Edward Hopper, piktori që nuk bëhet dot i treti
Nga Enton Panariti*/Hera e parë që do shihja një album me pikturat e Edward Hopper-it ishte nga fundi i viteve ‘80 si një përpjekje personale në kërkim të diçkaje tjetër, më moderne se sa ishte dhe kërkohej nga kurrikula e kohës. I velur me realizmin e kohës dhe me euforinë moshës nuk më tërhoqi shumë, por më la me një “por” të madh në mendje, më risolli ankthin e filmave të Hiçkokut.
Ngacmim ishte mbresëlënës. Nuk isha në gjendje të gjeja lidhjen, por as nuk i largoja dot nga mendja ato faqe albumi. Kjo marrëdhënie e çuditshme do vazhdonte për shumë e shumë vite me radhë deri sa nga fundi i viteve ‘90 do gjendesha fizikisht afër me vendlindjen e tij.
Hopper është lindur në veri të NY në një qytet që quhet Upper Nyack . Talentin për artin ai e shfaqi që në fëmijëri dhe vazhdimisht pati suportin e familjes, e cila i përkiste shtresës së mesme me rrënjët në Holandë. Për 6 vjet ai do studionte në NY School of Art and Design me emra të njohur si W.M. Chase dhe Robert Henri, emra që do linin mbresa në memorien e tij profesionale.
Motoja e viteve të shkollës do ishte shprehja e R. Henrit: “lëreni artin, por pikturoni piktura për çfarë ju intereson ju në jetë”, në sinkron të plot me Charles Baudelaire, i cili i këshillonte artistëve të njëjtën gjë në Paris.
Gjatë këtyre viteve bëhet anëtar i Ashcan School of American Art. Vitet e shkollës dhe eksperienca e fituar në të do shërbente për t’u punësuar si ilustrator në një agjenci reklamash. Megjithëse nuk i pëlqente të bënte ilustratorin prapë kjo gjë i jepte një të ardhur të vazhdueshme dhe të mjaftueshme për të kursyer dhe bërë plane për udhëtime jashtë Amerikës. Parisi ishte qytetit i preferuar. Por kryeqyteti europian dhe qytetet e tjera në kontinentin e vjetër, jeta në to, teatrot, baletet dhe shout e kohës ishin ato që do ndikonin mbi Hopper-in më shumë se sa era e vajit të linit i holluar me terpentine në pikturat e mjeshtërve të kohës. Vite më vonë në një intervistë ai do shprehej se gjatë atyre viteve ai nuk e dëgjoi asnjëherë emrin Pikaso. Fakt është që ai nuk pati asnjë influencë nga rrymat moderne që ishin në qarkullim në Parisin e kohës. Por Parisi në vetvete ishte një histori tjetër. ” Mu desh 10 vjet për të larguar Parisin nga mendja” kështu do ta përkufizonte ai vetë efektin që ai qytet kishte lënë mbi të vite më vonë.
Hopper i përkiste brezit të parë të artistëve amerikanë që kërkonin një ndarje të përnjëhershme dhe pa kushte me Parisin. Klima artistike në Amerikë ishte e ndryshme me atë në Europë kështu që personaliteti dhe cilësitë artistike të tij do të zhvilloheshin në përputhje me kohën dhe vendin në të cilin ai jetonte. Në vitet ‘20 realizmi ishte shpallur si e vetmja rrugë e artit amerikan dhe si modernizmi i ri, i cili shkonte mjaft mirë me karakterin e tij të fortë, individualist dhe me plot kurajë për t’i shkuar gjërave deri në fund edhe kur i duhej të zbulonte bukurinë e një realiteti pa shumë ngjyra.
Pasioni për letërsinë, teatrin dhe filmin si atë amerikan ashtu edhe atë francez do ta afronin atë gjithmonë e më shumë me atë realitet që ishte në fakt brenda në shpirtin e tij dhe që do bëhej çelësi suksesit artistik. Realiteti ishte i rëndësishme dhe nuk mund ta anash kaloje dot, por shumë i mërzitshëm po të mos kthehej në art. Parisi ia kishte mprehur konfidencën dhe logjikën analitike për t’u përballur me realitetin amerikan dhe mbase kjo do ishte e vetmja influence nga realizmi francez i llojit të Degas. Aftësia e tij për ta asimiluar, transformuar dhe sintetizuar realitetin duke krijuar imazhe që kushdo mund të ndihet familjar me to lidhet me kohen kur ai ishte ilustrues për revistat e kohës. Etching, akuarelet dhe ilustrimet në përgjithësi e përgatiten dhe inkurajuan atë për të krijuar kompozime realiste me mister brenda nga ato që thonë pak më shumë se sa tregojnë. A ishte Hopperi vallë një pesimist i lodhur nga realiteti apo një realist i madh i mbushur me mister?
Periudha e udhëtimeve piktorike në Gloucester and Cape Cod ku akuareli dhe etching ishin mjeti i tij kryesor. Skenat e bregdetit dhe varkat e peshkimit do ja linin vendin vajit me skena nga Nju Jorku, por ai nuk ishte aspak i interesuar në madhështinë e qytetit, dritat vezulluese ose turmat e zhurmshme të Manhattan-it. Ai nuk kishte për qëllim t’i jepte Manhattan-it atë mondanitetin francez me kafe të mbushura me intelektualë që gëlojnë nga ide pa fund dhe që trefishohen mbas çdo gote alkooli.
Amerika nuk ishte Europë dhe Nju Jorku nuk ishte Parisi. Në fillim të viteve ‘30 ai kishte analizuar dhe sintetizuar gjithçka që i pëlqente nga arti francez dhe po përshtaste me sukses gjithë njohuritë e grumbulluara në një skenë klasike amerikane me pjesë nga jeta e përditshme njujorkeze e pikturuar me ngjyrat dhe dritë-hijet e kohës. Po në këto vite do vine ekspozita e parë në Moma dhe nga fundi i këtyre viteve bashkë me rritje e produktivitetit do rritej edhe statura e tij si artist. Vitet ’40 do ta gjenin Hopper-in duke krijuar veprat e tij më të rëndësishme si “Nighthawk”, hotel “Lobby”, “Girle show”, “Morning in a city”, “Office at night”, me të cilat do vuloste të ardhmen e tij si artist. Hopper ishte një vëzhgues i kujdesshëm i modës, i sjelljeve të publikut dhe i pozicionit social të personazheve të tij. Asgjë nuk është kot dhe asgjë nuk shkon për asgjë. Në këtë mënyrë ai kujdeset që të krijojë karaktere në skena të thjeshta, por shumë intriguese. Figurat e tij duken të vizatuar Jo korrekt dhe me pak defekt, por në fakt kjo jokorrektësi vihet në funksion të atmosferës që ai krijon. Pikturat e tij janë gjithmonë të hapura për interpretim dhe në përgjithësi ato janë në pritje të diçkaje që mund të ndodhi nga minuta në minute, heshtje e mbushur me erotizëm, ankthi është në ajër, ajri në to është i mbushur me ndjenja e mendime që rrjedhin e ja lënë vendin njëra tjetrës nga melankoni e thjeshtë në përhumbje totale.
Përtej atij xhamit të lokalit, ballkonit të shtëpisë, ambientit të një dhome është presente diçka tjetër e pakonkretizueshme që sillet rrotull, por nuk ndodh. Kritika e ka lidhur këtë me personalitetin dhe mënyrën e jetës së tij. Ai ishte një personalitet i mbyllur në jetën e përditshme i painteresuar për jetën e të tjerëve, por edhe një vëzhgues i kujdesshëm, i cili jo gjithmonë mbante gjithçka përbrenda. Kompozimet janë tipike amerikane me Fusha dhe hapësira të mëdha pa fund dhe kjo ndodh edhe kur ka si subjekt vetëm një shtëpi, një tren, një femër nudo në një dhome, e vetme, ku edhe muret janë bosh. Tensioni nervor është i njëjtë në të gjitha pikturat e tij dhe vjen duke u rritur, diçka është gati për të ndodhur, njeriu është vetëm me veten e tij edhe kur ka më shume se një figurë, në kuadër mungon komunikimi frymor, midis personazheve ka një heshtje që i imponohet shikuesit, ambienti është kërcënues edhe kur është i ndriçuar mire dhe pa ndonjë shkak konkret të dukshëm. E gjitha kjo ndodh me një pikturë ku nuk ka në fokus një figurë të vetme ose një motiv qendror rreth të cilës rrotullohet gjithçka. Personazhet nuk pozojnë ata janë kapur në një moment skenik si në një sekuence filmi. Ndërsa, ai, spektatori, artisti, vëzhguesi është i lirë i pavëzhguar nga askush, i lirë nga çdo kufizim për të parë jetën në skenë deri në detaje. Mbas vitit 1940 Hopper do krijonte një grup pikturash që kishin në qendër të vëmendjes figurën e femrës disi të vetmuar dhe disi të shqetësuar diku me doza të theksuara sensualiteti dhe diku jo, por e përbashkëta është se të gjitha janë të mbyllura në veten ose në hallin e tyre. Evidente kjo është te “Girle shou”, ku figurës i mungon gjallëria dhe entuziazmi i shfaqjes megjithëse është “stripclub”.
Te “Office at Night” heshtja dhe tensioni janë tërësisht sensual. Një figurë bosi i ulur në tavolinën e tij të punës, një sekretare bionde dhe belhollë me fustan të derdhur mbas trupit që vë në dukje linjat seksi të pjesës së mbrapme të saj qëndron në këmbë duke parë vjedhurazi diku poshtë një letër- dokument të rënë nga tavolina. Mbase e hedhur me qëllim poshtë pranë tavolinës të bosit që duket sikur nuk ka vënë re asgjë se ç’po ndodh ose thjesht po pret reagimin e sekretares ose asnjëra nga këto.
Do ulet sekretarja ta marrë? Ata janë vetëm në zyrë dhe jashtë është natë. Dëshirë, heshtje, vetëpërmbajtje, deziluzion dhe tension erotik që do priste hekurin me qime. Do përkulet sekretaria për t’ja dhënë “letrën” bosit? Hopper është mjeshtër i situatave me dy kuptime. Ai e dinte mirë që fantazia ngacmohet më së miri nga realiteti i interpretuar pak ndryshe dhe skena te lëna gjysmë në mister, por me dozën përkatëse. Si një entuziast për filmin dhe teatrin ai arrin ta pasqyrojë me forcë errësirën dhe dramacitetin e skenës në pothuajse të gjitha pikturat e tij. Nata i bën gjërat më misterioze. Misteri i dritës në errësirë ishte interesi i tij, por mbi të gjitha ai i dritës artificiale të cilën ai e përdor shumë në shumicën e pikturave të tij.
Dritaret luajnë një rol të rëndësishëm njësoj si drita dhe hija që përplaset në to. Ai arrin ta interpretojë dritën dhe reflekset e pasqyrimit të saj në xhama dritaresh mure dhomash ambiente të mbyllura dhe të hapura të ndriçuara mirë ose të lëna në gjysmë errësirë me forcën e dramacitetit filmik. Hopperi nuk tregon burimin e dritës, por vetëm efektin e saj. Një nga piktura e tij të preferuara ishte “night watch e Rembrandtit “. Tek “The Nighthawk” ai krijon dhe realizon një prespektivë fluide pa një pikë të vetme orientimi. Kompozimi është i bazuar në një gjeometri vijash vertikale që rrinë mbi grup linjash horizontale që mbushin hapësirën vizuale. Elementi kompozicional i dritareve imponon një element shumë modern mbi konceptimin e hapësirës. Personazhet dhe ngjyrat janë zgjedhur në funksion të idesë. Shikimi përplaset në godinën e lënë në hije dhe kthehet në xhamat e ndriçuar të lokalit duke vallëzuar me këtë ritëm deri sa gradualisht fillon dhe relaksohet duke u përqendruar te personazhet e pikturës, të cilët janë të ngrirë dhe izoluar në mendimet e tyre për gjithmonë, por të lidhur me ne nëpërmjet asaj heshtje magjike që ndez pëshpëritje dhe tension, është ai zëri që dëgjojmë gjithmonë kur jemi vetëm. Dhe ky zë është i pranishëm në të gjitha pikturat e tij. Dritat skenike, sipërfaqet e ngjyrave që kufizojnë njëra- tjetrën nën një ritëm vertikal horizontal dhe duke eliminuar detajet e panevojshme e bëjnë këtë vepër unike amerikane në subjekt dhe në atmosferën që krijon dhe realizmi me të cilin është realizuar nga ana e tij është i një lloji aspak tradicional. Hopper pikturon realitetin jo siç e shikon syri, por siç e ndjen shpirti në kohë krizash dhe në prag lufte me ngjyrat e botës së përditshme materiale.
“Nighthawk” ishte menjëherë një pikturë popullore. Në më pak se një vit ajo u kthye në një ikonë të artit amerikan. E tillë ka mbetur edhe sot. Me këtë pikturë Hopper kishte arritur atë çfarë gjithë artistët amerikan ishin duke kërkuar : “amerikanizmin” e artit dhe shkëputjen e tij nga arti francez, ai kishte kapur esencën e atmosferës dhe karakterin e njerëzve dhe një kulturë individualiste në kohë krize, e kishte parë realitetin si një mënyrë për të bërë art me ‘të dhe jo si një të vërtetë realiste, e cila në shumicën e rasteve është më e mërzitshme se sa është në të vërtetë vetë realiteti.
Në vitet mbas Luftës së Dytë Botërore krijimtaria e tij do ndikohej shumë nga përkeqësimi i shëndetit, kohët po ndryshonin me shpejtësi, abstrakt ekspresionizmit po shfaqej në skenën artistike amerikane me forcë, krijimtaria e tij dukej e kaluar dhe e lënë mbrapa nga kritika dhe mbi të gjitha ai vete i harruar. Por nganjëherë gjërat nuk janë ashtu siç duken. Në fund të viteve 48 “The Nighthawks” ishte akoma një ndër pikturat më të rëndësishme dhe Hopper-i vetë një ndër 10 piktorët më të famshëm në Amerikë. Në vitin 1952 ai do përfaqësonte ShBA në Bienalen e Venecias me pikturën “Room by the sea”, e cila me siguri ka ndikuar në artistët e viteve ‘50-‘60 të shekullit të XX përfshirë këtu Mark Rothkon. Në historinë e artit amerikan Hopper është një artist i veçantë, një individualist i përsosur, një realist misterioz dhe një pesimist, të cilit i pëlqente ta imagjinonte realitetin sipas versionit të tij personal. Me pesimizmin e tij artistik realizmi ishte i mbushur përgjysmë me mister, të cilin ai e përdori më së miri, por kurrë nuk pati për qëllim në vetvete të bindi publikun, por thjesht ta bëjë atë ta shikojnë pak ndryshe këtë realitet. Kur Hopper-i vdiq në moshën 84-vjeçare, realizmi i tij misterioz ishte më modern se kurrë dhe i pranuar botërisht nga kritika. Sot ai renditet midis atyre që pikturuan me përkushtim skenën amerikane në një nga periudhat më të rëndësishme artistike të “botës së re”. Në sondazhet e vazhdueshme që bëhen nga muzeumet amerikane për treshen e piktorëve më të rëndësishëm të të gjitha kohërave në ShBA Hopperi ndan vendin e parë dhe të dytë vetëm me Jackson Pollock. I treti nuk ka rëndësi. (Javanews.al)