Ekzekutimet mizore të komunizmit, në emër të popullit

Nga Nikolla Sudar

Reprezaljet revolucionare “në emër të popullit” ishin të shpeshta. Pak nga pak njerëzit, në fillim të habitur, por më pas të revoltuar do të pyesnin: “Përse?” Përgjigja do të ishte e thjeshtë: “duhej forcuar pushteti i ri popullor” dhe rruga më e shkurtër dhe “më efikase” ishte dhuna. Në Shijak, të moshuarit duhet ta mbajnë mend klubin e këndshëm, që ndodhej përballë kinemasë së qytetit. Përpara tij shtrihej një sipërfaqe e ngritur prej dheu në formë, të cilën e qarkonin akacie shtatlarta. Kjo hapësirë shërbente gjatë verës për klientët e shumtë. Në të vendoseshin tavolina, karrige dhe shpesh mblidheshin të rinjtë, që ndiqnin interpretimin e bukur në fizarmonikë të futbollistit të njohur Sabri Peqini. Mirëpo kjo hapësirë tani do të shfrytëzohej për një qëllim tjetër. Aty silleshin të lidhur me hekura “armiqtë e popullit”, të shoqëruar nga forcat e mbrojtjes e të policisë. Trupi gjykues zakonisht përbëhej nga tre persona. Dy ushtarakë dhe një civil në mes. Këto gjykime farsë nuk vazhdonin më shumë se një orë dhe pastaj “në emër të popullit” jepej verdikti i tmerrshëm: dënim me vdekje. Më pas këta njerëz fatkeq dërgoheshin prapa kinemasë dhe atje… siç flitej në popull, “griheshin nga plumbat”.                  

Por kulmi do të arrinte një mëngjes vere të vitit 1949, kur në policinë e qytetit u sollën të lidhur dy vëllezërit Shtraza, djem fare të rinj, nga fshati Hardhishtë. Arsyeja? “Kishin pranuar të strehonin bandën Mancaku dhe nuk kishin njoftuar forcat e mbrojtjes”, (por e vërteta ishte krejtësisht ndryshe). Të rrahur e të nxirë në fytyrë i nxjerrin para trupit gjykues, ndërkohë që qindra shijakas, si dhe të ardhur edhe nga shumë fshatra të zonës, me zemër të dridhur parandienin të keqen e madhe. Si tani më dalin para syve vëllezërit e pafat. Ndërkohë që gjykatësi lexonte vendimin çnjerëzor, më i riu shihte në fytyrë të vëllanë, sikur kërkonte ndihmë prej tij. Sapo u dha vendimi, një fuqi e mbinatyrshme i dha forcë të madhit dhe ai, pasi e mposhti për disa çaste dridhjen e trupit, me një zë të qartë iu drejtua trupit gjykues: “Ju lutem shumë mos ma damtoni vëllanë e vogël, mos na e mbyllni shtëpinë!” Por morali i kohës nuk e njihte humanizmin. Vendimi qe i formës së prerë. Papritur nga masa e njerëzve u dëgjua një ulërimë rrëqethëse dhe pastaj një heshtje e plotë: kishte qenë e ëma e djemve, së cilës i kishte rënë të fikët.

Menjëherë u vunë në veprim forcat e policisë që shpërndanë me dhunë turmën e mbledhur. Tashmë disa nga ne fëmijët e kishim fituar përvojën në raste të tilla, prandaj u larguam me të shpejtë drejt kampit ditor, që ndodhej përballë kinemasë, në kopshtin me pemë të Mersin beut. Përreth mbetën vetëm policë të armatosur. Unë me dy shokë të mi u zvarritëm deri te gardhi i madh, afër shtëpisë së Ymer beut, përgjatë rrugës së “bejlerve”. Pa u frikësuar nga ferrat, që po na gërvishtnin fytyrën, krijuam një hapësirë të nevojshme për të parë se ç’po ndodhte në anën tjetër të rrugës, prapa kinemasë. Vëllezërit Shtraza, të shtrënguar fort pas njëri-tjetrit, po i tërhiqnin me forcë drejt vendit të vdekjes. Pasi u lidhën sytë, ata u gjendën para skuadrës së pushkatimit. Për disa çaste vëllain e vogël nuk e mbajtën më forcat dhe ra në gjunjë, por i madhi një kreshnik i vërtetë, e ngriti me vrull në këmbë. Ashtu të përqafuar ata, “djem të pafajshëm të Hardhishtës atdhetare”, u kositën nga plumbat e diktaturës. Një trishtim i madh, si asnjëherë më parë, pushtoi Shijakun dhe shijakasit. Në sytë e të moshuarve dalloheshin lotë hidhërimi. Ndërkohë një piskamë e thellë përshkoi rrugët tërë pluhur të qytetit: ishte nëna e mjerë e dy djemve e cila, duke ulëritur e duke shkulur flokët, ligjëronte dhembjen e saj të padurueshme. Ky u bë sinjali i protestës së hapur ndaj kësaj mizorie. Shembullin e dha i pari burri i nderuar dhe shpirtmadh Meshan Gjonku (Akçiu). Ai me të shpejtë mbylli restorantin e vet në qendër të qytetit. Pa vonesë të gjitha dyqanet dhe lokalet e tjerë u mbyllën. Qyteti u boshatis i tëri, tashmë ai dukej plotësisht i vdekur.

Zhgënjimi  i  madh…

Problem jetik për Shijakun ka qenë dhe mbetet papunësia tronditëse, e cila asnjëherë nuk jepej në shifra, sepse… “cënonte” regjimin në fuqi. Ishte fundi i vitit 1980 kur drejtori i ndërmarrjes kimike të Durrësit, humanisti dhe racionalizatori i përmendur Xhevdet Laze, ndërmori një hap të guximshëm dhe me interes të madh për punësimin e vajzave e të grave të Shijakut. Përderisa pijet e Fabrikës së Rrashbullit preferoheshin shumë jashtë, përse të mos ambalazhoheshin artistikisht dhe t’u shiteshin të huajve me çmim më të lartë? Për këtë qëllim paraprakisht u bisedua në zyrën e sekretarit R. Buka dhe pastaj u vendos të mblidheshim në muze për ta analizuar me hollësi. Kështu pra, nën drejtimin e R. Bukës, Xh. Lazes dhe A. Fajës, u ngrit grupi i punës i përbërë nga N. Sudar, L. Bërhami, D. Gurabardhi, A. Hado, B. Murati, S. Dika, R. Baçova, F. Sina, A. Keçi, F. Murati, N. Taga, F. Rrapo etj., i cili do të konkretizonte idenë e hedhur. Gjatë gjithë kohës në mbështetje të zjarrtë të kësaj iniciative do të ishin kryetari i komitetit, i paharruari Sulë Ferra, shefi i seksionit komunal, Sejfulla Tepshi dhe drejtori i Muzeut Arkeologjik të rrethit, Vangjel Toçi. Muzeu i Shijakut u zgjodh si qendër ku do të rriheshin mendimet si dhe ku do të grumbulloheshin modelet e ndryshme të shisheve të veshura artistikisht. Materiali për veshje kryesisht do të ishe allçini, që përzihej me tutkall dhe, pasi thahej, vizatohej mbi të. Gjithashtu u përdorën edhe materiale të tjera veshjeje, sipas idesë dhe shijes së secilit prej modeluesve shijakas. Kjo nismë e bukur dhe shpresëdhënëse u bë pjesë organike e shqetësimeve të përditshme të qytetarëve shijakas, të cilëve u lindi një mundësi e re “për të jetuar”. Çdo mbrëmje ne mblidheshim dhe diskutonim rreth modeleve, që secili i përgatiste në shtëpi. Aty shfaqeshin mendime pozitive dhe kritikoheshin mangësitë. Mbas afro dy javësh, në pallatin e kulturës të qytetit, u hap një ekspozitë paraprake me modelet e realizuara, të cilat paraqisnin interes dhe që premtonin shumë. Ndërkohë që të tërëve na kishte pushtuar një optimizëm i natyrshëm, ekspozitën e vizitoi edhe sekretari i parë i rrethit (M. Ziçishti), i cili edhe në këtë rast do të nxirrte qartë në dukje arrogancën e tij prej polici. Një ndihmë të madhe në të gjithë mbarëvajtjen e punës na dha mjeshtri i madh e i palodhur (ndonëse tepër i moshuar), Dervish Troplini, që u bë pjesëtar i përhershëm i grupit të punës. Me miratimin e rrethit në muze u hap një ekspozitë e madhe me modele nga më të ndryshmet, të realizuara me pasion nga krijuesit duartë shijakas. Ekspozita pati një jehonë të madhe. Me mijëra vizitorë, jo vetëm nga qyteti dhe fshatrat, por edhe nga Durrësi, Tirana dhe rrethe të tjerë, mbetën të mahnitur nga modelet e realizuara me aq mjeshtri. Shtypi dhe televizioni i bënë një jehonë të veçantë, duke e popullarizuar në të gjithë vendin, si një “nismë me vlerë të madhe për krijimin e vendeve të reja të punës me mjete rrethanore”. Madje, ekspozitën denjoi ta vizitonte edhe vetë kreu  qeverisë së asaj kohe. Si rezultat i gjithë këtyre përpjekjeve, në ish repartin metalik të qytetit, u hap linja e re e ambalazhimit artistik të pijeve (shishet me pije vinin nga Kantina e Rrashbullit dhe visheshin në repartin e sapongritur). Në të u punësuan me dhjetra vajza dhe gra shijakase, gjë që gëzoi të madh e të vogël në qytet.

 Por e tëra kjo… do të përfundonte në një flluckë sapuni. Vetë rrethi e sidomos drejtoria e Kantinës së pijeve nuk qe aspak e interesuar që ky repart të qendronte në Shijak. Me makinacionet e tyre ai u tërhoq në Shkozet dhe pak nga pak punonjëset nga Shijaku do të zëvëndësoheshin me ato nga Durrësi (marifet tashmë i njohur që nga viti 1945). Kjo nismë e bukur dhe shpresëdhënëse do të zbehej plotësisht, deri sa pas disa muajsh reparti do të mbyllej përfundimisht. Në këtë mënyrë me dhjetra punëtore nga Shijaku, të zhgënjyera nga rrethi dhe qendra, mbetën pa punë.

Zbori, bunkerët dhe dezhurni – lajthitje të regjimit…

Çdo ditë që kalonte regjimi në fuqi shpikte marifete nga më të stërholluarat për ta mbajtur popullin nën tension të vazhdueshëm dhe për t’ia larguar vëmendjen nga gjendja e rëndë ku ndodhej. Në këtë lajthitje totale, “rreziku i përhershëm imperialisto-revizionist për fatet e atdheut dhe të socializmit” do të përbënte terrenin kryesor, ku do të mbështeteshin eksperimentet e diktaturës komuniste. Formalisht zbori ushtarak për rezervistët në fillim ishte 25 ditë, por më pas “u shkurtua” në 17 ditë në vit, megjithatë afati kohor zgjatej, në varësi “të mbrojtjes së interesave jetike të atdheut”. Të gjithëve u kujtohen ato ditë tmerri “të stërvitjes mbarëpopullore”, që quheshin “lojë ushtarake” e që mbështeteshin në slloganin: “Sa më shumë djersë në kohë paqeje, aq më pak gjak në kohë lufte”. Lojrat ushtarake ishin bërë tmerr i të gjithëve: në shi, të ftohtë apo vapë të padurueshme, duke fjetur jashtë me ditë të tëra duhet të marshonin dhe të stërviteshin për t’u kalitur, siç kërkonte situata, siç “porosiste Partia” (të panumërta ishin gjymtimet që u shkaktoheshin njerëzve të ndryshëm dhe jo të pakta ishin rastet që shkonin deri në humbjen e jetës). Mbase diçka më lehtë e kishim ne, që ishim inkuadruar pranë të ashtuquajturës “Shkollë e lirë ushtarake”, sepse kishim komandant babaxhanin shijakas Jonuz Smoqi, zëvendësin e tij, Murat Kerrin dhe oficerin Gëzim Bregu, me të cilët “merreshim vesh shumë mirë”.  Në vazhdën e kësaj mënxyre “vend nderi” do të zinte edhe dezhurni i përmuajshëm njëzetekatërorësh në Komitetin ekzekutiv të qytetit, shpesh edhe në qendrën e punës. Të gjithëve na kujtohet dhoma e dezhurnit në hyrje të komitetit, ku ishe i detyruar të ngujoheshe pa lëvizur dhe të ruaje me fanatizëm dhjetra zarfa “njësish aktive dhe rezerviste”, për alarm ushtarak, shumica e të cilave ishin fantazmë, por që duheshin marrë në dorëzim me proces-verbal. Por në kuadrin e veprimeve ekstremiste, të denja për librin Gines, të Këshillit të Mbrojtjes të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ndërtimi i bunkerve do të përbënte kulmin e anormalitetit. Ndërtimi i mbi 700 mijë bunkerve, (i vogli me vlerën e një dhome e një guzhine, ndërsa mesatari, baraz me dy dhoma e një kuzhinë), do të përbënte atë kulm në historinë botërore, që do ta fuste Shqipërinë përfundimisht në vendin kryesues të “lajthitjeve politike”. Kjo epidemi do të pushtonte tërë territorin e Shqipërisë.  Dhe ja, pikërisht para lapidarit kushtuar të rënëve në luftën kundër pushtuesve fashistë, në qendër të qytetit të Shijakut mbinë dy kërpudha të shëmtuara. Siç e kishte zakon ushtria, pa marrë mendimin e askujt, brenda pak orësh i vendosi dy bunkerët. Bashkë me piktorin Agim Faja e diskutuam pa të keq dhe morëm “guximin” mjaft të rrezikshëm për atë kohë, për t’u propozuar “shokëve të ushtrisë” që t’i zhvendosnin të dy bunkerët në fjalë. Një ditë, kur ndodheshim afër lapidarit, takojmë shefin e xhenios të brigadës së Shijakut. Ne kujtuam se do të na dëgjonte pa paragjykime, por ai rezultoi një fanatik, i cili na vuri “me shpatulla pas muri”. Agimi pa të keq i sygjeroi se do të ishte mirë që bunkerët të hiqeshin nga lapidari. Ata, jo vetëm që bënin një figurë jo të mirë në qendër të qytetit, por edhe pengonin organizimin e bisedave me nxënës, ushtarë të reparteve të ndryshme si dhe me punonjës të ndërmarrjeve, prandaj njerëzit detyroheshin të hipnin mbi bunkerë. Ushtaraku “i nderuar” po na shihte sikur të kishim zbritur nga planeti Mars. Ai na u afrua dhe, pa e prishur gjakun, na tha: “A i shikoni frëngjijt e bunkerëve? Aty vendosen grykat e 75 milimetërshit dhe çdo desant që do të zbres nga ajri do të kositet prej tyre!”. Mua s’m’u durua më dërdëllitja e këtij fanatiku pa logjikë, prandaj pa të keq i përgjigjem: “Po të vijë puna që mbi qytet të zbarkojnë nga ajri desantë armiq, kanë marrë fund të dy bunkerët”. Përnjëherë shefi u skuq në fytyrë dhe mjaft i nervozuar na u kthye të dyve: “Pa shih, pa shih, ku flë lepuri! A e dini ju kush e ka miratuar hartën e vendosjes së bunkerve? Kryetari i Këshillit të Mbrojtjes (domethënë se e kishte firmosur “Ai”, që lëshonte rrufetë). Pra ju qenkeni kundër tij?”. Mornica na kaluan nëpër trup, sepse biseda mori një drejtim tepër të rrezikshëm. Por ai vazhdoi: “Juve ju konsiderojnë intelektualë me mend! Më vjen keq, por paskeni lakra në kohë, paskeni mendime shumë të dëmshme!” Bashkë me Agimin u munduam disi ta korigjojmë bisedën, që tanimë nuk ndreqej dot, por shefi i xhenios nuk pranoi të dëgjonte më dhe i nevrikosur u largua. Shqetësimi për të dy u rrit shumë, sepse pasojat diheshin. Për fatin tonë të mirë lidhur me ngjarjen u informua njëri nga drejtuesit kryesorë të brigadës, komisari Hysen Dedja, një veteran i nderuar dhe me kulturë. Me atë dashamirësinë e tij karakteristike na këshilloi që t’u shmangeshim në maksimum bisedave të tilla, sidomos me ushtarakë. Ndërhyrja e vendosur e tij na shpëtoi nga pasoja me shumë rreziqe. Kështu çështja u mbyll dhe nuk i kaloi Këshillit të Mbrojtjes së rrethit Durrës.

Ditët, muajt dhe vitet e “entuziazmit të madh”…

Kriza e tmerrshme që kishte përfshirë tërë “Lindjen e Kuqe”do të shpërthente me tërë forcën e saj edhe në Shqipëri. Vendi i bunkerve, vendi ku akumulimi i së keqes do të arrinte apogjeun e vet, vendi ku u eksperimentua për herë të parë në historinë e botës “ateizmi mbarëpopullor”, vendi i varfërisë së tejskajshme po jetonte çastet e fundit nën diktaturë. Ishte kampionati botëror i futbollit, kur pak shikohej futboll dhe shumë bisedohej për ato që po ndodhnin. Dyndja e njerëzve të papërmbajtur drejt ambasadave (eksodi i 2 korrikut 1990), që do të pasohej nga të tjerë më të fuqishëm, lëkundën deri në themel regjimin e “tufëzave dhe arëzave”, regjimin që kishte mohuar çdo lloj pronësi private dhe që e kishte ngritur në art persekutimin e fjalës së lirë. Largimi demonstrativ nga vendi i gjeniut të letrave shqipe, I. Kadaresë dhe demaskimi që i bëri ai diktaturës komuniste shqiptare i dhanë hov ndërgjegjësimit demokratik të masave. Prandaj ishte më se kuptueshme krijimi i menjëhershëm në atë kohë i bastioneve kryesorë të demokracisë: Del pyetja: Ku do të ngriheshin ata? Atje ku dhuna dhe mohimi kishin qenë më të fortë: në Shkodër, Kavajë dhe Shijak. Lëshimet e diktaturës do të pasonin njëri-tjetrin. I papërshkruar do të mbetet momenti i hapjes së xhamisë në Shijak, e dyta në Shqipëri, pas asaj të Shkodrës. Kryetari i PD-s për Shijakun, Metali Deliallisi, me kurajo e zemërgjërësi vuri në dispozicion shtëpinë e tij për këtë ngjarje madhore. Mijëra vetë mbushën hapësirën para ndërtesës si dhe jashtë saj. Në mes tyre kishte edhe të ardhur nga fshatrat e zonës, nga Durrësi, nga Kavaja dhe nga Tirana. Mbas shumë vitesh përsëri myftiu i nderuar i qytetit, Fadil Shehu, tepër i emocionuar, i mbështetur edhe nga klerikë të tjerë, si Shefqet Jakova etj., do të kryente ritet, tashmë për të mos u penguar më asnjëherë. Bashkë me Agim Fajën dhe shokë të tjerë ne ndiqnim nga jashtë ceremoninë e shumëpritur midis njerëzve të përlotur në fytyrë.

Rrëzimi i përmendores së diktatorit në Tiranë, që dha kushtrimin për të gjithë vendin, do të pasohej edhe me jehonën e fortë në Shijak. Një grup të rinjsh me kazma rrëzuan lapidarin para postës së qytetit, kushtuar vizitës së dikurshme të diktatorit. I revoltuar dhe me një synim të qartë grumbulli, që sa vinte e rritej, iu sul muzeut të qytetit. Rastësisht në ato çaste ndodhesha brenda dhe, i shqetësuar thellë për fatin e dokumentacionit me vlerë të institucionit, hapa derën. Turma e irrituar deshi të futej dhe të digjte gjithçka. Me pak fjalë u thashë që muzeu do të rishikohej nga fillimi dhe se kishte gjëra me shumë vlerë, prandaj nuk duhej të dëmtohej në asnjë mënyrë. Mendimin tim e përkrahën me forcë demokratët e njohur Bardh Murati dhe Gëzim Jashari, të cilët e shpëtuan muzeun nga shkatërrimi. Atëherë turma kërkoi me insistim bustin e diktatorit. Disa u futën brenda dhe, pasi morën bustin me kokën e thyer, dolën nëpër rrugë pa prekur asgjë në muze.

Fitorja e 22 marsit do të ndryshonte kryekëput rrjedhjen e ngjarjeve: tashmë komunizmit po i vinte fundi dhe jeta do të merrte një dimension të ri, sipas shembullit të shteteve perëndimore. Specifikë për Shijakun në këtë periudhë do të ishte një dyndje shumë e madhe si nga qyteti, ashtu edhe nga fshatrat përreth drejt Perëndimit. Kjo është arsyeja që me të ardhurat e fituara për vite me rradhë, më pas do të ndryshohej faqja e qytetit dhe e fshatrave pranë tij me ndërtimet e bukura, shumëkatëshe, komode dhe me risitë në mënyrën e jetesës.

Tashmë edhe aktivitetet e muzeut do të merrnin një drejtim plotësisht të ri. Rrugën e nisur nga deputeti i paepur, por jetëshkurtër i Shijakut, Petrit Llaftiu, do ta vazhdonte pasuesi i tij, i ndjeri Azem Hajdari. Asnjëherë aktivitetet e muzeut, sidomos rivënia në vend e dinjitetit të shumë patritotëve dhe dëshmorëve të nëpërkëmbur nga diktatura në Shijak, nuk do të arrihej në një shkallë aq të lartë, pa ndihmën e drejtpërdrejtë të të paharruarve, deputetit të zonës, z. A. Hajdari dhe të kryetarit të Kuvendit, të ndjerit z. P. Arbnori, të cilët ishin vazhdimisht të pranishëm në Shijak në ceremoni të tilla. Shumë patriotë u rehabilituan dhe u dekoruan, shumë ngjarje u përkujtuan, u vendosën mjaft pllaka përkujtimore, u shpallën mjaft dëshmorë të atdheut dhe aktivistë të panumërt u nderuan me titullin “Pishtar i Demokracisë”. Ky aktivitet i muzeut vazhdoi me sukses deri në vitin 1997.

*Historian dhe përkthyes.                                                                                                               

 

SHKARKO APP