Ekziston një rrugë nga zemra në gojë dhe nga goja në zemër

Prof. asoc. dr. Rahim OMBASHI – 

Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) veçon mes albanologëve të shumtë për veprimtarinë e tij të pasur. Konica e lartëson aq sa e këtillon ‘i njohur në gjithë botë’. Duket që i vjen keq aq sa e qan për së gjalli, siç njofton shkurtimisht te revista e tij me shkrimin Sëmundia e Zotit Gustav Majer:

“Na erdhi pra një e re e ligë: Zoti Gustav Majer mësuam se qenka fort i sëmurë. Atë hop, i shkruam një letrë Zotit doktor Adolf Bauer, mësonjëtor i çkëlqyer në gjithëmësim të Gracit (Austri), dhe i bëjtim lutje ta na dërgojë ca lajme për shëndetin e të madhit albanolog. Përgjigjia na mbushi me helm: mënden të trubulluar nga e punuara dhe e mejtuara e shumë, Gustavi Majer ësht i sëmurë pa shpresë shërimi. Që në vjeshtën e parë të vitit 1896, në një mësim që jepte në Grac, gjuha ju zu përnjëherjesh, dhe që ahere për fat të keq mendien s’e mori dot. Sot për sot, aqë e ka pushtuar e liga sëmundie e trubullimit të mendies sa i çkëlqyeri Gustav Majer as që këndon dot, dhe të “Përkohëshmen” – na shkruan miku i tij Zoti doktor Adolf Bauer – e tepër është t’i a dërgojmë. “Herën e fundit, kur vajta ta shoh, na thotë përsëri Zoti doktor Bauer, as që më njohu dot.” Gjer në verë nuk është frikë për jetën e tij; po më tutje nukë dihet…

Si të thotë njeriu! Që në numërat e para të së “Përkohëshmes” bëjtim fjalë për Zotin Gustav Majer, dhe dëftyem sa rëndësi kanë shkronjat që nxori në dritë. Shpresa tonë m’e madhia për përparimin e gjuhës shqip u-shua po si një yll në qell të Shqipërisë. Gjithë Shqipëtarët e mësuar do t’a qajnë këtë burrë, me gjithë që është ende i gjallë….”

Gjykimet e Majerit për gjuhën shqipe qenë një bazë e fuqishme për studimet e fushës në vijim. I ri në moshë, ai ka dhënë disa vlerësime për shkrimtarinë letrare të kohës, duke u mëshuar vlerave të letërsisë sonë gojore. Cek Jul Varibobën, Anton Santorin dhe vlerëson si krijues e më fort si patriot Jeronim de Radën, bën vlerësimin e lartë për Nezim Beratin: “Poeti më i rëndësishëm artistik i lindur mirëfilli në Shqipëri është Nezim Beu nga Përmeti.”

Duke evidentuar rolin e fuqishëm që merr kontekstualja dhe lokalja në komunikimin mes krijimtarisë artistike, thekson rëndësinë e të lindurit në Shqipëri të Nezimit, por e bën Përmetin vendlindjen e tij, gjë që nuk dimë se ku është mbështetur.

Në shkrimin “Mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe”  shënon se pak gjëra janë të njohura nga poezitë e tij, duke mos argumentuar sesi ‘kishte arritur të bëhej i rëndësishëm dhe të gëzonte nam të madh ndër bashkëkombësit e vet’.

Na lind e drejta të bëjmë një sqarim modest, assesi i vonuar. Lexuesi i huaj u njoh me veprën poetike të Nezim Beratit mes botimit të tetë vjershave në vitin 1854 nga Hahn. Dorëshkrimet e tjera të tij me alfabet arab nuk arritën të botoheshin, sepse shtypshkronja e parë e shtetit Osman, e themeluar nga Ibrahim Teferriku, i përket vitit 1.725, më pak se gishtat e dy duarve nga koha e krijimit të divanit të tij në gjuhën shqipe. Përpara këtij viti, në territoret e Portës së Lartë, librat shkruheshin dhe kopjoheshin nga kaligrafë të specializuar dhe të aftë. Por, krahas shtypshkronjave të administratës Osmane, veçanërisht gjatë periudhës së Tanzimatit, është shtuar dhe themelimi i shtypshkronjave private dhe atyre ushtarake, por do të duhej kohë që një shtypshkronjë të çelej edhe në Berat. Lloji i shkronjës që u përdor aty ishte Nesih, ndërkohë që për dorëshkrimet artistike është përdorur një lloj shkrimi tjetër  i veçantë shkrimi. Dorëshkrimet shoqëroheshin me ngjyrat përkatëse; e zeza, e verdha, ngjyra e floririt, bluja dhe e verdha ishin më të përzgjedhurat.

Shqetësimi ynë nuk mbetet këtu. Më poshtë ai shkruan:  “Ato që botoi Hahni janë shkruar me frymën sensuale e të shthurur erotike orientale, dhe janë larg nga shija jonë artistike, pasi nuk i drejtohen një të dashure, por një të dashuri. Kjo lloj lirike dashurore, që pavarësisht nga Shekspiri dhe (August) Plateni na duket e çuditshme, i përgjigjet plotësisht një veçorie kombëtare të gegëve. Secili banor i Shqipërisë veriore para se të martohet ka një marrëdhënie të pasionuar, edhe pse krejt platonike, me një të ri tjetër, i cili e keqtrajton po aq sa ndër ne një dashnore e virtytshme apo koketë; këngë të shumta popullore na përshkruajnë mizorinë e të dashurit të ri, admirimin dhe vuajtjet e të dashuruarit.”

Keqkuptime të përmbajtjes së veprës poetike të Nezimit ka pasur edhe pas këtij interpretimi mohues, madje na duket se qëndrimi i albanologut të huaj ka ndikuar deri edhe në gjykimin e mëvonshëm të studiuesve vendas. Më poshtë Majer rreket të interpretojë shkurtimisht duke e dhënë vjershën (më lart e quante këngë) në version të lirë: “Unë jam robi yt dhe ti je i adhuruari im; pra të lutem o xhan, më vra ose më bëj derman; merr e zgjidh çfarë të pëlqen. Tërë kohës po lotoj e dëshpërohem, se jeta m’u mërzit, dhe dua të vras veten që të çlirohem nga kjo dashuri. Asnjë fjalë e mirë s’na ngushëllon; jemi robër të dashnorëve; oh! vdekja na bën derman”

Nga një studim i imtë i Divanit të tij tashmë i botuar i plotë, mendoj që shkruhet kësisoj për vjershën pa titull së cilës do t’i shkonte titulli Këtë Divan e zura shqip:

Ah për dushmanë droj që kam,

Aqë fort jam bërë zaif (i dobët),/Sa s’jam kadër (i aftë) ta bëj a’lam (shpjegoj)/Hallë, ej Mizaxhi sherif (karakter bujar)./Ne haxhet (nevojë) shokë me fjalë,/A’lam t’ja bënjsh hallë,

Ashiknë (pasion mistik hyjnor) e ngjeh që m’ballë,/Një dilber (term nga sufizmi) që është arif (njeri që njeh veten). /M’çdo punë është alim (i ditur),/Ai m’i ka bërë ta’lim (mësim shpirtëror)/Gjithë sa kam bërë te’lif (shkrim, krijim)./Këtë divan e zura shqip,/Inshall-hah (do Zoti) na vjen tertip (përputhet),/Kam ymyt gaha një muxhip (shpresë nga një nxitje),/Një tjetër të bënjë teshrif. (vizitë, nderim).

Gjykimi i Majerit vjen rreth një shekull e gjysmë pas mbarimit të Divanit në gjuhën shqipe të Nezimit dhe përsëri vijonin paqartësitë. Vjershëtari bohem qysh në të gjallë të vet ankohet te Zoti dhe te askush tjetër, se nuk e shijonin të gjithë vargun e tij, madje te vjersha Shpjegim sqaron se e gojosin paditurisht në popull sepse as nuk e kuptonin shumica:

“Hallku (njerëzia) dëshpërenjnë në xhihan (univers),/Se jam bërë ashik (dashnor) me insan (njeriun),/S’ma dinë hallë, o sulltan,/Qysh do të bënj mjeri unë?/

Bëmë hallas (shërim) gaha ky hall,/Se vajta u bëshë abdall (dervish endacak),/Jam i vdekurë pse më (n)gjall,/Qysh do të bënj mjeri unë f. 207-209.

Që të kuptohet verbi i tij poetik dhe jo më pastaj të shijohet duhet që të njihen dy termat nga sufizmi: dilber dhe abdall. Abdall: dervish endacak, njeri që heq dorë nga të mirat jetësore dhe merret vetëm me adhurimin e Zotit duke propaganduar gjatë gjithë kohës dervishizmin.

Dilber: dashnor-e, bukurosh-e, i (e) bukur, e këndshme (femër, grua). Situatë shpirtërore shtangimi që në zemër e shpirt gjendet së bashku me dashuri dhe hidhërim. Diku nënkupton vetë Zotin, e diku tjetër atë që është i dashuruar në Qenien hyjnore. Për Nezimin, sipas A. Hamitit, termi dilber nënkupton një njeri të dashuruar në rrugë të sufizmit, i cili mund të jetë rishtar apo mentor. Sufizmi përcakton gjendjen e burimit, shpirtmadhësisë dhe dashurisë shpirtërore.

Fjala dilber në letërsinë e divanit nënkupton dashurinë shpirtërore të përfytyruar, madje, në jo pak raste emërohet me këtë fjalë edhe Zoti. Që Nezimi me ndërgjegje artistike krijonte ndryshe, kjo duket edhe nga vargjet:

“Ej Nezim, ti je një shair (poet)/Si ke mëntë më xhevahir,/Puna jote është zahir (jashtë tarikatit)/Në me inxhi, në me elmas. [1](Vjersha 26),”.

Madje te vjersha 29, f. 332, pas refrenit me të cilin nëm njerëzinë që nuk e do dhe nuk e pranon sepse nuk e kupton, ai qartëson kuptimin e termit dilber duke e përmbyllur mendimin po me refren:

“Do dilber qoftë, do ashik, /Po e pe se s’është sadik (besnik, shok, i sinqertë),/Ruhu, me të mos u bën mik,/Mos ja pafshim sytë kurrë.”

Nezimi i di dhe i ka matur krahësimisht vlerat e tij poetike, e di hakun e vetes si krijues që zbulonte të pazakonshmen, andaj shpall pa hezitim:

“Dhe e qiell le ta dinë/Se me kë jam bërë ashik,/Pse ta pshehnje ashikërinë/Një insan që është sadik. [2](Vjersha 66, f. 394.)”

Diku tjetër në Divan ia shpall këtë vendim dilberit të vet: “Robi yt Nezimi thotë/Të kam rixha more xhanan,/Mos ma nxirr sirrë (vargun e sufistit) në botë/Se të shumtë janë hajvan”.

Që është pjesëtar i tarikatit halveti ai nuk e fsheh, ndonëse sunizmi po bëhej besim zyrtar gjithkund, çka mund të jenë ndihmesë në shpjegimin e jetës plot derte me të cilën u përball:

“Hasanë e Hysejnë të dy/I kam zotërinj i dua,    (Vjersha 34, f. 341.)”

Pas këtyre sqarimeve modeste, jemi të detyruar të shtojmë se Majer gabon kur rreket të interpretojë shkurtimisht duke e dhënë vjershën (më lart e quante këngë) në version të lirë.

Albanologu i shquar ngutet edhe kur shkruan se tetë vjershat e Nezim Beratit janë në dialektin gegë, kur gjuha e vargut të tij është e folmja e Beratit, brenda dialektit toskë.  Ndonjë rast i veçuar i paskajores gege nuk e ligjëron mëtimin e Majerit: “Ti me mos qenë axhemi (i papjekur)/Hakut (të vërtetës) i bëheshnje razi, (pajtoheshe)”.

Vetë autori thekson midis vargjeve se nuk e dëshiron këndimin (leximin) kur shkruan:

“Bre daha si ky nasihat (bre edhe si ky këshillim)/Tek unë mos këndoftë”

Shumë prej vargjeve të tij recitoheshin, ndaj folja këndoj ka edhe këtë kuptim. Kur vetë autori e ka varg të muzikuar do ta quajë se vjersha është këngë për gëzimin, madje për ndonjë syresh shton se është vjershë me melodi (vjersha 35, f.343) apo vjershë me masë të peshuar dhe me rimë.

Edhe këtillimi tjetër se “frymës së poezive të Nezimit, që përmend Turqinë e Persinë, i përgjigjet edhe forma gjuhësore; me fjalët shqipe është përzier një sasi kaq e madhe fjalësh turke, e relativisht kaq shumë persiane dhe arabe, saqë vetëm kush i njeh gjuhët orientale është në gjendje të kuptojë këto vjersha,” na duket i padrejtë. Në Divan shënohen këto qendra të banuara ku autori duket ka qenë: Korçë, Berat, Stamboll, Vlorë, Lapardha (Berat), Hotin (Besarabi), Elbasan. Vargjet e tij u kënduan në popull, madje në gojën e ndonjë mjeshtri si Usta Myzyri jetuan deri disa dekada më parë, për t’i përjetësuar. Jo pak prej tyre hynë në folklorin qytetar.

Divani shqip i Nezimit është një monument kulturor që provon se me të zë fill letërsia artistike në gjuhën shqipe. Më pas ai ndikoi për krijimin e zhvillimin e këngës qytetare në veçanti dhe të lirikës qytetare në përgjithësi: jaret shkodrane, lirika qytetare e Beratit, Elbasanit e gjetiu janë dëshmi e gjallë. Një pjesë jo e vogël e tyre u mblodhën nga Thimi Mitkoja, konsulli francez Auguste Dozon e të tjerë.

Një nga studiuesit më në zë të letërsisë së vjershëtarëve, Hasan Kaleshi na porosit me amanetin si peng kujtimi:

 “Studimi sistematik i saj dhe botimi kritik i teksteve të caktuar do të dëshmonte se ajo paraqet pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe se fillimin e letërsisë shqipe artistike duhet kërkuar së paku njëqind vjet më herët se siç është menduar deri tash. Kjo njëherit do të ofronte rastin edhe për studime krahasuese të shumëllojshme.”

Nezimi është sufipoetik, poet i ditur dhe shumë i thellë, vepra e të cilit kërkon studim durimplotë ashtu si Dantja që është mitopoetik. Sufipoeja e ushtruar te Divani bëhet jashtëzakonisht komplekse; por ndërlikimet bëhen me qëllim të zbulimit të sufizmit dhe jo të maskimit të tij. Pasioni mistik i dashurisë hyjnore i jep besimin se mund të miqësohej edhe me armikun sepse ekziston një rrugë nga zemra në gojë dhe nga goja në zemër. Divani i Nezimit dëshmon, sipas Koliqit, se është një hakmarrje e bukurisë mbi përçudnimin:

“Poezia asht nji kryengritje. Kryengritja e rrezes hyjnore qi secilit njeri i flen në shpirt kundra epsheve verbuese e kapërthyese të mishit… Poeti asht nji ahmarrës. Merr gjakun e fytyrës hyjnore të Bukuris mbi maskat e përçuduna të Dobsis njerzore.”

Tani që letërsinë e përcaktojmë si shenjë gjuhësore, duhet të pranojmë pa hezitim se letërsia e vjershëtarëve, që nisi si zhanër a lloj poetik i importuar, arriti të bëhej letërsi artistike shqiptare, dëshmohet e mbështetur fort te rrënjët etnokulturore, ndaj zë vend të merituar, siç thekson Koliqi në ‘nji hyllsi vërtytesh arbnore’. Ajo ndihmoi në njohjen e vetvetes në periudhën pasfisnore të shoqërisë sonë:

“Duhet të njohim qenësin (esence) mâ të thellë të fisit (racë) për të gjetë vijat e arkitekturës shpirtnore qi i lypën nji atdheut vërtet shqiptar…” (E. Koliqi, Shejzat, 1960, nr. 5-6, f.146)

Letërsisë së sufizmit i morëm modelin, formën, zhanrin apo llojin, por i dhamë latinitet. Nezimi mund të apelativizohet me emrin prijës sepse pati shumë pauses. Arriti të zbulojë jo pak të vërteta shpirtërore, kurse letërsia e Rilindjes sonë Kombëtare nis aty ku e la ai. Ai ishte dhe është një majë e letërsisë sonë të krijuar në periudhën e historisë moderne shqiptare, që fillon me ndeshjen me Perandorinë Otomane, ndaj mbeti gjithnjë ai që ka qenë. Ajo pati rrugën e vet të ndryshme nga historia e saj si një vlerë bazike e trashëgimisë sonë artistike dhe kulturore. Si det në mirëkuptim Nezimi sendërton në gjithëkohësi këshillën e shtatë të Rumiut: Ose duku siç je, ose bëhu siç dukesh! 

SHKARKO APP