Diplomacia Sportive dhe Peyongchang

Nga Dr.Jorgji Kote

Lojrat e tanishme Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut kanë qenë në qendër të vëmendjes botërore. Me frymën entusiazte, me praninë e 3000 sportistëve nga 92 vende të botës, me 108 gara në 15 disiplina sportive dhe me shumë rekorde ato u kthyen vërtet në “Lojra të Paqes ». Ndonëse në një periudhë të acartë klimatike dhe të nxehtë politike në Gadishullin Korean; kur deri përpara dy muajve rrezikohej prania e shumë vendeve elitare për shkak të pasigurisë nga rreziku bërthamor.
Meritën kryesore për këtë sukses e ka zbatimi i “diplomacisë sportive ».
Kësisoj, nga një problem i madh i sigurisë, kjo Olimpiada u kthye në një mundësi dhe më të madhe për një « detantë”të shkurtër të nevojshme dimërore; ndërkohë, ajo krijoi më shumë terren dhe hapësirë për çtensionimin e situatës në përgjithësi dhe për dialogun e ardhshëm politik ndërmjet dy Koreve, megjithë pengesat dhe pasiguritë e shumta që vijnë nga paparashikueshmëria politike e rregjimit të Phenianit.
Siç dihet, në përgjigje të kërkesës nga fqinji jugor në fillim të vitit, diktatori Kim Jong – Un pranoi një “armëpushim”dhe shpalli praninë e në delegacioni të madh me atletë, sportistë, zyrtarë, gazetarë, përfshirë dhe 200 vajza të përzgjedhura me kujdes( « pom pom girls») si fanse në këto lojra së bashku me garimin me një ekip të përbashkët femrash në hockey mbi akull.
Gjatë tre ditëve të qëndrimit, delegacioni zyrtar koranoverior i kryesuar nga motra e diktatorit, Kim Jo Jong, gruaja më e fuqishme politike e vendit u prit nga Presidenti koreanojugor, Moon Jae – In, të cilit ajo i dorzoi ftesën e vëllait të saj për të vizituar Phenianin.
Kështu, diplomacia sportive arriti t’i afrojë dhe bashkojë të dy Koretë në Pyeongchang qoftë dhe për disa disa javë. Ndaj ajo vlerësohet me të drejtë si Fituesja e Nderit e Peyongchang 2018.
Edhe në këtë rast, skeptikët nxituan të përmendin dështimet e mëparshme, si Olimpiadën e Berlinit 1936, konkurimin e mëparshëm të këtyre dy vendeve me ekipe të përbashkëta sportive, nxitjen nga sporti të urrejtjes dhe dukurive nacionaliste, etj.
Megjithatë, real politika dhe diplomacia dallohet se asnjëherë nuk tërhiqet e nuk dorëzohet as përpara dështimeve; natyrisht ajo nxjerr mësime prej tyre dhe shfrytëzon çdo moment, çdo dritare dhe mundësi tjetër për realizimin e synimeve, sado të vështira të jenë. Ca më tepër, kur nuk ka alternativë tjetër më të mirë për të shmangur më të keqen, luftën e ca më tepër atë bërthamore si në këtë rast.
Gjithashtu, vërtet që diktatori koreanoverior mund të fitojë kohë dhe kapital politik të brendshëm dhe të jashtëm falë këtyre lëvizjeve. Mirëpo kjo është normale në politikë dhe diplomaci, ku secila palë do të marrë atë që i takon, sepse s’mund të ketë “zero sum game”për kërkënd.
Nga ana tjetër, diplomacia mbështetet edhe në shembujt pozitivë, që në fakt janë dhe më të shumtë në këtë fushë. Referenca më e spikatur është padyshim « diplomacia e ping pongut”që në fillimin e viteve 70 shkriu akujt armiqësore kino-amerikanë. Më 9 – 16 Prill 1971, ekipi me nëntë pingponistët më të mirë amerikanë, pas përfundimit të Kampionatit Botëror në Japoni, u ftuan në Pekin për një tur miqësor ndeshjesh. Kjo ngjarje shënoi pikën e parë të kthesës në perceptimin publik armiqësor për këto dy vende. I inkurajuar nga suksesi i saj, ish Kryeministri legjendar Çu En Lai ftoi një grup gazetarësh amerikanë në Pekin. Nga ana e vet, SHBA hoqi embargon 20 vjeçare tregtare ndaj saj, zbuti qëndrimet derisa në korrik 1972, ish-Presidenti Nikson bëri vizitën e tij historike në Kinë që i hapi rrugën afrimit dhe bashkëpunimit epokal kino-amerikan.
Ka kohë që diplomacia sportive me yjet dhe personalitetet e saj të njohura është bërë dimension me rëndësi në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare dhe në zgjidhjen e mjaft krizave. Australia, psh veç të tjerash, ka strategji tre vjeçare të diplomacisë sportive.
Falë begatisë sportive elitare në të gjitha disiplinat dhe në këtë fushë shquhen SHBA-të. Vlen të përmendet se Departamenti i Shtetit ka emëruar një numër të madh yjesh sportivë si të Dërguar Specialë që i aktivizon kudo në botë. Pikë e madhe referimi këtu është legjendari Muhamet Ali i cili në vitet 80 ndërhyri për lirimin e shumë pengjeve amerikane në Iran dhe Irak, etj.
Duke u rikthyer te Korea e Veriut, SHBA kanë dhe një personalitet të shquar sportiv që mund të ndikojë kur të vijë rasti, superstarin e basketbollit amerikan Dennis Rodman. Gjatë viteve të fundit ai ka vizituar pesë herë Phenianin dhe në tre raste ka biseduar gjatë dhe miqësisht me liderin suprem Kim Jong -Un; ky i fundit ka qenë fans i zjarrtë i klubit të Rodman; ata kanë biseduar së bashku dhe lidhur me mundësinë e një stërvitjeje të përbashkët të ekipeve të basketbollit. Rodman i ka kërkuar Presidentit Trump që disa vite më parë e ka vlerësuar atë që ta caktojë të Dërguar Special në Korenë e Veriut. Pengesa e vetme momentalisht është ndalimi i udhëtimit të shtetasve amerikanë në atë vend pas vdekjes tragjike të një studenti amerikan të burgosur atje.
Në fakt, SHBA për momentin duket se nuk janë në favor të diplomacinë sportive dhe në përgjithësi për “fuqinë e butë”me Korenë e Veriut. Ata e justifikojnë këtë me të drejtë me përvojën e mëparshme negative. Gjatë viteve 1998 – 2008, Korea e Jugut zbatoi doktrinën strategjike “politikë diellore
( Sunshine policy) ndaj fqinjit verior, për të cilën ish-Presidenti i asaj kohe Kim Dae Jung mori dhe “Nobel”për paqe. Megjithë disa arritje pozitive, « Ostpolitika Koreane”u shpall e dështuar në vitin 2008, për faj të rregjimit koreanoverior që abuzoi me bujarinë e tepëruar të Koresë së Jugut dhe një sërë faktorësh të tjerë.
Mirëpo, fakt është se dhe përdorimi i forcës/presionit ushtarak nuk e ka zbrapsur apo frenuar rregjimin koreanoverior në përshkallëzimin e frikshëm të armatimit dhe shantazhit bërthamor. Ndaj, po shtohen zërat se në kushtet e reja të krijuara, alternativa më e mirë e fitores përfundimtare mund të ishte kombinimi racional dhe dinamik i « diplomacisë së butë”ku sporti ka pjesën e vet me presionin shtrëngues politik dhe ushtarak ose “smart power”siç e karakterizon harvardiani i madh, Joseph Nye.
Së fundi, ashtu si dhe dimensionet e tjera, edhe diplomacia sportive ka efektivitet të vërtetë dhe afat-gjatë kur vepron nën drejtimin e politikës dhe diplomacisë. Kështu ndodhi me « diplomacinë e pingongut”e cila u lejua nga lideri absolut i vendit Mao Ce Dun dhe Olimpiadën e tanishme, ku protagonistë ishin majat më larta të politikës.

SHKARKO APP