Dimër për qeverinë, ndërsa studentët drejt pranverës

Nga Ermira Therqaj –

Po bëhen afro dy muaj që studentët, përmes protestës dhe rrugëve të tjera ligjore, insistojnë në kërkesat e tyre. Tashmë nuk ka dilema, madje as kthim mbrapa. Ata janë më të vendosur se kurrë. Edhe pse zemërimi ka arritur kulmin, pasi zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër, ata vazhdojnë të jenë paqësor. Rrugët që ndjekin janë demokratike. Madje përbëjnë edhe një leksion për militantët politik që të rreshtuar në krah të partive që simpatizojnë, jo rrallë shkaktojnë trazira, e deri destabilizim të gjendjes. Kërkesat, tashmë të renditura në pika, janë të njohura nga të gjithë, janë elementare dhe njerëzore.

Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli dhe studentët ende nuk kanë kartën e studentit. Natyrisht, për këtë detyrim të thjeshtë burokratik nuk duhet akuzuar qeveria e nuk ka pse sytë të drejtohen drejt saj, siç ndodh me kërkesat ekonomike. Karta e studentit është A-ja. Është identiteti dhe pasaporta e çdo të riu që ulet në institucionet e arsimit të lartë, publike apo private qofshin. Si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre, ai dokument i thjeshtë lipset për të udhëtuar me automjetet e transportit publik, për të frekuentuar bibliotekat apo vizituar galeritë dhe muzetë publik. Ka shumë vite që studentët janë në pritje. Kërkesat e tyre janë mbuluar me heshtje dhe indiferencë. Institucione të ndryshme apo seli diplomatike gjatë procedurave të ndryshme kërkojnë një dokument identiteti për studentët. Sa kohë që karta e studentit nuk lëshohet, të rinjtë studentë janë të detyruar të ndjekin një rrugë burokratike që është një peripeci më vete dhe kohë e harxhuar. Rruga që ndiqet është tejet më e gjatë sesa procedura për t’u pajisur me një kartë që do të shërbente më së paku për 4 vite. Unë vetë, për të vërtetuar që isha studente më duhej të braktisja auditorët, të bëja pagesën pranë institucionit bankar, të kthehesha në universitet me faturën nga kjo e fundit, veç për të marrë një shkresë që vërtetonte se isha studente. Një studenti mund t’i duhet disa herë në vit një vërtetim i tillë. Po të gjithëve bashkë, sa orë, sa ditë e sa para u kushton burokracia dhe indiferentizmi i universiteteve?

Një kalvar më vete janë pagesat dhe peripecitë për tarifën e provimeve të mbartura. Ditët e para studentët nuk u morën seriozisht. “Lajthitje rinore”, i konsideroi dikush nga njerëzit e institucioneve. “Teka të moshës”, për disa të tjerë. Fatmirësisht, nuk vonoi dhe protesta u kthye në një institucion. Jehona e saj shumë shpejt kaloi kufijtë, duke zënë vend në mediat e huaja. Studentët në njëfarë mënyre po eksperimentojnë, por pavarësisht rrugës që ndjekin, e rëndësishme është që nuk ka kthim mbrapa për ta. Sa më shumë që qeveria nënvlerëson kërkesat e tyre, aq më të vendosur bëhen. Po çfarë kuptimi kanë projektet Brain Gain? Si mund të vinë të rinjtë e shkolluar në vendin e tyre kur institucionet nuk të përfillin, kur gjithçka mbetet në letër dhe kryeministri bën karshillëk në facebook apo në emisionet humoristike të mediave të ndryshme?

Kryeministri Rama më së fundmi është radhitur në anën e studentëve. Por, pse është pritur kaq gjatë vallë? Nuk janë ditë dhe orë, por vite dhe dekada të tëra. Lajmi më i ri është se Ministria e Arsimit ka dërguar pranë sekretarive të universiteteve 54 punonjës të saj për t’u shpjeguar të gjitha VKM-të e marra në Dhjetor e që do zbatohen tani. Sipas institucionit në fjalë, vendimet e qeverisë kanë efekt për tarifat dhe bursat. Po a është normale që vetëm nga një ministri të braktisin zyrat 54 punonjës të administratës? Çfarë duhet t’u shpjegohet studentëve dhe çfarë nuk kuptojnë ata? Vendimet e qeverisë janë për t’u zbatuar, jo për t’u interpretuar. A mos vallë është edhe ky një hap për t’a lënë zgjidhjen e kërkesave të studentëve në kufijtë e retorikës?

Janë të panumërta rastet e procedurave kur qeveria merr vendime dhe nxjerr urdhëra në favor të saj, edhe pse do t’i shesë si mbështetje për nxënësit, studentët, minatorët, fermerët, fasonistët, etj. Rasti më tipik është ai i teksteve shkollore. Qeveria proklamon me të madhe tekstet falas, me idenë e rimbursimit të tyre. Po pse duhet t’i paguajnë prindërit tekstet e fëmijëve të tyre nëse qeveria do t’i rimbursojë ato? Vështirë të gjesh njeri që nuk është zhgënjyer nga procedura të tilla, që ka paguar dhe është rimbursuar pjesërisht ose nuk është rimbursuar aspak.

Duke u kthyer edhe një herë tek vendimi i Këshillit të Ministrave për përgjysmimin e tarifave të studentëve, ministri në detyrë i financave, Arben Ahmetaj, përmes një dalje publike për mediat konfirmuar se në ciklin baçelor janë 6245 studentë me notë mesatare 9-10 që përjashtohen plotësisht nga tarifa e shkollimit. Nuk janë pak, por 201 milion lek. Sipas tij, studentë me mesatare 5-9 janë 70 mijë, të cilët nga 1 Janari i këtij viti, nga tarifat e reduktuara krijojnë një efekt financiar prej 1 miliard lek. Kjo kategori përfiton reduktimin me 50% të tarifave. Ajo që nuk kaloi pa u vënë re është pika që specifikon se studentët duhet t’i kenë mbyllur të gjitha detyrimet e vitit paraardhës. Edhe në vështrimin më të thjeshtë kjo duket si gozhda e Nastradinit.

Studentët nuk kanë në krahun e tyre qeverinë dhe institucionet e saj, por as motin pasi ka ditë që temperaturat shënojnë disa gradë nën zero. Pa dyshim që energjitë rinore nuk i lënë të zmbrapsen, madje këmbëngulja sikur shtohet. Në këtë situatë është herët për të folur e nxjerrë konkluzione, por ajo që mund të thuhet me siguri është se dimri përket qeverisë, ndërsa studentët po rendin drejt pranverës. Unë jam përkrah tyre, pasi pranvera që po vjen është stina e pritshmërive të mëdha dhe do mbajë emrin e studentëve.

SHKARKO APP