Fenomeni “Taulant” dhe ndeshjet e shitura

Nga Dr. Eustrat Zhupa* –  E kam ndjekur me interes zhvillimin e ngjarjeve përgjatë mandatit të shkurtër të zv/ministrit të arsimit (dhe sportit). Nuk është qëllimi im të bëj komente mbi pranimin e pozicionit. Më intereson më shumë fenomeni dhe pasojat. Mesa tregojnë tifozët dhe vetë “lojtari”, pritshmëritë ishin të mëdha. Komisari teknik i kërkoi lojtarit të merrte në dorë situatën si kapiten. Taulanti premtoi të bëjë gola, por si fillim u ul në stol me durim. Komisari nuk e futi në fushë për asnjë moment. Pasi Taulanti e kuptoi se ndeshja ishte e shitur, u tërhoq në jetën e tij të mëparshme.

Megjithëse më tundoi parabola futbollistike, nuk dua të merrem me problemet e sportit. Një ndeshje e shitur më shumë nuk është ndonjë çudi e madhe për realitetin shqiptar, por interesi për arsimin më nxit të shpreh mendimet e mia për periudhën e shkurtër, gjatë së cilës lexuam lajme interesante.

Si fillim, e pranoj se nuk i rezistova tundimit për të komunikuar me zv/ministrin, pasi mori detyrën. Nuk kisha marrë ndonjëherë përgjigje të tillë nga një zyrtar i ministrisë së arsimit. Taulanti u përgjigj menjëherë dhe kjo më bëri të mendoj se ai, në ndryshim nga zyrtarë të tjerë, e kupton se karrigen nuk e ka sjellë me vete nga shtëpia, por e ka të paguar nga ne. Kjo më ngrohu disi. Ishte një ndryshim si nata me ditën, po ta krahasosh me mungesën totale të përgjegjshmërisë dhe edukatës zyrtare të ministres. Një përgjigje ndaj çdo qytetari është detyrim, edhe nëse zyrtari nuk e ka pjesë të edukatës së tij personale. Mendoj se një begenisje e qytetarit, pavarësisht nëse i zgjidhet problemi apo jo, redukton arsyet e të zhgënjyerve për të braktisur vendin një orë e më parë.

Mandati i shkurtër i zv/ministrit shërbeu për të bërë publike të “palarat” e ministrisë së arsimit, por kësaj here nga brenda pallatit qeveritar. Ish zv/ministri sqaroi publikisht pozicionin e tij dhe kundërshtitë me ministren. Deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë përgënjeshtrim zyrtar. Një nga thëniet që dua të veçoj është ajo ku zyrtarët e ministrisë komunikojnë me Taulantin duke e këshilluar të mos merret me emra të përveçëm. Në fakt, ky qëndrim i ministrisë është emblematik. Universitetet dhe bota akademike e bazojnë suksesin në emra të veçantë dhe në kontributet e secilit profesor në fushën shkencore. Nuk ka sesi të jetë ndryshe. Nga ana tjetër, në rastin e universiteteve tona emra të veçantë matrapazësh dhe hajdutësh akademikë vulosin dështimin e universitetit të tyre. Këta kriminelë vrasin të ardhmen e të rinjve dhe ndëshkimi i tyre bëhet vetëm duke i identifikuar dhe demaskuar publikisht, ashtu siç bëhet me gjithë kriminelët e rëndomtë. Kjo është e vetmja rrugë. Mesa kuptoj, kjo ishte dhe rruga që Taulanti tregoi.

Para disa ditësh ai hodhi akuza edhe kundër komisionit të plotfuqishëm që po merret me problemet e shkencës shqiptare. Nuk dua të kaloj në detaje, por ish zv/ministri deklaroi se, në fakt, pjesa më e madhe e “doktorave”, që Rama ka caktuar për të shëruar shkencën shqiptare, janë në koma shkencore prej vitesh. Qeveria hesht dhe opozita është në plazh. Kjo është e habitshme, se qeveria rend me një frymë të përgënjeshtrojë lajmet që nuk i shkojnë për shtat.

Nga deklaratat publike të ish zv/ministrit del edhe një tjetër përfundim i frikshëm. Ministria e Arsimit mban sekretet e shumë funksionarëve të tanishëm dhe të mëparshëm të shtetit shqiptar. Duket sikur nëse Lindita Nikolla hap “sëndukun” e diplomave dhe doktoraturave, qeveria, por edhe opozita, tronditet nga themelet. A përdoren këto të dhëna për të bërë presione? Apo thjesht ka një pakt të heshtur opozitë/qeveri për të mos hapur Kutinë e Pandorës. Këtë nuk mund ta dimë, por kemi të drejtën të dimë emrat e atyre që mbajnë pozicione drejtuese, pa pasur shkollimin e duhur. Deri tani, e vetmja e drejtë që kemi fituar është të ulemi në shkallët e stadiumit në pritje të ndeshjes së radhës.

 

*University of Rochester

SHKARKO APP