Forum diskutimi në Fakultetin e Ekonomisë, “Shit dhe bli vetëm në monedhën kombëtare, Lek!”

Ditë e hënë, 20.05.2017, në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë u zhvillua një forum diskutimi titulluar “Shit dhe bli vetëm në monedhën kombëtare, Lek!”.
ABC Tirana Club një qendër studentore me bazë në fakultetin e Ekonomisë ka që prej muajit janar të këtij viti që angazhohet me këtë projekt dhe aktualisht po zhvillon një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut mbi evitimin e përdorimit të monedhave të huaja në dyqane dhe qendrat tregtare.
Në këtë forum ishin pjesmarrës, veç studentëve dhe pedagogëve, edhe ekspertë të ekonomisë dhe financave, përfaqësues nga bankat, nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare etj.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë prof.dr. Dhori Kule, përshëndeti nismën e studentëve, duke nxitur dhe inkurajuar projekte të tilla që kanë në fokus zhvillimet aktuale dhe trendet e ekonomisë shqiptare dhe ballafaqimi me praktikat e vendeve të tjera, anëtare të BE-së, apo në fqinjët e vendit tonë.
“Ne jemi shumë të interesuar që të shikojmë perceptimin e konsumatorëve mbi përdorimin e monedhës kombëtare, të dëgjojmë vlerësime të ekspertëve mbi këto fenomene konkrete të tregut, për të arritur tek propozimet që mund t’i bëhen ligjvënësve dhe ekzekutivit për përmirësimin e legjislacionit”- tha prof. Kule.
Nga aktivistët e ABC Tirana Club u bë prezantimi i gjetjeve të një sondazhi që është zhvilluar së fundmi me konsumatorë në dyqanet dhe qendrat tregtare të Tiranës. Këta tregues ishin dhe objekt në diskutimet që u zhvilluan gjatë forumit.
“Kredoja jonë është që qytetari duhet të trajtohet më mirë”, tha Johan Muka, drejtues i ABC Tirana Club, duke shtuar se, “nuk synojmë me këtë projekt që të demotivojmë apo pengojmë nisma që janë në favour të futjes së Euros si monedhë qarkulluese në tregun shqiptar. Por përderisa monedha kombëtare, Leku, është e vetmja atëherë ne nxisim përdorimin masiv të saj. Kjo eviton problemet që mund të kenë qytetarët nga përdorimi i monedhave të huaja, eviton dsikriminimin nga aplikimi i këmbimit valutor spekulativ. Por gjithashtu evitojmë dhe evazionin fiskal, pasi faturat (kuponët tatimorë), në Republikën e Shqipërisë duhet të lëshohen vetëm në Lek”.
Nga të pranishmit u tha se fushata ndërgjegjësuese dhe informuese do të vijojë, duke shfrytëzuar daljen në ekrane televizive të aktivistëve të Abc Tirana Club dhe ekspertëve, duke u prononcuar në rrjetet sociale, duke publikuar në portalet online që të arrihet informomimi i sa më shumë njerëzve, për të ndikuar në ndergjegjësimin dhe nxitjen e autoriteteve që të bëhet më shumë në dobi të konsumtorit shqiptar.

SHKARKO APP