Dy fjalë për shtresat e margjinalizuara në këto kohë krize
Nga Arian Galdini –
Situata është dramatike, seriozisht dramatike dhe alarmante për shumicën e varfër dhe të mjeruar të qytetarëve shqiptarë.
Këto shtresa të varfëra dhe në skamni janë në gjendje të mjeruar sepse janë qytetarë të dënuar që të punojnë për të siguruar bukën e ditës.
Pra, çfarë punojnë gjatë një ditë edhe ushqehen gjatë asaj dite.
Të mbeten pa punën e ditës, për ta do të thotë të mbeten edhe pa bukën e ditës.
Informaliteti tek këto kategori sociale është gjithashtu mbizotetues, në shumicë dërrmuese.
Kësisoj, izolimi për shkak të Koronavirusit për këta qytetarë është praktikisht si dënim pa gjyq me uri.
Më thonë se Bashkia e Tiranës gjithmonë tregon video ku shpërndan ndihma.
Për të qenë i sinqertë me ju, unë nuk e ndjek propagandën e Bashkisë së Tiranës. Kam shumë pak respekt për qeverisjet dhe administrimet e qyteteve me foto e video. Nuk e kuptoj dot sesi një Kryetar Bashkie shëtit me më shumë fotografë e propagandistë sesa me pako për të ndihmuar shtresat në nevojë.
Unë dhe strukturat e LRE jemi çdo ditë në komunikim me familje e qytetarë të thjeshtë e skamnorë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.
E ajo që mund të them është se shumica e tyre, janë në skamje e fukarallik ekstrem.
Janë pa bukë.
Janë pa ushqim.
Janë pa asnjë ndihmë.
Nuk e di kujt i ka rënë telebingoja e videove me pako apo e pakove me video nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, por ju siguroj se shumica e qytetarëve janë thjesht dhe qartë: pa bukë.
Ne si LRE kemi kërkuar të përfshihemi e të japim ndihmesën tonë.
Nuk duam ti bëjmë fare opozitë Qeverisë e aq më pak të bëjmë politikë në këto momente krize.
Duam të jemi të gjithë bashkë për ta kaluar këtë krizë.
Por Qeveria dhe Bashkitë nuk na kanë mundësuar fare që të japim edhe ne ndihmesën dhe kontributin tonë.
Ndaj e vetmja rrugë që na ka mbetur ka qenë ekspozimi i rasteve në rrjetet sociale edhe në komunikime informale me zyrtarë e të njohur e miq.
Pakicat Qeverisëse dhe Institucionale, janë kryesisht të mbushura me militantë mediokër, të pashkolluar, të pakulturuar që ua bëjnë të varfërve dhe skamnorëve ta ndjejmë shumë të fortë mbi shpinë paragjykimin social dhe papërgjegjshmërinë e shurdhërinë e autoriteteve.
Shihni paketën e ndihmës të miratuar nga Qeveria Rama.
As që arrin dot ti përfshijë fare të varfërit e vërtetë.
Të varfërit e vërtetë vuajnë shumë nga informaliteti sepse janë punëtorë krahu që e sigurojnë bukën me punë që shumë i përbuzin ose shmangin.
Pra asnjë ose krejt pak nga këta përfiton nga rroga e luftës.
Pakot e Bashkisë janë bërë si telebingo. Veliaj shëtit me fotografë e e kameramanë, duke u dhënë pako me video e video me pako një pakice, e duke luajtur me shpresën dhe ankthin e shumicës që vuan urinë.
Ne si LRE kemi ofruar një zgjidhje. Një zgjidhje që mund të ishte e mirë për të mos lënë askënd pas e për ta çuar ndihmën e mbështetjen e Qeverisë tek shumica dërrmuese e qytetarëve në nevojë.
Qeveria duhet ti përfshijë në një skemë të re.
Të krijohet një numër falas ku çdo familje e varfër të vetëdeklarohen me një sms të thjeshtë. Më pas të bëhen me urgjencë verifikimet e këtyre vetëdeklarimeve, ose me dokumentacionin zyrtar të Drejtorive të Shërbimit Social e Bashkive, ose me vullnetarë që telefonojnë e kontaktojnë fizikisht me këto familje.
Pasi të kemi një përpunim të saktë të të dhënave, kjo mund të bëhet brenda 72 orëve ose maksimumi 1 jave, në çdo numër celulari të aprovuar të gjenerohet një Kod Unik.
Kodet Unike nëpërmjet Drejtorive Rajonale të Tatimeve tu dërgohen të gjitha njësive tregëtare në vend.
Këto Kode Unike që i dërgohen Kryefamiljarit me sms në cel dhe njësive tregëtare në vend, përmbajnë një kuotë mbijetese me bukë, ushqime të shportës, ilaçe, detergjentë, e nevoja të tjera bazike.
Kështu askush nuk lihet pas.
Me këto Kode Unike edhe familjet pa para cash, mund të kenë një kuotë buke e ushqimesh mbijetese çdo ditë.
Njësitë Tregëtare në vend, ose rimbursohen nga shteti, ose u ulen taksat.
Ky është propozimi ynë.
LRE – Lëvizja e Re
Arian Galdini
Kryetar i LRE