“FORBES” rendit miliarderët, mes tyre dy gra

Sipas renditjes më të fundit të revistës ekonomike amerikane “Forbes”, megjithëse miliarderët e botës u ulën në numër krahasuar me vitin e kaluar, peshat më të rënda u rikonfirmuan në pozicionet e tyre.

I pari me një pasuri prej 131 miliardë dollarësh u rendit këtë vit Xhef Bezos, themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë tregtare të internetit, Amazon.

Ai raportoi 19 miliardë dollarë më shumë të ardhura sesa një vit më parë, duke ia kaluar bashkëkombasit të tij filantrop dhe themeluesit të kompanisë “Majkrosoft”, Bill Gejts, me 96 miliardë dollarë, apo ekspertit të investimeve financiare, Uorren Bafet me 82 miliardë dollarë.

Për Europën, në vendin e katërt me 76 miliardë dollarë u rendit Bernard Arno, francezi që menaxhon perandorinë me më shumë se 60 marka, si Lui Vuito apo Sefora.

Ndërsa ndër miliarderet gra, më e pasura në botë në vendin e 15-të u listua trashëgimtarja e markës me produkte kozmetike “L’Oreal”, Fransuaz Majers, me 49.3 miliardë dollarë, dhe dy vende më poshtë, Elis Uollton e familjes “Uollmart” me 44 miliardë dollarë.

Ndërkohë, ylli i televizionit Kajli Xhener u bë këtë vit miliarderja më e re në historinë e Forbs me një pasuri prej rreth 1 miliardë dollarësh të krijuar tërësisht me aftësitë e saja, falë fillimisht karrierës së saj si modele dhe më pas si themeluese e një linje produktesh makijazhi.

Në total, 2,100 miliarderët e botës të renditur nga revista amerikane raportuan një pasuri totale prej 8.7 trilionë dollarësh si pasojë e trazirave financiare apo ngadalësimit të ekonomisë globale.

SHKARKO APP