Estela me Pesë Yje

Alfred Lela

Një xhaketë e verdhë që mbante supeve dhe shpinës vajzërore të dielën, nën shiun e një Tirane të bukuruar nga një En marche studentor, ishte, me gjasë, një rastësi. A duhet ta ketë menduar Estela Nazarko se ajo pelerinë e verdhë e fatit takohej diku, në imagjinaren dhe realen e botës së protestave të përbotshme, me ‘kolegët’ francezë të studentëve shqiptarë. Edhe ata e nisën për ‘centët e naftës’ dhe vendosën që të rrinë në rrugë ‘për të gjitha pakënaqësitë’, të gjitha të drejtat e tyre dhe detyrimet e qeverisë.

Në këtë pikë hyn në ‘histori, 23 vjeçarja me emër të bukur dhe xhaketë të verdhë. Me intuitën që ajo pati për ta shndërruar protestën. Veshja e saj është mizanskena rastësore që e bëri atë ‘franceze’; fjalët e saj qenë koncepti që e mbajnë atë në radhën e vajzave të mençura; që kanë diçka për të thënë, por edhe guximin për ta thënë.

Estela Nazarko e bëri me filozofi atë protestë të bukur studentore, që deri të dielën ishte një grumbull spazmash sentimentale (jo në kuptimin e keq, as të dashurisë, por të ndjesive, fut këtu edhe ‘apolitizimin’ në daç).

Çfarë tha Estela, dhe pse ajo kishte të drejtë në ato që tha?

Ajo e hapi protestën e studentëve. Hapja nuk duhet kuptuar si triumf mbi ata që donin mbylljen dhe rrjedhimit marrjen e frymës apo mbytjen e protestës, por si një frymëzim që vjen nga demokracia dhe ushtrimi kompetent dhe i plotë i mjeteve që ajo ofron. Së pari, sepse tarifat e studentëve dhe drama e Arsimit të Lartë janë kombëtare, dhe assesi vetëm studentore. (Student je për 3 vjet, ndërsa qytetar i këtij vendi për të gjithë jetën).

Këtë bëri Estela, nuk e di me intuitë apo me filozofi, iu impostua skenës publike si e re shqiptare, si nëna e ardhshme e një studenti apo studenteje dhe jo vetëm si ‘studente e vitit 2018’. Në këtë pikë e ngroh botën magma e aktit të saj. Për këtë i falemi nderës.

Gjithashtu, duke e hapur platenë e protestës për ‘të mjerët’ e Astirit dhe ‘qëndrestarët’ e Teatrit, Estela e bëri publike protestën e universiteteve jo private. Këtu qëndronte edhe gabimi konceptual, për të mos thënë mizoria dhe dritëshkurtësia e elementëve të ngashnjyer nga ideja komuniste, përfaqësur në protestë nga Arlindi dhe qorrët e tjerë të neomarksizmit, të cilët ndërkohë që ngrinin grushtin për ‘publiken’, ‘të përbashkëtën’, ‘komunitaren’, ‘komunisten’ në kuptimin e përbarazisë dhe parbashkësisë, përjashtonin si jopublikë të hedhurit në rrugë të Astirit, të pastrehët e së nesërmes (e cila komuniste do të jetë, apo jo, Qorro?), por edhe aktorët, regjisorët, dashamirët e Teatrit që, gjithashtu, prej 7 muajsh protestonin për një atu dhe institucion të publikes, të së përbashkëtës, shqiptares.

Epo, komradë të komunizmit, barazia dhe publikja juaj, le të themi, it is a pile of shit!

Estela, me xhaktë të verdhë, dhe ide edhe më rrezëllitëse, u hodh mbi kraterin, ndërkohë të shuar e të pajetë të ideve komuniste, dhe, si yll, i dha dritë publikes.
Politiko.al

SHKARKO APP