E vërteta mbi çështjen çame dhe qendrimi i Athinës

Vorio-Epiri dhe Çamwria mbajnë në gjendje lufte fqinjët, Greqi-Shqipëri

 Nga Nuri Dragoj

Pasi kemi dëgjuar ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, kryeministrin Edi Rama, dhjetra analistë e deputetë, duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë e Greqisë, për heqjen e ligjit të luftës dhe zgjidhjen e çështjes çame, shqiptarët kanë mbetur sërish të zhgënjyer, të befasuar e mbase të tradhëtuar. Kjo për dy arsye: e para sepse minisitri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, deklaroi që, në marrëdhëniet dypalëshe janë bërë hapa përpara, sepse Shqipëria ka pranuar zgjerimin e varrezeve greke në Këlcyrë e Bularat, madje edhe se kufiri detar grek me Shqipërinë do të zgjerohet me gati 12 milje. Pas këtij pohimi, si ministri i jashtëm ashtu edhe kryeministri, u përpoqën ta justifikonin në mënyra të ndryshme pohimin e ministrit grek, duke përsëritur se çështja çame është në rrugën e zgjidhjes dhe se marrëveshja detare do të jetë më e mirë se ajo që nënshkroi qeveria “Berisha” 8-9 vite më parë. E dyta, sepse tri ditë pas këtij pohimi të Ramës, presidenti grek, i rrethuar nga general, oficerë e ushtarë të shumtë, deklaroi me ton ushtarak se Shqipëria nuk duhet ta hapi gojën për çështjen çame, e cila nuk ekziston, në të kundërt, ta harrojë Europën.

Kaq është e mjaftueshme për të kuptuar të vërtetën dhe për të mos besuar se mund të hartohet ndonjë marrëveshje në favor të Shqipërisë, pasi Greqia vetëm merr dhe nuk jep asgjë. Pas vitit 1980, në marrëdhëniet ndërshtetërore Shqipëri-Greqi, u vunë re tentativa të konsiderueshme për të riparuar plasaritjet shekullore me anë të dialogut. Këto iniciativa të ndërsjella dështuan, për shkak se Parlamenti grek, ende nuk e kishte hequr nga qarkullimi, dosjen famëkeqe të ligjit të luftës kundër Shqipërisë. Në vitin 1987, qeveria greke, e kryesuar nga Papandreu, kërkoi që të nxirrte jashtë funksionit ligjin e luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë, pasi prania e tij pengonte sipërmarrjet e mëdha ekonomike greke në Shqipëri. Por kjo nismë, që mund të kishte shkrirë akujt mes dy vendeve, nuk u pranua prej Parlamentit helen. Presidenti i asaj kohe deklaroi që, edhe nëse ky ligj shfuqizohej prej Parlamentit, Presidenti nuk ka asnjë ndikim mbi të, pasi ai ishte dekretuar nga mbreti. Presidenti i Republikës është një autoritet shumë i ndryshëm nga ai i mbretit. Kryeministri grek përsëriti, se qeveria e ka hequr ligjin në fjalë dhe se ai mbetet formalisht në letër. Kësisoj, zgjidhja e këtij paradoksi u shty për më vonë.

Përpjekjet për heqjen e ligjit të luftës vazhduan. Më 18 qershor 1999, me anë të Notës nr. 131, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, nëpërmjet Ambasadës shqiptare në Athinë, i kërkoi Ministrisë së Jashtme greke të vërtetonte këtë fakt. Ndërkaq, përgjigjja e MPJ greke, nëpërmjet Notës nr. 237/269, të datës 28 korrik 1999, qe se Ligji nr. 2636/1940 dhe Ligji nr. 4506/1965 ishte ende në fuqi. Për çështjen e ligjit të luftës, ministri i Shtypit dhe Informacionit i qeverisë greke, më datë 16 tetor 2000, në Athinë, i pyetur prej gazetarëve për mundësinë e shfuqizimit të atij ligji, deklaroi: “Ne mbetemi në pozicionin që kemi thënë… E dini shumë mirë, se është marrë vendim i Këshillit të Ministrave për këtë”. Ndërkohë, Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet për të sensibilizuar opinionin botëror rreth kësaj marrëzie, për të sensibilizuar Brukselin dhe Uashingtonin, për këtë problematikë të çmendur që Greqia kërkon t’i imponojë Shqipërisë, duke mbajtur në këmbë një ligj lufte të diskredituar.

Shkaqet që “detyrojnë” Greqinë të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë

Shkaku i parë është pretendimi grek  për “Vorio – Epirin”. Asnjë qeveri greke, duke filluan nga ajo e Kryeministrit Koletis më 1844 dhe deri më sot, nuk ka hequr dorë nga pretendimi absurd për aneksimin e Jugut të Shqipërisë, që ata e emërtojnë “Vorio – Epiri”. Le ta ndjekim me kujdes ecurinë e ngjarjeve. Më 17 nëntor 1940, u vra ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Xhaferr Ypi, në afërsi të shtëpisë së tij, gjatë një bombardimi grek në zonën e Kolonjës. Ushtria greke nuk mbajti përgjegjësi, duke e cilësuar incident anësor, që ishte bërë për shkak të keqllogaritjeve të sulmit.

Ushtria italiane u thye, por trupat greke nuk u tërhoqën. Greqia kishte si pikësynim pushtimin e pjesës jugore të Shqipërisë. Për të realizuar këtë qëllim, ajo bashkëpunoi edhe me gjermanët. Metaksa dërgoi në Berlin, Georgios Pesmatzogloun, me mision sekret, për të biseduar me autoritetet gjermane, lidhur me planin grek. Pesmatzogloun u tha atyre, se Metaksai dëshironte t’i jepte fund luftës italo-greke dhe se do t’u kërkonte britanikëve të largoheshin nga Greqia, me kusht që Greqia të mbante territoret e pushtuara në Shqipëri, si dhe Vlorën, të cilën ajo nuk kishte mundur ta pushtonte. Por, me mundjen e ushtrisë italiane, më 6 prill 1941 Gjermania vendosi të sulmonte Jugosllavinë, të kordinuar me ushtrinë italiane, në një kohë që luftëtarët shqiptarë u vunë në front për të penguar përparimin e forcave italiane. Brenda 10 ditësh ushtria jugosllave kapitulloi dhe një javë më vonë edhe 16 divizionet e ushtrisë greke. Britanikët dyshuan në qëndrimin e Metaksait për jugun e Shqipërisë, ndonëse ky i fundit nuk u shpreh hapur për aneksimin e territoreve shqiptare. Ministri britanik në Athinë, Palairet, njoftoi Londrën se qeveria greke “… nuk ka deklaruar asnjëherë, me saktësi, atë çfarë ka në mend, por unë kam dyshim se ata i kanë ngulur sytë në “Epirin e Veriut”. Andre Mikalopulos, zyrtar i qeverisë greke në mërgim, më 24 prill 1942, i deklaronte radios Evropa e Lirë, se kufiri me Shqipërinë fillonte disa milje në jug të Vlorës dhe mbaronte në ekstremitetin jugor të liqenit të Ohrit. Sipas këtij kufiri, të pretenduar nga zyrtari grek, Shqipëria do të humbiste 20 përqind të territorit dhe 25 për qind të popullsisë. Autori në fjalë pretendonte se këto zona ishin të banuara nga grekë e shqiptarë, të kthyer pjesërisht në të krishterë dhe pjesërisht në myslimanë, në pjesë të barabarta. Më 12 qershor 1942, Kryeministri grek i dërgoi një memorandum Presidentit të SHBA-ve, Ruzvelt, ku i kërkonte ndihmë për të realizuar pretendimet e tij për “Vorio-Epirin”. Sipas këtij memorandumi, Greqia kërkonte të merrte nga Shqipëria e Jugut rreth 1 900 milje katrore.

Presioni grek ndaj britanikëve dhe amerikanëve rritej çdo ditë. Ata këmbëngulnin në realizimin e planit të tyre, duke bërë përgjegjëse politikën shqiptare, si burim shqetësimesh për vendet ballkanike dhe veçanërisht për Greqinë. Në një mbledhje të qeverisë, më 14 dhjetor, kur ishte duke u pritur deklarata britanike, me anë të një note drejtuar Britanisë, thuhej: Nëse deklarata britanike nuk do të njihte në mënyrë eksplicite të drejtat e Greqisë në “Epirin e Veriut”, do të krijohej një përshtypje e hidhur dhe do të dobësohej rezistenca e popullit grek. Kombi grek, nuk do të pranonte asnjë zgjidhje që injoronte të drejtat “e ligjshme” të Greqisë në “Vorio-Epir”. Por shumë shpejt, shpresat greke u venitën, pasi më 11 dhjetor 1942, u publikua deklarata amerikane, e cila mbështeste pavarësinë e Shqipërisë dhe nuk shfaqte ndonjë rezervë për kufijtë e saj. Më 17 dhjetor 1942, qeveria britanike lëshoi një deklaratë, në të cilën dukej se ajo ishte në anën e pretendimeve greke, por ato duhet të mbeteshin për t’u diskutuar në Konferencën e Paqes. A. Eden, në një letër këmbimi me L. Hore, deputet i Dhomës së Komunave, pohonte: “Është krejt e vërtetë se, si grekët edhe jugosllavët, e ndjejnë veten shumë të prekur kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe, derisa ata janë aleatët tanë, ne jemi të detyruar t’i marrim parasysh ndjenjat e tyre.

Këtë qëndrim, Departamenti i Shtetit Amerikan, e vlerësoi si mospërputhje me interesat amerikane. Sigurisht, edhe diplomacia angleze nuk u kënaq nga përmbajtja e deklaratës amerikane. Dikson deklaroi: “Unë mendoj se është për të ardhur keq, që qeveria e SHBA-ve bëri një deklaratë për restaurimin e një Shqipërie të lirë, pikërisht si një konsekuencë e Kartës së Atlantikut”.

Pas kësaj, një mori ankesash janë drejtuar pranë qeverisë amerikane dhe asaj britanike, sipas të cilave, guerilet shqiptare, në emër të patriotizmit, po vrasin grekët në “Vorio-Epir”. Të gjitha këto u hodhën poshtë, pasi anglezët dhe amerikanët nuk konstatuan asgjë të tillë.

Me kapitullimin e Italisë, qeveria greke e intensifikoi punën për marrjen e jugut të Shqipërisë. Më 15 gusht 1944, ajo i kërkoi Departamentit të Shtetit Amerikan, që të miratonte okupimin e Shqipërisë së Jugut prej trupave greke, deri në lumin Shkumbin. Kjo orvatje, evidentohet në një dokument të Kabinetit të Luftës së SHBA-ve. Në të thuhet se, më 15 gusht, Ambasada e Greqisë ka kërkuar të mësojë, nëse ata janë dakord që Shqipëria të konsiderohet dhe të trajtohet si shtet armik dhe që trupat greke mund të marrin pjesë në pushtimin e Shqipërisë deri në lumin Shkumbin. Mirëpo kjo kërkesë nuk u mor parasysh prej qeverisë amerikane. Edhe anglezët nuk u pajtuan me teoritë e fqinjëve, gjoja, të vrasjes së grekëve nga njësitet guerile.

Majori Maklin, në një memorandum mbi Shqipërinë, shkruante: “Praktikisht, të gjithë shqiptarët, madje edhe shumica e ortodoksëve, janë me shpirt antigrek. Sa më afër kufirit grek, aq më shumë pakënaqësi, frikë dhe tension ekziston”. Sidoqoftë, Lufta e Dytë Botërore i rreshtoi shqiptarët dhe grekët në një front unik kundër nazifashizmit. Të dy shtetet fqinjë, u sulmuan prej italianëve dhe luftuan kundër okupacionit. Shqipëria, ashtu si edhe Greqia, ishte rreshtuar në radhët e koalicionit të Antantës, ku bënin pjesë edhe Fuqitë e Mëdha, si SHBA-të, Anglia, Bashkimi Sovjetik etj. Të dy vendet, në atë periudhë, kishin një armik të përbashkët, ndonëse pak muaj më vonë, Athina i kujtoi qeverisë shqiptare ëndrrën primitive të “Vorio-Epirit”.

Grekët nuk e njohën qeverinë e Enver Hoxhës, me pretendimin se ai ishte një mysliman që do të persekutonte minoritetin ortodoks në jug të vendit. Madje, ata shprehën mendimin, në qarqet ndërkombëtare, që ky shtet të mos krijohej fare. Në dhjetor 1944, iu drejtuan Departamentit Amerikan të Shtetit, me notë proteste, ku pretendohej se forcat qeveritare shqiptare keqtrajtonin minoritetin grek. Në këtë mënyrë, pala greke po përgatiste terrenin për një sulm dhe aneksim të “Vorio-Epirit”. Amerikanët i verifikuan pretendimet e tyre dhe e panë se ato nuk qëndronin. Edhe pas kësaj, politika greke organizoi një sërë sulmesh në jug të vendit, ndonëse Lufta e Dytë Botërore nuk kishte përfunduar ende. Në këtë kohë do të regjistroheshin 58 incidente në kufirin shqiptaro-grek. Më 1 shtator 1944, artileria greke goditi Konispolin, duke bërë reprezalje ndaj popullsisë civile.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Andreas Sofianopulos, më 9 korrik 1945, e shtroi çështjen e “Vorio-Epirit” edhe në takimin me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, të cilit i kërkoi mosnjohjen prej SHBA-ve të regjimit komunist, pasi Hoxha nuk përfaqësonte shumicën e popullit. Në fillim të vitit 1945, Departamenti i Shtetit përgatiti një Studim mbi Gjendjen Aktuale të Shqipërisë. Në këtë studim përjashtohej, kategorikisht, plotësimi i kërkesave greke për “Epirin e Veriut”. Veç të tjerash, në të vlerësohej orientimi politiko-shpirtëror i kombit shqiptar, “si një komb me orientim të theksuar dhe të konsoliduar perëndimor, ku rryma proamerikane zë peshën kryesore”. Në Studimin e Departamentit të Shtetit, sipas dokumenteve arkivore, kërkohej që politika britanike të rishikonte qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë, pasi “Britania e Madhe ishte më shumë e interesuar për të forcuar Greqinë sesa Shqipërinë, dhe se ajo mbështeste pretendimet greke ndaj “Epirit të Veriut”, duke i dhënë kështu kapital politik grupit prolindor, në përpjekjet e tij për ta riorientuar Shqipërinë nga Lindja, drejt Jugosllavisë dhe Rusisë”.

Shqetësimet e diplomacisë amerikane, të bëra publike në atë kohë, rezultuan profetike: komunistët shqiptarë lidhën aleanca paradoksale me Jugosllavinë dhe Rusinë, duke zhdukur fizikisht përfaqësuesit e shquar të nacionalizmit shqiptar. Pasi u njohën me qëllimet greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, në fillim të vitit 1946, Shefat e Shtabit të Bashkuar të Ushtrisë Amerikane, përgatitën një memorandum për Departamentin e Shtetit, në të cilin shpreheshin “… kundër ndonjë pozicionimi amerikan në mbështetje të synimeve greke, në Konferencën e Parisit”.

Shkaku i dytë janë pronat çame

Napoleon Bonoparti ka thënë se të madhërishmen nga qesharakja, e ndan vetëm një hap. I tillë është edhe ligji i luftës me Shqipërinë dhe mbajtja gjallë e tij për shtatëdhjetë e tetë vjet. Ai ka për qëllim, justifikimin e martirizimit dhe eksodit biblik të popullsisë shqiptare çame, si edhe të sekuestrimit arbitrar të pronave të tyre. Titulli i këtij ligji, në dokument, është: “Ligji i detyrueshëm nr. 2636 i datës 10 nëntor 1940, mbi veprimet juridike të armiqve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike”. Duke ditur rrezikun që paraqeste ligji në fjalë, qeveria shqiptare ka bërë herë pas here përpjekje për heqjen e tij, i cili qëndron si një perde e zezë midis dy vendeve, por rezultatet kanë qënë negative. Në vitin 1955, shteti shqiptar, me anë të kanaleve të ndryshme diplomatike, kërkoi nga qeveria greke shfuqizimin e ligjit të luftës. Kërkesa u bë publike në gazetën Zëri i Popullit të atij viti. Ndërkohë, përgjigja nga qeveria e Athinës ishte se, për një gjë të tillë duhet të vendoste Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Greke – një përgjigje që, fare mirë, mund të konsiderohej provokim i hapur. Në këtë kohë, masat në kufirin greko-shqiptar u shtuan më shumë se zakonisht.

Problemi i pronave çame është mjaft i ngatërruar. Grekët i kanë klasifikuar ato në kapitullin B, të ligjit të kthimit të pronave, i cili titullohet: Pasuri armike, konfiskim konservativ. Në nenin 6, të ligjit, thuhet: “Pasuritë armike në Greqi vihen nën konfiskim konservativ, qysh prej vënies në zbatim të këtij ligji. Ndalohet dhe është i pavlefshëm çdo disponim i këtyre pasurive prej një zotëruesi armik, ose në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji”. Në nenin 7-1 thuhet: “Si pasuri armike në Greqi konsiderohen elementet pasurore të mëposhtme, kur ato u përkasin ligjërisht ose ekonomikisht personave armiq në kuptimin e nenit 1: a) Sende të luajtshme ose të paluajtshme, të ndodhura në Greqi. b) Letra me vlerë dhe tituj të tjerë, të çdo lloji, të ndodhur në Greqi, obligacione të shtetit grek, të ndërmarrjeve dhe organizatave (organizmave), që kanë rezidencën e administratës së tyre ose qendrën e shfrytëzimit të tyre në Greqi, qoftë edhe kur titujt përkatës ndodhen jashtë shtetit. c) Para dhe mjete pagese të ndodhura në Greqi.

Kështu, në nenet 6 dhe 7 të kapitullit B, del qartë se konfiskohen pronat e shtetasve shqiptarë në Greqi. Për ta flitet shprehimisht, së pari, në kapitullin A, Veprime juridike armiqsh, neni 1, pika (b), që thotë: “Personat që gëzojnë shtetësinë e shteteve armike, sipas rastit (a), ose që kanë banim apo qëndrim të përhershëm në to”. Është e qartë se, në periudhën e para çlirimit, por dhe në vitet e pas çlirimit, për popullsinë shqiptare çame ky ligj nuk mund dhe nuk duhej të gjente zbatim, për arsye se çamët vërtet ishin me kombësi shqiptare, por ata ishin, në të njëjtën kohë, shtetas grekë, si të gjithë grekët e tjerë.

Pronat e lëna, prej shqiptarëve të Çamërisë, janë të gjitha të kadastruara dhe të hipotekuara nga kadastra helene, si pasuri të shtetasve grekë. Pas largimit të dhunshëm të çamëve, më 1944-1945, pronat e tyre u riinventarizuan prej shtetit të asaj kohe dhe i kaluan në zotërim Bankës Agrare, me qendër në Gumenicë dhe Janinë. Në vitet e mëvonshme, këto prona u janë dhënë në përdorim banorëve që kolonizuan zonat çame. Këta posedues të rinj, i kanë paguar rentën e tokës Bankës Agrare Greke, e cila i ka depozituar për llogari të ish-pronarëve të tokës. Thuhet se nga qeveria greke janë ndërmarrë, herë pas here, miratime ligjesh, të cilat e vështirësojnë zgjidhjen e këtij problemi. A. Papadhopullos, në librin e tij Epiri, vendi, universalizmi helen dhe nacionalizmi shqiptar, Athinë 1992, f. 117, shkruan: “Gjykata Speciale për kolaboracionistët e Janinës, me vendimin nr. 344, datë 23.05.1945, vendosi të dënonte në mungesë, 1 930 çamë myslimanë dhe shumë prej tyre edhe me vdekje”. Nëse do t’i referohem formulimit të nenit 15, të Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, shteti grek nuk detyrohet t’u kthejë paratë çamëve, të cilat ia ka kaluar në pronë shtetasve të tij. Kështu u mbyll, përfundimisht, ai kapitull që kishte munduar, për një periudhë të gjatë kohe, atë krahinë të përgjakur.

Sipas një dokumenti të gjykatës së Janinës, qysh në vitin 1976, i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve të tjera, pafajësia e të dënuarve çamë në vitet 1945-1946. Akuza ndaj çamëve nuk ka asnjë bazë ligjore dhe qëndrimi grek, që vazhdon t’i trajtojë çamët ende si bashkëpunëtorë të nazizmit, përbën krim dhe persekutim politik ndaj tyre, në një kohë kur është vetë shteti grek që ka kryer krimin e genocidit kundër njerëzimit, në dëm të çamëve.

Në një udhëzim të Ministrisë së Financave të Greqisë, më 9 korrik 1947, thuhet: “Përjashtojmë nga zbatimi i dispozitave të ligjit të detyrueshëm me numër 2636/1940, personat fizikë me origjinë greke, që gëzojnë shtetësi shqiptare në konditat që vijojnë:

  1. a) Dispozitat e këtij ligji nuk gjejnë zbatim, për sa u përket personave që kanë shfaqur një sjellje antikombëtare, sjellje e cila duhet të verifikohet prej një komisioni të caktuar, sipas nenit 19 të ligjit të detyrueshëm, 2636/1940.

Duhet bërë e ditur se: Dispozitat e Ligjit të Luftës nr. 2636/1940, vihen në zbatim tërësisht ose pjesërisht, me anë vendimesh të përbashkëta, të kuartetit të përbërë nga kryetari i qeverisë, ministri i Jashtëm, ministri i Financave dhe ministri i Drejtësisë, pasi të botohen në Fletoren Zyrtare. Neni 21 i ligjit nr. 2636/1940, i cili është një nen i rëndësishëm që ndihmon për heqjen e sekuestros konservative të pasurive të shqiptarëve në Greqi, nuk është vënë asnjëherë në jetë prej grekëve. Që ligji i luftës me Shqipërinë të anulohet prej qeverisë greke, qeveria shqiptare duhet të kërkojë nga Greqia: 1-Parlamenti grek të shfuqizojë ligjin e sipërpërmendur. 2-Ligji që konfirmon shfuqizimin e ligjit të luftës, të firmoset nga Presidenti i Republikës Greke. 3-Shfuqizimi i ligjit të luftës me Shqipërinë, nr. 2636/ 1940, të shpallet rregullisht në Gazetën Zyrtare Greke.

Pronat e çamëve i kërcënon edhe ligji tjetër, nr. 2664, datë 27.11.1998, i botuar në Fletoren Zyrtare greke, datë 3 dhjetor 1998, për Kadastrat Kombëtare dhe dispozita të tjera, i cili shmang të drejtën e pronësisë për çamët. Në nenin 6, regjistrimet e para, afati i kundërshtimit, thuhet: “Padia ushtrohet nga kushdo që ka interes të ligjshëm brenda afatit pesëvjeçar, vetëm në rastet kur është shtetas grek dhe banorët që qëndrojnë definitivisht jashtë shtetit, afati i padisë është shtatë vjet”. Duhet patur parasysh që pasuritë e paluajtshme, që nuk regjistrohen deri në datat 5 tetor 1999, quhen paskëtaj pronë publike, dhe këto duhen kërkuar me gjyq brenda afatit kohor prej 5-7-vjetësh. Pra, sipas këtij ligji grek, më 27.11.2005, nuk ka më prona të shqiptarëve në Greqi.

Në janar të vitit 1991, Kryeministri grek, Micotaqis, pas përmendjes së këtij problemi nga R. Alia, deklaroi në Shqipëri se “çështja çame nuk ekziston dhe për qeverinë greke konsiderohet e kapërcyer”. Në maj 1992, u krye vizita e dytë e Kryeministrit grek në Shqipëri. Me ngritjen e çështjes çame nga Presidenti shqiptar, Sali Berisha, në takim me Kryeministrin Micotaqis, shënohet edhe fundi i heshtjes zyrtare të shtetit shqiptar për problemin çam. Ky i fundit deklaroi, se Greqia nuk do ta pranonte kthimin e tyre, për shkak se ata trajtoheshin si kriminelë lufte dhe se politika greke mbështetej në ligjet për kriminelët e luftës.

Në fakt, nuk janë çamët ata që bashkëpunuan me armikun. Akademiku grek, Apostolos Vacalopoulos, në Historia e Greqisë Moderne, (botim i Horvathit, viti 1992), shprehet: “Gjermanët ditën të përfitojnë nga kundërshtitë dhe rivalitetet midis grekëve. Duke studiuar me gjakftohtësi situatën psikologjike, vuajtjet, presionet, ambiciet e disa personaliteteve, ata zbatuan me shkathtësi taktikën përça e sundo, duke shtuar mosmarrëveshjet në dobi të tyre. Populli grek u nda. Njëra palë paditi tjetrën, te gjermanët, në çastin kur fitorja dukej në horizont dhe pushtuesi bëhej gati që të largohej”.

Lojën greke, në dëm të interesave shqiptare, e cila vijon të jetë prezente çdo ditë, na e jep edhe historiani Delvina, i cili shkruan: “Pesë ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996, shkoi në kryeqytetin e Greqisë ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, A. Serreqi. Ai nënshkroi, me Pangallosin, marrëveshjen për punësim sezonal të shtetasve shqiptarë në Greqi… Në mars të vitit 1996, së bashku me Stefanopullosin, ai nënshkroi Traktatin e Miqësisë e të Bashkëpunimit midis dy vendeve. Sipas këtij traktati “miqësie”, pronat e shqiptarëve në Greqi do të administroheshin nga ligjet greke, d.m.th nuk do t’u jepen kurrë çamëve. Kurse në Shqipëri pronat e grekëve do të administroheshin sipas ligjeve shqiptare, do të thotë: minoritetit grek t’i jepen tokat e shqiptarëve”.

Njohja prej shtetit të sotëm, shqiptar, i së drejtës së mohuar, të çamëve që kanë lindur në Çamëri (si dhe e fëmijëve të tyre), për të gëzuar shtetësinë e prindërve, pra për të gëzuar dyshtetësinë, do të përbënte një veprim të rëndësishëm, i cili do të krijonte mundësinë, që Shqipëria t’i trajtonte të drejtat e popullsisë çame, si të drejta të shtetasve grekë. Dihet mirë se pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në një kohë që vazhdonte Lufta Civile në Greqi, shteti grek dëboi me dhunë nga vatrat e veta amtare mijëra shqiptarë të Çamërisë, duke i detyruar të vendosen në Republikën e Shqipërisë. Çamët e shpërngulur me dhunë dhe të strehuar në Shqipëri, kanë pasur pa përjashtim shtetësi greke, shtetësi që sipas akteve ndërkombëtare dhe vetë Kushtetutës së Greqisë, duhet ta kenë të pacenuar edhe sot. Në dekretin e dhënies së shtetësisë shqiptare thuhet: “Personat me kombësi shqiptare, nga Çamëria, që banojnë në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe që nuk kanë fituar gjer më sot shtetësinë shqiptare, me hyrjen në fuqi të këtij dekreti, marrin shtetësinë shqiptare”; neni Kjo mënyrë e dhënies së shtetësisë shqiptare, en bloc, dhe pa u kërkuar nga personat e interesuar, në mënyrë individuale, nuk ka shembull në traditën e legjislacionit tonë, qysh prej themelimit të shtetit shqiptar e deri sot.

Në qershor 2008, një deputet i Parlamentit shqiptar, me origjinë çame, u tërhoqi vëmendjen deputetëve të tjerë, për indiferencën e treguar prej Kuvendit ndaj kësaj tragjedie të rëndë, pasojat e së cilës vijojnë edhe sot. Ka gati një shekull që çështja çame, si një përrua i pagjumë, ka vazhduar herë të mërmërisë nën dhé, si me Perënditë, herë të shpërthejë me rënkime gjaku mbi dhé, duke u qarë hallin njerëzve dhe kombeve. Tanimë, pa pritje të mëtejshme, nga tejfryrja, ajo ka dalë në deltën e saj, duke trokitur fort në forumet ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit, në një raport për të drejtat e njeriut në Greqi, në vitin 1993, për herë të parë pas 40 viteve, del zyrtarisht me evidentimin e çështjes çame. Raporti, si një dokument i rëndësishëm, përbën një përkrahje të madhe në përpjekjet e popullatës së martirizuar të Çamërisë, për të fituar të drejtat e ligjshme të mohuara deri më sot. Raporti për të Drejtat e Njeriut, në vitin 1993, i është paraqitur Komitetit të Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, të Senatit të SHBA­ve, nga Departamenti i Shtetit, në përputhje me seksionet 116(d) dhe 502(b) të ligjit të ndryshuar të vitit 1961.

Në faqen 904 të këtij raporti, në pjesën ku bëhet fjalë për shkeljen e të Drejtave të Njeriut në Greqi, ndër të tjera, thuhet: “Çamët, shqiptarë etnikë, që u dëbuan prej Greqisë Veriore nga fundi i viteve 1940, kanë kërkuar rikthimin e shtetësisë greke dhe pasurisë së tyre, konfiskuar në atë kohë. Qeveria greke shprehu një farë gatishmërie për të diskutuar lidhur me kompensimin e pasurisë, por nuk njeh pretendimin për shtetësi të quajtur historike”.

Senatorja e Nju-Jorkut, Hillari Klinton, çështjen çame e ngriti me aq dinjitet në Senatin Amerikan, duke i zgjuar ndjeshmërinë e përgjumur edhe Parlamentit Evropian. Katër vite më parë, Beniamin Gilman, Kryetari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Kongresit Amerikan, i përgjigjet shoqatës Çamëria: “Ju falënderojmë për të dhënat që na dërgoni mbi popullin çam në Shqipëri. Çështjet që kanë të bëjnë me të Drejtat e Njeriut dhe trajtimin e minoriteteve etnike, përbëjnë një shqetësim të madh për mua e për Komitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare”.

Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, në Kongres, Chaduil Gore, deklaron: “Athina nuk i ka kushtuar aspak vëmendje çështjes çame. Përvoja me këtë grup etnik është unike, në dëbimin e tyre në vitet ’40, aq sa edhe pamundësia që i vënë rikthimit të tyre në Greqi dhe së drejtës së rikthimit të pronave”. “Çamët në Greqi duhet të gëzojnë po ato të drejta që gëzojnë edhe pakicat greke në Shqipëri”, janë shprehur një grup parlamentarësh Evropianë, drejtuar nga Kris Paten. Eurodeputetët Marco Panela, Mauricio Turco, Marco Kapate, Xhanfranco del Alba, Benedeto dela Vedova dhe Olivier Dypui, gjykojnë se “vetëm kur pakica kombëtare çame në Greqi dhe ajo greke në Shqipëri, do gëzojnë të njëjtat të drejta, vetëm atëherë marrëdhëniet mes popullit grek e atij shqiptar do të jenë të çiltra e të shëndosha”.

Për të gjitha këto probleme, të popullsisë çame, ka dhe një rezolutë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila kërkon nga qeveria greke– riatdhesimin e popullsisë çame dhe kthimin asaj, të pronave të veta. Edhe popullsia çame, e përfaqësuar prej shoqatës Çamëria, vazhdimisht ka kërkuar nga qeveria greke, riatdhesimin në trojet e veta dhe kthimin e pronave të grabitura me dhunë nga qeveria greke. Ata kanë kërkuar edhe hapjen e shkollave shqipe për shqiptarët në Çamëri. Fatkeqësisht, të gjitha këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhët.

Historiani P. Xhufi tërheq vëmendjen se pala greke kërkon të harrohet ky problem dhe të flitet vetëm për minoritetin grek në Shqipëri, madje të zgjerohet ai sa më shumë, jashtë realitetit. Ata duan të na imponojnë, me qëllim që Shqipëria, të mos interesohet fare për një problem që ka të bëjë me një popullsi që nuk është e pakët. Bëhet fjalë për mbi 200 mijë çamë. Greqia i ka hequr tërësisht nga axhenda bisedimet për çështjen çame, duke pohuar në këtë mënyrë, një regres të jashtëzakonshëm. Edhe në kohën e komunizmit është shtruar ky problem, në bisedimet midis Micotaqit dhe Kryeministrit të fundit të Shqipërisë, Adil Çarçanit. Greqia pranoi që të trajtohej çështja çame në marrëdhëniet dypalëshe. Po kështu, edhe pas vitit ‘92 është shtruar ky problem nga Kryeministri Meksi dhe ministri Serreqi, me insistim dhe patriotizëm. Pala greke, asnjëherë nuk thotë se nuk e njeh këtë çështje. Më 1999, Kryeministri Ilir Meta e rishtroi me forcë në Athinë çështjen çame, në një takim zyrtar me Kryeministrin Simitis. Sot, teksa kemi arritur në fund të detit, grekët deklarojnë se nuk pranojnë të ulen në tryezë, për marrëdhëniet shqiptaro-greke, nëse shqiptarët hapin gojë për çështjen çame. Në të vërtetë, këtu kemi të bëjmë me tërheqje të palës shqiptare… Në vend të avancohej, në 17 vjet të demokracisë, është pranuar diktati grek dhe çështja çame është shuar.

Në radhë të parë, ky problem duhet të ngrihet me forcë nga vetë çamët, që janë një komunitet i fuqishëm, me potenciale intelektuale dhe financiare. Ata duhet të angazhohen, siç kanë bërë kohët e fundit, për të sensibilizuar opinionin brenda vendit dhe atë ndërkombëtar. “Nëse zoti Fratini thotë se nuk është informuar për çështjen çame, e cila ishte një përgjigje diplomatike, – shpjegonte kohe me parë profesor Xhufi, – unë jam i bindur se ai është i informuar. Atëherë shoqata Çamëria, Partia Bashkimi Demokrat për Integrim, duhet të jenë më agresive në parashtrimin e problemit çam në kancelaritë evropiane dhebotërore. Është në të drejtën e tyre që ta paraqesin problemin me forcën e duhur. Nëse ata heshtin, problemi nuk do të zgjidhet kurrë. Bota ka nevojë të shohë shqetësimin e tyre, ta prekë atë, ta jetojë këtë shqetësim dhe pastaj të interesohet dhe të mësojë më shumë për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare. Kjo është një e drejtë e ligjshme e çamëve. Thashë, është bërë një hap përpara. Edhe zonja Doris Pack e pranoi çështjen çame në Parlamentin Evropian. Madje, shprehu dhe zhgënjimin e saj ndaj Greqisë, e cila nuk lejon çamët që të shkojnë të kryejnë një detyrë minimale – atë të nderimit të varrezave të të parëve. Kjo ka rëndësi të madhe. Pra, ka një bisedë që është filluar, por duhet vazhduar me shumë forcë nga vetë çamët. Ne nuk duhet të lejojmë që grekët ta fshijnë çështjen çame nga diskutimet, sepse nuk ka qenë e tillë. Është diskutuar dhe vitet e kaluara dhe duhet të diskutohet akoma më me forcë, sepse ka ardhur koha që duhet të identifikohen dhe rrugët e zgjidhjes së problemit çam. Qeveria shqiptare nuk duhet ta heqi për asnjë çast çështjen çame, nga axhenda e bisedimeve me palën greke.

SHKARKO APP