Faktorët që luftojnë bullizmin në shkolla
Nga Ramazan Sherja
Sjelljet e pahijshme dhe qendrimet e dhunshme,marrëdhëniet jo reciproke midis nxënësve me forca të pabarabarta në shkolla sot po përdoret gjithmonë e më tepër me një term të ri, bullizëm.Vetë termi bullizëm tregon dhunë,forcë,brutalitet. Sot në shkollat tona po bëhen trajnime të drejtuesëve e të mësuesëve për këtë problem e janë krijuar disa shkolla qendra komunitare me qëllimin që të krijohet një mjedis sa më i kulturuar në to, që nxënësit e cdo gryp moshe ta shohin njeri -tjetrin si shok e vëlla, si partner e bashkëpunëtor për të realizuar cilësisht programin mësimor dhe edukativ. Janë shumë faktorë që duhen marrë parasysh për të qenë sa më efikase lufta kundër bullizmit,dhe një si ndër më kryesorët është edhe organizimi fizik i klasës,i cili duhet të jetë në konsiderstë të cdo mësuesi kujdestar. Ç’është organizimi fizik i klasës? Organizimi fizik i klasës është mënyra se si vendosen nxënësit në bangë gjatë orës së mësimit. Kjo ka të bëjë së pari me rreshtin e bankave. Ka nxënës që duan të jenë në bangën e parë, se janë egoistë e duan të duken para moshatarëve të tyre. Dhe kjo kategori reagon dhunshëm ,i largojnë me forcë ata nxënës që mësuesja për arsye të ndryshme e të nevojshme i ka vendosur ata në bangën e parë. Na ndodhi një rast i tillë bullizmi në shkollën tonë: Një nxënës me syza, për arsye miopike, mësuesja e kishte vendosur në bangën e parë. Ai vuante jo vetëm nga shikimi, por ishte dhe shëndetlig, por në përgjithësi ishte njxënës inteligjent e i përkushtuar për mësimet. Një nxënës përsëritës që erdhi disa ditë pasi kishte filluar viti shkollor iu hakërrua nxënësit që ishte vendosur aty nga mësuesja, se edhe vitin e kaluar ai kishte qëndruar po në bangën e parë , ndaj orën e dytë ishte ulur forcërisht në bangën e tij, dhe u krenohej shokëve për veprimin e bërë. Menjëherë mësuesja në pushimin e madh mblodhi klasën dhe me marifet tregoi arsyen pse duhej të qëndronte nxënësi me vështirësi shikimi në bangën e parë dhe nxënësi që i zuri vendin u detyrua të kuptonte faktin dhe u ul në bangën që i kishte caktuar mësuesja. Organizimi fizik i klasës duhet të jetë i përsosur dhe i studiuar mirë, sidomos për nxënësit e viteve të para, sepse përbërja është heterogjene dhe njohja mund të jetë më e paktë midis nxënësve. Këtu bullizmi shfaqet në forma të ndrushme,si diskriminim për arsye race e ngjyre, gjinie, patriakalizmi dhe krahanizmi. Një mësuese duke u nisur nga përbërja e klasës që kishte në kujdestari, nga niveli dhe krahinat, nga komunitetet që përfaqësonin nxënësit, kishte bërë një shpërndarje perfekte të klasës. Por kur shikojmë orën e dytë njera nga nxënëset e kishte lënë vetëm shoqen e bangës dhe kishte shkuar tek dy shoqe që njihte dhe ishin ulur treshe në një bangë. Kur e pyetëm se pse e kishte lënë shoqen vetëm ajo u përgjegj me shpërfillje:”pse me atë jevgë do të rri unë në bangë!?” Shoqja e bangës ishte e komunitetit me ngjyrë,por shumë e rregullt si në veshje ashtu edhe në komunikim, e me rezultate të mira në mësime. Kur dëgjoi këtë përgjigje përçmuese të kësaj vajze, një djalë nga banga e fundi u ngrit dhe tërë kulturë tha: “Unë e kam patur shoqe në nëntëvjeçare vajzën që ebraktise padrejtësisht dhe jam i gatshëm të rri unë me të, por unë u ula këtu se zbatova porosinë e mësueses. Ajo është vajzë shumë e mirë , njëlloj e ndoshta më e mirë se ne të gjithë këtu. Ajo nuk është vetëm shoqja ime, por do të bëhet një shoqe e mirë për të gjithë ne!” Mësuesja e falenderoi nxënësin që e vlerësoi realisht shoqen e tij, por këmbënguli që shoqja që e braktisi bangën duhet të kthehej domosdo në bagën ku ishte.E thirri vajzën vecan të tjerave dhe i tha: “ të lutem do të na tregosh ,se çfarë ka shoqja jote e bangës mangët teje apo të ndonjë tjetre këtu në klasë. Një fjalor i tillë nuk përdoret kurrë nga nxënësi jo për shoqen, po për asnjë tjetër. Të gjithë do bëhemi motra e vëllezër këtu në klasë dhe kush është më i mirë në mësime të ndihmojë tjetrin, që të ecim të gjithë bashkërisht drejt suksesit.Do ta njohësh,dhe do ta kuptosh se sa emirë është dhe si ju të dyja do bëheni shoqe të pandara.” Nxënsja e dëgjoi mësuesen kokëulur, tha vetëm dy fjalë “më fal mësuese !” dhe shkoi e ul pranë shoqes saj të komunitetit rom. Tani janbë bërë vërtet e sinqerisht shoqe të ngushta. Vendosja e nxënësve në klasë sipas një renditje që jep rezultat është shumë e rëndësishëm edhe për arsye të tjera. Ka nxënës që nuk do të rrijë në bangë me shokun ,sepse ai nuk është i mirë në mësime. “Pse me atë katranaq do të rri unë!?-shprehet ai i krekosur. Unë Jam nxënës i dhjetës dhe kam shokët e mi”. Ka të tjerë që nuk duan të rrinë me vajzat. “Le të gjejë shoqen e vet ajo, pse me goca do të rrijë unë, unë jam çun – përgjigjet tjetri në këtë rast. Organizimi fizik i klasës ka të bëjë edhe me kushtet materiale të shkollës apo gjendjen financiare të nxënësit. Një nxënës kishte braktisur klasën e tij dhe kishte shkuar pa leje në një klasë tjetër, sepse atje sipas tij “kishte karrige të reja dhe klasa ishte më e mirë!”. Një tjetër pranon të ulet pranë një nxënësi që ka celular të shtrenjtë ,apo ka lekë boll për qerasje. Të gjitha këta raste,si aspekte të përditshme të shkollës,nëse nuk mbahen parasysh nga mësuesja kujdestare e tërë kolektivi i klasës, bëhen shtrat i ngrohtë për zhvillimin e lulëzimin e bullizmit. Duhet mbajtur parasysh që në klasë të mos mbizotërojë as pasiviteti ndaj dhunës që mund të ushtrojë tjetri, as agresiviteti për të qenë gjithmonë sulmues e dhunues, por të ketë asertivitet,dmth, agresivit të mos i hapet rruga kollaj për të realizuar lirshëm dhunën e tij por të detyrohet të mbaj vendin që i takon, por edhe pasivit ti jepet më shumë kurajo që ta mbrojë më mirë veten,të mos shfaqë tipare nënshtrimi dhe mëshire ,por të jetë më i angazhuar për problemet që dalin,t’i dalë më mirë zot vetes e të mos presë gjthiçka nga të tjerët. Bullizmi,sidomos brenda klasës shfaqet mes atyre personave që nuk janë të barabartë në forcë dhe që kanë interes të paktë për shkollën e mësimet. Ai shfaet tek ata nxënës që nuk kanë koncept të drejtë për përdorimin e forcës,që duke e ndjerë veten jo mirë në problematikën ditore, mundohen të tërheqin edhe të tjerë me vete dhe që e konsiderojnë forcën si mjetin kryesor të jetesës. Por bullizmin ,me qëllime jot ë mira nganjëherë e ushqen edhe familja. Kemi patur raste kur ka ardhur prindi në shkollë dhe kur ne i kemi kërkuar ndihmë për ndreqjen e djalit me sjellje të dhunshme , me mburrje na është përgjigjur: “ nëse djali im nuk i del zot vetvetes, haram i qoftë c’kam bërë për të, të mos më vijë më në shtëpi!” “-Ç’është ky gjykim- i thamë. Kurrë një prind nuk duhet të mendojë kështu! Mirë kur djali yt është më i madh dhe i fuqishëm dhe i mposht të tjerët, por kur ata janë më të fuqishëm si ai, si ti bëhet , ta rrahin e të arrijnë deri në vrasje!?” Bullizmi në shkollë është një dhunë që përsëritet e shfaqet në forma të ndryshme,prandaj eliminimi i tij varet shumë nga puna e kujdershme e psikologët, mësuesit kujdestarë,kolektivi i klasës ,me qëllim që çdo nxënës ta kontrollojë dhe menaxhojë sa më mirë sjelljen dhe veprimet e tij, jo vetëm brenda por edhe jasht shkollës.