhur për të festuar Ditën e Falënderimeve dhe kjo mund të përbëjë një problem të madh për punonjësit e kujdesit mjekësor në të gjithë vendin.

SHKARKO APP