Formula sekrete e ballokumeve të Elbasanit (VIDEO)

Kur më mirë se në Ditën e Verës është koha e përshtashme për të folur rreth ballokumeve. Nëse ende nuk i keni përgatitur dhe jeni në kërkim të një recete për së mbari, ose thjesht ashtu si ne, mendoni se ballokumet mund t’i hani kurdoherë, jo vetëm në 14 mars dijeni se kemi fiks atë që po kërkoni. Përpara jush, receta sekrete e amvisave nga Elbasani! Së pari duhet të dini se finja është një përbërës unik i ballokumes. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit dhe shërben për t’i dhënë shkriftësinë ëmbëlsirës. Ndërkohë përsa i përkes enës, ajo duhet të jetë prej bakri, por mund të përdorni dhe një tas të madh qelqi.

Përbërësit:

1 kg sheqer (jo i bluar)
1 kg mielli misri
500 gr gjalpë i freskët (dhie do të preferohej)
8 kokrra vezë

Gjysmë filxhani kafeje me ujë finje (përgatitet përmes hedhjes së dy-tre lugë gjelle nga hiri i zjarrit në një gotë me ujë, e cila lihet përreth 30 minuta dhe më pas kullohet me kujdes) ose qumësht në mungesë të tij. Në enën e bakrit hedhim sheqer dhe gjalpin e shkrirë dhe masa përzihet për disa minuta. Më pas shtojmë 1 kokërr vezë dhe vazhdojmë me përzierjen. Të njëjtën gjë bëjmë edhe për vezët e tjera. Duke mos ndaluar përzierjen shtojmë ujin e finjës. Pasi jemi siguruar që s’ka kokrriza, fillojmë edhe bëjmë format me dorë. Më pas, i vendosim në tavën e lyer me gjalpë dhe i pudrosim me miell misri. Furra duhet të jetë e pangrohur dhe temperatura diku tek 180-200 gradë.

Shënim: Ballokumet vendosini në distancë me njëra-tjetrën, sepse masa e tyre rritet gjatë pjekjes!

Për më shumë detaje, mund të ndiqni përgatitjen e ballokumeve hap pas hapi, sipas recetës tradicionale të zonjës nga Elbasani.

Receta e Ditës - Si bëhen ballokumet

SHKARKO APP