Buxati magjik dhe Shqipëria

 

 Nga  Shpëtim  KODRA

  “Letërsia e madhe ka si bosht moralin e të vërtetën” –thotë F.Kafka. Asaj letërsie i përket edhe Dino Buzzati TRAVERSO, i njohur si Dino Buzzati. Prozator i madh modern, siç ishte një ndër prozatorët e mëdhenj klasikë edhe Mopasani, për të cilin ai ushqente një nderim të veçantë. Buxati, figurë poliedrike :shkrimtar, piktor, gazetar, dramaturg e libretist. 

Swiss Digital Desktop Reklama

  Që në fëmini tregoi sensibilitet e ndjeshmëri të rrallë për muzikën e artet figurative. Në moshën 12 –vjeçare nisi të luajë në piano e t’i bjerë violinës. Tregoi një pasion të veçantë për kulturën e lashtë egjiptiane. Gjithë jetën ëndërroi e ngjiti malet.  Ndoqi studimet e larta në jurisprudencë, për t’i plotësuar dëshirën familjes, por që nuk e ushtroi, siç kishin vepruar edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj. Iu përkushtua artit, i cili i shërben jetës, njerëzimit. Drejtësia nuk është fusha ku mund të luajnë idealistët. Për shkak të drejtësisë janë kryer padrejtësitë më të mëdha, prandaj peshorja e drejtësisë mbetet shpesh një simbol pa vlerë.

Swiss Digital Mobile Reklama

  Pas studimeve hyri si praktikant në “Corriere della sera”, ku bëhet më pas redaktor, kritik muzikor, korrespondent special. Si titolist mendonte artikujt e gazetës. Punoi edhe për suplementin “Leximi”. D.Porcio:”Shërbimet e mëdha gazetareske të një shkrimtari të madh” (“Kronikat tokësore”). “Dino Buxati në xhiron e Italisë” (25 artikuj për “Korrierin”). “Misteret e Italisë” (Përmbledhje artikujsh e recensionesh me argumente letrare, artistike, etj. të botuara e të pabotuara). “Krim italian”(18 kronika të zeza e 11 vizatime). “Kronikat fantastike të Buxatit”(vol.I “Krime”,vol.II Fantazma”). “Zjarrndezësi –kronika lufte në det”. Vëllimi “Net të vështira”, “Male prej qelqi” etj.

  Poezi: “Kapiteni Pik e poezi të tjera”. “Poezi”. “Dy poema”. “Tri goditje në portë” (“Kafe”).”Më falni, nga cila anë shkohet për te sheshi “Duomo”? etj.  Pikturë: Katalog i veprave piktorike. Peizazh venecian. Bocete e piktura të gjinive të ndryshme. Piktura e tij më e njohur:”Sheshi Duomo i Milanos”. Dorëshkrimet zakonisht i mbushte me piktura e vizatime. Mori pjesë në shumë ekspozita pikture. Buxati shprehej:”Piktura për mua nuk është hobby, por mjeshtri. Hobby janë për mua gazetaria e shkrimtaria. Por të pikturosh a të shkruash janë për mua, në fund të fundit e njejta gjë. Si kur pikturoj, ashtu edhe kur shkruaj, unë ndjek të njejtin qëllim: të tregoj historira”. Me “Poemë në fumeti” ka marrë cmimin “Paese sera”.

  Teatër. “Një rast klinik” i përshtatur nga Kamy si shfaqje teatrale pati mjaft sukses në Francë, vend nëpërmjet të cilit fitoi famë si shkrimtar. Pjesë teatrale:”Shëtitje e shkurtër”. “Revolta kundër të varferve”. “Fundi dramatik i një muzikanti të njohur”. “E vetme në shtëpi”. “Dritaret”. “Një krimb në ministri”. “Njeriu që do të shkojë në Amerikë”. “Rritja”.”Sahati”.”Telefonisti” etj.

  Konservator e modern, apolitik e pesimist, me regjimin fashist as nuk u pajtua, as nuk heshti: foli ne letërsi, duke iu drejtuar veçanërisht simbolit, alegorisë e mitit, elementë që i përdorën edhe të tjerë, por Buxati mbeti origjinal, madje i krahasuar me zërat autoritarë të “realizmit magjik”.

  U shfaq si romancier në moshën 27-vjeçare me romanin “Barnaboja i maleve”, duke gjallëruar një botë fantastike e duke i paraqitur lexuesit problemet e brendshme të njeriut e duke ushfaqur si një shkrimtar apolitik, pasi e kishte të qartë që politika s’ka lidhje me të vërtetën, etikën dhe estetikën e artit, pasi është fushë interesash, jo idealesh. Te “Sekreti i Pyllit të vjetër” ofron një subjekt të përshkuar nga një atmosferëëndrrash, ankthi e dëshire për t’u larguar nga ai realitet, me imazhet e fëmijërisë e kujtimet. Vizionet e pavetëdijes, depërtimi në sfera të pandriçuara të ndërgjegjes, depërtimi në labirintet e ndjenjave njerëzore. Romani “Sulmi i famshëm i arinjve në Siçili”(tekste e vizatime). Romani “Portreti i madh” pati sukses për temën e feminizmit. Ndërsa te romani “Një dashuri”, i ribotuar shumë herë, analizon konfliktet përmes monologut të brendshëm. Një narrativë moderne sentimentesh, ku dashuria shfaqet si iluzion a si sëmundje. Janë ekranizuar në filma romanet:”Barnaboja i maleve”, “Shkretëtira e tartarëve”,”Një dashuri”, “Sekreti i pyllit të vjetër”, “Fishkëllima në hundë”.

  Buxati njihet si mjeshtër i rrallë i prozës së shkurtër (tregimit e novelës). Tregimi si lloj ishkurtër, por i vështirë i narracionit, mjafton për të trupëzuar një situatë, për t’i dhënë shpirt një personazhi ose jetë një ndjenje. Tregimi mund të skalitë një fat, një figurë, një dëshirë a një mister, duke emocionuar lexuesin e duke e tërhequr atë një hap përtej të përditshmes e për të injektuar në të përditshmen enigmën e jetës e të vdekjes. Nga forca dhe ndikimi artistik, mjaft tregime të bukura e të reaizuara mjeshtërisht, vlejnë sa vëllime të tëra.

  Pritja, ankthi, vetmia, dashuria magjepse, vdekja janë ndjenjat që përshkruan më tepër Buxati në prozën e tij; ndjenja të cilat janë sinjifikative për të e për njerëzit në përgjithësi. Pena e tij është e orientuar te fantastikja e misteriozja, te ndërthurja e fantastikes me realen. Në tregimin e parë “Porta e Ferrit” (“Un servizio diffiçile”) thuhet:”Ishte 37 prill…(viti s’jepet). Drejtori më tha:”Një punëtor, një farë Torriani…rastësisht…gjatë gërmimeve nëntoksore të Milanos…thotë se ka gjetur portën e Ferrit…Të marrim vesh diçka…Vetë Buxati, protagonist në vetën e parë, ngarkohet me këtë shërbim të vështirë. Porta e lidhjes me Ferrin kërkohet në tokë. Edhe Dante kishte gjetur në Ferr, jo vetëm të vdekur të panjohur, por edhe fqinj e miq, si dhe personalitete të fushave politike, fetare e civile, bashkëkohës të vet.

  Dante veprën e tij madhore e pat emërtuar “Komedi”, sipas konceptit që komedia nis keq e mbaron mirë, por pasardhësit i shtuan epitetin “Hyjnore”. Edhe tregimi i Buxatit, ku spikat eksperienca gazetareske, është një lloj komedie infernale, një artificie për të treguar monstruozitetet e jetës sonë të përditshme. Autori konkludon:”Dhe pastaj, unë që kam qenë atje, nuk jam i qartë si duhet, nëse Ferri është vërtet atje, apo përkundrazi është transferuar në botën tonë…E ky s’është ndëshkim, po thjesht Fati ynë misterioz. 

  Ndërsa te “Kolombra” babai i tregon të birit, Stefanos për kolombrën, peshkaqenin e tmerrshëm, misterioz, i cili zgjedh viktimën e vet dhe e ndjek gjithë jetën, derisa ta gllabërojë. E atë mund ta dallojënë det vetëm viktima ose një njeri i gjakut të tij. Stefano e shpërfill rrezikun, gjersa, i plakur për vdekje, kërkon të përballet me kolombrën, e cila në vend që ta gëlltisë, nxjerr gjuhën e i jep plakut Perlën e Detit, e cila sjell fat, fuqi, dashuri, prehje shpirtërore. Vonesa solli humbjen. E ku ta dinte Stefano që paska qenë lumturia, fatmirësia!

  Përshkrimi magjik është aq i bukur, tërheqës e i besueshëm, sa duhet nënvizuar, pas leximit, që kolombra nuk ka ekzistuar kurrë. Tek e pabesueshmja ka edhe mjaft vërtetësi. Autori kap në nuancat më të imta kontrastin e lumturisë me fatkeqësinë. Tregimi aludon te përpjekjet e vështira të njeriut në kërkim të lumturisë. Misteri e tërheq, por njeriu zgjedh momentin e gabuar.Kolombra shihet si fatkeqësi. Njeriu është viktimë e fatit. Edhe aty ku mund të përfitojë, bëhet mosbesues, madje armiqësor. Kërkon mesazhe, por nuk di t’i deshifrojë. Nuk di ta pranojë jetën në thelbin e rastësisë e të pritjes. Paradoksalisht do gjthçka e menjëherë, por arrin vonë e në momentin e gabuar. Shoqëria e morali –binomi që përshkon narracionin.

  Te “Ballkoni i burgut” (“Quiz all’ ergastolo”) flitet për një të dënuar me burgim të përjetshëm, të cilit i vjen radha që nga ballkoni i burgut të paraqitet e të flasë në publik. Nëse në fund të fjalimit turma duartroket, atij i falet jeta. Ndryshe nga të tjerët që përpiqeshin ta mallëngjenin më kot turmën, ai thotë: “Përse duhet të flas?…Nuk jam i pafajshëm. S’kam aspak dëshirë të dal që këtu. Unë këtu jetoj i lumtur. Më i lumtur se ju…Nisën duartrokitjet. Ai u la i lirë. Një situatë groteske, tërheqëse. Paradoks i njeriut që injoron, fyen, sulmon të burgosurit që luten, mbrohen e kërkojnë falje dhe duartroket njeriun dinak, mashtrues. Zgjidhje befasuese që na kujton O.Henrin.

  Të tilla tregime demonstrojnë një model stili të qartë, të thjeshtë, konciz e mjaft shprehës, me fjalë të zakonshme e jo të kërkuara artficiale. Buxati është shprehur:”Sa më fantastik të jetë subjekti, aq më tepër stili duhet të jetë i thjeshtë e konciz”. Prandaj në orën e italishtes, kur u lexoja në klasë tregime të tilla, nxënësit dëgjonin me vemendje, pasi përmbajtjen e bukur e kuptonin lehtësisht, me shumë pak ndërhyrje në përkthim. Fjalitë ishin të thjeshta, të shkurtra.

çdo tregim përmban një mesazh. “Kafshimet e zilisë janë plagët më të përgjakshme, më të thella e më të vështira për t’u mbyllur”(“Sekreti i shkrimtarit”). “Pse vazhdojnë diferencat? Njerëzit janë të gjithë të njejtë në pozicionin e të vdekurit.(Gjenerali i panjohur).”Shikonte përreth fushat, parqet, pyjet, malet misterioze. Përse duhet gjakmarrja”? (“Progresioni). “Njeriu që përpiqet për progresin, njeriu i fortë e i ditur, s’ka pse të pranojë mbijetesën e dragoit”.(“Vrasja e dragoit”). “Po të shmanget lufta për pushtet dhe mania për t’u pasuruar”, vetvetiu vendoset drejtësia dhe paqja”(“Mësimi i 1980 –ës”). A s’vlen ky mesazh edhe për Shqipërinë e sotme?

  Buxati botoi disa vëllime me tregime, si:”Eksperiment magjie”(18 tregime). “Kolombra” (dhe 50 tregime të tjera). “60 tregime”(mori çmimin “Strega”). “Dyqani i misterit” (31 histori magjie të përditshme). “180 tregime”. “Vrasja e dragoit” e të tjera tregime. “Shkretëtira e tartarëve” (dhe 12 tregime). “Regjimenti niset në agim” (antologji me tregime postume). Në novelën “Udhëtim në skëterrat e shekujve” jepet bukur kalimi nga realja te idealja e anasjelltas. Në tregime shfaqet frika e vdekjes, magjia e misterit, kërkimi i absolutes jashtë normave njerëzore.

  Ajo që të mahnit nëçdo përmbledhje tregimesh është ndërtimi, kompozicioni. Vihet re një lojë situatash e ndërthurje rastesh, konfigurim skemash të kategorive të ndryshme të vendit e të kohës, gjallërim të personazheve në kontekstin social e psikologjik. Shpesh skema gazetareske e artikujve paraqitet si formë strukturore e tregimit. Gjthçka vjen pas një fillimi të rëndomtë e njëkohësisht tepër fantastik. Bashkëjetojnë në tregime e dhëna e kronikës me planin fantastik sureal. Në lojën e intrigës e të zgjidhjeve edhe fjala më e përdorshme bëhet shenjë dykuptimësie, iluzioni, frike. “Buxati  njeh me themel fjalorin, siç njeh jetën” –thotë Toskani. Në tregime të tjera fantazia ngjyroset me komicitet apo me sociologjinë e dramën ekzistenciale. Shumë nga titujt e tregimeve përbëhen nga një fjalë:”Il mago”, “Lo schiavo”, “Jago”, “Il vento” etj.

  Buxati:”Unë, duke treguar diçka të karakterit fantastik, duhet të kërkoj ta bëj evidente e të mundshme. Gjëja fantastike mundësisht të jetë sa më e afërt  me kronikën”.

Moment qendror i krijimtarisë së Buxatit është “Shkretëtira e tartarëve” që ai e konsideronte si “librin e jetës së tij”. Kjo vepër e sanksionoi si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj italianë. Tema kryesore e romanit është ajo e ikjes së kohës. Spuntoja ka lindur nga rutina monotone e mbrëmjeve në redaksinë e gazetës “Corriere della sera”. “Zhvendosja e idesë së jetës monotone të njerëzve në një botë ushtarake fantastike qe për mua thjesht instinktive” –thotë Buxati. Titulli i parë ishte “Fortesa”. Buxati ishte korrespondent special në Etiopi. Kontakti me peizazhin përvëlues e të madh në hapësirë, krijoi tek ai idenë e shkretëtirës si vend metaforik e alegorik. Shkretëtira përfaqëson ankthin, pritjen, vetminë, vdekjen. Në roman zotëron atmosfera misterioze, absurde, e padepërtueshme, irracionale, aluçinante. Simboli i shkretëtirës, i përdorur nga poeti martir V.Blloshmi për të karakterizuar Shqipërinë komuniste, si dhe simboli i kuajve, i përdorur nga Gj.Marinaj për të karakterizuar shqiptarët, përbënin rrezik për diktaturën.

  Fortesa Bastiani, dikur tetaër i inkursioneve shkatërruese të armiqve (tartarët simbolizojnë një popull të egër, gjaksor e luftarak), aktualisht e injoruar ekzistenca e saj. Ushtarët ëndërrojnë beteja, lavdi. Protagonisti Drogo përjeton një vdekje të ngadaltë. Hapësira e kufizuar, përsëritja sterile e rutinës së përditshme, pritja pa fund krijojnë mërznë që pushton banorët, të cilët i godet sindroma “Bastiani”, një lloj sëmundje psikike që karakterizohet nga Pritja e pashpresë. Edhe G.Drogo përjeton një lloj vdekjeje të ngadaltë, por ai mund frikën e vdekjes. Armiku s’erdhi.

  Shkrimtarët e mëdhënj janë aktualë për çdo kohë e për çdo vend. Mesazhet e veprës së tyre marrin karakter universal. Shqipëriakomuniste ishte si një shkretëtirë, ekonomia e së cilës u vetasfiksua. Populli trajtohej si ushtria e Drogos, e mbyllursi në kështjellën Bastiani, me rregullat absurde. Kryekomandanti priste sulmin borgjezo –revizionist që nuk ndodhi kurrë, madje ndodhi e kundërta, eksodi biblik drejt brigjeve italiane për shkak të “parajsës” socialiste.

 Nga ky roman i Buxatit është frymëzuar dhe nobelisti M.Coetzee për romanin e tij “Duke pritur barbarët”. Me emrin e Buxatit është emërtuar një shoqatë ndërkombëtare, një bibliotekë në Trentino, disa rrugë, në Milano, Belluno (vendlindja e tij), Pozzuoli, shkolla të mesme në Milano e Limana etj. I është kushtuar një këngë. Vepra e tij është analizuar e komentuar gjerësisht nga specialistët e artit e letërsisë. Veçojmë disa tituj:”Guidë për leximin e Buxatit”. “Si me e lexue “Shkretëtirën”. “Vepra shumëformëshe e Buxatit”.”Misteri i Buxatit”.”Buxati, gruaja, qyteti, ferri”.”Buxati-ironi e mister”. Botimet e shumta në botë e bëjnë të pavdekshëm, të paharruar.

 *Studjues letërsie

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?