Çfarë duhet të bëni nëse humbni pasaportën ndërsa udhëtoni jashtë vendit

Nëse pasaporta juaj është e humbur ose e vjedhur ndërsa jeni jashtë vendit, nuk do të thotë që keni ngecur në vend përgjithmonë. Janë disa hapa të thjeshtë të cilat funksionojnë në gjithë botën që ju mund të ndërmerrni për të marrë një pasaportë të shpejtë dhe të përkohshme për t’ju rikthyer në shtëpi.

Sipas një referimi të Business Insider në faqen e internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit janë nxjerrë disa hapa se si duhet të veproni në rastin e humbjes së pasaportës jashtë shtetit.

Së pari, duhet të gjeni dhe të kontaktoni ambasadën ose konsullatën më të afërt

Ju do të duhet të raportoni pasaportën tuaj të humbur ose të vjedhur në seksionin konsullor posaçërisht. Informacioni i kontaktit për konsullatat dhe ambasadat në të gjithë botën mund të gjenden në faqen e informacionit specifik për shtetin në faqen e tyre të internetit. Sigurohuni t’i tregoni oficerit konsullor me të cilin po flisni nëse keni qenë viktimë e një krimi. Është gjithashtu e rëndësishme të njoftoni se kur planifikoni të dilni nga vendi kështu që ata të ndërmarrin masa konkrete në kohën në dispozicion.

Nëse pasaporta juaj është vjedhur, paraqisni një raport policor

Megjithëse paraqitja e një raporti policor nuk është e nevojshme, mund të ndihmojë në konfirmimin se pasaporta juaj është vjedhur. Sidoqoftë, ka shumë të ngjarë që të mos shpejtojë procesin e marrjes së një pasaporte të re. Nëse planifikoni të udhëtoni përsëri në vendin ku ka humbur pasaporta juaj, mund të dëshironi të anashkaloni paraqitjen e raportit.

Bëni një foto të re të pasaportës

Para se të shkoni në ambasadë ose konsullatë, gjeni një vend ku mund të bëni fotografinë e pasaportës suaj. Arritja në ambasadë ose konsullatë me një foto do të ndihmojë në shpejtimin e procesit të marrjes së një pasaporte të re.

Plotësoni një kërkesë për një pasaportë të re dhe një deklaratë në lidhje me pasaportën tuaj të humbur ose të vjedhur

Ekzistojnë dy forma që ju duhet të plotësoni para se të shkoni në konsullatë ose kur jeni aty. Njëra është një aplikim standard për një pasaportë, dhe një deklaratë në lidhje me një pasaportë të humbur ose të vjedhur, e cila do të sigurojë që pasaporta juaj të jetë e pavlefshme, duke parandaluar cilindo tjetër që të jetë në gjendje ta përdorë atë. Është e rëndësishme të theksohet që pasi të plotësoni dhe dorëzoni këto formularë, pasaporta juaj nuk do të jetë më aktive. Kështu që nëse do të gjeni pasaportën tuaj më vonë, nuk do të mund ta përdorni atë dhe do t’ju duhet akoma të merrni një të re.

Shkoni në ambasadën ose konsullatën më të afërt për të marrë pasaportën tuaj të re

Do t’ju duhen disa dokumente që ti dorëzoni përpara se të merrni pasaportën e re siç janë:

  • Fotografia juaj e re e pasaportës
  • Një lloj identifikimi siç është patentë shoferi
  • Një lloj itinerari udhëtimi (biletë aeroplan ose tren)
  • Një certifikatë lindjeje ose fotokopje e pasaportës suaj të humbur
  • Kërkesa juaj për një pasaportë dhe deklaratë në lidhje me pasaportën tuaj të humbur ose të vjedhur

Jini të gatshëm të paguani tarifën

Pas përfundimit të procedurave ju duhet të paguani tarifën e pasaportës tuaj të re. Nëse nuk mund ta përballoni tarifën, do të keni mundësinë të emëroni dikë që mund të paguajë tarifën.

Prisni

Duhen diku nga katër deri në gjashtë javë për të marrë një pasaportë të rinovuar. Kjo kohë pritjeje është zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme nëse jeni duke rinovuar një pasaportë jashtë vendit për shkak të vjedhjes ose e humbni atë. (Business Insider)

SCAN

SHKARKO APP