Flamingot dhe pelikanët kthehen në lagunën e Vainit
Pelikanët kaçurrel janë rikthyer në Lagunën e Vainit në Lezhë për të Dimëruar, ndërsa këto ditë shoqëri po u bëjnë edhe flamingot. Shpendët e rrallë i kanë dhënë gjallëri lagunës dhe po tërheqin vizitorë.
Këto pamje vijnë nga Laguna e Vainit në Lezhë. Flamingot dhe pelikanët janë rikthyer në rezervatin natyror.
Shpendët e rrallë krijojnë një pamje mahnitëse dhe po tërheqin mjaft vizitorë. Punonjësit e zonave të mbrojtura vlerësojnë se moratoriumi i gjuetisë ka dhënë ndikim mjaft pozitiv në lagunën e Vainit, duke shtuar ndjeshëm llojshmërinë dhe numrin e shpendëve.
Besiona Simoni, ADZM, Lezhë: Laguna e Vainit ka 196 lloje shpendësh, 59 janë të përhershëm, 69 janë dimëror, 51 janë verro dhe 21 janë aksidental. Janë çafkat e disa llojeve, pelikanët, specie e cila është shtuar këtë vit ku ne numërojmë rreth 70 pelikanë por dhe flamingo.
Laguna e Karavastasë dhe ajo e Nartës konsiderohen “si shtëpi” të flamingove në Shqipëri, por këtë të vit shpendi shtegtar ndaloi edhe në liqenin e Ohrit!
Ekspertët shpresojnë se qetësia, e shoqëruar me bollëkun e ushqimit do t’i bëjë zogjtë të qëndrojnë për t’u riprodhuar dhe për të bërë fole. /Ora News