Çurçill dhe Perdja e Hekurt 

Dr. Jorgji Kote 

 Në fakt, ajo  njihej si term në literaturën artistike dhe atë politike qysh në Shekullin e XIX e deri në prag të Luftës së II Botërore; gjithsesi, « Perdja e Hekurt » u përdor  në publik në kuptimin e saj më të plotë në fjalorin ndërkombëtar politik nga burri i madh i shtetit britanik,  Winston Çurçill.

Më 5 Mars 1946, në prani të Presidentit amerikan Truman, Çurcill mbajti një fjalim frymëzues në « Westminster College » në Fulton, shteti Missuri në SHBA mbi gjendjen dhe perspektivat e zymta ndërkombëtare. Pikërisht në atë fjalim lapidar, ai  përmendi me theks të veçantë metaforën «  Perdja e Hekurt» ( Iron Curtain) në frazën e mëposhtëme emblematike:

Swiss Digital Desktop Reklama

“Nga Stettini  në Balltik dhe deri në Trieste, Adriatik, një Perde e Hekurt është  vendosur në të gjithë Kontinentin. Prapa asaj Perdeje shtrihen kryeqytetet e shteteve të lashta të Evropës Qendrore dhe Lindore – Berlini, Varshava, Praga, Vjena, Budapesti, Beogradi, Bukureshti dhe Sofja; të gjitha këto qytete të famshëm me popullsinë e tyre ndodhen në atë që do ta quaj Sfera Sovjetike, dhe që në një formë apo tjetër i nënshtrohen jo vetëm ndikimit sovjetik, por në një masë shumë të madhe dhe në disa raste në rritje edhe kontrollit nga Moska……”

Swiss Digital Mobile Reklama

Kësisoj, « Perdja e Hekurt » simbolizon ndarjen fizike dhe politike të botës dhe të Evropës në dy sisteme dhe kampe diametrialisht të kundërta dhe armiqësore – Perëndimi liberal i demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut dhe Lindja me sundimin  një partiak dhe  ekonominë e centralizuar/komanduar. Simboli i parë domethënës i saj ishte ndarja e Berlinit dhe Gjermanisë në dy pjesë në vitin 1948 dhe pika e kontrollit kufitar «  Checkpoint Charlie » në mes të qytetit të Berlinit të ndarë.

Kurse termin   « Lufta e Ftohtë » e përdori për herë të parë Bernard Baruch, Këshilltari i Presidentit Truman, në një fjalim në Parlamentin e Shtetit të Karolinës Jugore më  16 Prill 1947.

« Lufta e Ftohtë » nënkuptonte gjëndjen tensionuese ndërmjet dy sistemeve të lartpërmendura, e karakterizuar jo nga konflikte me përdorime armësh, por kërcënime dhe shantazhe nëpërmjet tyre, përfshirë dhe ato bërthamore, gjthsesi duke mbrojtur zonat përkatëse të influencës.

Pikënisja praktike e Luftës së Ftohtë konsiderohet viti 1947 kur SHBA filloi zbatimin e Planit të famshëm « Marshall »

Por, një vit më vonë, në Qershor 1948, Stalini vendosi mbi Berlinin Perendimor Bllokadën më të egër që ka njohur bota, duke mos lejuar furnizimin e tij me ushqime dhe veshje. 11 muaj më vonë, ai u detyrua ta hiqte atë me turp, pasi aleatët perendimorë ndihmuan atë qytet nëpërmjet « Urës Ajrore » të Berlinit. Gjithsesi, më vonë, ish-BS shtypi çdo prirje liberale dhe kundërshtim në vendet satelite me topat dhe tanket e ushtrisë të stacionuar në çdo vend ku shtrihej zona sovjetike e influencës. Kështu ndodhi në vitin 1953 pas rebelimit në Berlin/Laipcig dhe më 1956 në Budapest. Derisa më 13 Gusht 1961 me urdhërin dhe mbështetjen sovjetike u ngrit Muri famëkeq i Berlinit, kjo «  ikonë » e shëmtuar e « Perdes së hekurt »

Ndër kulmet e tjera të « Perdes së Hekurt » dhe «  Luftës së Ftohtë » ishin krijimi i NATO-s dhe Traktatit të Varshavës më 1949, i BE-së më 1958, kriza e raketave me Kubën më 1962, pushtimi i Çekosllovakisë nga ish-BS më 1968, « Ostpolitika » në vitet 70, vizita historike e Presidentit amerikan Nixon në Pekin më 1972, Akti Final i Helsinkit dhe krijimi i OSB-së më 1976; për të ardhur te reformat « Glasnost » dhe « Perestrojka » të Gorbachovit në mesin e viteve 80 dhe takimi i tij historik në Maltë në dhjetor 1989 me Presidentin amerikan Bush.

Falë këtyre strategjive dhe politikave u bë e mundur shembja e  Murit të Berlinit më 9 Nëntor 1989 që shënoi ribashkimin gjerman dhe atë evropian.

Shumica e ekspertëve janë dakord se ky është dhe viti i rënies së « Perdes së Hekurt » dhe mbarimit të « Luftës së Ftohtë ». Ndërsa sipas disa të tjerëve, kjo i përket vitit 1991, kur pushoi së ekzistuari Traktati i Varshavës dhe kur u shembën rregjimet e tjera komuniste,  përfshirë dhe atë në vendin tonë dhe shpërbërjes së plotë të ish-Bashkimi Sovjetik.

Për ironi të fatit, aktualisht po shfaqen në horizont, madje rrezikshëm precedentë jo të paktë të këtyre dy dukurive tronditëse të shekullit të kaluar e që për nga rëndësia meritojnë një shkrim të veçantë.

Ja pse, në ditët tona, profecia çurçilliane e 5 Marsit 1946 është kujtesë, pikë  referimi dhe apel i fuqishëm që të mos ketë më Perde të Hekurt, Luftë të Ftohtë dhe dukuri të tjera të ngjashme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?