Durrësi “kampion” i punës në të zezë – 31% e punonjësve në vend, të padeklaruar
Durrësi, është qyteti që mban kampion për numrin e punonjësve të evidentuar në të zezë, çka do të thotë se nuk janë të deklaruar në organet tatimore dhe nuk paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit Shtetëror të Punës, nga 1688 punëmarrës informal që janë evidentuar gjatë fushatës Korrik-Shtator 2019 në subjektet e kontrolluara, 392 prej tyre janë konstatuar në Durrës, më pas renditet Vlora, Shkodra, Tirana dhe më pak janë konstatuar në Gjirokastër, vetëm 13 punonjës në të zezë.
E ndarë në rajone, rezulton se përqindja më e lartë e informalëve është përqendruar në rajonin e veriut dhe atë jugor, përkatësisht me me 40 dhe 30 për qind secili dhe më pak punëmarrës në të zezë janë kapur në rajonin qendror, me 27 për qind. Në total, në raport me numrin e punonjësve të kontrolluar, 31 për qind e tyre janë konstatuar të paformalizuar.