Fitimi i bankave – 6 miliardë lekë për katër mujorin 2019

Statistikat e muajit prill konfirmuan performancën pozitive të sistemit bankat në vend. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për katër muajt e parë të vitit sistemi arriti një fitim prej rreth 6 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtën vlerë me katër mujorin e parë të vitit të kaluar.

Në terma të kthimit nga kapitali, përfitueshmëria e sektorit bankar ishte 12.1%, nga 12.4% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rezultatet në nivel sistemi mbështeten në standardet e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë. Në tërësinë e vet, sistemi bankar në vitet e fundit ka qenë në vazhdimësi fitimprurës. Ky është rezultat i përmirësimit të cilësisë së aktiveve dhe sidomos uljes graduale të raportit të kredive me probleme, që tashmë është afërsisht në nivelet e 11.5%, ndërsa gjatë viteve të krizës kishte arritur në kufijtë e 25%.

Rezultatet individuale të bankave janë të disponueshme deri në fund të tremujorit të parë të vitit dhe janë pozitive për shumicën prej tyre. Në këtë rast shifrat mbështeten në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, që është edhe standardi ligjor i deklarimit të bizneseve. Rezultati agregat i bankave sipas këtij standardi për tremujorin e parë ishte pozitiv për rreth 5 miliardë lekë.

Nga 13 banka të ngelura në aktivitet, 12 prej tyre raportuan rezultat financiar me fitim, ndërsa vetëm ProCredit Bank e mbylli tremujorin e parë me humbje.

Banka e Kreditit të Shqipërisë nisi në janar procedurat e likuidimit vullnetar, ndërsa më datë 5 qershor Banka e Shqipërisë i revokoi zyrtarisht licencën.

Për banka të veçanta, përfitueshmëria ishte mjaft e lartë, në terma të kthimit nga kapitali. Kështu, Fibank, Alpha Bank dhe Union Bank deklaruan një kthim nga kapitali sipër kufirit të 20%, ndërsa këtij pragu ju afruan shumë edhe Banka Kombëtare Tregtare dhe OTP Bank Bank Albania.

SHKARKO APP