“Europa është një grua”

Me zgjedhjen e eurodeputetit italian David Sassoli në krye të Parlamentit Europian, plotësohen postet kyçe të BE-së për pesë vitet e ardhshme. Vlen të veçohet, se për herë të parë në historinë e Bashkimit Europian në postet kyçe ngjiten dy gra, një gjermane dhe një franceze, Ursula von der Leyen dhe Christine Lagarde.

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, dhe Christine Lagarde shefja e re e Bankës Qendrore Europiane.

Për herë të parë në historinë e Bashkimit Europian në postet kyçe ngjiten dy gra, një gjermane dhe një franceze.

Edhe për Italinë ka dy surpriza. Parlamenti Europian zgjodhi si kryetar eurodeputetin italian David Sassoli, ndërsa Roma mund të shpërblehet me postin e zëvendëspresidentit të Komisionit.

Ursula Von der Leyen, 61 vjeçe, nënë e shtatë fëmijëve, një herë ministre e Familjes dhe dy herë në krye të Mbrojtjes, është një besnike e thekur e kancelares Angela Merkel.

Emri i saj doli në pah në minutën e fundit dhe të gjithë u pajtuan, duke përfshirë edhe vendet e Vishegradit, Italinë si dhe udhëheqësit rebelë të Partive Popullore Europiane, të cilët një ditë më parë bllokuan ngjitjen e socialistit holandez, Frans Timmermans.

Christine Lagarde, avokate, ish-ministre e Ekonomisë, Industrisë dhe Punësimit nga partia konservatore e Nicolas Sarkozy-së dhe drejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar që nga viti 2011, nuk ishte zgjedhja e parë për Emmanuel Macron-in.

Ajo shihet si një personalitet i fortë, e aftë për të vënë me shpatulla pas murit cilindo që dëshiron një Europë të dobësuar, sidomos në anën tjetër të oqeanit.

Paketa kompletohet me kryeministrin liberal belg, Charles Michel, i cili është belgu i dytë në krye të Këshillit Europian.

Në krye të diplomacisë europiane vjen socialisti spanjoll Josep Borrell, katalanas, por kundër i pavarësisë së Katalonjës, ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Pedro Sanchez-it.

Komisionerja aktuale daneze për Konkurrencën, liberalja Margrethe Vestager, dhe holandezi Frans Timmermans do të marrin vendin e nënkryetarit të Komisionit.

SHKARKO APP