Çfarë keni humbur? Filmat e (pa)parë të 2018 dhe lista me 10 ”Oscars”

Koloreto Cukali

Nga filmat që unë kam parë, kjo është një listë personale (dhe modeste) kinemaje që më ka emocionuar. Sigurisht, shumë filma nuk kam arritur t’i shoh, e shumë të tjerë, pavarësisht bujës, nuk më kanë prekur dot. Përshembull, nuk kam përfshirë në listë “LadyBird”, “Call Me By Your Name” apo “Shape Of Water”, edhe pse kanë marrë çmime dhe kritika jashtë i ka vlerësuar. Këta filma nuk kanë arritur të më komunikojnë gjë, personalisht. Të kthehemi te lista ime. Në të ka edhe filma që kanë dalë në nëntor-dhjetor të 2017-s, por unë i kam parë në 2018-n dhe suksesin e kanë korrur në këtë vit.

“Cold War”, i Paweł Pawlikowski-t. Një histori dashurie në botën e ftohtë të Europës së viteve ’50. Ky film, nuk pushon së më kujtuari që gjithë kineastët shqiptarë që synojnë filmin “autor” duan të bëjnë gjithçka të tillë, po nuk munden. I thjeshtë, vizualisht i bukur, një udhëtim nga Polonia në Paris, në Jugosllavi e në Berlin dhe me një kast të jashtëzakonshëm, ku me kast kam parasysh aktoren kryesore.

“Roma”, i Alfonso Cuarón. – Një film i jashtëzakonshëm, një poezi për sytë e një melhelm për shpirtin. “Roma”, një farë autobiografie e regjisorit meksikan për vitet e fëmijërisë së tij në Meksikën e viteve ‘70. Një nga vlerat e “Romës” së Cuarón-it është që nuk bërtet, por të merr për dore siç merr taja fëmijët e vegjël në një botë të humbur… Avionë në pellgje të pëgërash.

“Dogman”, i Matteo Garrone-s (shkruar së bashku me Ugo Chiti-n). Garrone (pas “Gomorrah”), i rikthehet botës së krimit me një dramë që të hyn në kockë me vërtetësinë, karakteret e vizatuara mjeshtërisht, aktrimin e madh. Nëqoftëse e keni dëgjuar diku frazën: “Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë dua qentë…” ky është një film që mund t’u hapë një version vizual të saj. Garrone, një nga divët e rinj të kinemasë së re italiane, ka arritur të krijojë një kryevepër.

“Loveless”, nga Andrey Zvyagintsev. Zvyagintsev-in, e kam njohur më parë përmes Leviathan, që mua më është dukur një nga filmat më të mirë rusë të viteve të fundit. Por, me “Loveless” – historia e një çifti që po divorcohet e që merr vesh që biri i tyre 12 vjeçar ka humbur – ai arrin një nivel akoma më të lartë kinematografik. Dramë, thriller, krim. Gjithçka e ndërthurur në mënyrë të përsosur. A mund të na dhurojë kinemaja shqiptare një Andrey si ky?

“The Square”, i Ruben Östlund-it. Bota nordike e zbërthyer mjeshtërisht, përveçse, dhe një ritakim me Elisabeth Moss. Pikëpyetje njerëzore të ndërthurura me pikëpyetjet artistike. Edhe pse jemi shumë larg botës nordike, ka nga ta prej nesh që vuajnë dilemën: art i performancës a performancë artistike. Dhe ato dilema janë trajtuar me një satirë shumë fine nga Östlund-i.

“Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, nga Martin McDonagh. Përveç kënaqësisë për të parë Woody Harrelson (dhe sigurisht Frances McDormand), ky është një film jashtëzakonisht i bërë mirë. Një film që të mbërthen në një dramë të shkruar bukur, të regjisuar bukur e të luajtur bukur. 115 minuta të shpenzuara në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Dunkirk”, i Christofer Nolan. Një film që vizualisht të lë pa fjalë. Mjeshtëria e regjisorit është në nivel aq të lartë sa ty të duket vetja që je aty, në atë breg të llangosur me naftë të Dunkirk-ut, në pritje të evakuimit.

SHKARKO APP