Dorëzon mbeturina, merr biletë – Romë, udhëtarët japin shishe plastike për të udhëtuar falas me metro
Nuk ke para mjaftueshëm për të blerë një biletë metroje në Romë? Pa merak, mjafton të mbledhësh disa shishe plastike dhe mund të shijosh falas udhëtimin drejt destinacionit tënd. Kryeqyteti italian u ofron kështu udhëtarëve që të paguajnë biletën e tyre duke punuar, duke mbledhur mbeturina, pra mbeturina në këmbim të një bilete.
Në stacionin e metrosë San Giovanni, njerëzit në radhë me qese plot me shishe plastike presin për të provuar programin “Sa më shumë riciklon, aq më shumë udhëton”. Për një shishe plastike, një udhëtar paguhet 5 cent, kredite të cilat mund t`i përdorë për të blerë një biletë. Një biletë standarde, 100 minutëshe kushton 1.5 euro, sa 30 shishe. Shishet futen në një makineri të posaçme riciklimi, e cila klientëve u jep mbrapsht kredite. Udhëtarët duken tepër entuziastë për këtë mënyrë të re udhëtimi.
“Nëse ne i përdorim paratë që të përfshijmë njerëzit në riciklim, edhe ata të cilët nuk e kanë sensin e komunitetit, edhe ata do të riciklojnë”-thotë një rezident i kryeqytetit italian. “Më në fund shishet plastike në Romë po riciklohen, në vend që të hidhen lart e poshtë. Shishet po futen në këto makineri të veçanta, pasi situata e diferencimit të mbetjeve është një problem i madh në Romë”-thotë dikush tjetër. Projekti është ende në fazë testimi, e cila do të zgjasë 12 muaj. Makineritë e posaçme do të instalohen në vetëm 3 stacione metroje gjatë periudhës së testimit. / SCAN