Emri i mirë dhe ndershmëria nuk blihen me para

Nga: KRISTO MËRTIRI

Përparim Shametaj, njeriu që le emër dhe vepëra…
***
Gati dy vjet më parë, në një tubim ta paharruar në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë, i ngarkuar me shumë emocione e mirënjohje shpirtërore, veç të tjerave theksova edhe diçka të sinqertë e të drejtpërdrejtë për kryetarin e Bashkisë së Selenicës, z. Përparim Shametaj. “Të zgjidhesh nga populli 3 herë në 3 legjislatura në krye të ish komunës së Sevasterit dhe për herë të katërt në bashkinë e re të qytetit të minatorëve, me 47 fshatra e 5 Njësi Administrative, ky nuk është një fakt i rëndomtë apo tregues që flet fare pak. Përkundrazi. Ky njeri ka vlera”!…Madje ka fituar bindshëm përballë pozitës, pushtetit, duke garuar e fituar nga radhët e opozitës! Për këto modele ka nevojë shoqëria!…
Duartrokitjet e pjesmarrësve të shumtë në sallë, sikur miratuan e folën edhe më bukur e më tepër se unë që e kisha takuar për herë të parë pak minuta para tubimit. “I nderuari, të nderon”. Këtë fjalë të moçme e kam dëgjuar jo rrallë në nahijen time, te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit. Veçse ato duartrokitje krejt të pakomanduara, folën e do të flasin shumë për një drejtues të zgjedhur nga njerëzit e thjeshtë nëpër Kudhës Grehot e Labëri…
Mirëpo, një mbrëmje vonë në Tiranë, ato çaste jo dosido më erdhën vetiu pranë, më mbështollën me mendime e meditime të gëzuara. Kur miku im, Agim Jazaj, më tha se po punonte mbi letra në konakun e tij të veçantë, për të rrëfyer rrugëtimin dinjitoz të Përparimit në punë, jetë e shoqëri, ndieva një kënaqësi të natyrshme. Por edhe një detyrim njerëzor, qytetar e profesional të patharë. Dhe jo më kot aty për aty mërmërita a recitova me veten një nga postulatet e shumta origjinale të Agimit :

“Ata që rrëmbejnë,
Ikin të shëmtuar,
Këta që shërbejnë,
Mbeten të shënuar !”…

Se Agimi ynë i dashur e rebel në publicistikë, tërë jetën e di mirë se çfarë vëzhgon, qëmton e vlerëson nga realiteti. Di të ndajë pa asnjë pishmanllëk kashtën nga kokrrat. Pa u shkëputur kurrë nga e vërteta. Pa iu jargavitur askujt me spaleta e pa spaleta pushteti. Në monizëm dhe në pluralizëm. Pa kërkuar reklama televizive në metropol e gjetkë, ku mjaft ekrane po na mbysin me lakuriqësi e mediokritet; me liderë e kalanderë politikë dhe analistë shërbëtorë të neveritshëm. Fjala vjen, dyzet e ca vite në median e shkruar si gazetar profesionist, unë nuk kam dëgjuar e as kam parë një promovim libri: “Dushkaraku Ynë” nga më të bukurit, më origjinalët, më tokësorët. Pa daulle propagandistike e pa salltanete zyrtare, luksoze e cinike. Pa fanfara “akademike”. Promovimi u bë te një lëndinë pranë burimit, atje në Dushkarakun e dhembshuruar e historimbuluar. Atje, ku denbabaden ua heqin dushkun fjalëve. Pa salla e podiume mondane. Atje, nën diellin e një vjeshte flori, bashkëbiseduan shtruar e pa qibër profesorë e studiues të historisë e letërsisë, intelektualë të nderuar nga fusha të ndryshme, etj. Të gjithë vlonjatë. Dhe s’mund të mungonte “I zoti i shtëpisë”, mbështetësi, nxitësi e organizatori kryesor, i respektuari Përparim Shametaj. Modestinë e tij adhuruese e njohin mirë në ato vise të bekuara. Ai asnjëherë nuk i ra gjoksit për punët e mira që ka bërë. Ashtu i heshtur, pa bujë e pa zhurmë. Por…mua, pse ta fsheh, më trishtoi shurdhëria e verbëria e metropolit televiziv në Tiranë! (Vonë mësova se vetëm një televizion lokal kish transmetuar një kronikë të zgjeruar). Se të tjerët në qendër i ka ngujuar e shpërfytyruar Polit(h)ika sherrete brënda Unazës së Tiranës!? Por Shqipëria nuk është vetëm Tirana…
“Ndihem i vlerësuar maksimalisht dhe shumëfish i përgjegjësuar për t’u shërbyer gjithë zgjedhësve. Ata që më kanë votuar dhe ata që s’më kanë votuar janë të barabartë përpara shërbimit dhe në të drejtat e tyre”. Kaq tha publikisht Përparimi. Pak e saktë. Prandaj i kanë duk fjala dhe puna. Jo rastësisht, kur pyesja dikur për atë njeri, më thanë edhe një fjali të përbashkët: “Është burrë me taban”. Ndërsa një i njohuri im, veprimtar partiak i thekur, më hoqi si mënjanë e mu drejtua si në intimitet: “E do më troç përgjigjen? Ne zgjodhëm Njerinë, jo partinë”!… Dhe ndoshta, e vërteta e plotë kjo është. Lum kush lë gjurmë të pastra ! Sepse në këtë botë të korkolepsur, nuk të vret vetëm plumbi. Kjo duket qartë sidomos te njerëzit seriozë e dinjitozë, që nuk hapin hendeqe midis fjalës dhe punës. Sepse në fund të fundit, fjala ligërshane shtyn urët dhe i fryn zjarrit të intrigave, grindjes, urrejtjes e përçarjes, miltantizmit kallp që i hedh punët e vërteta pas kurrizit dhe ngjiret e çirret thjesht për të kapur ndonjë thelë në pazarin e kolltukofagëve esnafë e pehlivanë. Por ama historia dhe vetë populli nuk harrojnë, mbajnë shënim. Dhe siç thonë shpesh me të drejtë të mençurit në Labëri:
“Atyre që ndërtojnë kështjella në tym a në erë, jeta u merr qira të madhe”!…
Urtësinë, thjeshtësinë dhe fisnikërinë e këtij biri të denjë të Dushkarakut, i prek qysh në takimin e parë. Kështu ka qenë e është përherë. Gjithnjë me këmbët në tokë dhe me dhembshurinë në zemër e kokë. Prandaj njerëzit i shikon në sy, pa fluturuar jashtë mundësive me premtime e mashtrime “vezulluese” që nesër u del shpejt kallaji. Sinqeritetit të tij i rrinë larg lajkaxhinjtë, mashtruesit dhe interesaxhinjtë pa shtyllë kurrizore e pa ideale. Por ai është edhe një mëmëdhetar e atdhetar i kulluar. Përshembull, njerëzia e shikonte jo vetëm te stacioni i pompave të ujit të pijshëm për të shëruar një plagë të vjetër e të pamerituar për Selenicën dhe as vetëm te puna për përmirësimin e infrastrukturës rrugore; tek veprat kulluese e ujitëse, urat etj.
Përparim Shametaj pa spaletat e zyrtarit, me shiritin e qytetarit, me dhimbsurinë e ndjeshmërinë e njeriut, do të gjendet kudo ku ndodh edhe vakia, dhimbja, duke qënë pjesë e tyre, u’a lehtëson ato njerëzëve!
Ai ka një dashuri e pasion të veçantë për ngjarjet historike, për figurat e shumta të pashoqe të asaj treve prushndezur; për kombin e Shqipërinë. Nuk mund të mos vlerësohen veprimtaritë e shumta për Pavarësinë; për Ismail Qemalin e Ali Asllanin; për Urën e Drashovicës me famë të përjetshme kombëtare në roje të Lirisë; për gurrën e pashtershme të Folklorit lab; për shtigjet dhe resurset e pasosura të Turizmit në ekonominë e tregut sot e nesër; për… Vizionar bindës, praktik e larg tam-tameve të dështuara me slogane politike a partiake. Shkurt, djalë vendi e kuvendi. I matur e aspak fluturak. Është nga ata burra që as ngutet e as tutet përballë të mirës e të ligës, pa u bërë kurrë “urë e vig”. Të tillë njerëz dinjitozë i bëjnë nder çdo force politike e qeverie progresive. Këtë vlerësim e dëgjon sot e kësaj dite në Selenicë, Vllahinë, Kotë, Brataj, Sevaster e Armen…
Duke mbyllur shënimet në vend të hyrjes, befas kujtova llafin e një miku të hershëm nga Dushkaraku, që shpesh ngrinte zërin e i vinte kapak muhabetit:
* Mos harroni: Emri i mirë dhe ndershmëria nuk blihen me para!

SHKARKO APP