Dëshmia e Riza Deliallisit: Edhe pse kishim dy firmëtarë të Pavarsisë dhe mbajtëm me ushqime Çetën e Pezës, komunistët na pushkatuan tetë burra
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së madhe Deliallisi nga Shqipëria e Mesme, origjinën e herëshme e së cilës është nga Persia e largët dhe të parët e saj njihen si themeluesit e qytezës së Shijakut që në vitin 1885, kur i pari i këtij fisi, Sali bej Deliallisi (Shijaku), zbriti nga katundi Shahinaj dhe u vendos në qëndër të Shijakut të sotëm, ku ngriti dhe dyqanin e parë, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga studjuesi i njohur i Monarkisë së Zogut, Teki Selenica, i cili e ka konfirmuar atë në librin e tij, “Shqipëria në vitin 1927”. Angazhimi i familjes Deliallisi në lëvizjet për shkëputjen e vëndit nga zgjedha osmane, ku dy nga burrat e këtij fisi, Xhemali dhe Imer Deliallisi, morrën pjesë si delegatë dhe përfaqësues të Shijakut në shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntorin e 1912-ës dhe më pas në Kongresin e Lushnjes në 1920-ën, ku Imeri u zgjodh senator i Durrësit së bashku me Mytesim Këlliçin, Irfan Ohrit dhe Veli Krajën.
Shkollimi i djemëve të asaj familje në akademitë ushtarake të Italisë e Turqisë gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, si Mustafa Deliallisi i cili pasi u diplomua në Akademinë Ushtarake të Torinos, shërbeu si kryetar i Zyrës së Rekrutimit në Librazht dhe në Mat, për t’u emëruar më pas si reth-Komandant i Xhandarmërisë së Ulqinit dhe Shijakut, ku dhe e zuri 7 prilli i ‘39-ës, duke luftuar në krah të major Abaz Kupit kundra italianëve. Angazhimi i tyre në Lëvizjen Antifashiste, si kapiten Mustafa Deliallisi që dërgoi ndihma të mëdha Çetës së Pezës pasi kishte miq të ngushtë Shyqëri dhe Myslym Pezën, të cilët donin ta inkuadronin pranë asaj çete, por hasën në kundërshtimin e krerëve të lartë komunistë që ishin atashuar pranë saj. Dëshmia e Riza Deliallisit se si filloi goditja ndaj asaj familje të madhe nga ana e komunistëve, ku ende pa mbaruar Lufta, partizanët ekzekutuan pa gjyq në fshatin Arbanë, Kapllan, Jakup dhe Shefqet Deliallisin, në 1946-ën mbytën në tortura Beqir Deliallisin, në 1947-ën, u pushkatuan Tefik Deliallisin me “Grupin e Deputetëve”, në 1948-ën vranë në përpjekje me armë, Delip Deliallisin, në 1950-ën, vranë kapiten Mustafa Deliallisin dhe Bujar Deliallisin që bëri vetëvrasje në burg nga torturat, për të vazhduar më tej ku pjesa më e madhe e atij fisi përfundoi burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist të Envert Hoxhës.
Nga Dashnor Kaloçi
“Goditjen ndaj familjes sonë të madhe Deliallisi, komunistët e Enver Hoxhës e kishin filluar që në periudhën e Luftës, në fillimin e vitit 1944, kur ata vranë pa gjyq në fshatin Arbanë, dy kushërinjtë e parë të babës sim: Kapllan Dalip Deliallisin, dhe vëllanë e tij, Jakupin. Po atë ditë bashkë me Kapllanin e Jakupin, komunistët ekzekutuan edhe nipin e tyre, Shefqet Ymer Deliallisin. Sikur të mos ishin mjaftuar me këto tre viktima që i shkaktuan fisit tonë, menjëherë pas mbarimit të Luftës në vitin 1945, komunistët arrestuan Beqir Ymer Deliallisin dhe e torturuan atë në burgun e Durrësit, pa e nxjerrë fare në gjyq. Pas vrasjes së Beqirit, komunistët arrestuan Tefik Masar Deliallisin, duke e akuzuar si bashkëpunëtorë me “Grupin e Deputetëve” dhe e pushkatuan në bregun e lumit të Tiranës. Pas këtyre, në vitin 1948, u vra në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit dhe Repartet e Ndjekjes edhe djali i Kapllanit, Dalipi, i cili kishte dalë në mal pas vrasjes së të jatit, nga që nuk e duronte dot shtypjen e komunistëve. Po në atë kohë në përpjekje me forcat i Sigurimit të Shtetit, u vra edhe Mustafa Deliallisi, djali i fundit i Dalip Bej Deliallisit. Genocidi i egër i komunistëve ndaj familjes sonë nuk mbaroi me vrasjen e këtyre shtatë burrave nga fisi ynë, pasi në atë kohë nga presioni i madh i organeve të Sigurimit të Shtetit, bëri vetëvrasje në burg, edhe djali i Shaqir Deliallisit, Bujari, i cili në atë kohë nuk i kishte mbushur akoma të njëzetat dhe ishte i fundit që humbi jetën nga terrori i komunistëve, sepse më pas, u arrestuan dhe përfunduan burgjeve me dënime të rënda edhe burra të tjerë nga fisi ynë, si: Abaz Mersin Deliallisi, Selami Shaqir Deliallisi dhe Skënder Gani Deliallisi. Po kështu në vitin 1948 jam arrestuar prej komunistëve edhe unë e jam tortuaruar prej tyre në mënyrë ç’njerëzore për katër muaj”. Kështu e kujtonte Riza Xheladin Deliallisi, një nga burrat më të moshuar të familjes së madhe të Deliallisëve, i cili na rrëfen të gjithë historinë tragjike të fisit të tij. Cila është e kaluara e familjes Deliallisi dhe kush ishin dy burrat e mënçur të asaj shtëpie në Shqipërinë e Mesme, që firmosën bashkë me Ismail Qemalin në Vlorë aktin e shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë në nëntorin e vitit 1912? Kush ishin burrat e tjerë të shquar që dolën prej asaj familjeje të madhe, ku ishin diplomuar ata dhe cili qe fati i tyre, në periudhën e Monarkisë së Zogut, në vitet e pushtimit nazi-fashist të vëndit dhe në regjimin komunist të Enver Hoxhës?
Familja me origjinë Perse, që themeloi qytetin e Shijakut
Nuk dihet me saktësi dhe nuk ka asnjë të dhënë se sa i vjetër është fisi i Deliallisëve dhe kur janë vendosur ata në zonën e Shijakut ku jetojnë edhe sot pasardhësit e tyre. Por sipas dëshmisë së Riza Deliallisi, i cili prej vitesh ka hulumtuar dhe ka mbledhur të dhëna mbi origjinën dhe historinë e fisit të tij, prejardhja e hershme e Deliallis-ëve është nga Persia. Lidhur me këtë, Rizai na dëshmonte: “Siç na ka treguar para 60-vitesh xhai im, Ramazan Deliallisi, në një bisedë me Sheh Dyrrin, (tarikat Helveti në Tiranë, i cili ka pas teqen e tij prapa Pallatit të madh të Kulturës ku vite të shkuara shiteshin drithrat), me të cilin kishte miqësi të ngushtë, ai i ka pas thanë: ‘Eja në teqe se kam një dokument për prejardhjen e familjes tuaj’. Sheh Dyrri i kishte theksuar Zanit, duke i thanë se fisi juej ‘Deliallisi’ ka ardhur në vëndin tonë qindra vite më pare, në kohën e sundimit turk, pasi ishte shpërngulur nga Persia ku mbante mbiemrin Harasani. Ka mundësi që kjo të ketë ngjarë me të vërtetë, pasi me mbiemërin Harasani, edhe sot ka disa familje në Tiranë. Fisi ynë i Deliallisë-ve duhet të ketë ardhur në këto treva ku banojmë ne sot, nga fundi i shekullit të XIV-të apo fillimi i shekullit të XV-të. Aty nga viti 1875, fisi Deliallisë-ve prej të cilit rridhte Sali beu, zbriti nga katundi Shahinaj dhe u vendos këtu në këtë vënd duke themeluar qytetin e ardhshëm të Shijakut. Kjo është e konfirmuar edhe nga Teki Selenica në librin e tij “Shqipëria në vitin 1927″, i cili thotë se; Sali beu themeloi qytetin e Shijakut në vitin 1880. Ka qenë kjo arsyeja që të parët e familjes sonë, janë njohur edhe me mbiemërin Shijaku. Kjo dëshmohet nga guri i varrit të xhait tonë, Hazizit, ku është shkruar: ‘Pastë ndjesë, djalë i ri dhe i shkëlqyeshëm, me karakter dhe atdhetar Haziz Beu, i biri i Haxhi Sali Bej Shijakut’. Se sa i vjetër është fisi ynë, unë nuk mund ta përcaktoj me saktësi, pasi të parët tanë nuk na kanë lënë asnjë dokument të saktë, por sipas të dhënave që kam mbledhur dhe atyre që tregohen, ne duhet të jemi fisi më i vjetër në Shijak. Nga disa dokumente të zbuluara kohët e fundit, mbiemërin Deliallisi, duhet ta ketë marrë nga viti 1920-‘21, gjë e cila argumentohet edhe me gurin e varrit të Aziz Beut, i cili vdiq në vitin 1917 dhe aty shkruhet mbiemëri Shijaku. Një argument tjetër është guri i varrit të Masar Deliallisit, ku është shkruar: ‘Vëllezër, jam Masari i Delip Beut, vra prej njerëzish të pabesë, ra dëshmor në shërbim të atdheut, thoni past rahmet’. Ndër të parët që janë njohur nga fisi ynë, kanë qenë Abaz Beu, Pasha Beu dhe Hamza Beu, të cilët kanë jetuar diku nga shekulli i XIV-të. Për këta të tre ne nuk kemi ndonjë të dhënë, prandaj unë po e filloj rrëfimin për historinë e fisit tonë, me Abaz Shijakun (Deliallisin) i cili ka jetuar nga viti 1810 deri në 1880. Abazi me djemtë dhe familjen e tij ka jetuar në fshatin Shahinaj të Shijakut, në atë kohë Shijaku nuk ekzistonte fare dhe këtu ishte vetëm një pyll. Abazi ka vdekur nga një infarakt kardiak në fshatin Çalaj-Barzez, tek familja Duka që i kishte miq, ku kishte shkuar me xhandarët e tij për ndjekjen e komitëve. Pas vdekjes së Abazit, vëndin e tij e zuri i biri, Delip Bej Shijaku, i cili e komandoi gjithë këtë zonë deri në vdekjen e tij. Ndërsa pas vdekjes së Delipit, në krye të zonës së Shijakut erdhën përsëri burra të tjerë nga fisi ynë, duke filluar nga Imeri, Kapllani dhe Masar Deliallisi. Siç na kanë treguar të parët tanë, nga djemtë e Abazit, Saliu u largua i pari nga Shahinaj në vitin 1885 dhe erdhi në Shijak, ku hapi një dyqan dhe themeloi qytetin e mëvonshëm. Pas Saliut erdhën dhe vëllezërit e tjerë të tij, si dhe fshatarë nga fiset e tjera, deri sa Shijaku u popullua shumë dhe u bë kryeqendra e zonës. Njëri nga djemtë e Saliut, ka qenë edhe Xhemali, i cili në vitin 1912 mori pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlorë me Ismail Qemalin dhe fotoja e tij ndodhet në muzeun e Shijakut. Bashkë me Xhemalin, në ngritjen e flamurit në Vlorë në 1912-ën, ka qenë edhe Imer Bej Deliallisi, i cili ka marrë pjesë si delegat i Shijakut edhe në Kongresin e Durrësit, në vitin 1918, ku ishte bashkë me Rexhep Jellën. Ndërsa dy vite më vonë, si delegat i Shijakut, Imeri mori pjesë në Kongresin e Lushnjes në vitin 1920, ku u zgjodh senator i Durrësit bashkë me Mytesim Këlliçin, Irfan Ohrin e Veli Krajën. Pas Masar Deliallisit, i cili ishte oficer i Zogut dhe u vra në krye të detyrës në shtypjen e Kryengritjes së Mirditës në vitin 1921, në krye të Xhandarmërisë së Shijakut kanë qenë edhe të tjerë nga fisi ynë, si në kohën e Monarkisë ashtu dhe gjatë pushtimit fashist. Një prej tyre ishte dhe Mustafa Deliallisi, i cili pasi ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë, gjatë kohës së Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarak karriere dhe në vitet 1943-’44, ushtroi detyrën e Komandantit të Xhandarmërisë për zonën e Shijakut me gradën e kapitenit të parë”, rrëfen Riza Deliallisi lidhur me origjinën e fisit të tij.
Dinastia e Deliallisëve të famshëm të Shijakut
Lidhur me origjinën dhe pemën gjenealogjike të dinastisë së famëshme të Deliallis-ëve, përveç dëshmive të Riza Deliallisit,(ish-arsimtar i diplomuar në “Normalen” e Elbasanit dhe shok i Qemal Stafës i dënuar me të në gjyqin e famshën të 1939-ës), njihemi më shumë edhe nëpërmjet kujtimeve që ai kishte shkruar dhe na i ofroi për këtë shkrim, të cilat po i botojmë.
Abaz Bej Shijaku (Deliallisi) 1810-1880
Abazi siç shihet ka jetuar në kohën e sudimit turk dhe ka qenë martuar dy herë. Gruan e parë e ka pasë nga familja e agallarëve të Rrogozhinës (Latif Agës, sot Dedja) dhe me këtë grua ka lind tre djem e tre vajza: Saliun, Abdullain, Dalipin, Pashën, Kajën dhe Qamilen. Gruan e dytë e ka marrë tek familja Çelaj në Mat, (fshatin Patin) të motrën e Kurt Bej Çelës, (nënmadhen kështu e thërrisnim), quhej Sadije dhe me të ka lind vetëm një djalë, Ahmetin, babën e Rapit, Ahmet u quajt edhe ky, se kur vdiq i ati, e la në bark të së ëmës. Abazi jetoi rreth 70 vjeç dhe vdiq rreth vitit 1880. Gjatë kësaj kohe, ka shërbyer si i parë për krahinën e Shijakut me fshatra (komandant xhandarmërie në kohën e Turqisë) pozitë të cilën e ka mbajtur deri në fund të jetës së tij. Tani po përshkruajmë djemtë dhe vajzat e Abazit, sipas moshës së tyre, duke filluar tek i pari, Saliu (1833-1912). Siç na tregonin të parët tanë të moshuar, Saliu ka qenë më i zgjuari nga të katër vëllezërit e tjerë që këshilloheshin me të. Ai ishte njeri i punës dhe e kalonte jetën familjare më mirë se vëllezërit e tjerë nga ana ekonomike. Ky zbriti i pari nga Shahinaj dhe erdhi dhe themeloi Shijakun që ishte pyll, duke ndërtuar banesën e familjes së tij dhe vetë hapi një dyqan rreth vitit 1885. Mbas Saliut erdhën në Shijak edhe vëllezërit e tjerë të tij dhe fshatarë të tjerë. Kështu Shijaku u popullua dhe u bë kryeqendër e zonës. Saliu ka qenë martuar dy herë: Gruan e parë nga familja e madhe të Kërtushajve në Ishëm (Ethem Agës) dhe me të lindi Seitin që vdiq i ri dhe la Veiben, nënën e Mustafa Bashës. Gruan e dytë, (pas vdekjes së të parës) e ka marrë në familjen e Kërçikajve në Tiranë (motrën e Mustafa Kërçikut, hallën e Sulejmanit) dhe me të lindi: Xhemalin, Qerimin, Azizin dhe vajzën Hyzie. Kjo quhej Tushe.
Seiti vdiq i ri, 27 vjeç dhe ai qe martuar me të bijën e Eshref Efendiut, financier në Shijak dhe me të lindi vetëm Veibën, nënën e Mustafa Bashës, që banon në Durrës. Veibja u martua në Kavajë me Osman Bashën (që e njihnin dhe e thërrisnin si Mustafa Haxhi Ibrahimi) dhe me të lindi Mustafa Bashën që sot banon në Durrës me familje (nipi ynë).
Xhemali u martua në Krujë në familjen e Belegëve, me Hankën dhe me të lindi Saliun, Kimetën, Hatijen dhe Fiqereten. Kimetja me Hatijen vdiqën të reja e pa fëmijë, kurse Saliu me Fiqireten u vendosën me familjet në Tiranë. Saliu vdiq më 1980. Xhemali ishte patriot, mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë me Ismail Qemalin 1912. Fotoja e tij është në Muzeun e Shijakut.
Qerimi u martua në familjen e Kenjve në Durrës, me motrën e Rexhep Kenjës, Xhemailen dhe me të lindi Mehdiun, Irfanin, Agimin, Kudretin, Shpresën dhe Luljetën, të gjithë të martuar. Qerimi vdiq i ri duke i lënë fëmijët jetimë. Nga fëmijët e Qerimit, Mehdiu e Shpresa kanë vdekur e familjet e tyre i kanë në Durrës e Tiranë. Kurse Irfani dhe Agimi me familjet e tyre janë në Shijak, Luljeta në Tiranë dhe Kudreti në Durrës.
Hazizi, ka qenë sipas fjalëve të prindërve tanë (dhe sipas shkrimit te guri i varrit të tij), më i miri i fëmijëve të Saliut, kopje e të atit, i zgjuar, trim, me karakter dhe atdhetar. Vdiq i ri. U martua me Xhemën të bijën e Hysen Subashit nga Kruja dhe me të lindi Servetin, Myzejenin dhe Muratin, që vdiq i ri pa u martuar. Serveti dhe Myzejeni kanë vdekur tashmë dhe fëmijët i kanë në Tiranë. Myzejeni nuk lindi fëmijë.
Hyria u martua në Tiranë me Hasan Agë Beshirin dhe lindi Dyrrin, Behixhen, Ballkizen, Ylvijen dhe dy vajzat e mëdha martue në Vlorë tek Sorrejt, Sadijen dhe Haxhiren. Kështu pra, Hyzia lindi 6 fëmijë, 5 vajza dhe një djalë të vetëm, Dyrrin. Kështu mbaron barku i Salij Bej Deliallisit (Shijakut).
Themelues i Shijakut – Abdulla Deliallisi (1833-1916)
Siç tregojnë baballarët tanë, Abdullai ka qenë njeri punëtor, i rregullt në familje dhe i paanshëm me djemtë dhe nuset e tyre. Abdullai është martuar 4 herë. Gruan e parë e pat marrë nga familja e Kërtushajve të Ishmit dhe baxhanak me vëllain e tij të parë Saliun, gjithashtu dhe binjak lindën të dy bashkë me njëherë, një orë më parë lindi Saliu dhe njihej si më i madhi. Me këtë grua (Gjylijen) lindi Mersinin dhe Peren. Me gruan e dytë, Qamiljen, matjane nga familja Çela, pat lindur vetëm një vajzë, Aishen. Me gruan e tretë që e pat marrë në Krujë nga familja e madhe e Varoshejve, Gjyzen, lindi Xheladinin (babën tim) Hajdijen dhe Tushën. Me gruan e katërt prezianen, Fatimen, lindi Ramazanin dhe Rifatin. Fatimja ishte nga familja Bulku, hallë e Mustafa Bulkut.
Mustafa Deliallisi, me Medalje Ari në Akademinë Ushtarake të Torinos
Njëri nga burrat më në zë të familjes Deliallisi gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ka qenë Mustafai i cili ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Torinos. Lidhur me shkollimin dhe karrierën ushtarake të tij, Riza Deliallisi, na tregonte: “Mustafai u lind më 20 maj të vitit 1911 në qytezën e Shijakut dhe ai ishte djali i Dalip bej Deliallisit, njërit prej figurave më të respektuara në të gjithë zonën e Shijakut, ashtu sikurse edhe Hasan Deliallisi, i cili udhëhoqi batalionin vullnetar “Erzeni” të Shijakut, në Luftën e Shkodrës në fillimin e vitit 1913. Mustafai ishte fëmija i fundit i Dalipit, pasi para tij ishin Ganiu, Ymeri, Masari, Kapllani dhe Jakupi. Pasi mbaroi Shkollën Plotore gjashtë vjeçare në vëndlindjen e tij këtu në Shijak, në vitin 1924, Mustafai shkoi në qytetin e Shkodrës dhe u regjistrua në gjimnazin klasik, të cilin e përfundoi në vitin 1928. Pas mbarimit të gjimnazit, Mustafai shfaqi dëshirën për të ndjekur shkollën ushtarake, ashtu sikur kishin bërë edhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Masari dhe Ganiu, të cilët kishin mbaruar shkollat ushtarake në Turqi, apo dhe Jakupi në Tiranë. Nisur nga dëshira e tij, në vitin 1928, Mustafai shkoi në Tiranë dhe për dy vite ndoqi kursin e shkollës së Plotësimit të Oficerëve, i cili ishte hapur asokohe nga Mbreti Zog, nën kujdesin e oficerëve italianë. Pas mbarimit të atij kursi në vitin 1930, Mustafai fitoi të drejtën e studimit për në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali, të cilën e mbaroi në vitin 1933, me rezultate shumë të larta, duke u lauruar me Medalje të Artë. Pasi u kthye në Shqipëri, Mustafai u emërua rreth-komandant i Zyrës së Rekrutimit në qytetin e Librazhdit, ku nuk qëndroi më shumë se gjashtë muaj, pasi u transferua po me të njëjtën detyrë në qytetin e Burrelit. Në atë krahinë që ishte dhe vend-lindja e Mbretit Zog, Mustafai u miqësua me oficerin e karrierës, Bilal Kolën, duke u bërë vëllezër gjaku. Gjatë periudhës që shërbeu në atë qytet, Mustafai zuri një miqësi të ngushtë edhe me patriotin tjetër, Ali Xhetani, i cili në shenjë respekti, i ofroi lidhje familjare, duke i dhënë për grua, vajzën e tij, Fitneten. Pas martesës që u bë në vitin 1934, një vit më vonë atyre iu lindi fëmija i parë, që e quajtën Bukurie dhe më pas djali, Agimi, i cili vdiq pas shtatë muajve”, rrëfente Riza Deliallisi lidhur me burrat më në zë të fisit të tij, Deliallisi.
Mustafa Deliallisi, më 7 prill 1939 në Durrës
Në shtatë prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak duke pushtuar Shqipërinë, Mustafa Deliallisi shkoi në Durrës dhe përkrah majorit të Xhandarmërisë, Abaz Kupit, mori pjesë aktive në atë rezistëncë simbolike që iu bë trupave italiane. Lidhur me këtë periudhë kohe dhe aktivitetin e tij ushtarak gjatë viteve të pushtimit të vëndit, piktori i njohur, Agim Faja, i cili rrjedh prej një degë të fisit të Deliallisëve, në kujtimet e tija midis të tjerash ka shkruar: “Në ditën e shtatë prillit të vitit 1939, kur disa vullnetarë shijakas së bashku edhe me disa të tjerë të ardhur nga Tirana, po përpiqeshin që të hidhnin në erë urën e bukur të Shijakut mbi lumin Erzen, sikundër edhe e hodhën, Mustafai e kundërshtoi këtë veprim. Si ushtarak i karrierës që e njihte mirë ushtrinë italiane, Mustafai u tregoi atyre se trupat e tyre kishin reparte xhenierësh, që jo Erzeni, por asnjë lumë tjetër nuk mund të bëhej pengesë për ta. (“Ura të tilla kaq të bukura nuk bëhen lehtë”, u tha Mustafai atyre vullnetarëve që po minonin urën e Shikajkut.) Dhe vërtet ashtu ndodhi, kur italianët e gjetën të shembur urën e Erzenit, ata kaluan nga ura e Sallmones, (apo ura e Sulë Golemit) dhe pasi u kthyen nga kodrat e Koxhasit, duke shkuar nëpër Shilor, udhëtuan në drejtim të Tiranës. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, ashtu si shumë ushtarakë të tjerë të Monarkisësë Zogut, edhe Mustafai iu përgjigj thirrjes për të shërbyer në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare të rikstrukturuar në atë kohë. Nisur nga kjo gjë, Mustafanë e dërguan në Mal të Zi me detyrën e Rrethkomandantit të Zyrës së Rekrutimit të Ulqinit. Gjatë asaj periudhe nëntëmujore që qëndroi në atë detyrë, ai u kujdes për shumë nga të burgosurit shqiptarë që vuanin dënimin në atë qytet dhe disa i ndihmoi edhe që të arratiseshin që andej. Mustafai u detyrua që të largohej nga Mali i Zi pas një konflikti që u krijua kur ai hoqi flamurin malazias nga ballkoni i bashkisë dhe në vënd të tij vuri flamurin shqiptar. Pas atij konflikti, Mustafai dha dorëheqjen dhe me një motoçikletë u nis në drejtim të Shkodrës, por rrugës atij iu bë një atentat nga disa malazezë, të cilat arritën që ta plagosnin dhe ai u rrëzua përdhe duke thyer krahun. Pas largimit të atentatorëve, të cilët ikën me mendimin se e kishin vrarë, Mustafanë e mori një bari delesh, i cili e mjekoi për dy javë në shtëpinë e tij. Pasi e ndjeu që u bë mirë, Mustafai u nis në drejtim të Shkodrës dhe më pas erdhi në Shijak me motoçikletën e tij personale”, shkruan “Piktori i Merituar” Agim Faja nga Shijaku, lidhur me Mustafa Deliallisin, për të cilin ai ka hulumtuar gjatë si me dëshmie gojore e kujtime, ashtu dhe në arkiva.
Mustafai, rreth-komandant i Shijakut
Lidhur me aktivitetin Mustafa Deliallisit, pas kthimit nga Mali i Zi në Shijak, Agim Faja ka shkruar: “Pas ardhjes në Shqipëri, Mustafai u emërua në degët e rekrutimit të Tiranës dhe Durrësit, por ëndrra etij ishte për të shërbyer si Rrethkomandant i Xhandarmërisë së Shijakut. Kjo gjë vinte për vetë faktin se në kohët e shkuara, duke qenë se shijakasit konsideroheshin si një popullsi rebele dhe të pabindur, në atë detyrë kishin shërbyer skraparllinj dhe vlonjatë, si Riza Cerova, Zalo Qafa, Ahmet Kajca, Xhevdet Gjoleka, Bajram Guri etj. Në fillimin e vitit 1942, Mustafai u lidh me Çetën e Pezës të Babë Myslymit dhe e ndihmoi atë duke i dërguar karvanë me ushqime dhe materiale të tjera të cilat ua çonte nëpërmjet fshatarëve të Kodrasit. Gjatë asaj kohe ai shkonte edhe vetë në Pezë, ku u njoh me Mustafa Gjinishin, Iljaz Rekën, Kajo Karafilin etj. Përveç tyre, ai kishte një miqësi të madhe edhe me dy vëllezërit, Shyqëri dhe Myslym Peza, me të cilët njihej prej vitesh. Ndonëse Mustafai ishte nacionalist dhe kishte bindje të thella antikomuniste, ai ishte tepër tolerant ndaj komunistëve dhe nuk i shihte ata si armiq. Kjo gjë lidhet edhe me ndihmën e madhe që ai bashke me vëllezërit e tij, Kapllanin, Jakupin dhe Shefqetin, i dhanë Minella Toçit, kryetarit të celulës së parë të Partisë Komuniste që u krijua në Shijak në vitin 1943. Ky qëndrim i Mustafait, i kishte bërë shumë përshtypje Mustafa Gjinishit, i cili thuhet se se hodhi mendimin për ta afruar Deliallisin në Pezë. Por kjo gjë nuk iu miratua nga krerët e tjerë komunistë, të cilët më pas organizuan edhe disa prita për ta vrarë Mustafa Deliallisin, por pa ia arritur dot për arsye se ai e kishte kuptuar qëllimin e tyre dhe ishte larguar nga Peza për në Shijak, jo në rrugën nacionale, por duke ecur në këmbë kodrave. Që nga ajo kohë, Mustafai i shkëputi të gjitha lidhjet me Çetën e Pezës dhe kjo gjë konfirmohet edhe nga një dokument arkivor (nr. 195/5 dt. 29.10.1942) ku në mes të tjerash thuhet: “Elementi kryesor kundër Çetës së Pezës përbëhet prej armiqëve personalë të familjes Peza, që janë Deliallisët në Shijak dhe Jahja Mancaku në Ndroq”.