“Ekipi mjekësor nga Shqipëria ok, por mos na harroni dhe ne mjekëve dhe infermierëve në Itali”
Dërgimi i ekipit mjekësor shqiptar në Itali ka qenë kryetema e mediave shqiptare por edhe italiane ditët e fundit.
Një fakt i tillë vlerësohet edhe mjekja Erseida Arra që punon dhe jeton në Milano, por tërheq vëmendjen se nuk duhen harruar dhe ata dhjetëra mjekë dhe infermierë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje, madje shumë prej tyre dhe në vijën e parë të zjarrit.
“Ka pasur shumë përgëzime. E përgëzojmë dhe ne këtë pjesë. Nuk duhet harruar edhe mjekët dhe infermierët shqiptarët që punojnë dhe jetojnë këtu, në Milano ka shumë. Janë ata që kanë ardhur, por nuk duhet harruar dhe ne që jemi këtu”.
Italia është një nga vendet më të prekura në botë si nga numri i infeksioneve dhe viktimave nga COVID 19.
Arra për Ora News thotë situata është dramatike dhe ka edhe një stëlodhje fizike dhe psikologjike të mjekëve.
“Është një situatë kritike, spitalet janë të jembushuara, mjekët janë të stërlodhur. Jo vetëm mjekët por edhe infermierët, sanitarët. Është një situatë dramatike si nga fluksi i punës, por edhe nga ana psikologjike”.
Së bashku me kolegë të saj në Milano, por edhe nga Gjermania dhe Spanja kanë ndërmarrë një nismë “Milano për Shqipërinë”, ku çdo qytetar shqiptar mund të marrë online ndihmë dhe këshilla mjekësore nga grupi i mjekëve që i janë bashkuar kësaj platforme
“Mjekë që punojnë në vijën e parë në spitalet e Milanos kryesisht, na janë bashkuar dhe mjekë të tjerë që punojnë në Gjermani dhe Spanjë. Kushdo që ka një shqetësim shëndetësor, që kërkon një rekomandim, mund të shkruajë aty”.