Drejtësia nuk është aty

Nga Besmira Xhaferasi

Drejtësi!.. Ide e mirë, por dyert e saj harrohen të hapen. Hamendësim!… Jo, thjeshta aktualiteti është aty, çdo ditë prezent dhe ushqehet me faktet e tij. Dhe, çdo qytetar i ndërgjegjshëm e i sinçertë me veten nuk ka nevojë të hamendësojë për të kuptuar se edhe sot pas 27-vitesh tranzicon, drejtësia në vendin tonë vazhdon të mbetet një nocion “auto-ironik” , që s’lë vend për reflektim.

“Parimi i arsyes”, është argumenti më i mirë për të shpjeguar se pasojë e çdo fenomeni negativ veprues në një shoqëri është vetëm rrjedhojë e një shkaku paraprak. Sapo lamë pas edhe një vit tjetër.  Dhe, një ndër kontradiktat më absurde që përmban sot burracakëria dhe njëkohësisht kurajoja njerëzore , është se “ kemi frikë të shohim diçka të tmerrshme , por ama kemi kurajon ta bëjmë”. E them këtë, pasi realiteti në të cilin jetojmë është i mbushur me konvencion, dehje e konformizëm të harxhuar më tepër sesa, me një sistem objektiv e të qëndrueshëm rregullash funksionale, që përfaqëson vërtët vlerat e integruara të një kulturë demokratike shoqërore.

Kjo, praktikisht është situata në të cilën jemi sot (ne shqiptarët), ku përmes politikës së të pasurit “një dorë të fortë”, bëhet edhe zbatimi “ideal” i kulturës së barazisë para ligjit. Aq sandonjëherë të krijon përshtypjen e pakthyeshme , se e vërteta dhe drejtësia janë dy gjëra të ndryshme, që nuk kanë asnjë të përbashkët me njëra-tjetrën.

Tanimë jemi në vitin 2018 dhe është e trishtë të shohësh se pas çdo viti që kalon, krahas problemeve me karakter social dhe ekonomik, një plagë që po e vuajmë dhe po bëhet gjithnjë e më e pranishme për njerëzit e zakonshëm dhe për komunitetin tonë social është “dhunimi i së vërtetës”. Shkëputja dhe humbja gjithnjë e më tepër e besimit të individit tek drejtësia dhe mirëfunksionimi i saj, është versioni më i qartë i pamjes, që argumenton edhe njëherë se “të ndjesh drejtësi” sot është një nevojë gjithnjë e më e munguar, për kulturën tonë të përbashkët shoqërore.

Por, nuk duhet shkuar shumë larg. Madje s’ekziston as nevoja më e vogël, të flitet dhe me “numrat” e viktimave për t’i dalë ballë së vërtetës së faktit.                          Që nga filimi, nuk ka nevojë të mblidhen statistika të ndryshme apo të shtrohen pyetje të tilla si: “ Pse ka kaq shumë varfëri në vëndin tonë,? Pse emigrojnë një pjesë e mirë e të rinjvve sot në Shqipëri? Sa prezente është dhuna ( dhuna në familje, kapja dhe kufizimi i lirisë së medias etj.)? Sa aleate të fuqishme po bëhen gënjeshtra dhe pushteti politik, duke u maskuar për të penguar peshën e së vërtetës? Përse duket sikur na është mbyllur goja dhe zëri ynë nuk dëgjohet, kur vjen puna për të kërkuar ndihmë në dyert e drejtësisë që mbyllen? Në çfarë gjëndje ndodhemi? E të tjera! E të tjera!”

Përkundrazi! Për të verifikuar imtësitë e pyetjeve si këto, përgjigjet janë kurdoherë gati, kur për në çdo rast “trokitje”në dyert e saj, drejtësia nuk është aty. Ajo nuk është aty, kur gënjeshtra dhe padrejtësia triumfon, mbi të dobëtin që mbron të vërtetën. Drejtësia nuk është aty sa herë pamundësia e sigurimit të bukës së bardhë, ujëngrohësit me gaz shndërrohet në një problem jetik e të qëndrueshëm , për shumë familje shqiptare në nevojë, që nuk arrijnë të sigurojnë as të ardhurat minimale të jetesës për shkak se, përballja me papunësinë është bërë për ta një realitet i padurueshëm.

Por, sigurisht në këtë pikë, ngritja e zërit të askujt nuk do të mjaftonte nëse elita jonë politike nuk ndërgjegjësohet. Jo, asgjë nuk do mjaftonte nëse gjuha e politikës sonë drejtuese, nuk do ta zëvëndësontë (çdo 4 vjet) retorikën e vet me fjalë të thjeshta, konkrete e kuptimplota për gjëndjen e shqiptarëve; duke zëvëndësuar kështu njëherë e mirë dyfytyrësinë me të vërtetën për gjëndjen e tyre; duke zëvëndësuar patosin e thatë me humanizmin e vërtetë për kombin dhe komunitetin e vet.

Ama, nga ana tjetër, asgjë nuk mund të zhduket kurrë vetë , nëse ne të gjithë nuk bëjmë asnjë përpjekje për ta ndryshuar një lloj gjëndje të tillë krize. Nëse ne nuk i kundërvihemi, duke mos u bërë pjesëmarrës e duke e filluar goditjen aty ku filli është më i dobët… Nga gënjeshtra! Përndryshe duhet të presim që, intervali i viktimave të saj, të ketë pasojat e një sëmundjeje ngjitëse, e cila ekziston dhe do të vazhdojë të ekzistojë sa kohë, që ka njerëz për t’u infektuar dhe sa kohë nuk do të ketë të zhvilluar një vetëdije rezistente që do të refuzojë pajtimin me vijueshmërinë e saj.

SHKARKO APP