Fevziu thërret në emision Tan Hoxhën dhe Klodi Lalën, për të shpjeguar vrasjen e gjeneralit iranian dhe a rrezikon Shqipëria të sulmohet nga Irani

Një ngjarje e pazakontë dhe e pandodhshme, ka ndodhur në emisionin “Opinion”, mbrëmjen e sotme.
Moderatori i emisionit, Blendi Fevziu, ka thirrur në emision dy gazetarët e kronikës dhe investigimeve policeske, Artan Hoxha dhe Klodiana Lala, për të shpjeguar përse u vra gjenerali iranian Qasem Soleimani dhe nëse Shqipëria rrezikon të sulmohet nga Irani.

Pritet që Artan Hoxha të japë shpjegime sipas informacioneve të tij tepër konfidenciale nga burime të panjohura, ndërsa Klodiana Lala të shpalosë mendimin e prokurorëve shqiptarë për këtë çështje, veçanërisht lidhur me vrasjen e gjeneralit dhe objektivat e SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Më pas të dy gazetarët e njohur pritet të shpjegojnë rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga raketat iraniane dhe të analizojnë veprimet e Ajatollahut dhe sidomos të dekriptojnë se çfarë ka ai në mendje të bëjë, në raport me vendin tonë dhe kryesuesin e OSBE-së Edi Ramën.

Në fund, pritet që Fevziu, gjetjet dhe analizat e sotme në emisionin “Opinion”, t’i paraqesë në ambasadën e SHBA në Tiranë, si një kontribut i çmuar ndaj luftës tonë dhe të aleatëve, kundër Iranit dhe terrorizmit.
Marrë nga TPZ.al

SHKARKO APP