Dobësitë e  “Çmimi Gjon Mili 2017”

Ilir Muharremi

Edicioni i sivjetmë i Ekspozitës “Çmimi Gjon mili 2017” nuk mund të konsiderohet si hulumtim i veprave të veçanta artistike, ose si zbulim apo vazhdim i zbulimeve, por mund të konsiderohet si edicion në vazhdimësi. Konceptit kuratorial ishte: “Hiperimazhi! Imazhet brenda dhe jashtë ekraneve tona”, e kuruar nga Alfredo Cramerotti dhe ndihmës kuratori Atdhe Mulla. E kuptueshme se artisti përfshihet në krijimin e imazhit, por të quhet e vazhdueshme kjo është naive dhe fëmijërore. Përveç që është e vazhdueshme, duhet të jetë diçka e re e zbuluar, e kjo nuk ndodhi fatkeqësisht. Pasojë e epokës, është vetëm digjitalizimi, por kjo më shumë si teknikë e jo si imazh ose skenë brenda imazhit. Imazhi digjital tashmë është imponuar njeriut dhe artistit, por është vazhdimisht i ndryshueshëm, përveç kësaj duhet veçanti dhe zbulim brenda imazhit, por edhe teknikës pse jo. Cili është qëllimi i ekspozitës? Prezantimi i imazheve vizuale, të krahasueshme, me tregime lineare tekstuale nga ku gramatika përbehet nga listat e psonisjes, bisedat…

Nuk ka ndonjë filozofi të vështirë ta kuptojmë Hiperimazhin, sepse qëndrim të thellë mban ndaj imazhit, të qëndrueshmes dhe jo qëndrueshmes. Qëllimi është çfarë përfitoj unë nga imazhi, çfarë mësoj me ndonjë imazh zbulimi, apo është vetëm një kënaqje e rrejshme për syrin? “Fotografia ka vuajtur dhe ende vuan nga fantazma e Pikturës “, shkruan kritiku dhe filozofi Roland Barthes. (Një artiste paraqet figuracion, dorën të pushtuar nga elektriciteti, pastaj vizatimet e fëmijëve, autoportrete në shumë variacione, portrete duke qeshur…) Këto mund të kopjohen disa pjesë shumë të vogla të kontestohen dhe si referencë përdoret piktura, fotografia nuk mund t’i ik shumë pikturës, teknikisht shfaqet si imazh dhe  pjesërisht. Pak mund të veçohet fotografia nga piktura në këtë ekspozitë. Sipas Barthes pikturializmi është vetëm një ekzagjerim i asaj që fotografia mendon për veten. Fotografia më shumë ngacmon artin përmes teatrit sesa pikturës, pikturën e përdorë si kuadrim dhe kompozicion. Është vetëm imazh e jo tingull, imazh i përjetimit vetanak dhe imagjinatës së tingullit.

Vepra fituese jo e merituar

Vepra fituese e këtij edicioni u përzgjodh “E dija se një ditë do të bëhesha kërcimtar”. Mbas konceptit kuratorial dhe krijimit të veprës kemi një devijim nga artisti e jo nga kuratori. Devijimi lind në titull sepse titulli prezanton veprën. Rregulli i parë thyhet se vepra nuk është fotografi, por “inhalacion”, pëlhurë e gjelbër e shtrirë në dysheme, në fillim të saj si skulpturë ndodhet një mbajtëse partiturash. Aty gjejmë të vendosura polaroid për ekspres-fotografi. Fotografitë janë të zbrazëta, nëse shikon sheh vetveten, krijon autoportret të paqartë, ndonëse autori kërkon që vëzhguesi të bëhet përcaktuesi i veprës. Unë do kërkoja ndonjë zbulim dhe estetikë, e ku mund ta gjej këtë në fotografi boshe te pazhvilluara? Kjo nëse i duket dikujt provokim, është asgjë, dhe asgjëja nuk ngacmon. Në tërësi ambienti shfaq një studio të improvizuar, improvizimi tashmë duhet të dallohet nga realiteti, sikurse aktori në skenë, nëse improvizon mbetet vetëm improvizues. Jo veç te artisti fitues, por te shumë kemi gabime ndërmjet titullit, konceptit dhe veprës, duhet ta kemi të qartë se në art, punim shkencor, përshkrim të veprës titulli ndërlidhet me punimin në brendësi. Titujt e pavarur shprehin dobësinë e artistëve, artistët duhet të jenë vetëkritik ndaj kronologjisë dhe lidhshmërisë. Asgjë në brendësi të tekstit nuk lidhet me kërcimin, madje as në veprën e tij. Ja një pjesë e përshkrimit të veprës: ““E dija se një ditë do të bëhesha kërcimtar.” Puna e dija se një ditë do të bëhesha kërcimtar përbëhet nga pesëdhjetë filma Fuji, një stendë muzikore, dhe një sfond kryesor Chroma, një model që përdoret zakonisht për të xhiruar film, në të cilin mbivendosen imazhe të palëvizshme dhe të lëvizshme në postprodukt. Nuk ka asnjë kontribut personal ose përpjekje nga ana e artistit. E paraqitur si një skulpturë dhe/ose skenë (filmi, fotografie apo edhe skenë teatri), ku audienca mund të ndërveprojë me të dhe mbi të…..” Titulli i paarsyeshëm kërkund nuk lidhet me kërcimin, më shumë i shkonte të bëhej kameraman. Juria e përberë nga Eleni Laperi, Vahida Nimanbegu dhe Afrim Spahiu zgjodhën fituesin, kurse në ekspozitë kishte artist ndërkombëtarë, dhe është dashur bile së paku njëri prej jurisë me qenë ndërkombëtar.

Punë kreative, por pa ndonjë zbulim

“Metro” , punë e krijuar nga Alice Pedroletti, foto-skulpturë e cila duket si rrëfenjë me anë të imazheve të paraqitura brenda një metri, dhe aty gjejmë një pjesë të historisë. Metrin e përdorë si njësi ndërkombëtare të matjes, por aty në vepër përdoret si e pamatshme, ngaqë ndjenjat s’mund të maten. Masa fizike po, njeriu matet, kurse shpirti i tij jo. Artistja tenton të propozoj një metodologji për t’i zbuluar lidhjet ndërmjet qenies njerëzore dhe mjedisit të saj, pra ambientit. Ajo ndodh përmes lëvizjes fizike horizontale, pjesët e natyrës, gjelbërimit, ambientit të bukur, pastaj edhe vertikalitetit, fotografisë të ngjitur në skulptura. Fotografia bëhet këtu tredimensionale. Andaj, kjo vepër tregon më shumë pjekuri, saktësi, estetikë, koncept sesa vepra fituese. Këtu kemi edhe zbulim gërshetues ndërmjet skulpturës dhe fotografisë, në fakt mos të harrojmë se arti ka qëllim të zbulojë dhe duhet të lëviz paralel me shkencën, një kahe të re, veçantia e këtij punimi ndodhet në këtë zbulim. Kjo është dashur të radhitet si fituese.

“Portret gjithëpërfshirës”, i autorit Brilant Pireva, “Përdorë autoportret duke e integruar në makinacionet shoqërore shtetërore”, kështu shkruan kuratori Cramerotti. Autoportreti vjen në pozita të ndryshme, amfaz, profil, bust, skulpturë, kocka pa mish, zbehje, humbje e identiteti etj. Këtë e përdorë mbas fotografisë. Titulli këtu lidhet me konceptin dhe tekstin. Përse zgjodhi autoportretin në vend të portretizimit? Kuratori e thekson si relacion unik refleksiv ndërmjet artistit dhe imazhit, më shumë duken si skulptura klasike, buste sesa unike. Është kopje e busteve klasike. E saktë që ka gjenerim brenda portreteve sesa përfaqësim në atë që prodhojnë imazhet. Prapë kuptimi shkencor dhe tendenca drejt zbulimit mungon, kemi lëvizje nga e kaluara në të tashmen. Nuk mund të konsiderohet ndonjë zbulim, ajo që theksohet nga kuratori “Lehtësia dhe shpejtësia me të cilën tani mund të krijohen autoportretet”, jo sepse edhe më herët krijohen dhe vazhdohet.

“Të jesh aty”, Claudia Sola, ajo së paku mbas veprës kërkon mënyra të reja të vendosjes së ngjarjeve të përditshme brenda kontekstit të kaosit. Qëllimin e ka t’i jep formë, pa e shkatërruar. Kaosi nga përplasjet, rrëmuja, mos respekti, krijon në tërësi formën. Në imazhet e saja më shumë kemi skena teatri sesa  fotografi, sepse janë në lëvizje, të arsyeshme, tamam siç e kërkon skena.

“Shtatë propozimet themelore”, Clare Strand, ajo në veprën e saj paraqet një projekt digjital të frymëzuar nga sloganet dhe reklamat e revistës Kodak të viteve 1950-të. Ato zhvendosen nga ajo kohë i drejtohen imazhit të Google, me qëllim të marrin kuptim tjetër. Ajo përdorë talljen dhe humorin dhe sipas kuratorit “Kur çdo gjë regjistrohet dhe bëhet më e disponueshme për të gjithë, atëherë asgjë nuk është e vërtetë unike, e as individuale”, fotografia s’mund të paraqet definitiven. Veprat e saj mbeten në kërkim.

“Me, Myself and I”, Eliza Hoxha, titullohet vepra si tendencë shkencore e prezantimit mbas artit  të syrit të tretë. Qëllimi është i vështrimit ngado nga njerëzit, përgjimit, sidomos atij digjital. “Njerëzit janë të rastësishëm në qëndrimin e hiperimazhit që ndodh sot”, shkruan kuratori. Po, mirëpo, artistët koordinojnë gjymtyrët e tyre dhe  figurat e njerëzve në fotografi. Rastësia e tejkalon këtë dhe nga një rastësi mund të ndodh një zbulim. Hoxha përdorë syrin e ndriçuar nga një pishtar si qëllim ta risim kuptimin e të vështruarit dhe nëse nuk vështrojmë ashtu siç duhet ne nuk mësojmë. Nga syri i saj unë nuk mësoj ndonjë gabim ose njohje të re, por vetëm shtim të vëmendjes.

Artistja Erica Scourti prezantohet me veprën “So Like You”, vë në pah punën e instagramit (rrjet social), duke e cilësuar se si mundet një individ të duket unik, kur Instagrami ka bërë që foto të duken njësoj. Hulumtimi i saj fillon me atë duke fut dhe ngarkuar foto arkivin personal. Qëllimi është marrja e imazheve dhe ngjasimi i gjurmëve në fotot tjera. Autorja proteston për mbrojtjen e të drejtave. Të drejtat nuk mund të mbrohen përderisa me dëshirë vendosen në rrejt publik. Ato më nuk i takojnë autores por të tjerëve. Kjo nuk ka të bëjë me fotografinë, por me analizën e të drejtave autoriale.

“Fara e konceptit”, e realizuar nga Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena dhe Arbërore Sylaj, përformancë, e krijuar me imazhe biografike prej katër femrash të cilat marrin nga ditarët, albumet familjare, mediave sociale, imazhe nga puna. Të gjitha janë të shtypura në letër ambalazhi të hollë. Faret i përdorin për audiencën, t’i marr audienca e ti hajë. Kjo punë ka si qëllim shpërndarje fizike, e cila tashmë është konsumuar dhe nuk sjellë asgjë të re për publikun.

“Adresueshmëria”, krijim nga Jeff Guess,  një ekran i madh vizualizon vazhdueshëm imazhe. Papritur shpërthen një energji, elementet figurative, fshehën në pjesën e djathtë të kompozicionit, lajmërojnë imazh tredimensional, brenda dydimensionalës. Arrihen koordinata gjeometrike, janë trazuese dhe ngadalë zgjerohen. Teksa koha kalon, ky grumbull pikash tërhiqet mbrapa në drejtim të qendrës së ekranit. Kështu imazhi merr formë. Prapë pozicionet dhe operacioni përsëritet. Krejt është virtualitet optik. Vetëm kopjim i transkritipt të lajmeve dhe agjencive lajmesh, transmetim i ngjarjeve…

“Puna e re”, e profesorit të artit Jordan Tate shprehë eksplorimin e gjuhës vizuale dhe procesit. Është një analizë mbi atë se çfarë shohim, si e shohim dhe çfarë meritojmë ta shohim. Kemi vetëm riprodhim realitetit, pa kontekstet historik dhe fare funksional. Është kritikë ndaj imazhit dhe kërkim sa më shumë të kritikuarit ndaj proceseve vizuale, veçse as këtu nuk shprehet ndonjë zbulim i ri. Artistët tjerë të prezantuar në këtë ekspozitë janë: Kushtrim Asllani, Margo Wolowiec, Oskar Schmidt, Thomas Galler dhe Thomson & Craighead.

Imazhet e papërfunduara

Në ekspozitë përveç që imazhet, formësonin, përfytyronin në disa raste edhe ekzistencën tonë, ushqenin dëshirat tona vizuale, dhe jam si dëshmitar i punës së ndryshme nga njëri tek tjetri imazh. Imazhi ndërvepronte me mua, ndikonte në vetëdijen time si pamje vizuale me përmbajtje, por s’mund të them fizike, vetëm vizuale. Sa ndryshon kjo këtë kohën tonë? Sa na dërgon drejt horizonteve të reja të zbulimit? Sa shfaq rezultat përfundimtar ndaj së ardhmes, botës së re të imazhit, teknikës…. Sa ka qëllime të reja? Krejt këto janë mangësi, ngaqë arti këtu shumë pak lidhet me shkencën, ndonëse e kundërta, artistët duhet paralel të ecin me shkencën, të ketë zbulim, veçanti, ose tejkalim, apo vazhdim të ri. Këto janë si imazhe të papërfunduara, teknikisht dhe vizualisht. Nuk mjafton veçse joshja, duhet edhe shkenca. Jemi lodh me imazhe si mjete marketingu, jemi lodh nga fotografitë normale, nga përsëritjet. Siç duket krijimi i fotografisë dhe imazhit në këto epoka të medias, ndikon vetëm në proces, rrugëtim, e jo rezultat i bazuar në shkencë ose ndonjë përfundim, që paralajmëron një fillim të ri. Kjo strategji estetike është si një fushë me të meta dhe pasiguri. Origjina artistike harrohet nëse nuk i kundërvihet shkenca. Për gjithçka mund të flasim, vetëm për shkencë jo në këtë ekspozitë.

(marrë nga Koha Ditore)

SHKARKO APP