Biznesi në Shqipëri po investon në prona – Kredia për pasuri të paluajtshme u rrit me 13% vitin e kaluar

Rritja e investimeve në pasuri të paluajtshme në vitet e fundit është një tendencë që ka përfshirë jo vetëm individët, por edhe sipërmarrjet. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për pasuri të paluajtshme e biznesit regjistroi një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2019. Në fund të muajit nëntor, ky portofol arriti vlerën e 90 miliardë lekëve, me një rritje vjetore pranë nivelit të 13%.

Rritja e investimeve në pasuri të paluajtshme dëshmohet edhe nga rritja e numrit të lejeve të ndërtimit në katër vitet e fundit. Rritja ka qenë e shpërndarë në mënyrë pak a shumë të ekuilibruar mes ndërtimeve rezidenciale dhe atyre tregtare e industriale, që janë përgjithësisht investimeve të kryera në funksion të aktiviteteve komerciale nga sipërmarrjet. Një sektor që ka thithur investime të konsiderueshme në vitet e fundit ka qenë i hotelerisë dhe njësive të tjera akomoduese. Vetëm për 9-mujorin 2019, u miratuan për ndërtim projekte hotelesh për një vlerë prej rreth 100 milionë eurosh. Vetëm në dy vitet e fundit, numri i lejeve të ndërtimit për hotele dhe struktura të ngjashme ka qenë 130. Besohet se një pjesë e mirë e këtyre projekteve janë mbështetur me financime nga sektori bankar.

Veç zhvillimeve sektoriale, edhe normat e ulëta të interesit duket se kanë dhënë një efekt simulues në vendimmarrjen e bizneseve për të blerë apo ndërtuar pasuri të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të nëntorit norma mesatare e interesit për kreditë e biznesit në euro ishte pak sipër kufirit të 4%, ndërsa në lekë interesi mesatar ishte rreth 6%. / SCAN

SHKARKO APP