Çfarë na ka mësuar Covid-19? 6 përfundime që mund të nxirren nga kjo krizë

Ne nuk e dimë kur do të përfundojë pandemia Covid-19; nuk e dimë si do të përfundojë; dhe për momentin, ne mund të spekulojmë vetëm për ndikimin politik dhe ekonomik afatgjatë. Në një kohë krize, ne jemi të infektuar nga pasiguria. Por ka të paktën shtatë gjëra që e bëjnë këtë krizë shumë të ndryshme nga ato të mëparshme dhe shtatë gjëra që kjo krizë na ka mësuar deri tani.

Mësimi i parë është se, për dallim nga kriza financiare 2008-2009, koronavirusi do të detyrojë kthimin e ‘qeverisë së madhe’. Tani, koronavirusi do ta rikthejë qeverinë në një rol më të rëndësishëm dhe më ndërhyrës, qoftë në jetët tona, qoftë në ekonomi. Njerëzit mbështeten tek qeveritë e tyre për të organizuar një mbrojtje kolektive kundër pandemisë dhe për të shpëtuar ekonominë nga fundosja. Efektiviteti i qeverive tani matet nga aftësia e tyre për të ndryshuar sjelljen e përditshme të njerëzve.

Mësimi i dytë është se koronavirusi siguron një demonstrim të mistikës së kufijve dhe do të ndihmojë në rishfaqjen e rolit të shtet-kombit brenda Bashkimit Evropian. Kjo shihet tashmë në mbylljen e shumë prej kufijve midis vendeve, dhe në faktin se çdo qeveri në Evropë është përqendruar tek njerëzit e vet. Në rrethana normale, shtetet anëtare nuk do të bënin asnjë dallim midis kombësive të pacientëve në sistemin e tyre shëndetësor, por në këtë krizë, ata i japin përparësi shtetasve të tyre mbi të tjerët. Prandaj, koronavirusi do të forcojë nacionalizmin, megjithëse jo nacionalizmin etnik.

Mësimi i tretë i koronavirusit lidhet me besimin në ekspertizë. Kriza financiare dhe kriza e refugjatëve në 2015 krijuan një pakënaqësi të madhe ndaj ekspertëve. Kjo dukuri, e cila ka qenë një nga sukseset kryesore të politikanëve populistë në dhjetë vitet e fundit, do të shpërbëhet nga koronavirusi. Shumica e njerëzve janë shumë të hapur për t’u besuar ekspertëve dhe t’i kushtojnë kujdes shkencës kur jeta e tyre është në rrezik. Tashmë mund të shihet legjitimiteti në rritje që kjo u ka dhënë profesionistëve që udhëheqin luftën kundër virusit. Profesionalizmi është përsëri në modë.

Fatkeqësisht, koronavirusi mund të rrisë tërheqjen ndaj autoritarizmit të madh të të dhënave të përdorura nga qeveria kineze. Dikush mund të fajësojë udhëheqësit kinezë për mungesën e transparencës që i bëri ata të reagojnë ngadalë për përhapjen e virusit, por efikasiteti i përgjigjes së tyre dhe aftësia e shtetit kinez për të kontrolluar lëvizjen dhe sjelljen e njerëzve ka qenë mbresëlënëse. Në krizën aktuale, qytetarët krahasojnë vazhdimisht përgjigjet dhe efektivitetin e qeverive të tyre me ato të qeverive të tjera. Dhe nuk duhet të çuditemi nëse, pas krizës, Kina të duket si një fituese dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të duken si një humbëse. Ky mund të jetë leksioni i katërt që vjen nga COVID-19.

Mësimi i pestë ka të bëjë me menaxhimin e krizave. Ajo që mësuan qeveritë në trajtimin e krizave ekonomike, krizës së refugjatëve dhe sulmeve terroriste ishte se paniku ishte armiku i tyre më i keq. Nëse për muaj të tërë pas një sulmi terrorist, njerëzit ndryshonin sjelljen e tyre të përditshme dhe s’dilnin nga shtëpitë, kjo i ndihmonte terroristët të arrinin qëllimet e tyre. E njëjta gjë ishte e vërtetë në 2008-2009: një ndryshim në sjellje shpesh rriti kostot e krizës. Kështu, udhëheqësit dhe qytetarët u përgjigjën me mesazhe për të “qëndruar të qetë”, “vazhdoni me jetën”, “injoroni rrezikun” dhe “mos e teproni”. Tani, qeveritë duhet t’u tregojnë rrezikun qytetarëve, që ata të ndryshojnë sjelljen e tyre duke qëndruar në shtëpi. Suksesi i qeverive në këtë, varet nga aftësia e tyre për të trembur njerëzit të bëjnë siç udhëzohet. “Mos u frikëso” është mesazhi i gabuar për krizën Covid-19. Për të përmbajtur krizën, njerëzit duhet të jenë në panik dhe ata duhet të ndryshojnë në mënyrë drastike mënyrën e të jetuarit.

Mësimi i gjashtë është se kriza Covid-19 do të ketë një ndikim të fortë në dinamikën e brezave. Në kontekstin e debateve për ndryshimin e klimës dhe rrezikun që ai paraqet, brezat e rinj kanë qenë shumë kritikë ndaj të vjetërve, se këta të fundit janë egoistë dhe nuk mendojnë seriozisht për të ardhmen. Koronavirusi i përmbys këto dinamika: tani, anëtarët e moshuar të shoqërisë janë shumë më të prekur dhe ndjehen të kërcënuar nga mosgatishmëria e dukshme e të rinjve për të ndryshuar mënyrën e tyre të jetesës. Ky konflikt mes brezave mund të intensifikohet nëse kriza zgjat për një kohë të gjatë.

Mësimi i shtatë është se, në një pikë të caktuar, qeveritë do të detyrohen të zgjedhin midis përmbajtjes së përhapjes së pandemisë me koston e shkatërrimit të ekonomisë ose tolerimit të një kostoje më të lartë njerëzore për të shpëtuar ekonominë.

Ende jemi shumë herët për të folur mbi ndikimin politik të Covid-19. Kriza ka justifikuar frikën e anti-globalistëve: aeroportet e mbyllura dhe individët e izoluar duket se janë zerimi i politikës së globalizmit. Por, në mënyrë paradoksale, momenti i ri anti-globalist mund të dobësojë aktorët politikë populistë, të cilët, edhe kur kanë argumente, nuk kanë zgjidhje. Kriza Covid-19 gjithashtu do të riformulojë në mënyrë dramatike përgjigjen e BE për të gjitha krizat e tjera me të cilat është përballur në dekadën e fundit. Disiplina fiskale nuk është më mantra ekonomike edhe në Berlin, dhe nuk ka asnjë qeveri evropiane që në këtë moment, do të mbrojë hapjen e kufijve për refugjatët.

Mbetet të shihet se si saktësisht kriza do të ndikojë në të ardhmen e projektit Evropian. Por është e qartë se, koronavirusi do të vërë në dyshim disa nga parimet themelore mbi të cilat është themeluar BE-ja.

SCAN

Marrë nga Këshilli Evropian, Marrëdhëniet me Jashtë, shkrim i shkencëtarit politik Ivan Krastev.

https://www.ecfr.eu/article/commentary_seven_early_lessons_from_the_coronavirus

SHKARKO APP