Dr. Mustafa Budo, ish-drejtor i Spitalit të Janinës, në 1890-ën u emërua dekan i Fakultetit të Mjeksisë së Stambollit

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Budo me origjinë nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës, ku të parët e tyre prej disa shekujsh kanë banuar në lagjen Palorto dhe një ndër burrat më me emër ty tyre, deri para pesë-gjashtë brezave, ka qenë Ahmet Budo, i cili pasi u martua me Meslihanë, një vajzë nga fisi Dobi jo shumë larg mëhallës së tyre, lindën katër fëmijë: Musai, Hazbiu, Mustafai dhe Feriku.

Ndërsa Musai me Hazbiun i diplomuan për Drejtësi në Universitetin e Stambollit, Mustafai u diplomua po në Stamboll, por në Fakultetin e Mjeksisë së atij qyteti, duke dalë me rezultate shumë të larta dhe pasi punoi për një vit në qytetin e Beratit, Porta e Lartë e caktoi si Drejtor i Spitalit të Janinës, ku ai bëri një punë të madhe, gjë e cila bëri që në vitin 1890-të, ai të emërohej si Dekan i Fakultetit të Mjeksisë së Stambollit ku vite më parë kishte stdujuar vetë.

Gjatë atyre viteve që Mustafai shërbeu si dekan i atij fakulteti, aty ishin dhe disa studentë nga Shqipëria, si: Omer Nishani (më pas President i shtetit Shqiptar) Kamber Malile, (nga Gjirokastra) Musa Delvina, (nga Delvina) Hajrulla Harxhi, (nga Gjirokastra) Ali Mihali, (nga Saranda) Sabri Tefiku, (më pas Drejtor i Spitalit Civil të Tiranës në kohën e Monarkisë) Bajram Emiri, Musa Ohri (Ohri) Haki Babameto (nga Gjirokastra) etj.

E gjithë historia e dinastisë së familjes Budo, nga martesat, krushqitë, pasuritë e e çifliqet e tyre, studimet, funksionet dhe karriera zyrtare e pinjollëve të saj, e deri tek këngët që iu kushtuan atyre, vijnë nëpërmjet dëshmive të njërit prej pasardhësve të pakët të atij fisi të njohur, Ihasan Budos, ish-funksionar i lartë i shtetit shqiptar deri në vitin 1956-të, kur u dënua në Konferencën e Tiranës dhe vuajti plot 32 vjet burg e internim.

Mustafai, mjeku i famshëm që vdiq në Gjirokastër në 1926-ën, ishte dhe drejtor i spitalit të Janinës e kryetar i Komisionit të Kontrollit, në Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë

Gjirokastra, qyteti i gurtë në Jug të Shqipërisë, prej disa shekujsh ka qenë i njohur jo vetëm për bukuritë e tija me ndërtimet karakteristike që përbëjnë një ansambël arkitekturor monumental që rrallë ndeshet në ndonjë vend tjetër të botës, por dhe prej njerëzëve dhe familjeve të shquara që ka nxjerrë, ku disa prej tyre kanë bërë emër të madh brenda e jashtë vendit. Një nga këto familje të njohura të qytetit të Gjirokastrës, është dhe ajo me mbiemrin Budo, ku të parët e saj janë shkolluar e diplomuar në universitetet e kryeqëndrës së Perandorisë Osmane në Stamboll. Cila është origjina e kësaj familje, cilët janë pinjollët e saj dhe në çfarë fakultetesh u shkolluan ata në Turqi? Kush është pinjolli më i njohur i familjes Budo, si shkëlqeu dhe si u rrënua ajo dinasti e vogël dhe pse një degë e trungut të sajë u shpërngul përgjithmonë për në Stamboll? Lidhur me këto dhe të tjera histori, ngjarje dhe personazhe nga familja gjirokastrie, do njihemi në këtë shkrim sipas dëshmive të Ihsan Budos, ish-funksionar i lartë i shtetit shqiptar ( i diplomuar për Ekonomi), deri në vitin 1956-të, kur pas Konferencës së Tiranës u dënua si “armik popullit” dhe vuajti plot 32 vjet burg e internim.

Familja Budo nga lagjia Palorto

Origjina e familjes Budo, është nga lagjia Palorto e qytetit të Gjirokastrës, ku edhe sot ndodhet shtëpia e tyre e madhe e ndërtuar me stilin karakteristik prej gurësh të gdhendur dhe e mbuluar me rrasa të sheshta, ndoshta prej më shumë se një shekulli e gjysëm. Po të shohim dinastinë e kësaj familje deri nga brezi i pestë e i gjashtë i parardhësëve të tyre, ajo njihet më së shumti prej Ahmet Budos, i cili duhet të ketë lindur aty rreth vitit 1830-të, po në lagjen Palorto të qytetit të gurtë. Sipas disa dëshmive, thuhet se familja e Ahmetit ishte shumë e pasur dhe babai i tij, Mustafa Budo, gëzonte një respekt të madh në të gjithë qytetin, pasi ishte shumë njeri human dhe tepër i kulturuar. Pasuria e kësaj familje, vinte prej pronave që ajo kishte trashëguar prej të parëve të saj, si çifligjet në fshatrat Lluvinë e Memoraq të Delvinës, dhe një tjetër në fshatin Dyrmish, të cilët administroheshin nga vetë familja në një harmoni të plotë me banorët e atyre fshatrave. Nisur nga gjendja e mirë ekonomike dhe emëri e fama që gëzonte familja Budo, djali i saj Ahmeti, aty rreth vitit 1855-së, u martua me një vajzë shumë të bukur e të zgjuar të quajtur Meslihan nga fisi Dobi, që po ashtu ishte tepër i njohur në qytetin e gurtë. Kjo krushqi në mes këtyre dy fiseve bëri jehonë të madhe dhe nga dashamirësit e saj ju ngritën dhe këngë që këndoheshin nëpër dasma të ndryshme jo vetëm të këtyre dy fiseve por dhe në tërë qytetin.

Budo-t, diplomohen në Stamboll

Nga martesa e Ahmet Budos, me vajzën e quajtur Meslihan të fisit Dobi, lindën katër fëmijë. Të katër ishin djem dhe u quajtën: Musa, Hazbi, Mustafa dhe Ferik. Ndonëse nuk ka të dhëna dhe nuk dihet se çfarë arsimi kishte Ahmet Budo, nisur dhe nga gjendja e kënaqëshme ekonomike e familjes, ai u kujdes që fëmijët e tij t` i shkollonte në universitetet e kryeqëndrës së Perandorisë Osmane, në Stamboll. Kështu djali i madh i Ahmetit, Musai vazhdoi studimet për Jurisprudencë në Stamboll dhe u diplomua me rezultate të larta. Kur Musai ishte në vitin e tretë të studimeve në atë universitet, po në atë degë dhe atë fakultet filloi studimet dhe vëllai tjetër, i dyti nga fëmijët, Hazbiu. Pas diplomimit në Drejtësi, të dy djemtë e Ahmetit, Musai me Hazbiun u kthyen në atdhe, ku Musai u emërua nga Porta e Lartë ne detyrën e Prefektit të Gjirokastrës. I treti i fëmijëve të Ahmetit, Mustafai që kishte lindur në vitin 1860-të në qytetin e Gjirokstrës, ndryshe nga dy vëllezërit e tjerë që u diplomuan në Drejtësi, vazhdoi studimet dhe u diplomua në Universitetin e Mjeksisë në Stamboll. Ndërsa tre vëllezërit u diplomuan në Stamboll, vëllai i katërt i tyre, Feriku nuk i kreu studimet e larta, por qëndroi në shtëpi duke administruar pronat dhe çifligjet e familjes në fshtrat Lluvinë, Memoraq dhe Dyrmish.

Incidenti me Guvernatorin turk

Periudha që Musa Budo shërbeu në postin e Prefektit të Gjirokastrës, i përket viteve 1890-të, kur vëndi vazhdonte të ishte nën administratën e perandorisë turke. Asokohe në qytetin e Gjiroksatrës përveç Prefektit, ishte dhe një Guvernator (Mytesarif) turk, që qeveriste të gjithë zonën si i plotfuqishëm. Ai ishte tepër harbut dhe sillej në mënyrën më barbare me popullsinë vendase. Nisur nga kjo gjë, asokohe në disa lagje të qytetit u bënë disa mbledhje ku u zgjodh një përfaqsi, e cila do të shkonte të hynte në bisedime me Mytesarifin turk, duke i bërë atij të ditur të gjitha problemet që ngrinte populli për të. Nga lagjia Palorto, si përfaqësues i delegacionit që do të shkonte për të biseduar me Mytesarifin, u zgjodh Hysen Hoxha (xhaxhai i Enver Hoxhës), kurse Musa Budo, u zgjodh si kryetar i asaj përfaqsie. Kur shkuan për të takuar Guvernatorin, ai i priti ata po me atë harbutërinë që e karakterizonte dhe gjatë bisedimeve gjakrat u nxehën aq shumë, sa që Musai me Hysen Hoxhën u ngritën për ta qëlluar Mytesarifin, i cili shpëtoi mirë falë ndërhyrjes së xhandarëve roje të tija që i mbante gjithnjë pranë. Pas atij konflikti, për 24 orë u njoftua Porta e Lartë dhe nëpërmjet Guvernatoriatit të Janinës që kishte nën juridiksion Prefekturën e Gjirokastrës, lëshoi fermanin e shkarkimit të Mytesarifit dhe në vënd të tij emroi një turk tjetër, i cili jua plotësoi të gjitha kërkesat që kishte ngritur përfaqësia e popullit të Gjirokastrës të kryesuar nga Prefekti Musa Budo.

Mustafai, Dekan i Mjeksisë në Stamboll

Djali i tretë i Ahmetit, Mustafai, që kishte lindur në vitin 1860-të, pasi mbaroi studimet e larta dhe u diplomua në Fakultetin e Mjeksisë së Stambollit në vitin 1882, u kthye në Shqipëri dhe u caktua si mjek në qytetin e Beratit. Duke bërë një punë mjaft të mirë në atë qytet, ai u propozua nga Porta e Lartë në detyrën e drejtorit të spitalit të Janinës. Ashtu si në Berat dhe në detyrën e lartë që ju caktua në Janinë, Mustafai bëri një emër të madh, falë punës së tij të pakursyer e humane. Duke parë punën dhe popullaritetin që Mustafai gëzonte në të gjithë Vilajetin, në vitin 1890-të, qeveria turke e emëroi atë në detyrën e Dekanit të Mjeksisë në Universitetin e Stambollit. Përveç asaj detyre, që nga viti 1890-të, e deri në vitin 1904, Mustafa Budo krey dhe detyrën e kryetarit të Komisjonit të Kontrollit në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë (Hejeti Teftishije Reisi). Gjatë atyre viteve, përveç qindra studentëve nga vende të ndryshme të botës, Mustafai pati fatin t`u jepte leksione dhe shumë studentëve shqiptarë që asokohe studjonin për Mjekësi në Stamboll. Kështu nga studentët shqiptarë që ishin nxënës të Mustafait, mund të përmenden: Omer Nishani (më pas President i shtetit Shqiptar) Kamber Malile, (nga Gjirokastra) Musa Delvina, (Delvina) Hajrulla Harxhi, (Gjirokastra) Ali Mihali, (Saranda) Sabri Tefiku, (më pas Drejtor i Spitalit Civil të Tiranës në kohën e Monarkisë) Bajram Emiri, Musa Ohri (Ohri) Haki Babameto (Gjirokastra) etj. Të gjithë këta studentë, nxënës të Mustafa Budos, pas diplomimit në Stamboll u kthyen në atdheun e tyre ku u shquan si mjekë të zotë. Shumë prej tyre si Dr. Omer Nishani, Dr. Sabri Tefiku, Dr. Hajrulla Harxhi etj., në kujtimet e tyre përmëndnin me mirënjohje të thellë pedagogun e tyre Mustafa Budo.

Vdekja e Dr. Budos në 1926-ën

Pas punoi për afro 30 vjet në detyra të larta në sektorin e Shëndetësisë së Stambollit, në vitin 1925-së, Mustafa Budo u kthye në qytetin e tij të lindjes Gjirokastër, të cilën e kishte lënë që në moshë të re kur u nis për studime në Turqi. Në qytetin e tij ku kishte kaluar fëmijrinë, Mustafai punoi gati një vit si mjek, sepse në vitin 1926, ai vdiq krejt papritur. Lidhur me këtë, nipi i Mustafait, Ihsan Budo, (ish-funksionar i lartë i shtetit shqiptar, i dënuar me burg e internim pas Konferencës së Tiranës në ’56-ën), midis të tjerash na tregonte:”Megjithse nuk kam qenë më shumë se gjashtë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë vdekjen e Mustafait sikur të kishte ndodhur sot. Mustafai gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm në Gjirokastër dhe në varrimin e tij mori pjesë pothuaj i gjithë qyteti, nga të gjitha shtresat të pasur e të varfër, ortodoksë dhe myslymanë. Ai jo vetëm që ishte një mjek mjaft i zoti, por kishte dhe një shpirt të mirë dhe mjaft human. Atë vit që ai punoi si mjek në Gjirokastër, nuk ju merrte asnjë lek njerëzve kur shkonte për t’i vizituar. Në varrimin e tij morën pjesë dhe të gjitha autoritetet e larta të qytetit dhe në mos gaboj fjalën e përmortëshme e mbajti Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Javer bej Hurshiti, që ishte dhe një nga miqtë më të ngushtë të Mustafait”.

Emigrimi i familjes së Mustafa Budos

Sipas dëshmive të Ihsan Budos, gjatë kohës që ishte me studime në Stamboll, Dr. Mustafai u martua aty me një vajzë turke që quhej Farie. Nga ajo martesë atyre ju lindën katër vajza e një djalë. Pas vdekjes së Mustafait, gruaja Faria, bashkë me pesë fëmijët e saj emigroi në Stamboll ku kishte të gjithë njerzit e saj që e ndihmuan për të rritur e shkolluar fëmijët. Djali u quajt Nebil dhe pas vdekjes së babait, aty rreth vitit 1930-të mbaroi studimet e larta duke u diplomuar në Inxhinieri Mekanike në Gjermani. Vajza e madhe e Mustafait, quhej Leman dhe pasi u diplomua në Pedagogji, u martua në Durrës me Eqerem Beshirin. Vajza e dytë Myzejeni, pasi u diplomua në Mjeksi, punoi si mjeke në Stamboll dhe u martua po aty me një shtetas turk. Vajza e tretë Ixhlali, mbaroi një shkollë pedagogjike, por nuk punoi asnjë ditë si arsimtare dhe qëndroi në shtëpi. Vajza e katërt Myneveri, mbaroi Pedagogjiken punoi si arsimtare po në Stamboll dhe pas martesës me një shtetas turk, ka vetëm një djalë dhe ajo ka jetuar deri para pak viteve në Stamboll. Djali i vetëm i Mustafait, Nebili u martua me një vajzë shumë të pasur turke dhe më pas u divorcua nga ajo. Ai u martua përsëri në Stamboll dhe duke trashëguar një pasuri shumë të madhe, hapi dhe një aktivitet privat të cilin e administroi vetë deri sa vdiq në vitin 1994 në moshën 95 vjeçare. Nga fëmijët e Mustafait, vetëm vajza Lemani mbeti në Shqipëri dhe vdiq në Durrës në vitin 1970-të.

Fundi i dinastisë Budo

Po si rrodhi jeta e vëllezërve të Mustafa Budos që mbetën në Gjirokastër dhe me çfarë u morrën ata? Lidhur me këtë, Ihsan Budo na tregonte: “Nga vëllezërit e Mustafait, Refiku ishte ai që jetoi më gjatë. Ai nuk bëri shkollë si tre vëllezërit e tjerë, por u muar me ekonominë bujqësore dhe blegtorale të familjes që kishin në pronat e tyre në Lluvinë. Ndonëse nuk ishte i shkolluar, Refiku në Gjirokastër gëzonte një emër të mirë dhe njihej si njeri bujar, human dhe shumë patriot. Gjatë periudhës së fundit të sundimit turk, në dhjevjeçarin e parë të shekullit të kalur, Refiku ishte një nga njerzit që strehonte dhe financonte çetën e Çerçiz Topullit, tek kulla e tij në fshatin Lluvinë afër kufirit me Greqinë. Për atë gjë, Refikut ju lidh një pension patriotik nga qeveria e Mbretit Zog, pension të cilin vazhdoi ta merrte dhe në regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ferik Budo, ka qenë i njohur dhe për një incident që ka pasur me Esat Pashë Toptanin aty rreth vitit 1895-së, kur Pashai tiranas shërbente si Shef i Policisë së Vilajetit të Janinës. Asokohe Esati kishte mbledhur disa shqiptarë që kishin funksione të larta në kryeqëndrën e Vilajetit dhe luante bixhoz me ta. Njeri prej tyre ishte dhe një i afërm i Refikut, i cili ju ankua atij se Esat Toptani u`a kishte fituar lekët me hile. Atëhere Refiku i drejtoi tytën e revolverit në kokë të Esatit dhe e detyroi atë që t`ua shpërndante të gjitha paratë që ua kishte fituar me hile bashkatdhetarëve të tij”, kujton Ihsan Budo historitë e Refikut, të vëllait të Dr. Mustafa Budos, i cili vdiq në moshën 95 vjeçare në vitin 1957. Nga dinastia e familjes Budo, pothuaj nuk ka mbetur më njeri. Përveç Ihsanit (i diplomuar në Ekonomi, që vuajti 32 vjet burg e internim) i cili është ndarë nga jeta para pak vitesh, ka jetuar edhe djali i Nexhmiut, që kishte baba Hazbiun, vëllanë e Mustafait. Po kështu, përveç tij, nga dinastia e Budo-ve, jetojnë ende dhe Hazbi e Refik Budo, që kanë marrë emrat e gjyshërve të tyre, vëllezërve të Mustafait, njerit prej mjekëve më të dëgjuar jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të kryeqëndrës së Perandorisë Osmane, Stambollit./Memorie.al

SHKARKO APP