Bujar Asqeriu i kthehet Ramës për Teatrin: S’kam thënë të shembet, gabimi më i madh është…

Aktori i njohur Bujar Asqeriu i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili publikoi mesazhin e aktorit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Asqeriu u shpreh se nuk është për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, edhe pse është për një teatër të ri.

I kontaktuar në telefon nga gazeta “Panorama”, Asqeriu, tha se Kryeministri ka marrë dhe ka bërë status të tij fraza të shkëputura të para më shumë se një viti, por që në atë kohë e anatemoi rëndë.

“Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm imi, publik, para mediave dhe publikut, ndërsa Kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e Teatrit të merren arkitektët. Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët. Këto qëndrime unë i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje Kryeministri, në atë kohë, më anatemoi”, u shpreh dje Asqeriu.

Ai u bën thirrje dhe aktorëve të tjerë që për teatrin të bëjnë betejë vetëm artistët, duke e lënë larg politikën.

“Devizën time unë e kam thënë: larg politikës. Aktorët shkojnë dhe nënshkruajnë në skenë me kryetarin e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të aktorëve dhe artistëve dhe këtë e kam thënë që në fillim. Por vetëm studentët e përqafuan parullën time kur protestuan me devizën: Larg politika! Vetëm ata më kuptuan mua. Unë e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin. Beteja jonë është me shtetin. Kujt i thua?! Ata duan të bëjnë karrierë politike dhe administrative, le të bëjnë, punë e tyre. Unë jam artist dhe qëndroj në këto pozicione”, u shpreh Asqeriu.

Sipas tij, komuniteti i artistëve është përçarë nga politika.

“Gabimi më i madh është se artistët u bënë kashtë e koqe, i ndanë në ata që mendojnë si ne dhe në ata që mendojnë kundër nesh. Kur unë fola ashpër në fillim, ata që flasin sot u shpërndanë dhe nuk na mbështetën, nuk u prononcuan. Unë ua thashë në sy si ministres së Kulturës, ashtu dhe kryetarit të bashkisë”, u shpreh Asqeriu.

Në të shkuarën, ai ka folur për mungesë investimesh në Teatrin Kombëtar dhe domosdoshmërinë e një godine të re.

“Teatri ekzistues është i kalbur në të tëra drejtimet, sepse prej vitesh nuk është derdhur asnjë bojë, asnjë gozhdë, asnjë kompensatë, asnjë xham, asnjë gjë. Po kush është më e rrezikshmja për mua, është që në të gjithë prapavijën e skenës së Teatrit Kombëtar gëlojnë viruse shumë të rrezikshme për shëndetin e artistëve, që mund të invadojnë edhe publikun. Deri te trungjet mund të kenë marrë në thellësi mikrobe dhe viruse. Ndaj, rikonstruksioni i këtij Teatri duhet të jetë me themel. Kur erdhi drejtori i ri para 5 vjetësh, Hervini, porosia e parë që i dhashë ishte: merr institutin e Shëndetit Publik me pompa me ilaç për dezinfektimin e hapësirës skenike, sepse ka qenë një ekzemplar, që një aktoreje i ka ikur zëri kur vajti tek otojatri dyshoi për ekzistencën e viruseve në këtë ambient. Merr institutin me lloj-lloj ilaçesh se kanë vrapuar minj, bubuzhela, mace, lloj-lloj insekti. Kjo është e vërteta”, është shprehur artisti i njohur i skenës dhe ekranit, Bujar Asqeriu.

SHKARKO APP