Dy Kisha motra, të Persekutuara dhe të Ringjallura

Nga Miron Çako*

Sipas njoftimit zyrtar të KOASH-it, në datën 28 – 30 prill, Fortlumturia dhe Fortshenjtëria e tij

Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusive, i shoqëruar nga delegacioni i lartë klerikal dhe kori muzikor i Sinodit të Patriarkanës, do të bëjë vizitën paqësore në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kisha Orthodhokse e Rusië, e njohur edhe me emrin Patriarkana e Moskës, është një nga Kishat Orthodhokse Autoqefale dhe primati i saj është Patriarku i Moskës dhe i Gjithë Rusëve. Krishterimi në Rusi është përhapur në fillim nga princesha e madhe Ollga dhe nipi i saj Vladimir të cilët u pagëzuan në Kostandinopojë dhe në vitin 988 shtetasit e principatës Kieviane u pagëzuan në lumin Dnieper nën drejtimin e prinicit të madhë Vladimir duke filluar kështu historinë e Kishës Orthodhokse në Ukrahinë dhe Rusi. Deri në shek XVI Kisha e Rusisë ishte nën juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës por në vitin 1589 Patriarku Ekumenik Jeremia II njohu peshkopin Moskovit Job si patriarkun e gjithë Rusisë. Në vitin 1593 kisha Ruse mori aprovimin e statusit të saj si patriarkan nga peshkopët e Jerusalemit, Aleksandrisë dhe Andiokisë. Kështu që nga ajo kohë u njoh zyrtarish si e pesta në rangun e renditjes kanonike orthodhokse dhe vjen menjëherë pas katër patriarkanave të vjetra orthodhokse të Konstandinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë dhe Jerusalemit. Patriarkana e Rusisë ka juridiksion mbi orthodhoksët e krishterë, që jetojnë në shtetet ish-anëtare të Bashkimit Sovjetik, në Rusi, Moldavi, Ukrainë, Bjellorusi, Azerbaxhan, Kazakistan, Letoni, Lituani, Taxhikistan, Turkmenistan, Uzbekistan. Gjithashtu, Kisha Orthodhokse e Rusisë ushtron juridiksionin e saj kishtar mbi Kishën e Japonisë dhe orthodhoksët e krishterë rezidentë në Republikën e Kinës. Kisha Orthodhokse e Rusisë ka një lidhje dhe status të veçantë me Kishën Orthodhokse në Amerikë (OCA), që ishte mitropolia e dikurshme ruse në Amerikë që nga koha e misionarëve rusë në Alaskë (atëherë ishte pjesë e perandorisë ruse) dhe ka ruajtur edhe sot traditën liturgjike ruse. Një tjetër degë kishtare jashtë Rusisë është edhe Kisha Ruse Jashtë Kufijve të Rusisë, (ROCOR), me seli në Nju Jork, SHBA.

 

Kjo vizitë kishtare është në kuadrin e vizitave të ndërsjella vëllazërore midis kishave orthodhokse. Kisha Orthodhokse është një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike në të gjithë botën, ashtu siç e pohojnë orthodhoksët njëzëri në Simbolin e Besimit në çdo Liturgji Hyjnore: “Besoj… në një Kishë të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike”. Kjo e vërtetë dogmatike është theksuar gjithmonë nga të gjithë primatët e kishave si edhe nga kryepiskopi Anastas se: “Orthodhoksia nuk është një Konfederatë Kishash lokale, por një Kishë e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, e cila vazhdon të japë dëshminë e shpresës dhe të dashurisë në mbarë botën. Është Kisha, e cila, çdo gjë që ka, çdo gjë që bën dhe ofron, ia përkushton mbarë njerëzimit” (shkëputur nga fjalimi përshëndetës i kryepiskopit Anastas me rastin e 70-vjetorit të patriarkut Kiril).

 

Vizita paqësore e KOASH-it me ftesën e kishës në Rusi u bë në 8 tetor 1998, ku Fortlumturia e tij Kryepiskopi Anastas së bashku me delegacionin e lartë klerikal që e shoqëronte, u prit me nderimet e përshtatshme dhe me frymë vëllazërore nga Patriarku i Moskës edhe i gjithë Rusisë, z. Aleksej II, së bashku me klerin dhe popullin besimtar orthodhoks. Në fjalën pëshëndetëse Patriku Aleksej tha : “Ngjashmëria e rrugëve historike dhe përvojës shpirtërore të Kishave Orthdhokse të Rusisë dhe Shqipërisë gjatë shekullit të 20-të, kontriboj në konsolidimin e mirëkuptimit reciprok dhe dashuri vëllazërore… Dhe sot që kemi kapërcyer Golgothanë tonë, falenderojmë Zotin për përdëllimet e tij të pashprehëshme, që tregohen pasurisht dhe dukshëm në rilindjen e besimit orthodhoks në Rusi dhe Shqipëri”.

 

Pas vdekjes së Patriarkut Aleksej II më 5 dhjetor 2008, Patriark i ri i Patriarkanës së Moskës edhe gjithë Rusisë u zgjodh Kirili, më 27 janar 2009 nga Sinodi Lokal i Kishës së Rusisë dhe u fronëzua më 1 shkurt 2009. Tërshenjtëria e tij ka qenë shumë aktiv edhe në veprën shpirtërore, si autor i shumë librave, kumtesave dhe është nderuar për këtë me shumë tituj e çmime. Patriarku Kiril është dalluar edhe në veprimtaritë hierapostolike, duke qenë në moshë të re si përfaqësuesi i parë i Kishës Ruse në Syndesmos, përfaqësues në Këshillin Botëror të Kishave, në Konferencën Evropiane të Kishave, në organizatën Fetë për Paqen, në shumë konferenca e mbledhje panorthodhokse etj.

 

Me kryepiskopin Anastas, Fortshenjtëria e tij Patriarku Kiril është njohur që prej 50 vitesh edhe ka pasur një bashkëpunim të frytshëm si punëtor i vreshtit të Zotit në misionin apostolik të Kishës Orthodhokse në botë. “Me rastin e 70-vjetorit të Patriarkut Kiril, më 20 nëntor 2016, Kryepiskopi Anastas i ftuar në Moskë për këtë përvjetor së bashku me shumë primatë të kishave orthodhokse, në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar të Moskës, ndër të tjera thotë: “Pothuajse para 48 vjetësh, pata bekimin të njihem me shumë të shtrenjtin, Fortlumturinë dhe Fortshenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës, që feston sot, z. Kiril. Të dy shërbyem si zëvendëspresidentë të Vëllazërisë Botërore të Rinisë Orthodhokse Sindesmos, duke pasur shumë ëndrra, në një kohë të errët, kur të gjitha dukeshin shumë të vështira për Kishën Orthodhokse. Që nga ajo kohë, u lidh një miqësi vëllazërore në Krishtin dhe u krijua një besim i ndërsjellë, të cilat u forcuan me kalimin e viteve”.

Po ashtu vetë Tërëshenjtëria e tij, z Kiril, duke iu drejtuar Kryepiskopit Anasatas, thotë: “I dashur vëlla, ju pres këtu, në rezidencën e Patriarkut të Moskës, me një ndjesi të veçantë dhe ju shpreh mirënjohjen për pjesëmarrjen në këtë përvjetor. Ju thatë se ne kemi 48 vjet që jemi njohur… I jam mirënjohës Perëndisë për bashkëpunimin tonë… Kam qenë i mikpritur nga ju kur plagët e persekutimit në Shqipëri nuk ishin shëruar në trupin e Kishës dhe pashë punën tuaj entuziazmuese. Koha nuk duket te ju; energjia dhe zelli juaj janë pothuaj të njëjta me ato të 48 viteve të mëparshme. Uroj të keni trup e shpirt të fortë, që të vazhdoni përpjekjen tuaj aktive në jetë dhe në punë, për të mirën e Kishës së Shqipërisë dhe të të gjithë Orthodhoksisë, edhe për shumë vjet”.

E gjithë kjo miqësi dhe ky bashkëpunim vëllazëror midis këtyre dy primatëve të kishave respektive që ata i drejtojnë së bashku me sinodin e shenjtë të çdo kishe, të kujton psalmin e Davidit: “Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet”. (Psal 133:1).

 

Është hera e dytë që Tërëshenjtëria e tij z. Kiril bën vizitë në KOASH, vizita e parë si drejtues i departamentit për marrëdhëniet me jashtë të Kishës Ruse ishte në korrik 2001, i shoqëruar nga një grup të rinjsh orthodhoksë nga Rusia në takimin e Vëllazërisë Rinore Orthodhokse Syndesmos, e organizuar në përkujdesjen e Kryepiskop Anastasit në Akademinë teologjike “Ngjallja e Krishtit” në manastirin e hirshëm të shën Vlashit, Durrës. Por këtë herë të dytë ai vjen si primat i Patriarkanës së Rusisë dhe kjo gjë përbën një fakt historik për të dyja kishat, ashtu siç është shprehur edhe vetë patriarku Kiril: “Shpresoj se, me mëshirën e Zotit, në fund të këtij muaji do të realizohet vizita ime zyrtare në Shqipëri. Do të jetë vizita e parë në histori e primatit të Kishës Orthodhokse Ruse në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, e cila po përjeton sot periudhën e ringritjes pas asgjësimit të plotë të fesë, të çdo simboli fetar dhe të çdo shprehjeje të ndjenjës fetare, si pasojë e persekutimeve më të ashpra ndaj Kishës në këtë vend në shekullin XX”.

 

Këto dy kisha motra, pjesë integrale e gjallë e Kishës së Madhe së Krishtit, e shtrirë në të gjithë botën, pavarësisht nga ndryshimi i madh në numër besimtarësh dhe shtrirjeje territoriale, kanë një përngjasim të veçantë, sepse të dyja këto kisha janë persekutuar frikshëm nga një armik i përbashkët i shek. XX, nga ateizmi komunist. Ateizmi komunist, si një murtajë e kuqe, filloi të merrte pushtetin në fillim në Rusinë Cariste me revolucionin e tetorit më 1917, u përhap pastaj me shumë viktima të pafajshme në vende të Europës Lindore edhe në Ballkan duke sjellë në krye të shteteve diktatorë të frikshëm, të cilët, të marrosur nga egoja eusforike (diabolike), kërkuan të sfidonin vetë Zotin dhe të shkatërronin kishën e Krishterë ashtu siç profetizon libri i Zbulesës: “Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell; dhe ja, një dragua i madh i kuq…dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë të yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas (kishës) që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta lindtte…Dhe dragoi u zemërua kundër gruas (kishës) dhe shkoi të bënte luftë me të tjerët (besimtarët), pasardhjen e saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jisu Krishtit”. (Zbulesa 12:3-4;17-18).

 

Ky persekutim në këto vende me regjime diktatoriale, ateiste dhe komuniste, i solli shumë të këqija apokaliptike kishës së krishterë edhe çdo komuniteti fetar që besonte te Zoti, si shkatërrim të kishave, të veprave të artit, vjedhjen edhe tjetërsimin e pronave, burgosjen, torturat dhe vdekjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, klerikë dhe laikë, të cilët besonin te Zoti dhe jetonin me moral të krishterë. Në vitin 1914, në Rusinë Cariste ekzistonin shumë kisha orthodhokse, manastire dhe priftërinj e murgj. Në vitin 1917, nisi kalvari i vuajtjeve të gjata për Kishën e Rusisë, të cilat sollën ndryshime të mëdha jo vetëm në strukturën, por edhe në jetën shpirtërore të mbarë vendit. Qeveria bolshevike mori në dorë gjithçka duke ushtruar dhunë. Në kishën e Rusisë, nga 30.000 kisha, me formimin e Bashkimin Sovjetik, numëroheshin vetëm 500. Nga viti 1917 deri në vitin 1938 u arrestuan mbi 130.000 klerikë orthodhoksë të çdo rangu, episkopë, priftërinj, dhjakë bashkë me murgj e murgesha. Nga këta, rreth 95.000 u vranë. Në maj të vitit 1922, patriark Tihoni u arrestua dhe u lirua në qershor të vitit 1923, por vazhdoi të ishte i mbikëqyrur. Për shkak të vuajtjes së madhe shpirtërore dhe trysnive që kaloi, shëndeti i tij u dobësua dhe ai vdiq në moshën 60-vjeçare, pasi më parë tha fjalët profetike lapidare: “Nata do të jetë e gjatë dhe e errët, shumë e errët…”.Shumë episkopë u arrestuan ose u detyruan të dorëhiqen, duke u zëvendësuar nga njerëz më të përshtatshëm për regjimin. Shumë veta u burgosën ose u vranë dhe një numër i madh manastiresh u mbyllën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1941, kur forcat naziste kishin hyrë në Bashkimin Sovjetik, diktatori Josif Stalin i detyruar nga rethanat e sulmit nazist, lejoi rigjallërimin e Kishës Orthodhokse të Rusisë për të intensifikuar mbështetjen në luftën patriotike. Midis viteve 1945 dhe 1959, Kisha u përhap në mbarë shoqërinë sovjetike, edhe pse disa anëtarë të klerit ende arrestoheshin dhe internoheshin, duke çelur mbi 22.000 kisha në mbarë territorin e vendit. Me ardhjen e Hrushovit në pushtet, nisi një persekutim tjetër i Kishës dhe u mbyllën shumë kisha, vetëm 7.000 u lanë të hapura. Pas Hrushovit, kur vendi drejtohej nga Brezhnjevi, vazhdoi e njëjta situatë dhe marrëdhëniet Kishë-Qeveri ishin jomiqësore deri në vitin 1988. Anëtarët e Kishës nuk mund të bëheshin pjesë e Partisë Komuniste dhe nuk mund të caktoheshin në detyra shtetërore. Megjithatë, një numër i madh i popullatës ishin besimtarë. Disa besimtarë dhe priftërinj orthodhoksë u bënë disidentë të regjimit dhe u kthyen në të burgosur të ndërgjegjes.

 

Por ky persekutim antikrisht, që në Shqipëri filloi të shfaqej që në vitet 45 me marrjen e pushtetit nga komunistët dhe kulmoi në vitin famëkeq 1967, mund të themi ishte një persekutim më i madh se ai i kishës dhe i besimtarëve në Rusi edhe në çdo vend të regjimit ateist komunist që përndoqi kishën. Kjo ndodhi sepse diktatori Enver Hoxha, një nxënës besnik i diktatorit Josif Stalin, ia kaloi mësuesit të tij në luftën kundër kishës, fesë dhe besimtarëve. Gjatë këtyre viteve, feja edhe komunitetet fetare ishin goditur sistematikisht. Në vitin 1967 fillon akti final barbar e djallëzor për të shkatërruar përfundimisht atë çfarë kishte mbetur nga konfiskimet e pasurisë kishtare, përndjekjesh me burgime, internime edhe ekzekutime ndaj klerit të lartë priftërinjve dhe besimtarëve laikë. Në këtë vit famkeq nis lufta klasore për çrrënjosjen e botëkuptimit fetar si dhe mbyllja e kishave dhe e çdo qendre kulti. Kjo ndodhi fill pas fjalimit të Enver Hoxhës më 6 shkurt 1967, për ta zhveshur popullin nga besimi fetar dhe për ta futur në botëkuptimin marksist-leninist. Më 4 prill u dha sinjali për persekutimin absolut të fesë edhe nisma e prishjes barbare fillon në manastirin historik orthodhoks të hierodëshmorit shën Vlash nga rinia e indoktrinuar e shkollës Naim Frashëri Durrës. Raporti informativ jep me shifra dhe detajon gjithë aksionin për shkatërrimin e objekteve fetare në Shqipëri dhe luftën e hapur kundër besimeve fetare. Ky numër arrin gjithsej në shkatërrimin e 2.169 objekteve të adhurimit, me kisha, xhami, teqe, dhe nga këto 608 ishin kisha ortodokse e manastire. U shpërbënë 3 episkopata, 19 zëvendësi arkihieratike e 330 enori. Përfundimisht, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, një kishë e themeluar që në shekullin e parë nga apostulli i kombeve, Pavli, ishte shpërbërë krejt. Me dekret të KQPKSH-së më 22 nëntor 1967, Shqipëria u shpall zyrtarisht shteti i parë ateist në botë në historinë e njerëzimit, ku ndalohej me kushtetutë çdo lloj shprehjeje fetare madje edhe të mendoje për Zotin, kjo gjë cilësohej nga Partia Komuniste si “një hap i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste”. Prandaj mund të themi se djalli ateist komunist me simbolin e yllit të kuq, draprin e çekanin, kokën e kishte në Rusinë e madhe, por fronin e kishte në Shqipërinë e vogël.

 

Gjithë ky persekutim apokaliptik i këtyre dy kishave simotra iu solli një të mirë dhe nder të madh atyre vetë, sepse të dyja kishat, me hirin e Krishtit, kontribuuan për riforcimin e tyre edhe të të gjithë Kishës së Krishtit, sepse themelet apostolike të Kishës edhe gurët e gjallë të besimtarëve në rrjedhën e shekujve janë lidhur fort me gjakun e Krishtit, të apostujve dhe të martirëve të çdo kohe dhe të neomartirëve të kohës së komunizmit. Shumë besimtarë të këtyre dy kishave, që rezistuan deri në fund dhe që ruajtën besimin, u vlerësuan nga hiri hyjnor të kishin një fund martirik dhe u bënë kështu qytetarë të qiellit, ashtu siç thuhet te Zbulesa: “Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre. Dhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: “Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit (Zotit Jisu Krisht)”…Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit”. ( Zbul 7:9-10-14).

 

Por, ashtu si Kisha Triumfale në qiell gëzonte me numrin e madh të martirëve, edhe ajo militantja në tokë, pavarësisht se përndiqej, nuk mund të vdiste përfundimisht, sepse Kisha është trupi i Krishtit të ngjallur, ku vdekja e çdo forme nuk ka më pushtet dhe vetë Krishti, Zoti i qiellit e i dheut, i jetës dhe vdekjes, i siguroi apostujt dhe gjithë besimtarët në shekuj se: “…dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë (Kishën)”. (Mateu 16:18). Kur diktaturat u rrëzuan si kështjella rëre me turp dhe diktatorët vdiqën si çdo i vdekshëm dhe u zhdukën si lulja e barit që thahet e nuk është më, mbas viteve 90, për të dyja këto kisha martire filloi një ringjallje e lavdishme si një pranverë pas një dimri të egër e të gjatë.

 

Në Rusi, Mitropoliti Aleksej i Leningradit u zgjodh patriark në vitin 1990 dhe frymëzoi rikthimin e një pjese të shoqërisë ruse në Kishën Orthodhokse, pas 70 vitesh shtypjeje. U hapën ose u ndërtuan mbi 15.000 kisha dhe përpjekja për rindërtimin e tyre u vazhdua edhe nga pasuesi i tij, Patriarku Kiril. Sipas të dhënave të 2 marsit 2011, Kisha Orthodhokse e Rusisë ka tashmë 164 eparhi (provinca) 217 episkopë, 30.675 enori ku shërbejnë 28.934 priftërinj dhe 3.625 dhjakë. Ajo ka 805 manastire dhe 30 shkolla teologjike. Në mbarë vendin, gjatë këtyre viteve, u vu re ringjallja e besimit dhe kjo solli një përpjekje të re riungjillizimi në mbarë Rusinë dhe në vendet e tjera ish-anëtare të Bashkimit Sovjetik, për të mbushur vakumin e vlerave, të shkaktuar nga rënia ekonomike e shtetit sovjetik. Kisha Orthodhokse e Rusisë ndihmoi gjerësisht grigjën e saj në zbutjen e plagëve shoqërore që krijoi periudha e re, si varfëria shpirtërore e materiale, shpërbërja e familjes dhe e njeriut në tërësi, luftoi në mënyrë aktive fenomene të rënda si krimin, drogën, prostitucionin dhe dhunën ndëretnike, duke u kthyer në faktor paqeje dhe bashkëjetese paqësore harmonike midis popujve dhe feve të ndryshme në rajon dhe në një mbartëse të vlerave të larta të Orthodhoksisë në botën bashkëkohore.

 

Kurse për Kishën inekzistente në Shqipëri, nismën për ringritjen e kishës e mori përsipër Patriarkana Ekumenike e cila i ka dhënë Autoqefalinë KOASH-it me Tomosin Patriakal në vitin 1937 dhe që ka përgjegjësi të mbështesë kishat orthodhokse në nevojë. Në janar të vitit 1991, Patriarku Ekumenik Dhimitri dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës zgjodhën si ekzark patriarkal episkopin e Andrusës, Anastasin, që në atë kohë ishte me shërbim hierapostolik në Afrikën Lindore. Ai erdhi në Shqipëri më 17 korrik 1991 dhe u prit si një engjëll i dërguar nga Perëndia nga një grup i vogël besimtarësh. Duke udhëtuar në mbarë Shqipërinë, konstatoi shkatërrimin e frikshëm dhe shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse. Pothuajse nga tri episkopatat, 19 zëvendësitë hieratike, 330 enoritë dhe 25 manastiret që kishte Kisha në administrim para vitit 1967, nuk kishte mbetur asgjë, pasuritë kishtare ishin të konfiskuara, kishat të transformuara në depo, stalla, reparte ushtarake, shtëpi kulture etj. Nga të gjithë klerikët kishin mbetur vetëm 12 priftërinj, tre dhjakë, asnjë episkop dhe madje shumica ishin të sëmurë dhe në moshë të thyer. Më 24.06.1992, me propozim të Patriarkut Ekumenik z. Bartolome u zgjodh me vota unanime Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, deri atëherë ekzark Patriarkal, z. Anastas Janullatos. Zgjedhja e Kryepiskopit Anastas ishte sipas rregullave të Orthodhoksisë një fakt i kryer kishtar. Ky akt iu bë i ditur me letra zyrtare patriarkale të gjitha Kishave Orthodhokse në botë për ta përfshirë në Diptikët e tyre pas 40 vjetësh mungese emrin e Kishës së Shqipërisë dhe emrin e primatit të saj, i cili po merrte përsipër ringritjen e saj nga gërmadhat. Në vitin 1998, kemi formimin e Sinodit të Kishës prej 4 anëtarësh dhe ky Sinod sot është prej 8 anëtarësh, kryepiskopi, 5 mitropolitë edhe 2 episkopë. Në vitet që pasuan, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që ishte shpërbërë krejtësisht nga persekutimi 23-vjeçar u ringrit tërësisht dhe u zhvillua në të gjitha fushat. U riorganizuan 460 enori orthodhokse dhe zhvillohet veprimtari liturgjike predikuese e katekiste në qytete e fshatra. U hirotonisën 155 klerikë të të gjithë gradave me arsim të lartë dhe nënshtetësi shqiptare. Janë ndërtuar 150 Kisha të reja, të mëdha e të vogla, janë restauruar 60 kisha, manastire, monumente kulture, janë riparuar 160 kisha. Janë ngritur, blerë dhe rikonstruktuar më shumë se 70 godina, 19 për kopshte, po ashtu qendra rinore në qytete e fshatra, shkolla, qendra shëndetësore, selitë mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfrit, e tërë vepra ndërtuese arrin mbi 450 objekte. U ndërtua Qendra mjekësore diagnostikuese Ungjillëzimi në Tiranë me 23 specialitete që ofron shërbime bashkëkohore dhe mjekësore. Qendra të kujdesit shëndetësor funksionojnë edhe në vende të tjera. Janë ndërtuar nga themelet katër shkolla me konvikte, funksionon Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në shën Vlash dhe dy shkolla të mesme kishtare me emrin “Kryqi i nderuar” në Gjirokastër dhe në Sukth të Durrësit. Në Tiranë funksionon kompleksi arsimor shqiptaro-amerikan me emrin “Protagonistët” po ashtu dhe në Durrës dhe në Gjirokastër shkolla 9-vjeçare “Frymë Dashurie”. Në Korçë funksionon, që prej vitit 2013, shkolla e mesme “Platoni”, në Mesopotam të Sarandës funksionon shkolla e mesme teknike “Apostull Pavli”. Në mjediset e manastirit të Shën Vlashit funksionon Shtëpia e fëmijëve, Shpresa. Në tetor të vitit 2012 u hap në qendrën Tabor shkolla e parë e Muzikës Bizantine me konvikt. Në Tiranë dhe Gjirokastër funksionon Instituti i formimit profesional “Frymë Dashurie”, në Tiranë funksionon kolegji Universitar “Logos”.

Gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi në vitet 1992, 1994 dhe 1997, Kisha Orthodhokse ka zhvilluar një veprimtari të gjerë sociale e humanitare duke siguruar e shpërndarë mijëra tonë ushqime, veshmbathje dhe ilaçe. Me iniciativën dhe kujdesin e vazhdueshëm të Kryepiskopit Anastas, Kisha Orthodhokse ka mbështetur një numër të madh programesh sociale ku përfshihen projekte zhvillimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtim rrugësh e ujësjellësash, programe për edukimin shëndetësor të fëmijëve dhe grave, ndihma për Institutet dhe personat me aftësi të kufizuara, azile, të burgosurit, dreka për të varfrit. Kisha ka kontribuar në ndihmë të të dëmtuarve nga fatkeqësitë natyrore.

Në vitin 1999, kur në Shqipëri mbërritën mijëra refugjatë nga Kosova, Kisha Orthodhokse, në bashkëpunim me Kishat e tjera në Europë, ndihmoi dhe strehoi 33 mijë refugjatë. Një Zyrë e veçantë e Trashëgimisë Kulturore merret me objektet orthodhokse të kultit që janë dhe monumente të kulturës sonë kombëtare, për riparimin e të cilave, nën përkujdesjen e Kryepiskopit, janë shpenzuar 11 milionë euro. Janë ngritur studio për pikturimin dhe restaurimin e ikonave. Deri sot janë restauruar rreth 600 ikona. U përgatit një brez i ri artistësh që po rigjallërojnë traditën tonë të pasur ikonografike. Që nga viti 1998, transmeton stacionin radiofonik “Ngjallja” me frekuencë 88.5 Mhz në FM. Ajo transemton 24 orë programe shpirtërore, kulturore, sociale, historike, muzikë kishtare, popullore e klasike si edhe shërbesa kishtare. Janë ndërtuar me kontributin e kishës dy hidrocentrale edhe po përfundon i treti; këto vepra hidrike ndihmojnë për mbarëvajtjen ekonomike të kishës edhe të vendit, etj.

 

Pavarësisht se shifrat e persekutimit, martirizimit, shkatërrimit edhe ringjalljes së dy kishave kanë një ndryshim të dukshëm, por, po t’i vendosim përballë popullsisë së Rusisë që sot ka 143,964,709 ku 41% janë ortodoksë, dhe Shqipëria sot ka 2,934,363 banorë ku afërsisht 21,2% janë ortodoksë dhe numrin e punëtorëve klerikë edhe laikë shërbejnë edhe punojnë në këto dy kisha, mund të themi se të dyja kishat motra janë të persekutuara edhe të ringjallura me të njëjtën lavdi, dhe nderim të njëjtë në të gjithë kishat orthodhokse simotra dhe kjo për lavdinë e Perëndisë Triadik, ashtu siç apostulli i kombeve Pavli na fton së bashku në një dhoksologji liturgjike të pandërprerë: “Edhe Atij (Perëndisë) që, sipas fuqisë që veprohet te ne, mund të bëjë shumë më tepër nga të gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Jisu Krishtit në gjithë brezat e jetës së jetëve. Amin” (Efesianëve 3:20-21).

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në Kryepiskopatën e KOASH-it, Tiranë

SHKARKO APP