Bllokimi i ekonomisë – Miliona euro të ardhurat e munguara për siguruesit
Bllokimi i ekonomisë prej koronavirusit pritet të shkaktojë pasoja të konsiderueshme edhe në tregun e sigurimeve. Në kushtet kur popullsia është e mbyllur në karantinë dhe lëvizja e automjeteve është kufizuar në mënyrë drastike, është e pritshme që ata të heqin dorë nga shumica e sigurimeve, përfshi ato të detyrueshme.
Produktet më të rëndësishme për tregun e sigurimeve janë sigurimet e detyrueshme motorike, që vitin e kaluar sollën prime mesatare në vlerën e rreth 7.5 milionë eurove në muaj. Këtu përfshihet sigurimi i brendshëm motorik, kartoni jeshil dhe polica kufitare. Po të shtojmë edhe sigurimin vullnetar kasko, shuma kalon vlerën e 8 milionë eurove në muaj.
Tani që shumica e mjeteve nuk lëvizin dhe qarkullimi ndërkufitar është bllokuar, pjesa dërrmuese e këtyre sigurimeve nuk do të kryhen. Nëse sigurimet e detyrueshme kombëtare mund të supozohet se do të rinovohen pas tejkalimit të emergjencës, të ardhurat nga kartoni jeshil apo nga sigurimi kufitar janë të ardhura që vështirë se do të kompensohen më tej gjatë vitit.
Lëvizjet ndërkombëtare të shtetasve janë të lidhura edhe me produkte të tjera sigurimesh, si për shembull sigurimi nga aksidentet në udhëtim. Të ardhurat nga ky produkt llogariten rreth 400 mijë euro në muaj. Të paktën për periudhë mars-prill, këto të ardhura janë të destinuara të ulen në minimum.
Një tjetër sigurim që supozohet se do të preket ndjeshëm është sigurimi i jetës dhe i pronës, sidomos për pjesën e lidhur me kredinë bankare. Është e kuptueshme që kredidhënia e re në këtë periudhë do të preket ndjeshëm, sidomos në segmentin e individëve. Kjo do të sjellë më pak polica jete dhe prone për kompanitë e sigurimeve. Për shembull, vitin e kaluar sigurimi i jetës së debitorit gjeneronte rreth 70 mijë euro sigurime në muaj.
Tregu i sigurimit të pronës ka vlerë më të madhe, me afërsisht një milionë euro në muaj. Edhe ky segment pritet të pësojë rënie, për shkak të uljes së të ardhurave nga sigurimi i kolateraleve. Duke llogaritur të gjitha, çdo muaj bllokim do të përkthehet në miliona euro të ardhura të munguara për tregun e sigurimeve.
/ SCAN