Blerja e votave ndër vite

NGA EDUARD ZALOSHNJA

Një ndër çështjet kyçe të debatit të sotëm politik në Shqipëri është blerja e votave. Opozita pretendon se me Ramën kryeministër, nuk mund të futet në zgjedhjet e ardhshme, sepse ai blen vota me paratë e drogës, krimit dhe të oligarkëve. Por a është blerja e votës një fenomen që e ka sjellë Edi Rama në Shqipëri?

Pyetje e bërë në një sondazh ndërkombëtar në vjeshtën e vitit 2017: “A ju janë ofruar ndonjëherë pará apo ndonjë favor, në shkëmbim të votës tuaj në zgjedhje?” Kësaj pyetje i janë përgjigjur pozitivisht 20.6% e të anketuarve shqiptarë. Vetëm malazezët kanë një kuotë më të lartë në Ballkan – 22.5% (shihni grafikun shoqërues).

Sondazhi i mësipërm u bë në kuadër të një studimi të kryer prej Institutit për Demokraci “Shoqëria Civile” – Shkup, si pjesë e Projektit HORIZON 2012, të financuar nga BE. Projekti HORIZON 2012 zbatohet nga një konsorcium ndërkombëtar i drejtuar nga Shkolla për Studime Sllave dhe Europiano-Lindore pranë Kolegjit Universitar Londër. Ndërsa anketimin në terren në Shqipëri e ka kryer Qendra e Kërkimeve Historike dhe Antropologjike, e cila nuk ka asnjë adresë në internet, por vetëm një faqe në Facebook, ku figuron si një OJQ shqiptare me vetëm një anëtar.

Meqenëse në Shqipëri banonin rreth 2.15 milionë zgjedhës në 2017-ën (nga mbi 3.4 milion që ishin gjithsej në listat e zgjedhësve), mund të ekstrapolohet se rreth 435 mijë zgjedhësve me banim në Shqipëri u janë ofruar pará apo ndonjë favor (në shkëmbim të votës), të paktën në një nga zgjedhjet që ata kanë marrë pjesë në tre dekadat e fundit (nuk bëhet fjalë për “zgjedhjet” para vitin 1990, kur rezultati dilte 99.99% për Frontin Demokratik”).

Pa i hyrë saktësisë së kampionimit dhe rigorozitetit të anketimit të këtij studimi, mund të them se prisja që shifra për Shqipërinë të ishte më e lartë. Dhe ja përse.

Blerja e votës nuk ka filluar sot – ajo ka filluar në mënyrë masive në lagjet magjype e rome qysh në zgjedhjet e 1991-shit. Në një lagje të tillë të Beratit, për shembull, u shpërnda atëherë miell, oriz e sheqer, vetëm një ditë para zgjedhjeve, dhe e gjithë lagjja votoi për kandidaten e majtë. Një javë më vonë, në balotazh, shpërndarja e orizit dhe sheqerit nuk u përsërit, dhe lagjja votoi për kandidatin e PD-së…

Me kalimin e viteve, blerja e votës u bë më e stërholluar, duke depërtuar edhe në lagje të tjera të varfra, urbane dhe rurale. Kështu, një sondazh i IDRA-s më 2013-ën (i financuar nga USAID-i) gjeti se 33% e të anketuarve shqiptarë ishin në dijeni të rasteve kur zgjedhës të caktuar mund ta kishin dhënë votën në shkëmbim të paráve apo të ndonjë favori.

Kush pretendon se, në tre dekadat e fundit, s’janë blerë këtu vota me para apo me favore, duket se nuk e njeh fare Shqipërinë, ose thjesht gënjen. Gjithashtu, ajo parti që pretendon se, në tre dekadat e fundit, nuk ka blerë vota me para apo me favore, thjesht na bën të qeshim (bëhet fjalë për parti që kanë marrë të paktën mbi 3% të votave në zgjedhje).

Partitë kryesore të opozitës e kanë interpretuar studimin e sipërcituar si një vërtetim të pretendimit të tyre se PS-ja ka blerë mbi 20% të votave në zgjedhjet e fundit. Por, në fakt, ai studim i bënte me faj të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e tre dekadave të fundit, pa i përmendur veç e veç ato.

Kuptohet që edhe PS-ja, në qoftë do të kishte qenë sot në opozitë, do ta kishte përdorur studimin e mësipërm në të njëjtën mënyrë që po e përdorin partitë aktuale opozitare. Po puna është se ç’mendojnë ata që nuk janë partizanë të asnjë partie. Sepse në zgjedhjet e fundit, rreth 550 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri nuk votuan për asnjërën nga partitë në garë (për krahasim, PD-në e votuan vetëm 455 mijë zgjedhës më 2017). Dhe zgjedhës të tillë janë të zhgënjyer me partitë e me zgjedhjet, ndoshta edhe për faktin se kanë bindjen që votat blihen e shiten në lagjet e fshatrat e varfër, duke e bërë kështu të pavlefshme votën e tyre.

Ajo votë mund të bëhet e vlefshme vetëm kur të përfundojnë në burg ata politikanë që akumulojnë pará të pista përmes korrupsionit apo përmes lidhjeve me krimin, për t’i përdorur pastaj për të blerë vota. Dhe kjo (ndoshta) do të ndodhë kur të ngrihet e të fillojë së funksionuari i shumëprituri SPAK…

Cilat parti u rritën elektoralisht në zgjedhjet e fundit?

Në zgjedhjet e fundit, numri i i pjesëmarrësve u ul me 150 mijë, në krahasim me zgjedhjet paraardhëse parlamentare. Sidoqoftë, jo të gjitha partitë garuese u tkurrën. Kështu, PS-ja mori vetëm 94% të votave që kishte pas marrë ajo dhe partitë satelite të saj në zgjedhjet paraardhëse parlamentare (vetëm në qarkun e Kukësit dhe Durrësit kjo përqindje ishte mbi 100% – përkatësisht 143% dhe 108%). PD-ja mori vetëm 69% të votave që kishte pas marrë ajo dhe partitë satelite të saj në zgjedhjet paraardhëse parlamentare. Ndërsa LSI-ja dhe PDIU-ja patën rritje të ndjeshme në krahasim me zgjedhjet paraardhëse parlamentare – LSI plus 45 mijë vota dhe PDIU plus 30 mijë vota. Kjo e fundit rritjen e pati të përqendruar në qarqet Elbasan dhe Dibër.

SHKARKO APP