Cilësia e ajrit në Shqipëri

 Nga Aulent GURI*

Në zbatim të planit vjetor dhe programit të auditimit nr. 682/4, datë 06.10.2017,  Kontrolli i Lartë i Shtetit, realizoi auditimin e performancës me temë “Cilësia e Ajrit”. Ky auditim u ushtrua në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Institutin e Shëndetit Publik, si dhe në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Berat, Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve Berat, Drejtorinë Rajonale Shëndetësore Berat. Ky ishte një auditim paralel ndërkombëtar (EUROSAI Cooperative Audit on Air Quality) i cili u udhëhoq nga SAI holandez në bashkëpunim me SAI-n e Polonisë si dhe ekspertëve të Gjykatës Evropiane të Llogarive, ku morën pjesë rreth 16 SAI nga vende të ndryshme të Evropës. Pas përfundimit të punës paraprake audituese u përgatit programi auditues. Në përfundim të punës audituese në terren, me shkresat nr. 682/5, 6, 7, 8 datë 30.11.2017 iu dërgua projektraporti i auditimit institucioneve subjekt auditimi. Me Vendimin nr. 203, datë 29.12.2017 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit të Performancës me temë “Cilësia e Ajrit dhe me shkresën nr. 682/13, datë 29.12.2018, i janë përcjellë institucioneve subjekt i këtij auditimi, rekomandimet përkatëse.

 

Nga auditimi ka rezultuar se, qeverisja qendrore dhe lokale në Shqipëri kanë dështuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Edhe pse në 2014 është miratuar Strategjia Kombëtare e Cilësisë së Ajrit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka raportuar asnjëherë mbi zbatimin e saj. Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit ende nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe si rrjedhojë, asnjë bashki në Shqipëri nuk ka miratuar Planet Vendore të Veprimit të Cilësisë së Ajrit në të cilin analizohen në detaje problemet dhe masat që duhen marë për eleminimin e tyre. Substancat kryesore që ndikojnë në cilësinë e ajrit në Shqipëri janë grimcat e imta (PM10 dhe PM2.5), dioksidi i squfurit, benzeni, monoksidi i karbonit, plumbi dhe ozoni troposferik. Këto substanca janë të përcaktuara si ndotësit kryesorë të ajrit nga OBSH dhe janë të parashikuara edhe në Direktivën e Cilësisë së Ajrit 2008/50/EC. Monitorimi i cilësisë së ajrit (detyrim i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit – AKM dhe Institutit të Shëndetit Publik – ISHP) nuk i përmbush plotësisht standardet e vendosura nga direktivat përkatëse të BE-së dhe aktet ligjore e nënligjore të vendit tonë. Së pari, duhet theksuar që i gjithë procesi i monitorimit të cilësisë së ajrit është i paakredituar dhe shumë laboratorë për elementë të ndryshëm si për shembull për grimcat e imta (PM10 dhe PM2.5) janë të pa kalibruar çka dëshmon qartë për nivelin e ulët të besueshmërisë së të dhënave që paraqiten në Raportet e Gjendjes së Mjedisit që publikohen çdo vit nga AKM. Gabimi në nxjerrjen e të dhënave që ato prodhojnë është shumë i madh. Shembull konkret janë dy stacionet e Tiranës, ku nga vëzhgimi në terren i grupit të auditimit i shoqëruar dhe i pohuar edhe nga specialistët e institucioneve përgjegjëse për monitorimin e ajrit, u pa, se të dhënat shënonin 25-30 µg/m3, ndërkohë që vlerat reale (që prodhoheshin nga tubat pasive me të cilat bëhej dhe krahasimi) ishin 3 herë më të larta. Norma e vendit tonë sa i përket PM10 është 40 µg/m3. Në metodologjinë e monitorimit të cilësisë së ajrit ka 2 lloje matjesh, matjet fikse dhe matjet treguese. Matje fikse janë ato matje që kryhen në territore të caktuara vazhdimisht (365 ditë/vit ose 90 % e kësaj sasie për ndotës të veçantë), ndërkohë që matjet treguese, janë matje që plotësojnë objektivat e cilësisë së të dhënave që janë më pak të sakta se ato që kërkohen për matjet fikse. Shpesh herë, media, ekspertë apo edhe politikanë i janë referuar matjeve treguese duke prezantuar të dhëna që kanë dalë nga një fushatë 2-3 javore monitorimi të cilësisë së ajrit si vlera reale të qyteteve. Kjo gjë ka patur synim vetëm keqinformimin e qytetarëve në lidhje me gjendjen e cilësisë së ajrit. Nuk mundet që një periudhë vetëm disa javore të jetë prezantuese e vlerave të elementëve ose treguesve kryesorë të cilësisë së ajrit të cilat kanë norma vjetore si dhe kanë metodologji apo periudha më të gjata kohore se sa disa javore për të arritur në mesataren vjetore.

 

Në qytetin e Tiranës për vitin 2014 dhe 2015 për të gjetur mesataren e cilësisë së ajrit urban është vepruar duke matur në 2 pika të ndryshme monitorimi për periudha disa javore me stacione të lëvizshme. Kjo, nuk mund të jetë aspak vlera reale e qytetit të Tiranës. Sot, në Tiranë janë vetëm 2 stacione fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit në administrim të ISHP-së, që ndodhen respektivisht në qendër të Tiranës dhe pranë Parkut Kombëtar të Dajtit (prapa Institutit të Shëndetit Publik – ISHP). Në një kohë kur Tirana ka vetëm 2 stacione fikse të monitorimit të ajrit, çdo ekspert, specialist apo njohës i mirë i çështjeve të mjedisit e kupton që vendosja e stacionit të monitorimit të ajrit prapa ISHP-së është e padobishme. Në të gjithë territorin e vendit tonë kemi vetëm 7 stacione të matjeve fikse të cilët monitorojnë pa ndërprerje nga të cilat 2 për një periudhë 2 vjeçare (2015-2016) nuk kanë qenë në gjendje pune. Numri i stacioneve fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit në Shqipëri nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhëna përfaqësuese dhe të besueshme për qytetet përkatëse. Për të qenë sa më realist, nga një krahasim që grupi i auditimit ka bërë me vendet e rajonit, Shqipëria rezulton të jetë vendi me numrin më të vogël të stacioneve edhe pse shtete si Kosova (12 stacione fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit) e Maqedonia (17 stacione fikse të monitorimit të ajri) kanë një sipërfaqe më të vogël se ne. Monitorimi i ajrit në Shqipëri i ngjason një të sëmuri i cili nuk ka një termometër të saktë për të kuptuar nivelin e temperaturës.

 

Nga ana tjetër Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve i cili ka përgjegjësinë që të ndëshkojë ndotësit e mjedisit në tërësi dhe po ashtu të ajrit nuk kryen inspektime sa i përket tejkalimit të normave të shkarkimeve të elementëve ndotës të ajrit, sepse nuk zotëron asnjë mjet/laborator për matjen e këtyre shkarkimeve në terren për rrjedhojë edhe marrja e masave administrative është subjektive dhe në rastin konkret mund të krahasohet me një polic rrugor i cili vendos një gjobë për tejkalim shpejtësie pa patur radarin si mjet të vërtetimit të tejkalimit të shpejtësisë. Kundravajtjet administrative, veprat penale kundra ndotjes së ajrit, ligji për ndotjen e ajrit dhe ligji i inspektimit nuk janë të koordinuara duke qenë se nuk bëjnë dallim midis veprave penale dhe atyre administrative. Qytetarët e vendit tonë nuk informohen në kohë reale lidhur me vlerat e cilësisë së ajrit dhe nuk kanë akses “on line” për t’u informuar se sa është niveli i ndotjes në qytetin ku ata banojnë. Ky akses është i garantuar vetëm për specialistët e institucioneve përgjegjëse për monitorimin e cilësisë së ajrit. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, janë edhe sëmundjet që lidhen direkt ose indirekt me cilësinë e ajrit të jashtëm. Instituti i Shëndetit Publik nuk ka të dhëna konkrete se sa ka ndikuar cilësia e ajrit në shtimin e numrit të vdekjeve, shtimin e sëmundshmërisë së popullsisë veçanërisht në zona të ndotura. Raporti i OBSH-së për vitin 2012, në rubrikën përkatëse për Shqipërinë ka përcaktuar tregues të ndryshëm si për shembull numrin e vdekjeve ose vitet e humbura të jetës si pasojë e ndotjes së ajrit, por askush në Shqipëri nuk mund të thotë se si kanë dalë këto rezultate, as ISHP që e ka detyrim të raportojë pranë OBSH-së dhe as selia e saj në Shqipëri.

*Kryeauditues – KLSH

SHKARKO APP