Bojkoti parlamentar dhe efektet e tij: Rasti i Shqipërisë

Nga Afrim Krasniqi

Shqipëria është një prej vendeve ish-komuniste që gjatë periudhës së tranzicionit 1991-2019 ka eksperimentuar me pothuajse të gjitha format klasike të përdorimit të bojkotit parlamentar: ka pasur bojkotim të zgjedhjeve parlamentare, refuzim të hyrjes në parlament, bojkotim për një periudhë të gjatë të parlamentit, dorëzim kolektiv të mandateve parlamentare, bojkotim të seancave ose të komisioneve parlamentare, bojkotim të praktikës zgjedhore të disa institucioneve kushtetuese në parlament, bojkotim të debateve ose nismave të veçanta parlamentare, bojkotim të fraksioneve edhe brenda vetë koalicioneve dhe partive në parlament etj.

Bazuar në sistemin kushtetues shqiptar, pushteti ligjvënës është atribut kryesisht i parlamentit. Institucioni i parlamentit në Shqipëri përbën edhe pikën referuese për vendimmarrjen, si dhe zhvillimin e politikës. Prej parlamentit burojnë të gjitha institucionet e tjera, ushtrohet kontrolli kushtetues dhe garantohet funksionimi i sistemit përfaqësues. Për këto arsye aktet e parlamentit kanë vëmendje e rëndësi, si dhe cilësia e tyre reflekton edhe cilësinë e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Praktikat e bojkotit lidhen me konfliktualitetin permanent politik, me vrasje politikanësh apo arrestim të politikanëve të lartë opozitarë, me kontestime ndaj rregullave zgjedhore apo rolit të shtetit në fushata elektorale, me nisma të njëanshme politike ose me mosmarrëveshje në lidhje me prioritetet kombëtare me ato integruese. Duke qenë një vend me traditë të brishtë demokratike dhe me një elitë politike të formësuar në periudhën e indoktrinimit komunist, formësimi i sistemit shumëpartiak u dominua nga emra të veçantë dhe për pasojë, modeli i institucioneve të forta kushtetuese të garancisë demokratike u zëvendësua kryesisht me modelin e liderëve të fortë politikë që kontrollojnë institucionet.

Rrethanat dhe motivet kryesore të bojkotit parlamentar

Referuar numrit të madh të rasteve të aplikimit të instrumentit të bojkotit në praktikën shqiptare, mund të vlerësojmë se në tërësi bojkoti është përdorur për katër objektiva të ndryshëm:

Për shkak të kontestimeve ndaj proceseve zgjedhore, legjislacionit zgjedhor ose legjitimitetit që buron nga zgjedhjet. Këtu futen pjesa më e madhe e rasteve të bojkotit, sidomos rastet e bojkotimit afatgjatë të parlamentit. Në përvojën shqiptare argumenti zgjedhor është përdorur për bojkot përpara, gjatë ose pas procesit zgjedhor.

Për shkak të nevojës së partive të opozitës për të promovuar çështje që nuk janë në agjendën parlamentare dhe refuzimit të mazhorancës në trajtimin e tyre. Të tilla janë rastet e dekriminalizimit në politikë, të vetingut në politikë, të lirisë së medias dhe kundër censurës etj.

Për shkak të incidenteve të rënda politike të ndodhura në parlament ose jashtë tij, siç është rasti i vrasjes së deputetit Hajdari 1998, dhuna ndaj një deputeti më 2014, arrestimi i kryetarit të opozitës më 1993, plagosja e një deputeti më 1997 etj.

Për shkak të nevojës së minorancës për të përdorur bojkotin si instrument presioni e kushtëzimi ndaj mazhorancës, për dobësimin e qeverisjes dhe bllokimin e akteve më të rëndësishme politike të saj. Të tilla janë votimi për Kushtetutën 1994, paketa e të drejtave të njeriut 1993, kriza politike e vitit 1996-1997, refuzimi i votimit të tri ligjeve për integrimin 2011-2013, çështja e imunitetit 2012, ndryshimet kushtetuese 2008 apo presioni për qeveri teknike më 2017.

Secili prej këtyre rasteve ka shërbyer edhe si motiv iniciues për praktikën e bojkotit. Mungesa e dialogut politik në parlament apo jashtë tij, si dhe konfliktualiteti i përhershëm politik kanë pasur ndikim të madh në nxitjen e partive dhe sidomos të liderëve kryesorë politikë drejt vendimeve ekstreme, përfshirë bojkotimin afatgjatë parlamentar apo bojkotimin e zgjedhjeve dhe dorëzimin e mandateve parlamentare.

Efektet kryesore negative të bojkotit parlamentar

Praktikat e bojkotit parlamentar kanë të përbashkët ndikimin negativ që kanë pasur në procesin e ecurisë së reformave në vend dhe në përpjekjet për integrim euroatlantik. Mosmarrëveshjet politike të shoqëruara me bojkote parlamentare vonuan pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës në vitet 1993-1995. Shqipëria ishte më 1996 një rast suksesi demokratik derisa akuzat për manipulim në zgjedhje dhe bojkoti politik që agravoi në krizë sociale dhe politike shënuan kthim domethënës pas. Më 1997-1998 përpjekjet për stabilitet demokratik dhe ringritjen e institucioneve pësuan goditje të madhe nga disa ngjarje të dhunës politike dhe sidomos edhe nga bojkoti politik i institucioneve kryesore në nivel qendror dhe lokal. Më 2011-2013 Shqipëria humbi kohë dhe energji në përpjekjet për miratimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe liberalizimin e regjimit të vizave. Vala e bojkotit politik të vazhdueshëm dhe e krizave politike të shkaktuara në vijim të tyre midis viteve 2014-2017 humbën disa herë shanset e Shqipërisë për progres në raport me aspiratat e saj për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Më 2019 shanset për nisjen e bisedimeve për anëtarësim pamundësohen edhe për shkak të krizës së paprecedentë të krijuar me dorëzimin e mandateve parlamentare nga opozita.

Një prej pasojave më negative të bojkotit parlamentar, sidomos të rasteve të bojkotit për një periudhë të gjatë kohore ose atij postzgjedhor, është ndikimi në jetën institucionale. Në të gjitha rastet e bojkotit të gjatë të seancave dhe të komisioneve parlamentare mazhorancat kanë përdorur pushtetin e tyre për të emëruar, promovuar ose përzgjedhur kandidatë preferencialë në poste të rëndësishme institucionale me burim parlamentin. Bojkotimet postzgjedhore u kanë krijuar mazhorancave lehtësi në marrjen e kontrollit të institucioneve të pavarura me burim parlamentin, sidomos në rastet e rotacioneve politike. Për shembull, pas bojkotit të opozitës më 1997-1998 mazhoranca lehtësisht realizoi shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë dhe marrjen nën kontroll politik të tyre. E njëjta situatë u përsërit në vitet 2009-2010 apo 2011-2012 më pas bojkotit të opozitës së majtë, apo në vitet 2014-2018 në rastet e bojkoteve afatgjata të opozitës së djathtë në parlament.

Praktikat e bojkotit politik në parlament ose në nivele të tjera vendimmarrëse politike vazhdimisht janë reflektuar edhe në praktika të njëjta bojkoti në përfaqësimin vendit në bisedimet ndërparlamentare me Parlamentin Evropian. Më shumë se dy të tretat e rezolutave të përbashkëta janë kontestuar nga njëra prej palëve politike shqiptare, pavarësisht se programet e palëve politike mbi integrimin e vendit janë të njëjta dhe se asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka qëndrime skeptike në raport me BE. Përveç pasojave negative në vonesat në procesin e integrimit dhe ecurinë e vendit, praktikat e bojkotit kanë dëmtuar edhe imazhin e elitës politike shqiptare në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë demonstruar brishtësinë në formimin demokratik. Në një raport ndërkombëtar mbi Shqipërinë më 2012 thuhej se “vetëm kur të gjitha palët të fillojnë të kuptojnë plotësisht se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh në Qeveri dhe çfarë do të thotë të jesh në Opozitë në një sistem demokratik, do të mundet Shqipëria të bëjë një përparim domethënës në agjendën e reformave” .

Ndikimet e bojkotit në vendimmarrjet e parlamentit

 Përdorimi i bojkotit parlamentar ka ndikuar edhe në përdorimin nga mazhoranca të hapësirave të lira për të bërë ndryshime që ato i konsiderojnë të nevojshme në Rregulloren e Kuvendit, në zgjedhjen e disa prej institucioneve kushtetuese ose në vendimmarrje të natyrës ekonomike dhe ideologjike me efekte elektorale. Për shembull, duke përfituar nga bojkoti i pakicës parlamentare mazhoranca bëri ndryshime në Rregulloren e Kuvendit më 2011-2012 dhe 2018-2019. Të njëjtat praktika janë përdorur edhe në dekadën e parë të viteve ´90. Ndryshimi i njëanshëm i praktikave të punës në Kuvend gjithnjë është argumentuar me nevojën për reformim të tyre, por gjerësisht është pranuar e provuar se ato kanë shërbyer për të forcuar akoma më shumë kontrollin e shumicës qeverisëse mbi parlamentin.

Për shkak se ndryshimet kushtetuese kërkojnë dy të tretat e votave (92 nga 140 deputetë) dhe ndryshimet në ligjet organike kërkojnë tre të pestat e votave (84 vota nga 140 deputetë) tradicionalisht bojkoti ka shërbyer si mekanizëm bllokues për nisma të tilla. Vetëm në rastet kur mazhoranca kanë pasur mandatet e nevojshme (1992, 1997, 2005) përmes aleancave të shkurtra me parti të vogla aleate është arritur të bëhen ndryshime, sidomos në institucionet e drejtësisë dhe ato me burim parlamentin, për të ushtruar më shumë kontroll në emërimin dhe drejtimin e tyre. Megjithatë prej viteve 2006-2008 partitë e mazhorancës dhe opozitës janë përpjekur të respektojnë nevojën për konsensus politik në raste të ndërhyrjeve të tilla.

Nga ana tjetër, bojkoti parlamentar është bërë pengesë për miratimin e ligjeve që kanë qenë parakushte nga ana e Bashkimit Europian apo strukturave të tjera ndërkombëtare me rëndësi për Shqipërinë. Për shembull, më 1993-1994 opozita refuzoi të japë konsensusin për votimin e disa ligjeve të rëndësishme që lidhen edhe ma kapitujt e të drejtave të njeriut, më 2012 historia e refuzimit nga opozita dhe e presionit nga mazhoranca për votimin e tri ligjeve të rëndësishme u kthye në temë dominuese përgjatë një viti kalendarik, më 2016 dhe 2017 votimi i reformës në drejtësi u bënë tema kryesore e presionit ndërkombëtar mbi Shqipërinë dhe ligjërimit të brendshëm politik.

Forma e aksioneve politike të qeverisë ndaj bojkotit të opozitës

Në shumicën e rasteve të bojkotit parlamentar nga e gjithë opozita ose parti të veçanta të saj, mazhorancat kanë pasur të njëjtat reagime të përshkallëzuar në faza. Fillimisht mazhorancat janë përpjekur të testojnë efektet e bojkotit duke iniciuar sulme të vazhdueshme politike ndaj aktit të opozitës dhe lidershipit të saj. Në rastet kur aksioni opozitar ka qenë i izoluar, mazhoranca ka refuzuar vazhdimisht një kompromis, ose në rast presioni ndërkombëtar, ka ofruar kompromise gjysmake. Për shembull, në përgjigje të bojkotit të vjeshtës 2014 apo të pranverës 2011 mazhorancat e majta dhe të djathta ofruan kompromise, të cilat realisht u jetësuan pas më shumë se një viti ose nuk u jetësuan asnjëherë. Pra, kur bojkoti shoqërohet me mbështetje minimale publike, mazhorancat kanë refuzuar tërheqjen, duke përfituar nga dobësitë e opozitës.

Në rastet kur bojkoti ka pasur mbështetje publike ose është bërë në momente të rëndësishme për vendin ose kanë pasur pasoja për stabilitetin dhe integrimin e vendit, palët politike e kanë zhvendosur luftën politike nga bojkoti te negociatat ndërkombëtare. Në të gjitha këto raste presioni ndërkombëtar, kryesisht i SHBA dhe BE, ka mundësuar arritjen e marrëveshjeve për dhënien fund të krizës. Përmes zgjidhjeve të tilla, secila palë politike në Shqipëri ka përfituar, duke krijuar perceptimin se bojkoti është funksional.

Bojkoti dhe ndikimet: Opozitë më të fortë vs Opozitë më të dobët

Aplikimi i bojkotit parlamentar tradicionalisht ka pasur më shumë ndikim te pala politike bojkotuese sesa te pala përballë në qeveri. Periudhat e bojkotit shndërrohen në partitë e opozitës në periudha të retorikës së ashpër, të aksionit qytetar përmes protestash, të ligjërimit denigrues dhe të aftësisë së politikanëve për t’u bërë atraktivë përballë turmave mbështetëse.

Analiza e detajuar e ndikimeve të bojkotit në partitë politike tregon se bojkoti ka dëmtuar ndjeshëm grupet liberale dhe politikanët e moderuar në partitë politike. Pothuajse pas çdo bojkoti të rëndësishëm parlamentar, kryetarët e partive kanë përjashtuar zërat kritikë nga partia e tyre, duke ndërprerë karrierën parlamentare e politike të kritikëve. Për shembull, më 1996 vendimi për bojkot në PS u shoqërua me mocion shkarkimi të katër zv.kryetarëve të partisë, bojkoti më 1997 solli largimin e të gjithë zërave moderatorë në PD, bojkotimi në fundin e viteve ’90 solli përjashtimin e një fraksioni kritik në PD, bojkoti i socialistëve më 2010-2012, gjithashtu, solli përjashtimin e disa deputetëve kritikë dhe rivalëve të kryetarit, bojkoti tremujor më 2017 përjashtoi nga kandidimi në zgjedhje disa zëra të rëndësishëm moderatorë në PD, përfshirë sfidantin për kryetar partie.

Partitë opozitare janë të ndërgjegjshme se bojkoti nuk i bën ato më të forta dhe as më të mbështetura nga qytetarët, por ato e aplikojnë bojkotin si formë “shkarkimi” të pakënaqësive nga mbështetësit e tyre dhe argumentet e bojkotit si një instrument alibie për mosarritjen e suksesit në zgjedhjet politike të radhës. Justifikimi gjithnjë ka qenë i mjaftueshëm: pala inicuese e bojkotit mjaftohet me faktin se fiton kohë përmes negociatave, merr kontrollin e plotë në parti dhe dobëson rivalët politikë në qeveri.

Në aspektin mediatik dhe vizual, bojkoti krijoi lajme të përditshme për palën bojkotuese, i bën deklaratat e drejtuesve politikë headline në media, dhe u jep mundësinë politikanëve të bëjnë publike çdo shqetësim, akuzë apo të dhënë kritike ndaj qeverisë që ata disponojnë. Politikanët karizmatikë e përdorin atë për zgjerimin e ndikimit të tyre personal mbi grupet e ndryshme qytetare dhe për auditorin përmes medias. Në median shqiptare në periudhat e bojkotit politikanët opozitarë dominojnë ekranet televizive dhe “konflikti politik” zhvendoset nga rruga në studiot televizive ose në median sociale.

Bojkoti dhe perceptimin publik ndaj politikës dhe partive

Në fillimet e tranzicionit publiku ishte i “etur” për të parë beteja politike, përfshirë raste debati politik, bojkot apo animime në Gjykatën Kushtetuese. Me kalimin e viteve, sidomos pas krizave të vitit 1997-1998 numri i qytetarëve mbështetës të protestave partiake dhe të bojkotimeve politike ka ardhur në rënie. Kurba e mbështetjes është e lidhur kryesisht me kurbën e pushtetit. Gjithnjë protestat dhe bojkotet në mandatin e parë 4-vjeçar të qeverive kanë rezultuar problematike, penguese, irrituese për qytetarët dhe jo efektive në aspektin politik.

Përdorimi i protestave dhe bojkoteve në periudhën e mandatave të dyta të mazhorancave qeverisëse ka pasur efekt tjetër, – kryesisht edhe për shkak të pafuqisë që mazhorancave të aplikojnë reforma apo të krijojnë politika efektive me të njëjtin ritëm e pritshmëri si në mandatin e parë, ashtu edhe për shkak se mazhorancat në mandatet e tyre janë ndeshur gjithnjë me skandale të shumta për korrupsion. Për shembull, bojkoti dhe mbështetja për të majtën arriti kulmin në mandatin e dytë të së djathtës 1996-1997 dhe 2009-2013, bojkoti dhe mbështetja për të djathtën arriti kulmin në mandatin e dytë të së majtës 2001-2005 dhe 2017-2019.

Rënia e numrit të qytetarëve pjesëmarrës në zgjedhje, nga 90%-98% më 1991-1996 në 40%-48% në zgjedhjet e fundit 2013 dhe 2017, janë tregues se numri i qytetarëve skeptikë ndaj politikës është rritur ndjeshëm dhe se praktikat e bojkotit të gjatë dhe periodik parlamentar nuk kanë arritur të tërheqin votues të rinj dhe as të zgjerojnë bazën e mbështetësve te votuesit e pavendosur.

Konkluzione

Shqipëria ka një traditë të pasur të aplikimit të bojkotit parlamentar, një tregues i qartë i demokracisë së saj të brishtë dhe paaftësisë së elitave politike për të trajtuar e zgjidhur në rrugë institucionale mosmarrëveshjet e tyre. Duke qenë një vend pa përvojë demokratike në historinë e mëparshme shtetërore dhe politikisht e dominuar nga modelet vertikale të drejtimit (princi, mbreti, diktatori), natyra protagoniste e liderëve politikë dhe përpjekja e tyre për të ushtruar pushtet edhe tej mandatit të besuar nga qytetarët, ka pasur ndikim direkt në personalizimin e politikës dhe konfliktualitetin e lartë politik.

Aplikimi i praktikave të bojkotit parlamentar ka krijuar një sistem të mbyllur të qarkullimit të elitave dhe rotacione pushteti që vijnë kryesisht për shkak të dështimit të palës në qeveri dhe jo për shkak të aftësisë së palës në opozitë. Bojkoti është parë si mjet që mban të mobilizuar militantët dhe mban nën kontroll partinë politike edhe kur mungojnë arritjet politike të liderëve të opozitës. Ai përfundon në shumicën e rasteve në marrëveshje të personalizuara, të cilat ofrojnë amnisti për politikanët përgjegjës të secilës palë dhe krijojnë një sistem të ndarjes së influencës në politikëbërje, në ndarjen e potencialeve ekonomike dhe në evitimin e ndryshimeve radikale politike që mund të vijnë nga lëvizje të reja politike. Bojkoti është ndihmuar edhe nga mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike dhe e aplikimit të demokracisë direkte në vendimmarrjet në shoqëri. Pasojat e bojkotit janë të dukshme në procesin e forcimit të shtetit të së drejtës, në ndërtimin e demokracisë funksionale dhe të ushtrimin e rolit kushtetues të institucioneve kryesore. Bojkoti ka ndikuar në vonesa të përsëritura në procesin e përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe në realizimin e reformave themelore në të gjitha fushat shoqërore e politike. Ai mbetet si burim destabiliteti dhe mekanizëm kërcënues për vlerat e demokracisë.

Studimi i mësipërm paraqet një bilanc shumëplanësh të praktikave të bojkotit parlamentar dhe politik gjatë tranzicionit shqiptar, format dhe pasojat e tij. Kjo përvojë dhe ecuri eksperimentale e tranzicionit janë të mjaftueshme për të nxitur nevojën e madhe që ka shoqëria shqiptare për më shumë dialog, sjellje konstruktive dhe institucionale, për investim në kulturën demokratike dhe për hapje të sistemit, për më shumë prurje cilësore dhe besim reciprok midis institucioneve dhe aktorëve politikë që kanë përgjegjësinë të ofrojnë alternativa elektorale.

* Pjesë nga studimi profesional mbi bojkotin parlamentar dhe politik: Rasti i Shqipërisë. 6 studime dhe 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor, publikuar nga Western Balkans Democracy Initiative, mbështetur nga Westmister Foundation for Democracy

SHKARKO APP