Dëshmi për dhunën në kampet e internimit në Saver dhe Bënç

Nga Xhemal Meçi*

Luçe Frrok Basha, ZAGORË, 1947, tregojnë për jetën e rëndë nëpër kampet e internimit në Saver të Lushnjes dhe në Bënç të Tepelenës
Vuajtjet e rënda të jetës nuk ia kishin shuar kujtesën për traditat qoftë edhe këngët.I kishin mbetur në kujtesë dy vargje për të shoqin, Fratel Pashku i cili me politikën e tij antikomuniste ishte bërë shkak për vuajtjet e të shoqes, të Sutës e të mbarë familjes.
Mamuras, nëntor 2013. Cila ishte Suta, kjo grua sokoleshë e maleve?
Suta ishte prej derës së Mirakajve të Iballës, Vocërr Prelë Mehmetit. Vocrri qe kënduar në këngë prej rapsodit të shquar të Maleve të Veriut, Prendush Gegës, për bashkëpunimin e tij me Lazër e Ndre Mjedën për ndërtimin e shkollës së parë shqipe në Iballë, më 1903: “ Vocerr Prela me Frrok Kolën,/Ia kan dhan’ ipeshkvit doren/-N’Fush’ t’Iballes me ba shkollen./ Me ba shkollë, me ba saraj!/ Per punë t’turkut bajm kollaj.”
Pjetër Mark Prela, i ati i Sutës, Vocërr Prelën e kishte xhaxha (vëllain e babait). Suta kishte dijeni për bëmat e Mirakajve, si shtëpi me rëndësi jo vetëm në Iballe, por edhe në mbarë krahinën e Pukës, si edhe jashtë Atdheut deri në Itali, ku kujtohej Prelë Mehmeti, për të cilin ka shkruar A.F.Cordiniano “L’Albania… Romë, 1933. Aty, në kujtimet e Domenico Pasit, misionar i kishës katolike në Shqipëri, mësojmë se më 10 nëntor 1888, përmes një nate me borë dhe erë të ftohtë veriu, ndërsa po i afroheshin Iballes tre priftërinjtë, dy prej të cilëve po shoqëronin D.Pasin, klerik misionar italian… “Prelë Mehmeti i dha zë vendit me disa të shtëna revoleje (dhe) me vrap u drejtua për në Sapaç… në malin sipër nesh u dëgjuan zëra të ndryshëm e thirrje, me ndonjë të shtënë pushke. Ishte Prelë Mehmeti e disa të tjerë nga Iballja që po na dilnin para duke kërcyer gur më gur si kitra… arritëm më në fund te banesa e Prelë Mehmetit… Aty gjetëm gati një zjarr të madh që, në ato rrethana, vlente sa një visar. Pastaj u shtrua një darkë e mirë…”. Nga këto kujtime të pjesshme të D.Pasit mësojmë për rëndësinë, rolin dhe bujarinë e Prelë Mehmetit, Mirakaj.
Në vazhdën e Prelë Mehmetit do të dalloheshin të bijtë: Vocerr e Mark Prela. Po kështu Pjetër Mark Prela, i cili u vra së bashku me gruan më 1926 në rrethana të pasqaruara mirë. Sidoqoftë, Suta e kujton me dhimbje të madhe vrasjen e prindërve, sepse, jo vetëm që i humbi në moshën dy vjeçare, kurse i vëllai, Frani, në moshën pesë vjeçare, por edhe pse u rritën jetimë e me halle sadoqë nën kujdesin e vazhdueshëm të dajëve e gjyshit të tyre,( Dritë pastë !), Zef Lleshi i Qafë-Malit, Mirditë.
Si u rrit Fran Pjetër Miraka, dajët e kthyen në Iballë, në pronën e të atit, të Pjetër Mark Prelës. Frani, edhe pse i ri, u dha pas punës. Rimëkëmbi ekonominë. Hapi edhe dy dyqane. Martoi edhe motër Sutën, në moshën 20-vjeçare me Fratel Pashk Bashën e Mëziut. Shtëpia e Bashës aso kohe ishte me 19 veta; shtëpi bujare e në zë në Brigjet e Iballes dhe në mbarë fisin e Kabashit në Pukë.
Me vendosjen e rregjimit komunist, Mirakajt u vunë nën goditjen e “Luftës së klasave”. Pashuku, i vëllai i Kolë Bibë Mirakës, bashkë me nipin Ndoc Kolë Bibë Mirakën endeshin maleve me një çetë të arratisurish politikë. Frateli, si dhëndër i tyre, u dërgonte ushqime me Mark Zogun e Arstit dhe Ukë Tushën e Mëziut, kur ishin afër Mëziut. Më 1952 filluan burgosjet e shumë të dyshuarve në fshatra të ndryshëm të Pukës.
Suta, që në vitin e dytë të martesës mori goditjen e parë me burgosjen e të vëllait, Franit, si Mirakaj me bazë akuzash të parapërgatitura, sepse dikush prej Mirakajve ishte larguar jashtë atdheut, dikush maleve në çeta të arratisurish politikë. Goditja e parë e rëndë kundër Mirakajve ra mbi Franin edhe pse ishte dhënë pas punës. Më 22 shkurt 1946 iu zhvillua gjyqi në Shkodër, ku u dënua me vdekje si “armik i pushtetit popullor”. U pushkatua në shtator 1946 në Zall-Kiri, Shkodër. (Simbas Kalendarit Katolik, 2011), “pushkatohet një i ri 25-vjeçar, vetëm për idetë e tij demokratike, pa asnjë veprim të dhunshëm politik kundër shtetit të atij rregjimi.”( Simbas “Kalendarit Katolik”, Shkodër, 2011).
Suta vetëm tetë vjet martesë pati me Fratelin, kur e internuan bashkë me dy djemtë e saj të mitur, Kinin e Simonin, sepse Frateli u arratis që t’i shpëtonte arrestimit. Frateli me të vëllanë, Kolën dhe të atin, Pashk Mëhill Bashën morën malin. Kaluan kah daja i Sutës në Qafë-Mali e Fan, Mirditë së bashku me fqinjin e tij, edhe ky fis Kabashi, formuan një çetë, e cila vepronte maleve të Pukës e të Mirditës. Forcat ndjekëse të sigurimit përpiqeshin t’i asgjësonin në befasi ose duke u bërë prita në vendkalime të ngushta. Një rast i tillë ishte Ura e Fanit, por çeta e Fratel Bashës çau me guxim e trimëri rrethimin. Për këtë sukses trimëror të Fratel Bashës, në popull i kënduan këngë. Suta mundi të kujtonte vetëm dy vargje kryesore:“Ura Fanit fort po dridhet,/Fratel Pashku gjallë s’po lidhet!”
Në fund kaluan kufirin e hynë në Jugosllavi prej ku u vendosën në Belgjikë. Për këtë arratisje në Belgjikë , për të cilën Suta, pa asnjë faj me dy djemtë e mitur dërgohet në internim.
Fratel Pashku u kthye pas 40 vjetësh në vitet e fillimeve të demokracisë. “Natën e të Shumve”, se më 2 nëntor ndezin qirinj te varret e të afërmëve të tyre. Pjerin Kin Basha kishte ardhur enkas prej Brukseli, më 2 nëntor 2013 për ”Natën e të Shumve”. Me të më takoi vëllai im, Skënderi, që e kishte njohur në Bruksel, ku ka imigruar.
Pjerini kishte pamjen dhe tiparet fisnike të burrave të Bashajve të Kabashit të Mëziut, të cilët edhe pse u përndoqën aq shumë dhe u goditën nga rregjimi komunist, mbijetuan dhe u përtërinë, falë genit të tyre kreshnik dhe nënave të tyre që përballuan me besim te Zoti i Madhnueshëm, si shenjtëresha mjerimet e kohës së rregjimit komunist dhe rritën fëmijët e rigjallëruan familjet e tyre në shuarje.
Pjerini më fliste me merakun e gjyshe Sutës dhe nënë Luçes, që, gjatë një jete të tërë, kishin kaluar kalvarin e rëndë të diktaturës komuniste. Dëshironte që të gjeja kohë e të shkoja në Mamuras dhe t’ua shkruaja kujtimet për atë jetë të vështirë e plot trishtim në ata kampe tmerri.
Para se të shkoja në Mamuras, i hodha një sy Fletores “Shoqata e të Përndjekurve Politikë” Pukë, ku në një shënim për Mëziun, ndër të tjera, kisha pasë shkruar: “Mark Pashk Mëhill Basha, Mëzi, më 11 gusht 1992: “Kam ba burg 22 muej në hetuesi. Tortura ,që nuk përshkruhen dot! Si nuk doli gja prej meje për ndonjë lidhje me babën dhe dy vllaznit në arrati, më internuen në Lushnje deri më 1964 bashkë me gruen e vëllait, Sutën… Si qenë arratisë baba me dy djemtë, vëllaznit e mi, na u ba konfiskimi i plotë i pasurisë: 80 dhi, 60 dhen, 8 lopë e çdo gja me vlerë!. Na ulën në varfërinë e tejskajshme.”
Pjerinit ia kreva porosinë brenda nëntorit 2013. Shkova në Mamuras. Trokita në derën e mbyllur, pas së cilës jetonin në qetësi dy të moshuara të respektuara prej fqinjëve. Luçja, si mori vesh kush isha, më ftoi brenda shtëpisë, ku pak nga pak SUTA e Luçja filluan ta tregonin atë jetë të vështirë, të rëndë, plot mjerim. Edhe pse kështu në kamp, kishte arritë të shijonte edhe ato pak çaste të bukura jete, që ishin: martesa me Kinin, jeta me të, djemtë e saj:Pjerini dhe Françesku “që i kam të mrekullueshëm. Vjehrrën e kam pasë të mirë. Më ka dashtë si bijën e saj. Edhe unë e kam në kambë të nanës. Sot i kam marak shëndetin, se u ba 90 vjeçe. Ka vuejtë vetë e ka pa keq në njerëzit e saj. Kemi pasë të njëjtin fat, prandaj u lidhëm familjarisht bashkë”.
Cila ishte Luçja? Luçja: “Jena prej Zagore, Shkrel të Malësisë së Madhe, Mbishkodër. Jam e lindur më 1947, natën e Krishtlindjeve. Axha jem, Llesh Grisha, shkoi te dajtë në Hot, Mali i Zi. Prej andej arratiset në Amerikë. Kapën babën tem, Palokë Grishën dhe internuan në Savër të Lushnjes. Ma vonë internuen atje edhe nanën me ne fëmijët. Isha 5 vjeçe. U rrita me halle atyne kampeve. Na mungonte gjithçka: jo vetëm çdo gja e mirë, por edhe ma të zakonshmet.
Aty në fermë u njohëm me Sutën e djalin e saj Kinin, që sapo i kishin sjellë nga Tepelena. Në moshën 17 vjeçe u martova me Kinin. Jeta me të më solli mjaft çaste gëzimi. Na fali Zoti edhe dy djem: Franceskun, 1966 dhe Pjerinin, 1970. Punojshim shumë që të siguronim diçka në familje. Më 1972 na liruen prej kampit në Savër të Lushnjes. Na sollën në Mamuras. Nuk ishim aspak ma mirë se në kamp. Kushtet për strehim ishin të këqija. Kush bahej marak për ne, bre aman?!
Në Mamuras iu qepën Kinit. E dojshin për spiun me e futë kryesisht brenda Mirakajve e Bashajve. Kini s’pranoi kurrë. E mbajshin në polici në kambë për orë të tana. Kur e panë se s’pranonte, e burgosën. Nuk i kishte mbushë 30 vjet me dy djem të mitur: Françesku sa kishte fillue klasën e parë, kur i vunë hekurat të atit, Kinit. E dënuen 10 vjet burg për qëndrim kundër regjimit, !“diktaturës së proletariatit”. Si bani 10 vjet burg e pyetën nëse iu kishte mbushë mendja. “ Hë-hëë,” klyshi i Mirakajve!”- i kërcnohej, oficeri i sigurimit S. P. Por Kini kishte karakter burrëror të derës së Bashës, fisit Kabash. As vështirësitë e internimit, ku rriti trupin me halle, as vuajtjet e burgut, ku u burrnua, as kërcnimet e fyerjet e sigurimit nuk e përkulën. Kështu e dënuen prap me 7 vjet burg. Burg e vuajtje ai e na!”. Qenë vitet e fillimeve demokratike kur doli nga burgu. Në shtëpi djemtë ishin rritë pa babë, nën kujdesin tem e të gjyshe Sutës. Jeta e randë e kishte ba të vetën. Kështu, Kini vdiq mbas 17 vjetëve të burgut, rreth vitit 2000”.
Suta tregon për internimin në Bënçë të Tepelenës, ku ishin aso kohe,nja 800 vetë në atë kazermë. Shumica ishin familjarë me gra e fëmijë. “Na kishin strehue në kazermat e ushtrisë në kushte të paimagjinueshme.: Ushqimi ishte do langje kazani gjoja me groshë apo makarona, po luga nuk zinte në ndonjë kokërr prej tyne. Bukë kishim 600 gram, bukë misri e trashë, e papjekun mirë, që të vinte randë në kandar. Kur e hapnim për ta hanger, i vinte era myk. “Çashtu e hajshim, se ishim unshëm për vdekje,- tregon me të fshame Suta. -Kishte asi burrash, që prej urie e lodhjeje e hajshin bukën rrugës pa shkue te familja.
Ra dizenteria e bani kërdinë. Kishte ditë me3 , 6 a 9 vorre, ku varroseshin pleq e fëmijë. Pati familje që u shuen. Nikë Deli Vorfit prej Malësie, i vdiqën 5 vetë. U çmend (!) Kur i thanë se i ka ardhë falja, pyeste:-Ku i kam gjindt unë, bre, i mjeri?- bërtiste i shkreti!-Si dalë jashtë pa to? M’i gjeni pra!”
Megjithëse me çat ushqim, na çojshin në mëngjes herët në mal, 3 orë rrugë kambë shkuemje e kthim. Na ngarkojshin me dru në shpinë për me jau shitë familjeve në Tepelenë. Sado që e lodhun dhe e uritur, mendjen e kisha te djelt. Si po i gjej, se ishin të vegjël, bre, medet! Unë isha në mal për dru e fmitë gjithë ditën në kamp vetëm. Veç nana asht ajo, që harron vedin për vuajtjet e fëmive. Simonin e vogël e kisha të lidhun në djep. Po me rrëshqitë e me u furë në lidhësat e djepit, deka e priste?! Nji ditë paska thanë Mrika e Gjomarkut: “K u e ka nanën ky fmi?! Po me u furë në lidhësat e djepit, kush gjegjet për deken e ti?!”.
Mbas asaj fjale më lanë do kohë me krye punë rreth kampit për me kqyrë pak djalin, Simonin .
Edhe pse ushqimi vetëm emnin e kishte ushqim, u mbajshna po me atë”ushqim”, kurse bukën e shpesh herë e shitsha me ju ble fëmijëve pak gjizë, llallë apo pak qumësht. Për me mbledhë stomakun, për me mujtë me shue ujen (urinë), futa nën brez nji lamsh me penj. Si kaloi do kohë, e harrova lamshin aty nën brez. Mendojsha me vete se ku e humba?!. Mbas gjashtë muajsh na çuen në përrue me u la. Kur hoqa brezin, ra lamshi.-Qe lamshi, bre, medet-thashë! Si u lamë, sikur ra trupi ma rahat. Gjashtë muej pa u la! Edhe loptë i kena pasë la ma shpesh! Pesë vjet në Tepelenë, pesë vjet në kushte të randa jetese, sa nuk ka gojë që i tregon. Çashtu ishna e “veç i raftë vuejtja jonë gurit e drunit e jo njerit!”-siç thona në male dhe mujta me i mbajtë gjallë djemtë. Por gjithmonë me besim te Zoti i Madh.
Mbas 5 vitesh na çuan në Savër të Lushnjës. Ishte fermë bujqësore. Punë e lodhje kishna boll, nëpër ara apo stalla lopësh gjithë ditën, por ma mirë se në Tepelenë ishim. Thash me veti: “Shyqyr që pshtova djemt!. Po, jo nuk ishte e thanë. U smue Simoni 6-vjeçar dhe vdiq, se nuk interesohej kush për shërbimin tonë mjekësor.. Erdh Marku, axha i vet, prej Mëziu e kërkoi me i hapë vorrin, se kishte dyshime mos e ka mbytë kush! Bajshin shumë për njani-tjetrin gjindt e Pashk Bashës. Mezi e qetësuem. “Si na vdiq djali kështu, bre!”-thërriste me mërzi të madhe.
“Edhe Markun, ndoshta të ka thanë, e patën çue në internim, si u lirue prej ushtrie. Në ushtri kishte shërbye në repart pune. Në reparte pune i çojshin ushtarët me “ cene në biografi ”, siç na quanin ne dhe i mundojshin me punë si roblufte. Edhe në burg e futën nja dy vjet. Ka vuejtë edhe ai boll, por mbas 1972-shit , kur e liruen, e lanë me u kthye në Mëzi, kurse ne mbas 27 vjet internime, na prunë në Mamuras pa të drejtë me u largue prej ktu. Herë-herë na duhej me u paraqitë në polici, nëse ishim këtu, po në të vërtetë na mbajshin nën vëzhgim, spiunët që na i kishin vu gjithkah”!
Na tregonte Marku, se edhe jashtë kampit e burgut jeta atje në male për familjet si Mirakajt e Bashajt ishte shumë e randë. Mirak Memë Selmani prej Mëziut tonë e arrestuen në Strame, kur po vinte prej Kokëdode, ku kishte çue në gjini të shoqen, të shkretën Lulë , bashkë me të birin Zefin e vogël,që mbet jetim,se Mirakun e murën lidhë dhe e dërguan në Pukë,ku vdiq në tortura, sa u kishte thanë emnin Mirak dhe se nuk u paska tregue gja për Mirakajt e arratisun. –Pse Mirakaj qenke ti mor armik!”- i kishin bërtitë forcat që ndiqnin të arratisurit politikë! Të shkretit ia kishin ngjit prindt emrin Miri, Mirak nga gëzimi që lindi djalë! E murën rrshan për Mirakaj dhe nuk e lanë fare me u shpjegue. Në Pukë si u vdiq,në tortura, e nxorën jashtë dhe i lëshuan një batare automatiku, kinse desh të arratisej!
Po kështu edhe një djalë mirakajsh – Ndoc Prend Miraka nga dëshpërimi se e keqtrajtonin si Mirakaj, vari veten. Ishte në klasen e tetë. kur një ditë maji 1980 e thirrka drejtori i shkollës në drejtori nji farë T. B. prej Lushnje a Korçe ishte. I bërtet se pse bante zhurmë në klasë, pse i vente në lojë disa nxanës e mësues, he klysh Mirakajsh, armiq, antikomunist!A pak ka ba Partia në ju mirakajt, e tash na del edhe ti armik si ato. Të pret përjashtimi prej shkolle! Ishte fmi i gjallë, i lëvizshëm ,kaq. Ai i shkreti u trondit shumë sa, si shkroi një letër, vari vedin. I mjeri Ndoc Miraka. ishte veç 15 vjeç! Nuk mundi ta përballonte këtë terror komunist!Po ç faj patëm ne gratë e fëmija, bre!” Fshante herë mbas here Suta.
Shembulli i këtyre grave ngjan me shenjtëresha të vërteta, që i gjendeshin në krah njëra-tjetrës. Kuptohet kryesisht kujdesi i Luçes, e cila, megjithëse rritë e jetuar me tmerret e kampeve të internimit, e persekutuar një jetë të tërë, i kishte dhënë Zoti njëfarë shëndeti, që të mund të kujdesej për shtëpinë e të vjehrrën, Sutën. Që të dyja shembull optimizmi e respekti ndërfamiljar, lidhur me tradita fisnike: mikpritjen, mirëkuptimin, durimin, urtësinë, përballimin edhe të një jete të tillë pa urrejtje, sharje e nëmësh kundër keqtrajtuesve të tyre, por mbaheshin me durim, krenari e dinjitet malësor.
*Studiues, “Mjeshtër i Madh”

SHKARKO APP