Eurostat zbërthen mirëqenien e shqiptarëve – Të fundit në Europë

Një shqiptar mesatar konsumon sa 38% e një europiani mesatar dhe padiskutim që për nga konsumi për frymë jemi të fundit në kontinentin e vjetër.

Të dhënat më të fundit i bën publike pikërisht Agjencia Europiane e Statistikave dhe tregojnë se, ndër vendet e analizuara, përfshirë ato të rajonit, veç atyre të Bashkimit Europian dhe vendeve të Efta-s, jemi të fundit. Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është përfshirë në këtë publikim. Të dhënat janë alarmante dhe tregojnë se konsumi aktual për frymë në vendin tonë është plot 2.6 herë më i vogël se ai i një europiani mesatar, një italiani për shembull.

Konsumi aktual individual është ndoshta indikatori më i saktë i mirëqënies, pasi shprehet në standardin e fuqisë blerëse, pra i standardizuar sipas nivelit të secilit vend. Krahasuar me vende si Norvegjia, një shqiptar konsumon 3.3 herë më pak, mesatarisht. Norvegjia është dhe vendi me konsumin më të lartë individual, 25% mbi mesataren europiane, ndërkohë që ndiqet nga Islanda dhe Zvicra.

Në vend të fundit ndërkohë qëndron Shqipëria e ndjekur nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia e Veriut. Malazezët duket të jenë ata që jetojnë më mirë në rajon, me konsumin individual sa 57% e një europiani mesatar, madje edhe më shumë se një bullgar. Pra, në terma më të thjeshtuar, në rast se një europian mesatar, një Italian për shembull, mund të blejë 10 pako makarona me të ardhurat e tij mujore, një shqiptar mesatar, mund të blejë diçka më pak se 4 pako, dhe një malazez, thuajse 6.

SHKARKO APP