Çifti nga Shkodra rrëfen varësinë ndaj heroinës: Po më dilte gjak e copa mishi
Fenomeni i përdorimit të substancave narkotike nga individë të ndryshëm, ndërlidhet me shkaqe të ndryshme. Dikush i provon fillimisht substancat psikoaktive nga kurioziteti, apo i nxitur nga rrethi shoqëror. Dikush tjetër mund të fillojë përdorimin e tyre në një moment dobësie apo prej dëshirës për t’u shkëputur qoftë dhe një moment nga realiteti jo i mirë në të cilin ndodhet. Por çfarëdo qofshin arsyet, përdorimi i këtyre substancave është shumë i dëmshëm, në të gjitha aspektet dhe për më tepër krijon një varësi jo lehtësisht të shërueshme. Një çift nga Shkodra kanë ardhur në emisionin “Historia ime” në Tv Klan për të rrëfyer ekskluzivisht historinë e tyre e cila është një dëshmi konkrete e jetuar me këtë varësi për vite me radhë.
Gazetarja: Sa vjeç jeni?
Rozina: 30.
Marku: 39.
Gazetarja: Sa vite keni që njiheni bashkë?
Rozina: 20 vite, kam qenë 15 vjeç kur jemi njohur.
Gazetarja: Markolino çfarë të tërhoqi tek ajo?
Marku: Ishte e qeshur, në muhabet dhe në të gjitha.
Gazetarja: U fejuat dhe vendosët që të qëndronit bashkë apo vazhduat në distancë.
Rozina: Kemi jetuar bashkë.
Gazetarja: Pas gjimnazit si vijoi jeta juaj?
Marku: Gjimnazin e lashë përgjysmë.
Rozina: Edhe unë e lashë gjimnazin përgjysmë. Vitin e dytë e kam kryer të gjithin dhe më pas nuk e kam vazhduar.
Gazetarja: Si e kujtoni atë kohë?
Marku: Kemi kaluar shumë bukur.
Rozina: Na ka marrë malli shumë për shkollën dhe shokët e klasës.
Gazetarja: Jeni penduar që e braktisët?
Rozina: Po shumë, nëse do kthehesha pas në kohë do shkoja me gjithë qejf.
Gazetarja: Kur ka qenë kontakti i parë me përdorimin e lëndëve narkotike?
Marku: Unë e kam përdoru për shumë vite, para Rozinës, kjo e nisi kur u njoh me mua.
Rozina:15 vjeç kam filluar heroinën.
Gazetarja: Kur u njohët Rozina ju e dinin se Markolinoja ishte përdorues?
Rozina: Po e dija, por mendoja se e ka lënë, ka zënë mend, por është e zorshme ta lesh.
Gazetarja: Cila ka qenë arsyeja që ju ka bërë së pari Markolinon që ta fillonit këtë substancë?
Marku: Ne nuk kemi ditur gjë, ne e kemi bërë provë. Ishte kurioziteti, mu duk gjë qejfi në fillim, nuk e dinim që do kishte këto pasoja. Ishte dhe shoqëria që thoshte pije, bëje provë.
Gazetarja: Çfarë ndjetë kur e provuat për herë të parë?
Marku: Më është dukur sikur kam prekur qiellin me dorë, isha adoleshent.
Rozalina: Të çon në një tjetër dimension. Efektin e saj tamam tamam, e ka që të lodh qepallat e syrit, të jep një kruajtje gjithë kohës, je si i përgjumur. Ky është efekti tamam, tamam i heroinës. Të bën që të pish duhan më shumë, mund të kesh të vjella për ata që e pardonin në fillim, bëhesh i verdhë në fytyrë.
Efektin e ka të lezeçëm sa të fut në film. Një javë është kënaqësia e saj, pas një jave nuk ja ndjen më këtë lezet. Nga lezeti të kthehet në hall sepse ta kërkon trupi, nuk mund të rrish dot pa të. Atë efektin e bukur dhe të mirë që ia ke ndjerë në fillim, nuk e ndjen më, veç po t’ja rrisësh dozat. Por edhe dozat e larta kanë atë të keqen e vetë sepse nuk ta përballon trupi, vjen overdoza dhe shumë gjëra të tjera mbrapa.
Gazetarja: Doja të dija se kur Rozina e përdori për herë të parë, besoj prej Markolinos?
Marku: Po normal.
Rozina: Po është e vërtetë. Doja ta provoja, kurioziteti.
Gazetarja: Dhe pastaj nuk u shkëputët më kurrë të dy?
Rozina: Jo. E kemi pirë rregullisht, kam bërë provë ta shkëput. E kam lënë 6 muaj, e kam lënë 3 muaj edhe nga dy muaj dhe e kam vazhduar prapë.
Gazetarja: Familja juaj çfarë qëndrimi kanë mbajtur ndaj kësaj situate që jeni përfshirë? E kanë pranuar faktin që ju ishit përdorues?
Rozina: Prej hallit, janë munduar shumë të na ndihmojnë sa kanë pasur mundësi me mish dhe me shpirt.
Gazetarja: Para se të nisnim këtë intervistë, më thatë që keni 5 fëmijë.
Rozina: Po.
Gazetarja: Kur erdhi në jetë fëmija i parë?
Rozina: 12 është vajza e madhe, kam qenë 19 vjeç kur e kam sjellë në jetë. Fëmijën e parë e kam dështuar prej drogës. Nuk e kam ditur që isha shtatzënë, më kapën dhimbje të forta barku, kisha shumë gjak, copa mishi me gjak. Nuk mund të shkoja as në spital sepse nuk kishte asnjë makinë, nuk ecja dot. Të nesërmen shkova tek materniteti i Shkodrës, bëra një eko dhe më thanë që ke qenë shtatzënë, por e ke dështuar pa dashje. Mbrapa më ka falur Zoti vajzën shëndoshë si molla dhe fëmijët e tjerë shëndoshë si molla.