Fëmijët, fëmijëria dhe ne të tjerët…

Nga Entela Binjaku-Kujtimet e një fëmijërie të humbur e me plot mungesa të përmbledhura në një libër autobiografik e shndërruan 35 vjeçaren Alina Marin brenda natës, nga një grua e thjeshtë në një shkrimtare të mirënjohur dhe mjaft të vlerësuar nga publiku francez. Libri që dëshmonte fëmijërinë e jetimes rumune në regjimin komunist është përkthyer tashmë edhe në mjaft gjuhë të tjera. “Fëmijëria ime u shenjua nga moskuptimi, revolta dhe pamundësia. Moskuptimi i braktisjes, revolta për ndarjen nga motrat e mia dhe pamundësia për t’i bërë ballë varfërisë shoqërore dhe njerëzore” e nis historinë më e vogla nga tre fëmijët jetimë.

Artikulli mbi këtë botim më nxiti të mendoja mbi rëndësinë që i japin shoqëritë e zhvilluara fëmijërisë dhe qëndrimi që mbajmë ne si shoqëri, ndaj kësaj periudhe të jetës së gjithësecilit. Kjo fazë është mjaft e rëndësishme jo vetëm për invidivin por edhe për shoqërinë nga e cila vjen, e në të cilën jeton, pavarësisht kulturës. Nëse dokumentimi i fëmijërisë së autores Marin e shëndërroi atë në qendër të kërshërisë së mjaft lexuesve që nuk kishin jetuar të njëjtin regjim me të, tek ne fëmijëria e kaluar në po të njëjtën periudhë, ka hyrë në kujtesë si e karakterizuar nga pastërtia e raporteve shoqërore, barazia në varfëri, solidariteti mes moshatarësh, lojrat para pallatit, teatri i kukllave në tv. të dielat në orën 10.00, pushimet e verës tek të afërmit në fshat apo në qytet, kampet e pionerit, kabinat e plazhit etj. Bota e trazuar shpirtërore dhe psikologjike tek fëmijët në atë kohë shpjegohej nën dritën e psikologjisë kombëtare që mbështetej në mësimet e partisë dhe të udhëheqësit komunist” gjatë ndërtimit të “njeriut të ri”.

Në këto 25 vitet e fundit realiteti i mundimshëm krijoi pak mundësi për të njohur dhe trajtuar veçantitë e fëmijërisë në kushtet e reja. Shkolla, familja, media si agjencitë kryesore të për edukimin hynë edhe vetë në një atmosferë ndryshimesh. Përpjekjet e shqiptarëve për të siguruar një vend në realitetin e ri i lanë pak mundësi shqetësimit për fëmijërinë, për pasionet, dëshirat, aspiratat dhe perspektivat për jetën. Edhe pse sakrificat për “hir të fëmijëve” ishin të panumërta ato orientoheshin kryesisht tek plotësimi i nevojave për ushqim, veshje dhe shkollim. Një pjesë shqiptarëve që u bënë prindër të pas ‘90 ndërprenë shkollimin, një pjesë tjetër u shkolluan dobët, të tjerë humbën kontaktin me librin gjë e cila u pasqyrua në cilësinë e dobët të edukimit të fëmijëve. Edhe në rastet kur prindërit e rinj ndoqën arsimin e lartë, ata reflektuan dobësitë e një arsimimi të nivelit të ulët.

Rrëshkitja e vazhdueshme e arsimit drejt mediokritetit bëri që në jo pak raste mësuesit të karakterizoheshin nga një formim i paplotë për nevojat e kohës së re. Shumë prej tyre reflektonin dije ku përziheshin konceptet që vinin nga shoqëria e mbyllur totalitariste me ato që i takonin një shoqërie të hapur e demokratike, të cilat të panjohura, përvetësoheshin dhe përshtateshin pjesërisht dhe përciptazi. Kjo paraqitje e mësuesve në cepa të ndryshëm të vendit, reflektohej edhe cilësinë e ndryshme të edukimit tek fëmijëria e nxënësve, tek qasja e tyre ndaj vetëbësimit, talentit që ushqejnë qëllimet afatgjata në jetë.

 Një shërbim i ri që do t’I vinte në ndihmë vlerësimit të specifikave të botës fëminore ishte shërbimi psiko-social, i cili edhe sot pas më shumë se dy dekadash ende nuk ndjehet në ekziston, çfarë ofron dhe cilat janë kompetencat dhe aftësitë.

Ky shërbim u mbështet në studentët e diplomimua që “shkëlqenin” në ciklin parauniversitar me mesataret e ulta. Kjo krijoi një databazë të diplomuarish në ato fusha me të cilat kishin lidhje të dobta apo me të cilat i vetmi argument që i lidhte ishte :” nuk kisha ça shkolle të vazhdoja”.

Polarizimi i skajshëm i shoqërisë bëri që mjaft prej fëmijëve të humbasin solidaritetin me bashkëmoshatarët, tipike kjo për fëmijërinë e prindërve të tyre. Të tjerë u ndanë në shkolla “për fshatarët dhe shkolla për qytetarët”, shkolla jopublike për të pasurit dhe shkolla publike për të varfërit. Në mjaft raste fëmijët ndjejnë shtypjen nga dhuna e “më të fortëve”, përjetojnë trajtimin diskriminues nga mësues interesaxhinj ndaj “prindit me punë të mirë apo që ka para”. Në shumë prej shkollave tona fëmijëria ndahet mes fëmijësh ku prindërit janë divorcuar, janë kthyer nga emigrimi, fëmijë që vuajnë aftësitë e kufizuara. Për ta nuk flet askush si jetojnë fëmijërinë e tyre. Sot nuk arrijmë të flasim as për fëmijërinë e fëmijëve të varfër që i afrohen hashashit në moshën 12 vjeç. As për ata fëmijë që kanë humbur njërin prind.

Ndryshimi i regjimit bëri që mjaft gra edhe kur shkolloheshin të mbeteshin pa punë, duke rritur kulturalisht veten me produkte mediokre televizive. Bota e varfër shpirtërore e pasuruar në këtë mënyrë bëri që mjaft nëna të reja shqiptare të edukonin fëmijët sipas një botëkuptimi të ndikuar nga ky nivel formimi.

Dhe të gjitha këto të mos harrojmë të ngritura mbi një psikologji të trashëguar sipas parimit: “hë se fëmijë është, nuk di”.

Fëmijëria e fëmijëve tanë gjendet në mënyrë të pandërprerë nën ndikimin e mesazheve që nxisin revoltë të brendshme, që i bëjnë të humbin besimin tek solidariteti, që nuk inkurajojnë mbështetjen tek objektivat për një jete të shëndoshë. Modelet që agjencitë që kanë detyrimin për edukim janë të atilla që përcjellin ndarje sociale, që nuk e njohin pasojën që sjell dhuna e “më të fortëve”, janë modele ku gjallojnë mangësitë dhe dobësitë e formimit të mësuesve dhe të prindërve.

Fëmijëria e fëmijëve tanë “bombardohet” nga njoftime mbi njerëz që vriten, nga lojra dhe informacione që nuk arrijnë të monitorohen nga prindërit apo mësuesit. Në moshën më delikate të formimit ata nuk kanë hapësira ku të lëvizin, ku të luajnë, jetojnë me psikozën e prindërve prej frikës nga trafiku, ushqehen me ushqime për të cilat siguria nuk ka asnjë garanci, jetojnë një fëmijëri ku mundësia më e mirë që ju mbetet është tv.

Fëmijëria e fëmijëve tanë sot flet për orë të shpenzuara pa kriter para ekraneve ku programet edukuese dhe pranë psikologjisë së tyre, thuajse mungojnë. Fëmijëria e tyre sot si e tillë është monotone, shenjohet nga “revolta dhe nga pamundësia”.

SHKARKO APP