Dhuna si humor
Në jetën tonë të përditshme, jemi mësuar që të qeshurën ta lidhim zakonisht me ngjarje a ndjesi pozitive që na falin kënaqësi, ndërkohë që nga ana tjetër, dhunës i referohemi si dukuri negative e cila, përsa kohë nuk jemi agresori, nuk na fal asnjë kënaqësi. Megjithatë dhuna dhe e qeshura duket se bashkëveprojnë mjaft mirë me njëra-tjetrën – për shembull, si në “Historia Jote” në “Klanifornia”.
Delinda Disha, si moderatorja e “Historia jote” dhe Olsi Bylyku, si një burrë i dhunuar nga gruaja, realizuan një skeç në puntatën e sotme të programit të humorit (e shtunë, 19 shtator). Roli i aktorit paraqiti një burrë që rrëfente dhunën që gruaja ushtronte ndaj tij, ndërkohë që të qeshurat false dëgjoheshin vazhdimisht në sfond. Në një tjetër skeç të “Historia jote”, Olsi dhe Delinda sollën në skenë “Më helmoi nusja me kos”, një ngjarje që bëri jo pak bujë në media kohë më parë, ku nusja tentoi të vriste vjehrrën duke e helmuar me kos, ngjarje që më pas qarkulloi nëpër rrjete sociale dhe u kthye në objekt memesh.
Me fjalë të tjera, në një program televiziv paraqiten si pa të keq dhuna në familje dhe një tentativë për vrasje si objekt humori, pak a shumë si komedi slapstick e kohëve moderne. Përdorimi i një teme delikate si dhuna për nota humori nuk është diçka e panjohur, për sa kohë me dhjetëra filma vizatimorë përmbajnë skena të ngjashme (edhe kjo vlen për t’u diskutuar si dukuri, patjetër). Megjithatë, fakti që tema të tilla normalizohen në televizion, në një kohë kur dhuna dhe vrasjet në familje janë gjithnjë e më shumë shqetësuese, është problematike.
Përpara se të kaloj te ndikimi që skeçe të tilla kanë të audienca, duhet të theksoj se nuk bëhet fjalë për komedinë e zezë apo atë që njihet si humori i zi ose humori i errët. Komedia e zezë, e cila daton që te Aristofani në Greqinë e Lashtë, vërtet ka në qendër tema si dhuna, vdekja, diskriminimi, seksualiteti njerëzor, sëmundjet etj., mirëpo qëllimi i kësaj komedie është promovimi i temave që gjerësisht konsiderohen tabu dhe duhen diskutuar.
Jam e mendimit që çdo dukuri mund të bëhet objekt humori, për sa kohë i shërben një qëllimi dhe nuk ndikon negativisht te njerëzit. Është e faktuar se po, njerëzit dëgjojnë më shumë dikë që i bën të qeshë sesa dikë që i bën të ndihen të trishtuar. Një shembull i kësaj është rasti kur komediani Hannibal Buress bëri shaka për përdhunimet e aktorit Bill Cosby. Të gjithë pëshpërisnin lart e poshtë për përdhunimet e tij, por vetëm aq. Kur Buress bëri shaka, të gjithë nisën të flisnin, mediat të investigonin dhe kështu, Cosby u arrestua dhe dënua me burg.
Pra, me fjalë të tjera, qëllimi i humorit të zi është fuqizimi i “të shtypurit”. Në këtë pikë, dyshoj që skeçi i “Klanifornias” të fuqizojë në një farë mënyre burrat e dhunuar nga gratë. E nëse ky ka qenë qëllimi i vërtetë, mea culpa! S’e paskam kuptuar. Sidoqoftë, mbase duhet të fuqizojnë më parë gratë e dhunuara nga burrat, sepse statistikisht janë më të shumta në numër. Megjithatë, dyshoj të ketë qenë ky qëllimi.
Skeçet me dhunën ndaj burrit dhe tentativën për vrasje ndaj vjehrrës janë thjesht tema që gjerësisht qarkullojnë nëpër faqe memesh dhe në këtë pikë, e kam të pamundur të bëj lidhjen me televizionin. Faqet e memeve kanë lehtësinë të postojnë çfarë të duan dhe si të duan, për sa kohë nuk iu kanë ndofarë detyrimi askujt. Por televizionet kombëtare nuk janë faqe memesh. Televizioni ka një përgjegjësi ndaj shikuesve dhe kurrsesi nuk mund të normalizojë dhunën. Të mos harrojmë edhe se natyra e njeriut priret të normalizojë, ose së paku të mos i shohë si shqetësuese, dukuritë që i sheh ose i dëgjon shpesh.
Është paradoksale se si nëpër programet e humorit, ku dashuria është e pamoralshme, dhuna na shfaqet si diçka krejt normale. Madje edhe për të qeshur.
Burimi: Anabel.al