Diaspora dhe Diplomacia

Nga dr. Jorgji KOTE

Më 8 shkurt në “Pall Center” në Luksemburg u zhvillua një ceremoni tejet e veçantë me praninë e shumë bashkatdhetarëve, miqve dhe dashamirësve të vendit tonë. Nuk mungonte as Ambasadorja e tij aktive për vendin tonë, njëkohësisht Zv.Sekretare e Përgjithshme e MPJ-së luksemburgase, zonja Nadia Ernzer, Ambasadorja jonë Suela Janina, Konsulli i Nderit Vito Cassone, drejtues të shoqatave kulturore shqiptare, etj. Mbi të gjitha ajo mbrëmje ishte e veçantë sepse shënoi inaugurimin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri – Luksemburg ( CCAL)

Kjo risi është pjesë e dinamikës së re në dialogun politik me Luksemburgun, mbështetjes së tij në procesin e inegrimit tonë europian, shkëmbimet e vizitave ndërmjet dy ministrave të jashtëm, prania e komunitetit të vogël por cilësor shqiptar në panaire, ekspozita dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, mësimin plotësues në gjuhën shqipe, etj.

Mirëpo, në kontrast me këto zhvillime pozitive, niveli i shkëmbimeve ekonomike, tregtare dhe të investimeve me Luksemburgun ka mbetur në shifra modeste, shumë larg pritshmërive të të dy vendeve; ndonëse tradita dhe mundësitë nuk mungojnë. Kështu, në vitet 90, pati firma nga fusha të ndryshme dhe vetë Ministri i Ekonomisë së Luksemburgut që shkuan për vizita pune në vendin tonë, nënshkruan dhe kontrata për importin e kromit, agrobiznesin, shëndetësinë, bankat, etj. Mirëpo trazirat e vitit 1997 dhe 1998 i trembën dhe demoralizuan ato firma që e ndërprenë këtë proces ; ndërsa rifillimi i këtij bashkëpunimi me një vend konservator dhe tejet të ndjeshëm në këtë fushë si Luksemburgu kërkon kohë e mbi të gjitha prova besueshmërie sidomos nga ana jonë.

Për fat të keq, dikasteret dhe agjencitë e ndryshme ekonomike në Tiranë është pak të thuash që e kanë lënë “prapa liste” Luksemburgun. Të paktën gjatë gjashtë viteve të fundit kam qenë vetë si dëshmimtar i faktit se asnjë drejtues ose përfaqësues nga dikasteret ekonomike, Dhoma e Tregtisë, Agjencia e Nxitjes së Investimeve, ajo e Turizmit, etj nuk ka shkuar në Luksemburg, megjithë kërkesat e vazhdueshme nga Ambasada ku kam punuar për vite dhe lehtësitë e krijuara.

Pikërisht për mbushjen e këtij boshllëku të madh, një grup bashkëatdhetarësh të apasionuar, kryesisht të rinj dhe me përvojë pune jashtë vendit, në vend të ankesave dhe kërkesave iu futën punës dhe vjet krijuan një shoqatë biznesi. Në muajt e mëvonshëm, pas reagimeve pozitive nga të dyja palët “oreksi “u rrit dhe kështu u arrit në krijimin disa ditë më parë të Dhomës së Përbashkët të Tregtisë ( CCAL).

E tepërt të zgjatemi te rëndësia e saj. Ndoshta nga madhësia gjeografike dikujt ky vend mund t’i duket shumë i vogël, por në fushën e biznesit e të investimeve, Luksemburgu është lider global. Mjafton të përmendim se ze vendin e dytë në botë për nga volumi i fondeve investuese dhe të parin për të ardhurat për frymë, ka mbi 150 banka të huaja, etj. Konkuron fort me çeliqe që kërkojnë kromin tonë, kimikate, farmaceutikë, miniera, agro-biznese, shërbime, etj.

Kësisoj, tani e tutje në këtë vend do të kemi një pikë tjetër tejet të besueshme referimi, një qendër informimi&ndërmjetësimi, si dhe organizatore e bashkërenduese të veprimtarive të shumta.

Ka disa aktorë dhe faktorë që premtojnë suksesin e saj. Në radhë të parë  përbërja cilësore e Bordit të CCAL. Kryetari i saj, Artan Vigani ka mbi 18 vjet që është drejtues punimesh në “Poeckes”, kompani gati 100 vjeçare e ndërtimeve të mëdha, më e vjetra në këtë fushë. Artani ka kohë që drejton dhe shoqatën kulturore “Gala”. Gjatë kësaj kohe, ai ka krijuar lidhje, bashkëpunim dhe një emër të mirë me disa dikastere të fushës së ekonomisë, duke qenë i pranishëm dhe në media.

Zëvendës Kryetarja, Besmira Uruçi është juriste e diplomuar nga Sorbona emblematike, e promovuar si shefe sektori në kompaninë e njohur të investimeve ndërkombëtare “Selectra”. Në gjurmët dhe traditat e prindërve të saj intelektualë të spikatur, të ndjerës Esmeralda dhe Dashamir Uruçi, Besmira ka qenë dhe përfaqësuese e rinisë sonë në UNESCO, sekretare e përgjithshme e Universitetit Veror të Ballkanit, etj. Ndërsa Ina Kroi, Sekretare e Përgjithshme e CCAL është specializuar veç të tjerash për të drejtën tregtare të BE-së. Punon si shefe sektori në kompaninë e njohur të konsulencës EASE.

Pjestarja tjetër e këtij Bordi, Jetmira Mata është shefe sektori në Bankën Evropiane të Investimeve ; ajo vjen me një përvojë të pasur në disa firma të tjera të njohura për tregjet, sigurimet, investimet, etj. Ndërsa tre më të rinjtë, Mariola Kushta, Arted Fagu dhe Eljoni Dhëmbi janë konsulentë dhe ekspertë në firma të njohura si Fund Partners, SOGETI dhe Banka “Societe Generale”.

Kësisoj, ata po japin dhe një shembull konkret të diplomacisë ekonomike, fushë kjo, ku vështirë se mund të ketë diplomat apo dhe Ambasadë që mund t’i konkurojë. Tani mbetet konkretizimi i veprimtarisë së CCAL që natyrisht kërkon kohën e vet, por shenjat e para janë tejet premtuese. Qysh tani asaj i janë afruar 10 partnerë të njohur luksemburgas.

Garanci tjetër për sukses është ndihma dhe mbështetja në rritje gjatë tre viteve të fundit nga Ambasada jonë në Bruksel. Krahas interesimit dhe komunikimeve të përditshme, ndonëse mbulon BE-në dhe Belgjikën, Ambasadorja energjike Suela Janina me stafin e saj të vogël por aktiv i ka shpeshtuar ndjeshëm vizitat e punës dhe aktivitetet në Luksemburg.

Ndaj, të nesërmen e inaugurimit, ata vijuan takimet e punës në Luksemburg, ku rikonfirmuan dhe mbështetjen për CCAL. Kjo është arritur dhe falë mbështetjes më të madhe të MPJ-së, sidomos në aspektin financiar; ndonëse kjo e fundit vazhdon të mbetet “thembra e Akilit” për diplomacinë tonë.

Meqenëse ndihma dhe bashkëpunimi nga partnerët luksemburgas ka qenë përherë e pranishme, tashmë u takon dikastereve tona ekonomike, Dhomës së Tregtisë, Agjencisë së Nxitjes së Investimeve, asaj të Promovimit të Turizmit, etj që të bëjnë sa më shpejt kthesën e nevojshme. Duke filluar me kontaktet dhe aktivitetet e para në Luksemburg, me korrektësinë në komunikim, problem më vehte ky për subjektet shqiptare dhe në konkretizimin e objekteve dhe projekteve të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Sepse le ta themi, megjithë rolin dhe rëndësinë që po i kushton asaj diplomacia zyrtare kudo në botë, prapë se prapë “violinë e parë” për një diplomaci efektive ekonomike janë agjencitë dhe dikasteret ekonomike dhe tregtare.

SHKARKO APP