Ergi Dini: Familja, Zoti, publiku… fitoret e mia u dedikohen atyre
(Ripublikim nga arkiva Koha Jone)
Albina Gjergji
Ergi Dini është shpallur fituesi i edicionit të tretë të “X Factor Albania”. I cilësuar si zëri më i mirë shqiptar, 19-vjeçari nga Shkodra çon për herë të dytë trofeun e fituesit në këtë qytet, pas kurorëzimit të Arilena Arës, vitin e kaluar. Me një vokal që ka spikatur që në fazat e para të audicioneve, Ergi është vlerësuar nga juria e kësaj gare si talenti më i veçantë dhe i padiskutueshëm i “X Factor 3”. I emocionuar dhe ende i pa ambientuar me ditët e pushimit, për gazetën “Koha Jonë”, Dini rrëfen për herë të parë pas përfundimit të spektaklit ethet e momentit të shpalljes së fituesit, rrugëtimin e gjatë në këtë garë muzikore, si dhe përvojën e disa muajve në “X Factor Albania 3”.
Fitues i padiskutueshëm i “X Factor Albania 3”. Na i përshkruaj emocionet që përjetove në momentin që dëgjove emrin tënd si fitues Ergi?
Mendoj se është gjëja më e vështirë në botë të përshkruash fiks ato çfarë unë përjetova në ato momente, por me sigurinë më të madhe mund të them që ka qenë momenti më emocionues i jetës sime. Ajo skenë gjigante, ai publik i zjarrtë dhe momenti kur Alketa thirri emrin tim janë ngulitur në kujtesë si një ndër ngjarjet më të mrekullueshme që më ka ndodhur ndonjëherë.
Gjëja e parë që mendove në atë moment?
Familja ime. Kam hedhur direkt sytë në sallë për t’i parë dhe… u ndjeva krenar, u ndjeva shumë krenar që jua shpërbleva sakrificat e bëra për mua ndër vite.
Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe përvojë ndryshe kjo. Duke u kthyer pas në kohë, e mendoje se do të ishe ti fituesi i edicionit të 3-të të “X Factor 3”?
Po të kthehemi pas në kohë them se gjëja e parë që kam menduar para disa muajsh ishte të kaloja fazat e para, të fitoja dashurinë dhe dashamirësinë e publikut dhe t’ia shpërbleja Vera Grabockës besimin që pati në talentin tim. Këto kanë qenë kryesoret për mua, ndërsa tani që u shpalla fitues u binda që jo vetëm kam fituar simpatinë e publikut, por edhe që kam një detyrim të madh ndaj tyre… mirënjohjen time do jua kthej me punë dhe muzikë të mirë.
Ka qenë ambicie e jotja që në fillim çmimi i parë Ergi, apo mendoje se edhe mund të eliminoheshe në fazat e para?
Mendimi që mund të eliminohesh që në fazat e para e kanë të gjithë, sepse varet nga shumë faktorë prezantimi yt. Emocionet që të shoqërojnë në konkurrim, gjendja fizike, ku ndodh të jesh edhe me grip dhe mund të mos japësh maksimumin tënd, por falë Zotit gjithçka ka shkuar siç edhe kisha ëndërr. Çmimi i parë ka qenë dëshira e gjithë finalistëve, talentë që “X Factor” i ka vlerësuar si zëra të veçantë, kështu që edhe unë e kam menduar diçka të tillë. Ndërsa sa i takon ambicies, të jem i sinqertë karakterizohem për ambicie të shëndoshë.
Prapakuintat, raporti yt me 2 finalistët e garës dhe konkurrentët e tjerë që e kanë lënë garën përpara teje?
Do më mungojnë shumë. E them me bindje të plotë që janë talente me karakteristika të ndryshme dhe që juria i ka vlerësuar çdo të dielë në Live-Show. Raporti im me Sarën dhe Senadin është shumë i mirë. E konsideroj veten me fat që kam qenë pikërisht në këtë edicion, ku të gjithë finalistët e tjerë janë bërë pjesë e kujtimeve të mia më të bukura.
Ka një dedikimi special për këtë fitore Ergi?
Gjithçka ia dedikoj familjes sime, Zotit dhe publikut shqiptar.
Rivaliteti me Senadin, e konsideroje rival të fortë dhe a i druheshe humbjes?
Patjetër që e konsideroja rival të fortë, sepse realisht ishte konkurrent i fortë me cilësi vokalistike të veçanta, ndërsa sa i takon druarjes… momenti final të dridh, të rrënqeth, të përpin, kështu që patjetër që të dy druheshim.
Lidhja jote me muzikën është e hershme Ergi. Ju keni marrë pjesë në festivalet e fëmijëve organizuar në Shkodër, që i vogël. Mund të na e përshkruash në vija të përgjithshme lidhjen tënde me muzikën?
Them se ka lindur me mua, është ushqyer nga prindërit dhe është rritur me dëshirën time. Lidhja është aq e fortë, sa nuk e konceptoj dot të mos merrem me këtë pasion, që në të ardhmen shpresoj të bëhet profesion i konsoliduar.
Sapo ka nisur një rrugëtim më i pjekur në aspektin profesional. Ke ndonjë projekt në mendje për ndonjë pjesëmarrje në festivale, apo këngë që e ke menduar edhe para se të shpalleshe fitues?
Për momentin dua të shijoj fitoren. Dua t’i them faleminderit çdo shqiptari që më ka votuar, çdo dashamirësi që më ka duartrokitur në Teatrin e Tv Klan, si dhe atyre që më kanë ndjekur nëpër shtëpi dhe që më kanë dedikuar qoftë edhe një status në facebook. Faleminderit nga zemra. Pa ju nuk do isha këtu. Mirënjohje.
Tuna, është një ndër personat dhe mentorja që të ka mbështetur më së shumti në këtë garë, çfarë do t’i thoje ndryshe nga ç’i ke thënë deri tani asaj?
Kam thënë shumë për Tunën dhe nuk është se më mungojnë fjalët për të folur për punën dhe pasionin, me të cilin ajo ka punuar me mua, por s’do të mjaftonin gjithsesi. Dua ta përmbledh me këto fjalë, ajo më ka transmetuar besim, pozitivitet dhe siguri. Për këtë dhe shumë gjithçka ka bërë për mua, faleminderit TUNA.
Çfarë kujtimesh ke marrë nga kjo përvojë Ergi?
Oh, janë të shumta. Duke filluar nga provat javore me stafin e talentuar të “X Factor”, e deri tek netët live çdo të dielë. Nuk do t’i harroj kurrë këto ditë, që më kanë zbukuruar jetën.
Familja, sa të ka mbështetur në këtë sfidë me veten dhe konkurrentët e tjerë?
Familja është shtylla e formimit të çdo njeriu. Kështu ka qenë edhe për mua familja ime, e cila më ka mbështetur çdo ditë, orë, minutë, sekondë të jetës sime. Ardhja e tyre në sallë çdo javë më ka dhënë siguri dhe energji pozitive.
Miku, apo mikja më e mirë që ke njohur në “X Factor” dhe që do vazhdosh të ruash miqësinë me të?
Unë do ta ruaj miqësinë me të gjithë finalistët e “X Factor Albania 3”, sepse janë me të vërtetë miq të mirë në radhë të parë, pastaj talente që jam e sigurtë që do ecim gjatë përkrah njëri-tjetrin në karrierën tonë muzikore.