Fatos Baxhaku, zotnia që qëndroi larg salltaneteve e që megjithatë, e dinte mirë dhe e përcillte zotnillëkun

Nga Fatmira Nikolli – Me një cigare që digjej në njërën dorë, me një kafe e një gotë përpara, me këshillat e urta të një mjeshtri dhe me historitë e një jete për të rrëfyer. Pa bujë, i thjeshtë e i përulur. Modest deri në madhështi. Kështu e kam njohur gazetarin që të frymëzonte e të bënte të kishte turp po të dalloje shumë prej tij. Ai rrëfente për orë ngjarje e vende diku rreth nesh, por që prej gjuhës, stilit, zërit, larmishmërisë, latimit të frazës e pasurisë së leksikut, dukej se tregonte përralla të një kohe e bote tjetër, që ta kishte enda t’i ndiqje deri pas fundit. Dhe kështu do të mbahet mend Fatos Baxhaku, një prej gazetarëve më të mirë të vendit, mësuesi i madh i disa brezave dhe shembulli se gazetaria është mision dhe jo biznes. Një nga heronjtë e fundmë në një vend (zanat) pa heronj – dhe më pas le të pyesim, nëse është pa fat ai vend që nuk ka heronj, apo ai vend që ka nevojë për heronj. Burri i mençur që nuk ulej kurrë në radhë të parë, silueta e qetë e një mësuesi të urtë, që e refuzonte gjithë ç’shkëlqente në marrinë e vet, që ulej me rojen e fliste me orë të tëra, që bisedonte me sanitaret pa pushim, që në një pallat të braktisur kulture në Pogradec e dinte se personazhi më interesant ishte punëtori i sallës, i dalë në pension dhe jo drejtori i emëruar nga partia. Zotnia që qëndroi larg salltaneteve e që megjithatë, e dinte mirë dhe e përcillte zotnillëkun.

Shkrimet e tij u bënë shkak që shumë të rinj ta donin median, ndonëse rrugës ai mbeti pothuaj vetëm. Nxënës e ish-kolegë tani e parakalonin duke xhiruar goma të shtrenjta. Ai nuk mërzitej. Kishte bërë me kohë një zgjedhje, të shkruante për atë që besonte, të tregonte historitë që nuk thuheshin me të madhe, të jetonte e të shuhej në një shtëpi me qira, ta shkonte jetën i varfër dhe të kishte disa miq për kafen e mëngjesit e verën e darkës. Miq tek të cilët mund të mbështetej e jo miq pazaresh. Ai e dinte se pasuria i zhbënte të gjitha këto. Ai e dinte se e vërteta kushton, qoftë edhe me çmimin e vetmisë. U shua pas një sëmundjeje të rëndë, që nuk i la shumë kohë jetë, madje as shumë kohë lufte. Ishte vetëm 55 vjeç dhe me dhjetëra punë nëpër duar. Nga ato punët me shkrime e rrëfime, nga ato punët e shpirtit, që i çmon veç kush është i pastër. Kur ua dha lajmin e sëmundjes pak miqve të ngushtë, u kërkoi ndjesë që po i shqetësonte, a thua se po u kërkonte ndjesë që pat ardhur në jetë. Iku pa fjalë, pa rënduar askënd, sikur të donte që i fundit kumt që jepte të ishte i destinuar vetëm për atë vetë. Dhe heshtte, duke e pritur fundin me një grusht miqsh.

Nuk e pat njohur megalomaninë e figurave mediatike me telefona të mëdhenj, ekrane të sheshta, makina të larta e pushime ekzotike. Krejt e kundërta. Ai burri që dukej kaq i vogël e i pafuqishëm para luksit të shfrenuar të ‘indisë’ sonë, ishte kaq i madh sa e përbuzte llamburitjen e turpit. Ai udhëtonte fshatrave të Shqipërisë për të treguar Shqipërinë përtej bulevardit, atë që po humbte e po shuhej, me një stil krejt të thjeshtë e njëherit mu prej thjeshtësisë komunikues, rrëfimtar e qartësisht i kuptueshëm. Të përmblidhje botën në pak fjali, pa qenë nevoja për ta komplikuar me fraza që çoç rrekeshin të thoshin. Ai kumtonte me pak, duke të vënë para botës që kishte parë me sytë e tij, si para një ekrani 3D që të tregon këndet e skutat edhe pa i vënë në fokus. Kur lajmi se Fatos Baxhaku u shua, mes shumë postimeve për të që qenë lavd për shkruesit, në tërësinë e tyre e përbashkëta e madhe qe ndershmëria që përcolli përmes shembullit të vet. Ajo ndershmëri, që te të tjerë u lëbyr në rrekjen e madhe për para e pushtet. Baxhaku zgjodhi të mbetej “i marri” në mesin e “të zgjuarve”, që u bënë palë në zhvatje. Ndaj humbja e tij është dyfish më e madhe, se humbja e shembujve e varfëron shoqërinë dhe autoriteti i tij i zbehur nga mosprania fizike dhe i rritur nga miti veçse do i lëshojë ujqit përtej maleve. Ndaj, ai nuk ishte më veçse një gazetar e një publicist. Ai ishte mjeshtri. Nëse ndokush ka pasur ndonjëherë dyshimin se kush është gazetari më i mirë në Shqipëri, a nëse ka pyetur si duhet të jetë në gazetar, nëse ndonjëherë ka qenë në mëdyshje nëse duhej ta shiste shpirtin, le të mendojë Baxhakun dhe të dijë se ai ishte dhe qëndroi deri në fund, se nuk mundi kurrë të bënte ndryshe dhe se duhej të ishte shembull për ne.

G.SH

SHKARKO APP