Ditët kur rrëzohej komunizmi

 

Shkrimtari Skifter Këlliçi vjen për botuesit me një tjetër roman që trajton ngjarje historike. "Historia e një vdekjeje të vonuar” është një vepër që risjell nga një këndvështrim i ri periudhën e rrëzimit të komunizmit. Gazeta boton pjesë të këtij romani që tregon sesi u përjetuan në Tiranë ndryshimet e sistemit komunist dhe kalimin në pluralizëm.

Nga Skifter Këlliçi

(Vijon nga numrat e kaluar)

Mobilie të rënda, kolltukë, divane të veshur me lëkurë shumëngjyrëshe, qilima e tapete, ishin shpërndarë çrregullisht nëpër korridoret e dhomat e boshatisura, ky hynin dhe dilnin hamej. Ulur në dy frona përballë njëra-tjetrës, rrinin Shpresa dhe e ëma; të mpira, të shushatura, si dy vejusha. Ato nuk vunë re kur në dhomë me hapa të lehta u fut Hiqmet Terka, që mbante në dorë një çantë të madhe. Fytyra e parruar, gjatoshe, ato pak flokë të shpupuritur, setra e shkopsitur, që linte të shfaqej gjoksi me qime të thinjura, i cili ngrihej e ulej me rrëmbim, i jepnin atij pamjen e një njeriu që po çlirohej nga makthi.

– I solle? – e pyeti e shoqja.

– Çfarë munda, – iu përgjigj Hiqmet Terkaj i kënaqur duke lëshuar çantën në dysheme. – Dhe më vjen të pëlcas kur mendoj se nuk mora më shumë. Veç të shihje çunat e Hamid Lezhës e të ministrit të Mbrojtjes. Dinga i mbushi çantat e tyre. Por dhe mua nuk më doli keq.

 – Mirë fort e bëre, – tha e shoqja duke ngritur nga froni dhe duke hapur çantën.

 Shpresa u step.

– Ç’janë këto? – e pyeti të atin.

– Doreza, brava, çelësa elektrikë të vilës sonë, – u përgjigj ai, ndërsa në buzë i lëvrinte një nënqeshje e përdhunët.

 Shpresa nuk përmbajti dot një britmë.

 – S’të mjaftoi, baba, të rrëmbeje nga vila jonë e Bllokut dushet e abazhurët më të mirë e tani s’u le radhë as këtyre? – tha ajo, me një zë që i dridhej.

– Të rrëmbeja?! – iu hakërrye i ati.

– Si guxon, moj budallaçkë, të nxjerrësh nga goja këtë goxha llaf, -brofi e ëma.

– Po, – tha Shpresa, – të rrëmbeje ato që nuk na takojnë.

 Hiqmet Terkës i iku gjaku nga fytyra.

– Ke kohë, moj bijë, që ma ke bërë borxh si ai Vullneti, djali ynë plëngprishës, që akoma nuk ka zënë mend, – zuri t’i fliste së bijës tërë duf, – por nuk ta kam vënë re. Mirëpo këto fjalë që the, nuk t’i fal. Domethënë, babai yt rrëmbeka, grabitka! E çfarë? Ato që i kemi pasur tonat në vilën ku jetuam që nga viti 1948 e ku u vendosëm me urdhër të shokut Enver. E kujt t’ia linim ato? Teli Nuçit, këtij shelegu, që me t’u bërë kryeministër, dha urdhër që ne, ish anëtarët e Byrosë Politike, ne, që vumë kokën në rrezik për këtë popull gjatë Luftës, ne, që i bëmë shqiptarët të lumtur, pra, ne të linim vilat tona e të vendoseshim në këtë shtëpi?

 – Po një ditë do t’i linit ato, baba, – tha me zë të zvargur Shpresa. – E biseduam një herë këtë. Ju që dolët në pension, nuk kishit përse të rrinit më në vilat e Bllokut.

 – Shushkë! – iu vërsul e ëma. – në jetë të jetëve na takonte të rrinim në ato vila, neve dhe juve e fëmijëve tuaj. Po na preu në besë shoku Ali Rama, Hiqmet. Ta dish se dhe ai ka gisht këtu. Teli nuk do t’ia mbante kurrë ta merrte këtë vendim.

 – Mundet, – bërbëliti Hiqmeti, i murrëtyer në fytyrë. – Mundet të na ketë prerë në besë Ali Rama.

 – Kurse vetë rri në vilën e tij si padishah, – tha e shoqja, – se, helbete, na i sajoi dhe atë këshillin presidencial që të jetë i pari në tërë Shqipërinë. – Korba ç’na gjeti!. .

 Ajo nisi të veje-vinte nëpër dhomë.

 – Pse, mama, nuk do të jesh keq dhe në këtë shtëpi që s’ka të sharë, – tha Shpresa. – E madhe dhe plot dritë është, mobilje për t’i mbushur kemi plot. Të jetojmë dhe ne njëherë si tërë populli e të mos dëgjojmë më atë shprehje që na kallte datën: “Ja, shikoni si kapardisen këta të Blloku!. ”

 Por edhe ajo e kuptonte se këto fjalë mezi i shqiteshin nga goja. Jo rrallë kishte ndier se jeta e veçuar në Bllok po i bëhej gjithnjë e më e amullt. Ajo rehati, ai komoditet, ai bollëk, shpesh i kishin krijuar një ndjenjë bezdie. Kjo ishte arsyeja që ajo ndonjëherë pas martesës kishte dashur të largohej nga vila në Bllok. Në fund të fundit ishte martuar me një djalë jashtë Bllokut dhe duhej të ishte ajo dhe jo burri i saj, Vasoja, që të vinte në shtëpinë e tyre. Kjo ishte traditë e martesave jo vetëm në Shqipëri, por në tërë botën.

 Mirëpo tani që ishin larguar nga Blloku një alarm i brendshëm zuri të zhbironte qenien e saj. Kishte humbur ato që nuk do t’i fitonte më kurrë… Lista drejtuar Drejtorisë së Pritjes me kërkesat e tyre për ushqime e veshmbathje që vinin me pako nga jashtë shtetit, sende e zbukurime… “Dëgjo, baba, unë dua karficë të artë. Jo, byzylykë platini si ato të magazinave luksoze të Shans Elizesë në Paris… “Ç’thua? Më të mirë janë ato të magazinave të Bua dë Bulonjës. “Sikur të venim dhe njëherë si atëherë në Pragë?! “E pse të mos vemi? Përse janë udhëheqës të lartë baballarët tanë?” “E vërtet, por nuk duhet të biem shumë në sy të popullit. A kemi thënë se jetojmë dhe punojmë si revolucionarë në kushtet e rrethimit borgjezo-revizionist?”. “Ç’më bërë të qesh! Pse, miletin të pyesim se ç’do të bëjmë ne të udhëheqës?” “Mos u grindni, çdo gjë justifikohet: Në shkojmë jashtë shtetit me shërbim, specializimin, me studime, a sepse jemi të sëmurë. Raportet i sajojmë tak-fak. Dhe valutën pas tyre. Është kështu?” “Të lumtë. Mirë thua!. ”

 Ja, këto kishte humbur. E llahtarisi frika se nuk do të mund të mësohej me këtë jetë që për të ishte ende e panjohur. “Si jam gatuar kështu”, dënesi me vete.

 Pa e kuptuar as vetë doli në mesore. Ndërkohë, dy hamej të fuqishëm kishin vendosur pranë derës së banjës një tryezë me dru të gdhendur arre. Po, siç duket, gjatë transportimit me kamion, nga tronditjet ose përplasjet me mobiliet e tjera, pjesa e sipërme e tryezës nga që druri ishte shumë i vjetër, kishte pësuar shqepje midis syprinës dhe këmbës.

 Shpresa u ligështua. Siç i kishte thënë babai, kjo ishte mobilja e parë që ditën që kishin hyrë në vilën e tyre ende pa lindur ajo. Dhe prandaj ruhej si kujtim i rrallë. U përkul dhe këqyri me vëmendje të çarën që dukej si të ishte shkaktuar nga një dorë që diç kishte dashur të rrëmbente me dhunë aty brenda. Dhe atëherë mbeti si e goditur nga rrufeja. Nëpër errësirën që mbështillte sirtarin, dalloi disa shufra të trasha të shkurtra sa një pëllëmbë që lëshonin dritë lëbyrëse.

 Ajo kishte dëgjuar për shufra ari që ruheshin në kasaforta bankash madje dhe i kishte parë ato në televizor. Të tilla të ishin dhe ato shufra brenda në sirtar? Gishtërinjtë e saj të gjatë dhe të hollë lëvrinë nëpër të çarën e tryezës, prekën njërën shufër pastaj u mblodhën dhe instinktivisht dora e saj u tërhoq mbrapsht. Metali i ftohtë, i rëndë, i mpiu shuplakën dhe shufra rrëshqiti teposhtë mbi dyshemenë të mbuluar me pllakë mermeri, me një tingull të mprehtë.

 Hiqmet Terka lëshoi një pasthirrmë dhe u sul i trembur në korridor. Dhe atëherë mbeti si i ndërkryer kur pa të bijën të llahtarisur dhe shufrën mbi pllakat e mermerta. Pas tij në korridor ia behu dhe e shoqja, që mbeti e trandur në prag të derës.

 -Baba, ç’është kjo shufër, baba, – mërmëriti Shpresa duke ngritur atë nga dyshemeja.

 Tani vezullimi i metalit u nder nga dora e zgjatur e saj që u duk si të lëshonte përshkënditje përvëlake.

 Hiqmet Terka u derdh nga tryeza me syprinë të shqyer, këqyri brenda sirtarit dhe kuptoi gjithçka. Atëherë u kthye nga e bija dhe tërhoqi me forcë shufrën nga dora e saj.

 – Dhe të tjera pashë në sirtar, – vazhdoi Mimoza zëri i së cilës dukej tani sikur vinte nga nëntoka.

 – Ç’ punë ke ti të futësh duart aty! – sa nuk ulëriu Hiqmet Terka i sterrosur.

 – Ndodhi krejt pa dashur, baba, nga që vura re që syprina e tryezës ishte shqitur. Po nuk më thua ç’janë ato shufra? Prej ari?

 Ajo nuk kishte vënë re se në mesore ishte futur vëllai i saj, Besniku.

 – Pse habitesh! – tha ai duke iu afruar së motrës. – Prej ari janë.

 – E ç’do ari në shtëpinë tonë? – pyeti Shpresa me pamje flurore.

 – S’janë punë që të takojnë ty, shpresë, – ia ktheu ftohtë e ëma. –Zëre se nuk i pe.

 – Tetëmbëdhjetë vjet të shkuara Vullneti zbuloi në këtë sirtar 50 mijë dollarë, – tha Shpresa. –Ju iu kanosët kur pyeti se nga kishin mbirë ata dollarë. Tani po më kanoseni dhe mua. Se zbulova këto shufra ari!. . Po pse, nuk paskam të drejtë ta di?

 – Yni është, – këlthiti Besniku i kapëlyer nga një kokëkrisje e egër, – i kujt tjetër pandeh se mund të jetë?

 – Ashtu, ë? Dhe ti e ditke, Besnik këtë sekret. Doemos, se je drejtor i Sigurimit. Mund ta dijë dhe jot shoqe. Mund ta dinë edhe fëmijët e tu, por jo unë. Sepse unë i ngjaj vëllait tjetër,Vullnetit, unë jam rebele si ai dhe mund të nxjerr padashur sekretin më ta madh që ruajmë në shtëpinë tonë.

 -Qepe! – gërthiti Hiqmet Terka pas fjalëve të Shpresës.

 -Mos u tremb, baba, se do ta qep gojën, nuk i them askujt, as Vasos, burrit tim, që ne ruajmë ar. Jo, ar ruajnë disa të tjerë nga të Bllokut, siç kanë shkruar gazetat, që ua kanë marrë dikur me forcë pasanikëve, tregtarëve e kujtdo, pa mbajtur procesverbalin, paçka se kjo është grabitje. Ar mbajnë përsëri të tjerë nga Blloku, që është nxjerrë nga Uzina e Pasurimit të Bakrit, është fshehur nëpër tunele, siç thuhet e shkruhet përsëri, e ka përfunduar në bankat e huaja. Po jo ky ar. Ky është ynë, se nga ardhur, kjo nuk ka rëndësi.

 Hiqmet Terkës iu fanit ajo ditë pranvere e vitit 1945 kur bashkë me dy shokë të tjerë të Batalionit të Mbrojtjes kishin bërë bastisje nëpër shtëpitë e një lagjeje të Tiranës për të gjetur arin e fshehur. Fjalë të buta, buzëqeshje: “Dëgjoni, dorëzoni çdo gjë me të mirë, zotërinj. Na kuptoni. Në fund të fundit po dorëzoni ato që i keni grabitur për vite e vite popullit. Do t’ju dalë për mbarë. Ja do ta shihni”. Pastaj kërcënime me tytën e kobures të mbështetur në tëmth. Pastaj thirrje në zyrat e Mbrojtjes përsëri fjalë të buta, buzëqeshje, pastaj përsëri kërcënime, rrahje, tortura, për të ditur ku ishte fshehur ari. Dhe më pas, ende pa i çuar kutinë e mbyllur plot ar në komandë, futja me duar të ethshme të copërave të florinjta, argjendta, të xhevahireve në xhepa, në gjoks, në çanta ushtarake, ku mundnin, pas dëshmi, sepse një pjesë e mirë e kutive të mbyllura kështu përfundonin pa e ditur as ata vetë se ku…

 Disa ditë më pas vizita në shtëpinë e një inxhinieri, kontrolli në këtë tryezë me dru të gdhendur që tani ndodhej para tij, hapja e po atij sirtari, gjetja e disa monedhave të florinjta. “Edhe ti, zoti inxhinier ruajtke nga këto?” Janë kursimet e mia për martesën e shpejtë të vajzës. “Ashtu, ë?” Pa na trego dhe të tjerat: “Çfarë të tjera? Këto janë nxjerrë me gjak dhe djersë. “Mirë, mirë e morëm vesh…” Dy ditë më vonë thirrje në komandë. “Për herë të fundit na thuaj ku i ke florinjtë e tjerë?” “Ju thashë, këto janë kursimet e mia. Nga do t’i nxirrja? Unë inxhinier jam. ” Atëherë rrahje, tortura derisa ai kishte dhënë shpirt. Dhe ja, tani ajo tryezë që ai e kishte sekuestruar nga shtëpia e inxhinierit, si sende të tjera, pasqyra, korniza të kushtueshme, të tëra të grabitura, një pjesë të së cilës i kishte mbajtur në vilën e tij, qëndronte përballë me syprinë të shqyer, siç kishte qenë e shqyer dhe goja e inxhinierit të mbaruar në duar e tij.

– Dëgjo, Shpresë, do të të dëboj nga shtëpia e të mos ta shoh më kurrë bojën, – sokëlliu leshragafryer Hiqmet Terka, si të donte të largonte këto kujtime që i regëtinë në mendje.

– Ç’pret, baba, mjaft ia ke zgjatur, – u gërmush Besniku.

–  -Jo, jo, – u dëgjua zëri i hollë i Vasos pas tyre.

 Ai bëri disa hapa dhe u ndodh midis Shpresës nga njëra anë dhe Ritvan Terkës, së shoqes së ëmës dhe Besnikut nga ana tjetër.

 – Shpresë unë i dëgjova të tëra duke ngjitur shkallët, – vazhdoi ai. – Kërkoju të falur prindërve. Ta them unë, burri yt.

 Shpresa tundi kokën mynxyrshëm.

 “Burrëziu! Ti ke frikë se duke më dëbuar mua, do të të dëbojnë dhe ty, dhe harron se vjehrri yt, babai im, jo vetëm që është pensionist, por dhe i degdisur si të tjerë nga Blloku. Harron, gjithashtu, se është grabitës ari, harron, së fundmi, që unë të kam tradhtuar…”

 Të tëra këto deshi t’ia zbrazte me duf. Po iu duk e tepërt.

 – Ke të drejtë, Vaso – tha pastaj duke u përpjekur të dukej sa më e shpenguar. E duke u kthyer nga prindërit dhe i vëllai, shtoi me zë të humbur:

–  – Më falni për ato që thashë, më falni…

 Pastaj u fut në dhomën pranë dhe nisi të vajtonte nën zë.

(vijon në numrat e ardhëm)

SHKARKO APP