Çfarë ndodhi kur fëmijët u kthyen në shkollë gjatë pandemisë së 1918-ës?

Kjo nuk është hera e parë që vendet përballen me vendimin e vështirë për të hapur ose jo shkollat në kohë pandemie.

Diskutime të tilla të zjarrta pati edhe gjatë krizës së vitit 1918, edhe pse asokohe bota ishte një vend shumë i ndryshëm nga sa është sot. Gripi i tmerrshëm spanjoll vrau të paktën 5 milionë vetë, sipas shifrave zyrtare, përfshirë 675,000 amerikanë. Ndonëse shumica e qyteteve në SHBA zgjodhën t’i mbyllnin shkollat e tyre, historianët thonë se New York, Chicago dhe New Haven zgjodhën ta vazhdonin mësimin.

Vendimi i zyrtarëve të shëndetësisë në ato qytete bazohej në masë të madhe mbi pretendimet se nxënësit do të jenë më të sigurt në shkolla, ku u vendos të merreshin masa të forta higjienizimi dhe ventilimi të ambienteve të brendshme.

“New York-u kishte rreth 1 milion nxënës në 2018-ën. Ai ishte njëri prej qyteteve që u godit më shpejt dhe më fort nga gripi, dhe fëmijët, në një pjesë të mirë të rasteve, përballeshin me mjedise më të pastra në shkolla sesa në shtëpi”, thoshte asokohe për “New York Times”, kreu i shëndetësisë së qytetit, Dr. Royal S. Copeland.

Mësuesit i kontrollonin nxënësit për shenja të sëmundjes; ata me simptoma izoloheshin e dikush nga departamenti i shëndetësisë i kontrollonte. Rregulla të ngjashme ishin në fuqi dhe në Chicago, ku pavarësisht masave, numri i mungesave në shkolla u rrit ndjeshëm gjatë pandemisë, teksa punonjës të shëndetit publik flisnin për një “fobi të vërtetë” që kishte shpërthyer ndaj gripit mes prindërve.

SHKARKO APP